MISIONI I URTAKËVE KOMBËTARË, 15
20/12/2021 05:57
LIBËR NË VAZHDIME, 15
MISIONI I URTAKËVE KOMBËTARË
Filozofi politike
Lajkatarët
Lajkatarët, janë munduar, nëpër të gjitha kohët, për të gjetur labirinthe, për t’iu shmangur realitetit të krijuar nga ata. Dhe, dikush edhe e ka shpikur togfjalëshin “Borë lajkatare”, që, me vëtëdije apo pa të, e ka goditur kastën e isombajtësve të qirinjndezësve. Kjo kastë është shumë më përfide sesa qirinjndezësit, sepse, këta mundohen ta luajnë lojën e pozicionimit nga i forti. Por, shikuar realitetin që ka ndodhur në shoqërinë njerëzore, këta kanë qenë gjithnjë kundër interesit kombëtar e njerëzor, sepse, nuk ka ndodhur ende që pushtetin ta kenë të merituarit. Mu për këtë, njerëzimi, më tepër vuan nga lajkatarët dhe nuk ia ka zënë ende fillin për t’i luftuar. Për të pasur sukses në luftë kundër tyre, duhet drejtuar gjithë energjinë kundër qirinjndezësve, se, me asgjësimin e tyre, nga pushteti, fillon edhe asgjësimi i lajkatarëve. Edhe pas kësaj, ata, dinë të notojnë, se, marifeti i krijuar nga të fortët ekonomikë dhe nga penguesit e të drejtës për të jetuar, janë kalitur, sa ia tejkalojnë edhe kameleonit.
Këtë alarm, që herët, e kanë dhënë urtakët, madje, edhe duke ua treguar ngjyrat e ambientit, që mundohen të kamuflohen, por, shumë pak u kanë besuar atyre. Kundërshtarët i kanë interpretuar si pazotësi të urtakëve, që të jenë në vendin e tyre, një formë e luftës speciale, kur nuk kanë arritur t’ua thyejnë eshtrat. Në këtë mënyrë edhe lindë fuqia e tyre, që t’u ndihmojë qirinjndezësve në rrugëtimin e tyre, duke lëshuar tymnajë të madhe prapa. Urtakët, ia kanë bërë me dije kombit dhe njerëzimit, se, ku e kanë strofullën këta lajkatarë, por, edhe atëherë janë mobilizuar tri vëllezërit, me shtyllat e tyre, në paralizimin e drejtpërdrejt, e, në anën tjetër, kanë qenë në veprim lajkatarët, për ta çorientuar masën nga mendimet e urtakëve. Kjo ka bërë që urtakët, në një kohë, kanë qenë të pranuar, e, në kohën tjetër, jo, nga bashkëkombasit e njerëzimi, por, rizgjimi i masës, një ditë, ua ka dhënë vendin e merituar urtakëve. Ndoshta, ajo ditë ka qenë e vonuar për urtakët, ndoshta ka qenë e vonuar edhe për kombin e njerëzimin, por, është me rëndësi që e vërteta është pranuar, dhe, kjo e ka shtuar guxmin e urtakëve tjerë nëpër kohë, për të qenë të vendosur në ndezjen e flakadanëve.
Ata që arrijnë t’i zbulojnë lajkatarët përbrenda kombit të vet, ata duhet shpërblyer, sepse, janë nuhatës të mirë, dhe, e zbulojnë rrugën e së vërtetës që i fshihet kombit, se, kush janë mbajtës të qirinjve, që mundohen t’i përhapin në çdo mes të mundshëm. Ata, mund të jenë gjithkund, në çdo mes, në çdo takim të dinjitetshëm, sidomos, me pluralizmin politik, atyre u janë dhënë mundësitë e mëdha. Ata, në dukje, janë të gatshëm të ulen me gjithkë, ata janë të gatshëm të krijojnë situata acaruese, ata janë të gatshëm, nëse e shohin humbjen, të tërhiqen me djallëzi perfide, dhe, i kanë të garantuara labirinthet. Labirinthet e tyre mund të zbulohen shumë lehtë, kur e ke intuitën e zhvilluar, duke u nisur nga trashëgimia familjare nëpër kohë dhe rrethi i rekrutimit dhe rekrutuesve të tyre. Nëse e zbulon njërin nga rrethi i parë, përmes tij zbulohet edhe rrethi i dytë. Kjo është mëse e nevojshme për t’u bërë, nëse dëshirojmë rreth të shëndoshë shoqëror e institucional.
Kohët kanë dëshmuar, se, mu ata që kanë qenë në ballë të luftës me ta, pas kryerjes së një pjese të misionit, nuk i kanë lënë ta vazhdojnë rrugën e mëtejme, sepse, u duhet një garniturë e re, të kenë njerëz lajkatarë, për ta mësuar zanatin. Kjo është edhe arsyeja pse një komb apo njerëzimi, nuk ka arritur të spastrohet nga e keqja. Po të mos ishin lajkatarët, si mund të hynë në vallen e re, diletantët e fushave të ndryshme, nga të cilët mësojnë formimin e pushtetit, forcimin e pozitës së vet, kapjen e aparaturës pushtetare, me të gjithë mekanizmat e vet, dhe, pastaj, luaje macë kryet e buallit. Mu për këtë, shumë urtakë nuk kanë arritur ta kryejnë misionin e tyre, se, dikur, ata janë paraqitur pengesë, dhe, pengesat duhet eliminuar. Metodat e eliminimit janë të ndryshme, i fundit është ai fizik, kur shihet se personi NN i tejkalon përmasat kombëtare, regjionale, kontinentale... E, çudia më e madhe është se atyre u bëhet varrim i dinjitetshëm, ku derdhen lot krokodili, e, që, përsëri, i shtin urtakët tjerë të hulumtojnë pse ndodhi gjithë kjo, dhe, kush qëndron prapa gjithë kësaj. Prapa saj dihet, por, ata që u përkujdesen për mbarëvajtjen e mbulimit me dhe të personit NN, janë mu lajkatarët. Ata i dinë këto marifete. Zanatin e tyre ua përcjellin brezave dhe shoqëria njerëzore do të mbetët pa ata, vetëm kur mbështesin urtakët deri në kryerjen e misionit, duke u bërë mburojë dhe shpërndarës të mendimit të tyre. Vetëm me këtë nuk e kryejnë detyrën për urtakët, por, duhet forcuar mekanizmat institucionalë, për t’i shuar më lehtë qirinjtë, dhe, për t’i dhënë hapësirë flakës së flakadanëve.
Urtakët, duhet çmuar edhe në kohën kur jetojnë, e, jo që kjo të ndodhë pas vdekjes së tyre. Në fund të fundit, pas vdekjes do të vijnë gjenerata të reja që do të merren me bëmat e tyre, do t’i analizojnë dhe do t’i vënë në pah të gjitha meritat që i kanë pasur. Duhet trajtuar temat e tyre, të gjallët, për të gjallë të tyre, se, mund edhe të zgjojnë interesim te urtakët, që temat e trajtuara t’i bëjnë edhe më të kapshme, për të interesuarit. Do të lindin edhe ide të reja për çasje të problemit, nga këndet e trajtimit, dhe, kjo mundëson hapjen e horizonteve të reja, në kohën e duhur, për momentin e caktuar, se, pas vdekjes, horizonte mund të hapen, por, nuk do ta kenë të njëjtin efekt. Këtu qëndron edhe hulumtimi i urtakëve, për të dhënë efekte të menjëhershme. Kemi me dhjetra urtakë, mendimet e të cilëve janë analizuar pas vdekjes, që janë pranuar si ide përparimtare të njerëzimit, e, kombit, por, proceset janë vonuar, mu pse është humbur kohë.
Gjithë këtë kohë të çmuar, për ta trajtuar mendimin e urtakëve, ua marrin lajkatarët, që mundohen, dhe, të shumtën e herave, edhe ia arrinjë qëllimit, duke ua sevirur në pjatë mendimet e qirinjndezësve, për t’i tërhequr nga realiteti kohor. Këta i kanë mjetet e duhura për të vepruar, por, kurrën e kurrës nuk duhet lejuar të bini pre e saj e fëlliqët. Këta janë ata që përgatitin, nga kuzhinat e huaja, gjellëra me melmesa të shijshme, të cilat, në të nuahatur, u duken të mira, por, që ua shkatërrojnë organizmin, që, për pasojë, shkaktojnë jashtëqitje dhe të vjella. Por, po t’i dëgjoni urtakët, këto nuk do t’ju ndodhin në jetë.
Në luftë për të mirën e kombit e njerëzimit, nuk duhet harruar edhe kategorinë e lajkatarëve, se, përmes tyre, qirinjndezësit kryejnë punë të mëdha, në radhë të parë, përgjumjen. Kjo le të ju shtyejë t’i hapni sy e vesh dhe të merrni mësime nga urtakët, të cilët ua vënë në pah të gjitha mundësitë e depërtimit të lajkatarëve në mesin ku jetoni. Ua vënë në pah edhe se si mund të vijnë në mesin e juaj, se si mund t’i zbuloni, dhe, në fund, si mund t’i luftoni. Fitorja ndaj tyre, është një pjesë bukur e madhe e fitores së kombit dhe shoqërisë.
Interesi kombëtar
Interpretimet e rrymave filozofike, janë bërë, varësisht nga kohët dhe nga përfaqësuesit e tyre. Ato, duke kaluar nëpër kohë, kanë marrë formën e sotme, ku, shumica e tyre, edhe kanë zënë zbatim në jetën njerëzore, e, shumë prej tyre, presin një zhvillim të mëtejmë, për t’i dhënë rezultatet e nevojshme, për të mirën e njerëzimit. Këtu, janë të përfshirë të gjithë urtakët, pa marrë parasysh kombin apo ngjyrën. Ka rryma filozofike, që pushtetet u kanë dhënë kahun e duhur, për qëllime të veta, duke mos përfillur burimin njerëzor, për të cilat është derdhur shumë mund e djersë. Ka të tilla, që, edhe i kanë larguar nga bërthama e vet e zbulimit, sa ia kanë humbur në tërësi qëllimin, për nevoja pushtuese e sundimi. Ka shumë gjenerata që janë përballur me çorientimet e rrymava filozofike, dhe, ata kanë marrë epitete të ndryshme nga të pushtetshmit, duke filluar prej dështaku, i shituri, i qëllimshmi, i pamoralshmi, kanibali, etj. Të gjitha këto epitete, në realitet, i kanë pasur etiketuesit, por, janë munduar që këtyre mos t’u lënë vend në shoqëri dhe t’i largojnë sa më shumë nga rrethi ndikues. Ka të tillë që i kanë djegur për të gjallë, ka të tillë që i kanë ngulur në hunj, për së gjalli, i kanë varrosur për së gjalli, dhe, atë, para familjarëve e bashkëfshatarëve, për t’ua shtënë tmerrin, që të ikin nga rruga e tyre. Duke i shfrytëzuar këto momente, kanë ardhur deri te hulumtimi i njerëzve, që do t’u përkushtohen teorive të reja, mbajtjen në qetësi dhe nën kontroll njerëzimin.
Urtakët, i kanë kuptuar me kohë këto lojëra pushteti e pushtuese, dhe, i janë përkushtuar punës vetëmohuese, për ta nxjerrë njerëzimin, apo kombin, në dritë, duke ua treguar rrugën e drejtë, por, me paralajmërim se është rrugë e vështirë, e gjatë dhe e shtruar me gjemba metalike. Për vete, ata, nuk kanë kursyer asgjë, por, qëllimi parësor ka qenë arritja e lirisë. Këta janë edhe flakadanndezësit e kombit, apo, të njerëzimit, se këto dyja janë të lidhura ngusht njëra me tjetrën dhe krijojnë taborin e kundërt me pushtuesit e pushtetarët. Përplasjet e këtyre dy taborëve janë të theksuara që herët, por, në ditën e sotme, sikur janë zbehur dhe sytë i kanë drejtuar drejt atyre të pushtetshmëve, nga një masë e madhe e botës, se edhe të robëruarit kanë shpresë të ju vijë ndihma nga ata. Ata, do të mundohen ta mbajnë qetësinë, që u nevojitet për arritjet e tyre, por, kur të robëruarit ngritin zërin deri në shkallën: o vdekje o liri, ata sikur zgjohen nga gjumi, dhe, varësisht se ku shpërthen moskënaqësia, veprojnë. Veprimi i tyre matet në pëshoren farmaceutike, se, nuk janë ata që derdhin para, pa llogaritur rrotullimin e tyre në qarkullim. Kur e shohin se shuma mund të shumëfishohet, atëherë, veprojnë. Ka raste edhe kur detyrohen të veprojnë, sepse, u preket interesi kombëtar.
Shumë do ta parashtronin pyetjen: Si mund t’u prishet interesi kombëtar, kur gjenden me mijëra kilometra larg vatrës së zjarrit?
Nuk duhet vrarë mendjen, për ta kuptuar interesin kombëtar në këtë largësi, të ndonjë vendi, që mezi mund ta gjesh në hartën botërore. Nga këtu janë nisur urtakët, për ta shpjeguar këtë interes kombëtar të të fortëve, dhe, secili ka bërë analiza për kombin e vet, për t’i ushqyer me të vërtetën në kohë e hapësirë veprimi. Duhet të ekzistojnë disa specifika, që shpallin të fortët, një pjesë, interesin e tyre.
Urtakët tanë, me kohë, kanë zbuluar arsyet e robërimit dhe ato të ndihmesës nga të fortët. Këto elemente i kanë parasysh të gjithë, që vënë gishtin në hartën tonë, dhe, gjithçka varet nga ne, se cilit t’i japim përparësi, me veprimet tona. Nëse nuk lëvizim, përparësinë e kanë pushtuesit, nëse lëvizim, përparësitë i kanë ndihmëtarët, në përmasat e sigurimit të mbikëqyrjes, dhe, jo më tepër. Nëse ne, vërtetë, këtë lëvizje e shndërrojmë në frikësim, për gjithë rajonin, atëherë, ndihmesa nuk do të jetë vetëm për çështje humane, për të drejta të njeriut, por, do të jetë edhe për çështje kombëtare, se, nuk kanë dëshirë të përflaken. Këta urtakë, flakadanndezës, na kanë mësuar se ne kemi një pozitë të fortë gjeopolitike dhe gjeostrategjike, se, ne kemi pasuri mbitokësore e nëntokësore, se ne jemi një komb, më i vjetri në botë, e, me një rini më të re. Se ne jemi komb hulumtues, se jemi komb vrojtues, dhe, të gjitha këto duhet shfrytëzuar. Për t’i shfrytëzuar, ne, duhet t’i bëjmë lëvizjet e para, të menduara mirë, duke mos e shtrirë dorën te asnjëra palë, për mëshirë, apo, ndihmesë. Nëse e marrim mirë në shenjestër pushtuesin dhe dimë se ku duhet qëlluar, atëherë, pala tjetër e shtudion shenjestrën tënde dhe bindet se t’i e ke vendosur t’ia ngehësh këmbëzën. I frikësohet kësaj ngrehje këmbëze dhe mundohet ta dobësojë armikun, në radhë të parë, e, pastaj, edhe të vjen në ndihmën e drejtëpërdrejtë, se, zonën tonë e ka shpallur si interes kombëtar.
Sa i kemi përfillur urtakët tanë, dhe, të veprojmë në kohë të duhur, për t’i thënë njëherë e përgjithmonë, lamtumirë, robërisë?! Përfillja e mendimit të urtakëve tanë, e kishte mundësuar edhe bashkimin kombëtar. Edhe pushtuesi e ka lexuar mirë këtë mendim, dhe, i ka bërë përgatitjet me kohë, duke i futur në lojë qirinjndezësit e lajkatarët e të gjitha kohërave, të të gjitha mentaliteteve, të lindjes e perëndimit, për t’ua zënë “pritën” flakadanbartësve, që garantonin fitoren. Pushtuesit, pak iu desh të merrej drejtpërsëdrejti me këtë punë, në përgatitjen e furtunës, se, njerëzit e pritës ishin “tanët” dhe flisnin gjuhën tonë. Pushtuesi, në fillim, miklohej nga ata të cilët na shpallën si interes strategjik kombëtar dhe mundoheshin të na e mbushnin mendjen ta pranonim atë që kishim. Mirëpo, një robëri klasike, nuk durohej, se, tash, ua kishim hequr maskën të gjithëve, bashkë me ndihmëtarët e tyre. Ne, ua ekspozuam fytyrën e tyre mesjetare, me bëmat e tyre që nuk ndryshonin fare, për t’u treguar edhe ndihmësve, kush janë e çka duan.
Duke mospërfillur mendimin e urtakëve tanë, kemi ardhur në një pozitë bukur të palakmuar kombëtare, dhe përkundër përpjekjeve për t’i orientuar në binarë të duhur rrjedhat logjike për arritjen e qëllimit, përsëri, paraqitet mospërfillja. Në horizont kanë dalur shkëndijat e para dhe po rrokullisen mendimet e “të gjithëdijshmëve” dhe diletantët e sharlatanët kanë filluar ta humbin fushën e veprimit. Edhe këta kanë dalur në pah, se kujt po ia bëjnë argatin, se, lajkat nuk po mund të shiten si të vërteta. Edhe të huajt, nga të dyja palët, e kanë parë se me lajkatarët vështirë të ndalen flakadanndezësit, se, u janë shterur mjetet e veprimit, edhe pse propagandën institucionale e kanë në dorë. Edhje kjo propagandë, po mundohet ta mbulojë terrenin, por, mjegullnaja ka filluar të hiqet. Koka të njerëzve kanë filluar të këndellën, ta shohin realitetin me sy, edhe në fatkeqësi ka fat. Këtë e kemi provuar disa herë, por, edhe sot, nga mospërfillja e rregullave të lojës, që u kanë dalë ndorësh për apetite të hapura nga punëdhënësi, këta qirinj kanë filluar ta humbin flakën. Të shfrytëzohet ky moment i shumëpritur, për ta marrë rrjedhën e vet çështja kombëtare, ne vet.
(Vijon)