MISIONI DHE MISIONARËT PRODHOJNË ENIGMA (7)
07/05/2018 08:03
AFRIM MORINA
MISIONI DHE MISIONARËT
PRODHOJNË ENIGMA (7)
Enigma e njëzetepestë
- Siç duket, ne, duke u marrë me Damën, në Shqipëri, nuk kemi punuar sa duhet. Kjo do të na kushtojë shumë, sepse, Doktori, më afër është me ta, sesa, me ne. Kritiku, hëpërhë, e ka situatën nën kontroll. Mirëpo, veprimet në terren, edhe pse po mundohet t’i minimizojë e injoroi, po dalin të jenë bukur serioze. Edhe zgjedhjet, në Shqipëri, nuk shkuan mirë, madje, u shua edhe pluralizmi, pothuaj, i tëri, sepse, me një grusht kuvendarësh të opozitës, nuk mund të bëhet asgjë. Ka ardhur momenti për t’i vënë në spikamë piramidat, ngase, na ka injoruar bukur shumë. Është treguar bukëpërmbysës. Animin, e tij, nga pala tjetër, nuk guxojmë ta lejojmë, dhe, duhet ndërmarrë veprime të menjëhershme.
- Është e vetmja rrugë, për t’i lëvizur masat?
- Po, dhe, atë, pa humbur kohë.
- A keni ndërmarrë masa për ta mbajtur nën kontroll situatën, se, atje, do të shpërthejë menjëherë.
- Po.
*
* *
- Ka ardhur momenti, për ta bërë situatën edhe më tragjike se me Hungarinë. Kësaj here, nuk duhet të na dështojë plani. Doktori e ka të qartë, se kush ia qiti për lëndinë të palarat, prandaj, do ta përfillë skenarin tonë, që është më i favorshëm për te, përndryshe, do të përfundojë prapa grilave.
- Aq të vështirë e ka, të qëndrojë në pushtet?
- Madje, shumë të vështirë. Duhet dërguar Specialistin, menjëherë, që t’ia japë instruksionet e veprimit.
- Atëherë, të mos humbet kohë.
- Edhe ju, duhet ta luani pjesën e juaj të lojës. Shumë pak, duhet të paraqitet në opinion. Për qytetarët, duhet të vihen në pah vetëm momentet e kërcënimit të Doktorit, nga bandat e jugut, përmes të cilës situatë krijojmë opinionin e ndarjes së Shqipërisë, varësisht nga drejtuesit e pushtetit.
- Atëherë, duhet të veprojmë, të dyja palët.
*
* *
- Kam ardhur t’i japë disa sugjerime, se, si duhet vepruar në këtë situatë tepër kritike për ty, familjen dhe stafin udhëheqës. As ata, matanë Atlantikut, nuk kanë mendim të mirë për ty, prandaj, duhet vepruar, menjëherë.
- I kam marrë të gjitha veprimet e nevojshme.
- Cilat veprime?
- Kam rekrutuar civilë dhe i kam nisur për në qytetet e rebeluara, me uniforma policie, të cilët, do të veprojnë pa mbikëqyrje, por, si ta shohin, vetë, situatën. Nuk do të kenë mëshirë për askënd.
- Nuk mjafton kjo. Mendon, se vetëm me një grusht vullnetarësh mund ta qetësojë situatën. Duhet dhënë urdhër gjithëpërfshirës, që të mos u japësh kohë të konsolidohen, prandaj, vepro, sa ke të bësh vetëm me qytetarë.
- Si mendoni?
- Ju nuk i keni punët mirë me fqinjin, Greqinë. Hap depot dhe nisuni për në jug, me parullën, se po sulmohemi nga Greqia. Këtë karrem do ta hanë të gjithë, madje, edhe kundërshtarët tuaj politikë.
- Nuk mund t’i shpallim luftë, fqinjit!
- Kjo, le të jetë interne, vetëm për ju, pra, për konsum të brendshëm. Duhet përdorur gjithë arsenalin luftarak, madje, edhe helmet kimike, të llojit të veçantë, jo për zënie të frymëmarrjes, por, për asgjësim, e, tek, atëherë, e ke nën kontroll edhe atë pjesë të Shqipërisë, përndryshe, je i mbaruar.
- Është mendimi i juaj, apo, i shtetit që e përfaqësoni?
- Jo. Ky është mendimi i të gjithë neve, në rirreshtim. Nëse keni nevojë, mund të kërkoni ndihmë, qoftë në këshilla, qoftë edhe për veprime konkrete. Duhet ta keni parasysh edhe shkallën e rebelimit, te ne. Jemi marrë vesh, që, ti, nuk guxon t’i mbështesësh rebelët. Nëse nuk vepron, atëherë, përgjegjësia do të të bjerë ty, në të dyja anët e kufirit. E ke në dorë, vetë, për ta zgjedhur rrugën e duhur, sepse, pala tjetër të kritikoi për keqpërdorim vote. Çfarë pret prej tyre? Mendon, se, do të të ndihmojnë të jesh në pushtet? Pushtetin do ta mbashë, vetëm nëse përfillë sugjerimet tona, përndryshe, do të jesh i humbur, politikisht dhe fizikisht, sepse, askush nuk e fsheh mllefin kundër teje.
- Ju faleminderit.
Pas largimit të Specialistit, nga një hyrje anësore, fto këshilltarët dhe rrethin më të ngushtë të pushtetarëve.
- Të mbushen me arsenal luftarak, aeroplanët dhe helikopterët.
- Çfarë arsenali, dhe, për ku?
- Raketa, bomba dhe helme kimike. Këtë duhet përdorur që nga vija ku ndanë veriun nga jugu. Ndërsa, bombarduesit të shkojnë drejt jugut, në qytetin e të mallkuarit Enver Hoxha. Të bëhet rrafsh me tokë. Të prishen të gjitha urat dhe vendkalimet e mundshme, që të mos udhëtojnë drejt veriut.
- Kjo lojë është e rrezikshme. Mund të hynë grekët, dhe, ta marrin atë pjesë!
- Le ta marrin, neve, veç telashe na ka nxjerrë. Nuk e meritojnë, mbështetjen tonë.
Lëvizje qytetarësh. Filloi të lëvizë edhe ushtria, me mekanizmat e saj. U ngritën në qiell, edhe aeroplanët dhe helikopterët. Sytë e gjithë botës ishin drejtuar andej. Flitej vetëm për bandat e jugut, të cilat kishin bërë grushtshtet dhe kërkonin kokën e Doktorit dhe të stafit të tij. Disa, ikën. Burgjet u thyen. Filloi edhe përleshja qytetare, duke mos e ditur askush të vërtetën e kësaj. Depot e ushqimit ishin zbrazur. Edhe depot e armëve, pothuaj, ishin zbrazur. Kishte vende, ku, depot, ruheshin nga qytetarët dhe nuk lejohej të zbrazeshin. Shumë armë dhe municione ishin në duart e qytetarëve. Anarkia, mbretëronte gjithandej, por, mëse shumti, në veri. Bota, filloi të merrej me këtë problem bukur me peshë. Të dyja palët, mundoheshin ta shtinin nën kontroll, për t’u pozicionuar gjeopolitikisht dhe gjeotrategjikisht. Doli në shesh e gjithë loja që ishte inskenuar, me skenarët antishqiptarë. Përsëri, uji i detit filloi ta ndryshojë ngjyrën, nga larushia e veshjeve. Të gjitha mjetet lundruese, ishin vënë në disponim për qytetarët, të cilët, nuk donin të ishin pjesë e luftës civile. Për çdo ditë, vriteshin njerëz, qoftë nga armët, qoftë nga dallgët e detit. Këto pamje rrëqethëse ishin të panjohura për botën.
Enigma e njëzetegjashtë
- Situata është tensionuar shumë, në Shqipëri. Siç duket, këtë, Doktori, e ka bërë me sugjerimet e paktit të rirreshtimit. Duhet ndërmarrë të gjitha masat, që të vihet nën kontroll. Duhet, patjetër, t’i ulim në tavolinë të dyja palët, edhe pse, ka kundërshtime të mëdha, në mes tyre. Kanë dalë në shesh edhe apetitet e të gjitha ngjyrave, dhe, deri sot, na janë ofruar tri harta, në të cilat duhet të vendoset Shqipëria. Ne, nuk guxojmë ta pranojmë asnjërën prej tyre. Në to, shihet mirë ndarja e interesit në mes fqinjve, që, do të thotë, gllabërimi i gjeostrategjisë dhe gjeopolitikës.
- Keni informata të bollshme, për këto harta?
- Madje, të përpunuara në imtësi. Nga prezantimi i tyre, e kemi nxjerrë edhe përfundimin, se, kush ka gisht në luftën civile që ka filluar atje. Kemi informata, se, janë urdhëruar njësite policore e ushtarake, për të hedhur helme kimike, që janë të ndaluara me konventat ndërkombëtare. Kemi informata, se, dy bombardues, me të gjithë arsenalin, kanë ateruar në Itali. Greqia, mëzi ka pritur të ndodhë një rrëmujë e tillë, për ta ringjallur Vorio Epirin, dhe, me kënaqësi, po i fërkon duart. Pra, një hartë, e ndanë në dysh, atë shtet, që, njëra, t’i kalojë palës rirreshtuese, ndërsa, pjesa tjetër, Greqisë, e cila, po ashtu, është në atë bllok, me politikën e re të rirreshtimit, e, në anën tjetër, gjoja, paktit tonë, po i jepet një pjesë. Kjo është lojë shumë shkatërruese, dhe, ne, me çdo kusht, duhet ta mbajmë situatën në dorë.
- Si mendoni të dilni nga kjo situatë?
- Na ka mbetur vetëm dialogu në mes tyre, dhe, atë, duhet detyruar, se, gjakrat janë ndezur shumë.
- Me një fjalë, duhet ruajtur, ende, pushtetin?
- Po. Ky pushtet, edhe pse na e ktheu shpinën, përsëri, është më i pranuar, sepse, rebelët kanë marrë përmasa të mëdha aktiviteti, në Damë.
- Në ekspozenë tuaj, ndër të tjera, përmendet se Dama ka gisht në gjithë këtë lojë të pistë?
- Është e vërtetë, por, nuk guxojmë që gjithë ai arsenal armësh të jetë nën kontroll të qytetarëve, sepse, opozita, shumë shpejt do ta ketë nën kontroll, dhe, kjo, do të jetë një ndihmesë e madhe për rebelët. Nëse arrijmë t’i pajtojmë dhe ta nxjerrin një qeveri të pajtimit, derisa kjo të jetë e gatshme për konsolidim, ne, do të investojmë për zgjedhjet të lira dhe demokratike. Opozita, është e sigurt në fitore, dhe, do të pajtohet, por, ne, duhet t’ua marrim kohën e konsolidimit, ndërsa, në veri, duhet të mos ndërhyjmë, le të mbretërojë anarkia.
- Kemi plan konkret, për këtë?
- Njerëzit tanë janë duke e vështruar situatën, dhe, herëpashere, na dërgojnë informata. Ne, pa humbur kohë, po i analizojmë, dhe, të gjitha analizat e kanë këtë përfundim. Duhet të kyçemi, dhe, ta zbatojmë planin tonë, sa nuk është arrestuar Doktori.
- Mirë, atëherë, veproni. Interesi i ynë strategjik, nuk bën të humbasë. Arkën, e keni të hapur.
Enigma e njëzeteshtatë
- Situata, në Shqipëri, na doli nga kontrolli. Efektin e dëshiruar, nuk arritëm ta kemi, edhe pse, ushtria u shkatërrua, funksionaliteti i pushtetit është i brishtë. Në veri, janë vetëm forcat e Doktorit, të cilat, do të jenë kujdestare, për të mos lejuar ndihma, dhe, do ta përhapin panikun në masë, për të mos i mbështetur terroristët. Ndërsa, përbrenda, situata, po vjen gjithnjë e më e acaruar. Terroristët, guxuan edhe të shfaqen publikisht, para syve tanë.
- Ne, do t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme, por, në fshehtësi të plotë. Kjo, duhet të mbetët mes nesh, madje-madje, as udhëheqja e disa kombeve tona, që janë rirreshtuar, nuk guxon ta dijë, derisa të vjen një moment i favorshëm. Krerët kishtarë, do të jenë në funksion të detyrës. Militantët, nuk duhet të ndalen, ngado që të vinë, e, me kuadro profesionale, do t’u ndihmojmë. Aty, do të dërgojmë ekspertë të të gjitha profesioneve, por, do ta keni edhe mbështetjen diplomatike në çdo nivel të lartë, kombëtar e ndërkombëtar.
- Sikur të mos ndërhynte faktori i jashtëm, terroristët, për ne, janë kafshatë e vogël, në njërën anë, dhe, në tjetrën, akterët e lartshënuar do të na ndihmojnë bukur shumë, qoftë përmes propagandës së brendshme, kokë më kokë, qoftë përmes mediave të informimit.
- Juve, u mbetët t’i koordinoni veprimet me të gjithë akterët që u mbështesin, brenda e jashtë. Këto janë vogëlsira, që, ne, të merremi me to. Sidoqoftë, gjithnjë, do të jemi me ju e pranë jush.
- Faleminderit, dhe, për çdo gjë, do të jeni të informuar.
- Edhe një gjë.
- Urdhëro!
- Ka ardhur momenti që t’i vrasim vëllezërit dhe shokët e tyre, sepse, ata, e kanë shtrirë ndikimin, bukur shumë, në terren. Lirshmëria e bartjes së armëve, për një moment, u përdor si dorë e zgjatur nga ne, por, ky efekt ka rënë, sepse, kanë filluar të mos u besojnë fjalëve, por, veprave. Kemi ardhur në përfundim, se, duhet eliminuar fizikisht.
- Si ta shihni të rrugës, por, pa bujë.
- Përkundrazi. Ata, do të likuidohen në mënyrë spektakulare, për t’ua shtënë datën të tjerëve, që, kurrë të mos mendojnë për rrokje të armëve.
- Atëherë, si ta shihni të rrugës, veproni.
Lajmi mori dhenë, se, Kulla e Jasharëve, u rrethua, dhe, dëgjohen të shtëna armësh të kalibrave të ndryshëm, nga të dyja palët. Një konfrontim që zgjati tre ditë. Gjatë asaj kohe, askush nuk dinte se çfarë ndodhte brenda Kullës, por, jashtë, dukeshin helikopterët tek bartnin kufoma të uniformuara policore.
Propaganda, ishte në nivelin e duhur, por, kjo, nuk çoi peshë te forcat tjera, që nuk kontrolloheshin nga Kritiku. Kryeqyteti u mbush me protestues, edhe pse, nën masa të jashtëzakonshme. Brohoritje për dëshmorët, për vëllezërit Jashari, sidomos, për Ademin. E shpallën dhe komandant të ushtrisë. Gjithë kjo u bë pa miratimin e Kritikut dhe satelitëve të Tij. Mirëpo, protestuesit, nuk e kishin propagandën në dorë, ata kishin vetëm vullnetin dhe kishin flakur nga vetja frikën, për t’u përballur me pushtuesin.
U orkestrua një lojë shumë djallëzore kundër luftëtarëve të lirisë, sa, edhe pala tjetër u bind se këtu kemi të bëjmë me terroristë. Diplomatët e shumë vendeve, që nuk e mbështetnin politikën e Damës, ranë nën ndikimin e kësaj propagande, që vinte nga brenda, dhe, shumë shpejt, bota e mësonte të “vërtetën” e luftës. Madje, filluan edhe kontaktet e diplomatëve me Kritikun, kështu që, politikanëve të Damës, pak, u binte për të shtuar, sepse, njësitet e saj ishin në thumb të sulmeve, dhe, ata përgjigjeshin, nga nevoja e domosdoshme. Pra, luftëtarët e lirisë ishin në mes të dy zjarreve, të propagandës së të gjithëve, pos udhëheqjes së Shqipërisë londineze, dhe armëve të policisë, ushtrisë dhe të paramilitarëve serbo-rusë të të gjitha ngjyrave. Edhe feja e bënte të veten. Propaganda e disa shteteve të perëndimit, ishte e koordinuar me atë të politikës së Damës, sa, kur fillonin t’i emitonin lajmet, në pamjen e parë prezantonin xhamitë dhe zërin e ezanëve, për ta trajtuar luftën tonë si luftë fetare, e, jo, çlirimtare-kombëtare.
Përballja e parë ishte në favorin e Kritikut dhe gjithë sorollopit, që ishte e orkestruar shumë bukur nga qendrat e rirreshtimit. Të tjerët kishin mbetur jashtë loje, e, për të shkuar në terren, që ta mësonin të vërtetën, nuk e kishin marrë lejen nga qendrat e veta. Kur filluan të kontaktonin edhe në terren, dyshimet, filluan të krijohen, për domosdonë e rrokjes së armëve, por, pala tjetër, ishte më e zëshme, për dialog dhe paqe. Kjo, e dyta, u pëlqente të gjithëve, pa e parashtruar pyetjen, me kë të bisedohet, kush do të përfshihet në bisedime dhe për çka të bisedohet. Sidomos, kjo e fundit, ua kishte mbyllur dyert, se, në kohë lufte, bisedimet duhet të kishin një karakter krejt tjetër me ato që do të zhvilloheshin në paqe. Filluan të gjithë t’i mëshonin të njëjtit tel. Hamendjet, ekzistonin, por, edhe frika se kush do ta merrte guximin për të shkuar në bisedime, nga pala shqiptare. Kur e panë se në këtë plan po e humbnin betejën, iu kthyen Doktorit, që, ai, ta hidhte vallen e destabilitetit, sepse, shumë ushtarakë ishin kyçur në formacione të çlirimtarëve, prej nivelit më të ultë deri te ai më i larti, dhe, kishin filluar përgatitjet shumë serioze për përballje përfundimtare.
- Ty, të erdhi radha, përsëri.
- Çfarë mund të bëj, veç asaj që jam duke e bërë?!
- Ju, duhet ta inskenoni një situatë, për të krijuar moskënaqësi, dhe, të organizoni grushtshtet. Terroristët, duhet ta humbasin mbështetjen, në Tiranë, madje, edhe mediat e informimit duhet t’i shtrëngoni fort, që të konsolidohen me propagandën tonë. Bota, do të merret me ju, e, ne, vetëm me ta.
- Cila situatë do ta ngriste në këmbë masën, kur, të gjithë i kanë hapur sytë, dhe, kanë kuptuar se çfarë po ndodhë matanë kufirit?
- Keni një përvojë të madhe për këtë. Ne, të shpëtuam dhe po të mbajmë në skenën politike, pa të hyrë asnjë therrë në këmbë. Mendoje veten, se, ku do të ishe, sikur të mos e kishe mbështetjen tonë? Prandaj, ka ardhur momenti të veprosh më tepër se kurrë, në të kundërtën, e di se si do të përfundosh, nëse këta dalin fitimtarë? Nuk t’i harrojnë vrasjet dhe burgosjet që i ke bërë. Duhet të gjesh arsye, për këtë moment, për t’i prekur m’u në palcë, dhe, me çdo kusht, duhet të përmbyset ky pushtet.
*
* *
- Ju kam thirrë, që, të mendoni për situatën e krijuar.
- Çfarë të ka ra ndër mend?
- Edhe pse Kritiku thotë, se është shpartalluar ushtria çlirimtare, nuk është e vërtetë. Ata janë duke u konsoliduar, madje, kanë kampe edhe te ne.
- Ata janë të Kritikut.
- Jo, unë, po flas për kampet e terroristëve. Ata, do të na nxjerrin telashe, poqëse fitojnë. Do të hakmerren, për të gjitha ato që u kemi bërë. Sado që jemi munduar t’i paraqesim si të paqëllimta, aksidentale, apo, si domosdoshmëri veprimi, ata i dinë të gjitha dhe qëllimin çfarë e kemi pasur.
- Atëherë?!
- Nga Specialisti, ka ardhur një propozim, për të vepruar.
- Propozim për të vepruar, kur dihet se ne nuk kemi mundësi të ndërmarrim veprime?!
- Ai, na sugjeron për një organizim grushtshteti, që, në përballjen e dytë me ushtrinë e Damës, terroristët të mos kenë mbështetje, e, ne, do të arsyetohemi se nuk jemi konsoliduar ende si pushtet.
- Si të organizohet grushtshteti, kur na e ka kthyer shpinën, pothuaj, i gjithë elektorati?
- Ai, sugjeron që të përdorim një truk bukur të fortë, që do ta ngriste në këmbë masën.
- Ua tha?
- Jo, prandaj, u thirra për ta sheshuar mirë, si ta thërrasim popullin për të dalë në rrugë. Nëse arrihet qëllimi, secili, do të angazhohet për të kryer veprime të caktuara. Kam biseduar edhe me ata të Kritikut.
- Dhe?!
- Janë në dispozicion tonin, gjatë gjithë kohës.
- I besoni?!
- Si në fillim të daljes në skenë, kur na ndihmuan me të gjitha mjetet që na nevojiteshin. Edhe këtë herë, do të veprojnë, sepse, edhe ata janë mbushur me mëkate kundër tyre, dhe, me dhënien e informatave të dyanshme, kundër terroristëve, kanë krijuar armiqësi me ta.
- E kam ndarë mendjen, se, poqëse e kurdisim një atentat kundër ndonjë figure nga radhët tona, besoj se do t’i prekte ndjenjat e qytetarëve, por, për këtë, duhet të na ndihmojë shumë, propaganda.
- Thua, se, është e vetmja mënyrë, dalja e qytetarëve në rrugë?!
- Po.
- Atëherë, kush do të ishte personaliteti që do ta ngritte peshë popullin?
- Mendoj, se, Vogëlushi, i plotëson kriteret.
- Vogëlushi?!
- Po.
- Është e mundur?! Mos po na provokon?!
- Pse do t’u provokoja?
- Nëse ju e keni ndarë mendjen për grushtshtet, atëherë, le të bëhet ashtu.
- Kam biseduar edhe me Lartmadhërinë.
- Ia keni treguar planin?
- Të gjitha, përveç flijuesin. Ai, e ka tumirur dhe është i gatshëm që, me rroba mbretërore, të jetë përkrah nesh.
- S’është e çuditshme. Edhe Ai don të përfitojë nga kjo rrëmujë, dhe, me përmbysjen e pushtetit, menjëherë, do t’i drejtohet fronit.
- Le të bëjë, si të dojë. Ne, ia kemi nevojën.
- Atëherë, të merren masa organizative.
- Në një takim të radhës, do t’i merrni të gjitha instruksionet. Secili, do ta dijë detyrën dhe vendin e veprimit.
*
* *
- E vranë, Vogëlushin!
- Pushteti!
- Nuk e di.
- Vetëm ata dinë të bëjnë këso marifetesh!
- Ku?
- Këtu, afër.
- Protestë!
- Ky pushtet, duhet të bjerë. Janë mësuar të vrasin pas shpine. Ani, kë, Vogëlushin, që nuk kanë guxuar t’i dalin përballë!
- Si të veprojmë.
- Nën armë! Këtë kanë lypur, këtë do t’ua japim.
- Duhet të tubohemi, t’i sheshojmë gjërat.
- S’ka çka sheshohet më, dihet kush e vrau.
Rrëmujë. Hynin e dilnin. Doktori, të gjithë i kishte ngritur në këmbë. Mundohej, të gjithëve, t’ua nguliste në kokë se Vogëlushin e kishte vrarë pushteti.
- Atij, i frikësoheshin. Nëse nuk ndërmarrim veprime, për çfarë po kërkojnë, në pabesi, do të vritemi të gjithë, njënganjë. Ky pushtet është i kriminalizuar.
- Lartmadhëria, në telefon.
- Alo! … po, po Vogëlushin… Çfarë bëhet kjo pyetje?! Ata e vranë… pushteti! Ata që na e vodhën votën, tash, në këtë mjegullnajë, duan të na i marrin edhe kokat…. Kriminelët!…Të lajmëroj…, faleminderit.
- Organizoni mbledhjen komemorative. Le të bëhet edhe një Këshill organizativ, për një varrim me dinjitet, si luftëtar që ishte, idealet e të cilit duhet dërguar edhe më tej. Këtij burri, shpagimi i bëhet vetëm me rrëzimin e Qeverisë dhe me burgosjen e të gjithëve, se, ata janë kokat që e kanë paguar gishtin, për ta vrarë.
Lëvizjet, ishin pak më të koordinuara. U zgjodhën edhe njerëzit për ta udhëhequr ceromoninë varrimtare. Edhe Lartmadhëria, kishte vajtur për ngushëllime. Hyri, edhe Specialisti. Doktori, me ta parë, iu afrua afër, dhe, pëshpëritën diçka në veshin e njëri-tjetrit. Dolën.
- Kufoma do të kalojë “Sheshit të Kombit”. Në ballë do të jeni: Ti dhe Lartmadhëria. Ai, do ta ketë uniformën mbretërore. Kur të vini në këtë pikë – i tregoi një skicë, - do të ndaleni. Do ta mësyni Kryeministrinë. Do të ketë njerëz të armatosur, përbrenda kortezhit të funeralit. Janë caktuar edhe pikat, ku do të përqëndroheni. Një prej tyre do të jetë Radiotelevizioni shtetëror. Aty, dhe në disa vende, do të ketë njerëz me uniforma të UÇK-së. Veproni, me mençuri. Do shihemi.
Kolona varrimtare, filloi të lëvizë. Në “Sheshin e Kombit”, nisi të ngadalësohej hapi, sipas porosisë. U shpërndanë, rrufeshëm. Mësynë dyert e Kryeministrisë. Kufoma, mbeti në shesh. Askush, nuk i rrinte pranë. Rrëmujë. Dëgjoheshin krisma armësh të kalibrave të ndryshëm. Mundoheshin, ta ringjallnin Bundestagun dhe Pallatin Dimëror, për të treguar sa të fortë janë.
Përpjekjeve, filloi t’u bie intensiteti. Dikur, pushuan.
- Na dështoi edhe ky plan. Por, nuk është edhe pa efekt. Sidoqoftë, terroristët janë dobësuar, të paktën, moralisht. Ne, nuk duhet të ndalemi.
- Me çka jeni duke u marrë, për momentin?
- Kemi përfunduar analizën e dështimit të grushtshtetit. Kemi marrë opinionet e të gjithëve, që janë të interesuar për atë pjesë të Evropës. Luftës, po i vjen fundi. Intensifikimi i bisedimeve, është në vazhdën e tij. Ne, nuk jemi të gatshëm të hymë në pazare me të tjerët. Kemi takuar të zhvillohen bisedime vetëm me Kritikun, dhe, atë, përbrenda territorit tonë, qoftë në Prishtinë, qoftë në ndonjë qytet tjetër.
- Dhe?!
- Kritiku është i gatshëm, por, nuk e ka guximin. Pikërisht, për këtë, jemi duke e organizuar një takim me përfaqësuesit e minoriteteve dhe përfaqësuesve të Kritikut.
- Do të keni rezultat?
- Me të tjerët, po, e, sa për Atë, nuk e dimë ende. Për çdo rast, do të jemi të informuar. Do të shërbehemi, në veprime dhe propagandë, me fjalët e Kritikut: “UÇK, nuk ka më. Ajo, u shua!”. Për sot, përfundoi. Takohemi, sipas nevojës.
(Vijon)