MISIONI DHE MISIONARËT PRODHOJNË ENIGMA (6)

03/05/2018 05:45

AFRIM MORINA

 

MISIONI DHE MISIONARËT

PRODHOJNË ENIGMA (6)

 

Enigma e njëzetedytë

 

            - Ka ardhur momenti, për t’ia dhënë grushtin e fundit frymës së diktatorit Enver Hoxha, dhe, atë, shumë shpejt. Edhe data është caktuar, e, do të përkojë me një datë tonën historike, ndërsa, ata nuk kanë dijeni për këtë. Kjo do ta ketë efektin e njësimit të datës, sepse, gjithnjë do ta festojnë këtë datë, të cilën, e festojmë dhe ne. Pra, për ne do të jetë festë e dyfishtë, të cilës i shtohet edhe ngadhënjimi ndaj Enver Hoxhës.

            - Sikur, kjo temë ishte mbyllur kaherë, nga ne, dhe, tash, me këtë, do të merren të tjerët?!

            - Fakt që të tjerët merren me këtë, mirëpo, populli i ynë, për ta arritur rirreshtimin edhe fetar, do ta ndërmarrë një veprim, përmes të cilit do t’u mëshojë irredentistëve, sepse, pjesa më militante është nëpër burgje, e, shumica që janë rreshtuar pas Kritikut, tashmë, janë zbutur dhe vështirë të konsolidohen për të reaguar, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, forcohet pozita e Kritikut dhe e Analistit, këtu, e, atje, forcohet pozita e Doktorit, ndërsa, në njësitin e tretë, forcohet pozita e Filozofit.

            - Që të katërtit e kanë bekimin e taborit tjetër, dhe, janë forcuar bukur fort. Ne, duhet të jemi vetëm spektatorë të ngjarjeve, dhe, aty-këtu, ta bëjmë ndonjë veprim, sa për të qenë prezentë dhe të informuar për rrjedhën e ngjarjeve.

            - Ky është gabimi, që, ne, nuk duhet ta pranojmë. E kemi hulumtuar dhe analizuar situatën e krijuar, dhe, domosdo, se, duhet të jemi, ne, ata që do ta udhëheqim vallen, sepse, mbrojmë interesin tonë kombëtar, gjeostrategjik dhe gjeopolitik. Ne, nuk guxojmë të dalim në periferi, por, duhet ta udhëheqim procesin, dhe, atë, në dy plane. E para, nuk do të ndodhë takimi i Kritikut me Gjeneralin, për t’i bashkërenditur veprimet, sepse, atëherë, do të gjendeshim mes dy zjarreve. E dyta, me rrëzimin e monumentit të Enverit, do të ndihet më i fuqishëm Doktori, dhe, do të krijonte besim edhe më të madh, për ne. Atij, do t’i konvenonte kjo, sepse, për shkak të afërsisë, do ta ketë edhe ndihmën njerëzore, që, për çdo rast, do të konsideroheshin si bashkëkombës, dhe, të tjerët, me vështirësi do ta kritikonin këtë veprim. Ashtu, ashtu, ky komb do të lëviz dhe të gjithë e dinë dhe e presin këtë, atëherë, vetëm ne mund t’i shtimë në lëvizje, që do t’u konvenonte të gjithëve. Më mirë të lëvizin në mbështetje të Doktorit dhe Kritikut, sesa të lëvizin në mbështetje të irredentistëve dhe Enverizmit.

            - Edhe ne kemi informata, nga këndi politik, se, për rrëzimin e kultit të Enverit, janë duke u bërë përgatitje nga pala tjetër, madje, po investohet bukur shumë, në mbështetje të Doktorit.

            - Këto, qëndrojnë, dhe, ne, nuk jemi duke thënë se kjo mbështetje i mungon Doktorit, nga tabori tjetër, por, ne, kërkojmë prej jush, që të na lejohet të jemi si prijës të situatës dhe të tjerët të na vinë pas. Veç parasë, nuk na kushton asgjë tjetër, ndërsa, palës tjetër i kushton më shumë, por, vështirë e kemi, pastaj, të pozicionohemi atje. Kjo luftë bëhet për territor, na është dhënë mundësia, nuk duhet ta lëshojmë zogun nga grushti. Kur, ne, të pozicionohemi atje, shumë gjëra mund t’i kontestojmë, në të ardhmen. Orientimet politike duhet t’i kenë sikurse ne, kokën nga ne, e, dorën kah perëndimi. Kjo shkollë na ka sjellë këtu ku jemi, dhe, nuk jemi sa për të qenë të shënuar në hartë gjeografike, por, edhe në atë politike e ushtarake.

            - Tash, prekët thelbin e problemit. Si e mendoni këtë?

- Ne, e kemi përpiluar skenarin e rrëzimit të monumentit, në Tiranë. Aty, do të mobilizohen misionarët tanë, por, edhe të përkatësisë sonë kombëtare. Në rrëmujën që do të krijohet, nuk do të dallohen. Rrëzimi i monumentit do të bëhet shumë spektakular, dhe, xhirimet tona do marrin dhenë. Doktori i ka të gjitha instruksionet. Këto, i ka edhe Kritiku. Atmosferën që kemi arritur ta krijojmë, të gjithë së bashku, kundër kultit të Enver Hoxhës, është e jashtëzakonshme, por, edhe pala tjetër ka dhënë kontribut shumë të madh, do t’i tejkalon përmasat e parapara dhe jehona do të kalojë, gjithandej, rruzullit tokësor. Ithtarët e tij, do të goditën rëndë, në zemër, por, propaganda, do ta mbulojë kundërshtimin e tyre me pamje për dhe rreth monumentit, dhe, ato protesta do të diktohen vetëm brenda, e, kjo mund të prodhojë luftë civile, për çka jemi shumë të interesuar, për t’i shkatërruar projektet e tyre për bashkim kombëtar, dhe, përsëri, të gjenden në tavolinë bisedimesh, për fatin e tyre, ndërsa, për këtë pjesë, as që do të diskutohet, pra, do të jetë çështje e jona, përjetë. Ne, duhet të veprojmë, e, mendimi i juaj?

- Ky zbërthim, gjatë kësaj ekspozeje, dhe, me këtë analizë gjithëpërfshirëse, na e mbush mendjen, se, jeni të përgatitur për të operuar, ndërsa, ne, do ta mbajmë frontin tonë, kudo që na jepet mundësia. Nuk na mbetët asgjë tjetër, pos, t’ua japim mundësinë e veprimit. Miratimin tonë e keni. Veproni.

 

 

Enigma e njëzetetretë

 

            - Erdhëm për t’ua prezantuar një projekt të ri, i cili do të gjejë mbështetje te qytetarët, por, duhet të jemi të kujdesshëm, për ta pasur nën kontroll.

            - Çfarë na qenka ky projekt i ri, dhe, kaq serioz?!

            - E kemi ndarë mendjen për ta lejuar krijimin e ushtrisë dhe të policisë, në udhëheqjen e Kritikut, i cili, edhe është pajtuar me këtë, pasi ia kemi shpjeguar qëllimin.

            - Çfarë na qenka ky qëllim?! Ku e dini ju se mund t’i kontrolloni këta mekanizma, kur, në te do të aderojnë njerëz, që deri sot, nuk janë pajtuar me politikën tonë?

            - Nuk është ashtu. Atë, nuk do ta udhëheqin pjesëtarët e irredentistëve. Mund të jetë ndonjëri prej tyre, por, që ka dhënë prova, se, janë tërhequr nga ajo rrugë, dhe, janë në shërbim të plotë të Kritikut.

            - Po, ata që u burgosën dhe të tjerët që u rekrutuan në Shqipëri, në çfarë ane do të mbesin?

            - Ky edhe është qëllimi i formimit të këtyre mekanizmave. E para, u paralizua takimi i paraparë me Gjeneralin, sepse, ky mekanizmi që ishte për këtë takim, tash, është shuar, me burgosjen e shumicës së kryesisë, nuk do të mundësojë takime të tilla, por, duhet t’i dalë dikush në mbështetje. Mbështetjen më të mirë do ta ketë nga Qeveria në ekzil, dhe, nga këta dy mekanizma, që, zyrtarisht, do t’i paraqesin arsyet e tyre, që do ta bindin edhe elektoratin. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është, se, si parti me Qeveri, dhe, të gjithë mekanizmat e krijuar, e ka edhe të drejtën e krijimit të mekanizmave të tillë, që, për çdo rast, do t’i mbronin aspiratat e tyre.

            - Dhe pret që ne t’u mundësojmë krijimin e këtyre mekanizmave, që të na kthehet bumerang, nesër-pasnesër?

            - Ende, nuk jeni duke u kuptuar. Këto mekanizma, do të jenë fikse, pra, në letër, dhe, kur të na duhet, i burgosim.

            - Si do të reagojnë, nëse burgosni me dyzina njerëz?! Duhet llogaritur, se, të gjithë i kemi në këmbë.

            - Sikur Kritiku ta ndërmarrë një veprim të tillë, për t’i mbështetur ata, dhe, të bëjë thirrje për mbrojtjen e tyre, po. Mirëpo, ai, nuk do t’i mbrojë.

            - Jeni të sigurt, për këtë?

            - Shumë. Kjo po bëhet në kohën kur Doktori po vjen në pushtet dhe Filozofi po e merr udhëheqjen në njësinë e tretë, më të koncentruar, të tyre. Që të tre, do t’i koordinojnë veprimet dhe në një moment të caktuar, do të jenë zëri i ynë, për të gjitha ngjarjet që do të ndodhin. Kritikut, i kemi dhënë leje për t’i krijuar edhe dy mekanizma bukur me peshë, atë të inteligjencës dhe të sigurisë. Këtu, madje, i kemi njerëzit më të devotshëm, dhe, prej atyre që kanë qenë të larguar nga puna, por, edhe ndonjë i burgosur politik, e, nuk do të mungojnë edhe ekspertët tanë, që janë ende aktivë. Të gjithë, së bashku, do ta paraqesin një forcë bukur të madhe, dhe, çdo përpjekje për rebelim do të përcillet nga këta, dhe, nuk do të ketë jetëgjatësi veprimi.

            - I kemi siguruar njerëzit dhe keni marrë bekimin e këtyre figurave politike,  ushtarake e policore?

            - Mbështetje kemi marrë nga figura kyçe, të atyre që janë të përfshirë në projekt-paketë. Mekanizmi i parë, ushtria nuk do të ketë jetë të gjatë, ndërsa, të tjerat, do të veprojnë derisa t’ua kemi nevojën.

            - Nuk do të jetë zhgënjyese për partnerët tanë?

            - Gjithçka është pjesë e marrëveshjes, me të cilin janë pajtuar të gjitha palët. Kemi informata, se, irredentistët, kanë filluar ta nuhasin realitetin e krijuar me Kritikun dhe Filozofin, prandaj, kanë filluar të ndërmarrin veprime për shkëputje dhe krijimin e mekanizmit ushtarak. Në momentin që ne do t’i kemi faktet për këtë mekanizëm, do të ndërmarrim veprime për burgosje të pjesërishme të ushtarëve të Kritikut, por, pa e prekur Ministrin dhe Komandantin e tyre. Kjo do të jep për të kuptuar, se, një parti, më e madhja në këto hapësira, e krijoi ushtrinë, por, nuk pati mundësi ta kryejë misionin e vet, sepse, ne, jemi gogoli i tyre, dhe, i zbulojmë edhe në birë të miut. Nga kjo frikë, do të tërhiqen të gjithë, dhe, nuk do të kemi më problem me krijimin e ushtrive. Një pjesë e tyre do të largohen në Shqipëri, dhe, atje, do të ndërmerren veprime shumë të ashpra. Do të largohen të gjitha kuadrot, të cilësuara si mbështetës të idesë së bashkimit kombëtar. Do të ndërrohet edhe struktura e Shërbimit informativ, dhe, të gjithë irredentistët do të përndiqen në të gjitha anët e kufijve ndërshqiptarë.

            - Nëse jeni fort të sigurt për veprime të tilla, dhe, loja e juaj nuk do të dalë në pah, mund të veproni, por, si qëndron raporti me të tjerët?

            - Edhe pala tjetër, është e pajtuar, madje, edhe investon, për ndryshimet në Shqipëri, por, nuk di asgjë për planin tonë. Po, për një gjë jemi të sigurt, as ata nuk janë të interesuar që këtu të krijohet mekanizëm ushtarak, se, ende nuk janë të përgatitur për veprime të njëanshme, madje, interesin e shohin, përmes nesh, në atë pjesë.

            - Mirë… Veproni, por, me kujdes të shtuar.

 

 

Enigma e njëzetekatërtë

 

            - Planet kanë filluar të ecin mirë. Kemi arritur t’i koordinojmë veprimet me Doktorin, Kritikun, Filozofin, Analistin dhe Nobelistin. Që të pestët, po i kryejnë detyrat e shtëpisë, ndërsa, edhe ne po i kryejmë detyrat tona. Fazën në të cilën po hymë, është një fazë shumë me peshë. Për largimin e kuadrove ushtarake po kujdesen Paramilitari dhe Specialisti, dhe, po zëvendësohen me kuadro që kanë pak njohuri për strategjinë e luftës. Kjo punë, është duke shkuar mirë. Përmes Filozofit kemi arritur ta paralizojmë dhe ndajmë bukur mirë punën e krijimit të ushtrisë, që është nën juridiksionin e Tij dhe disa syresh janë burgosur. Edhe me Kritikun, puna nuk qëndron keq. Janë koordinuar veprimet, përmes agjenturave të kundërzbulimit, dhe, shumë irredentistë, që na shpëtuan pa u burgosur, po lëvizin në Shqipëri. Madje, kemi informata, se, ata, e kanë identifikuar Paramilitarin, dhe, e kanë nën vëzhgim.

            - Paraqet rrezik kjo?

            - Jo. Sepse, kemi arritur edhe ne t’i identifikojmë personat më të zhdërvjelltë, dhe, janë marrë masa për përcjelljen e tyre, e, nëse është e nevojshme, të zhduken edhe fizikisht.

            - Deri ku ka arritur ushtria e Kritikut?

            - Edhe rritën e saj, e kemi nën kontroll. Dobësimi i ushtrisë në Shqipëri dhe burgosja e rangut të lartë të udhëheqjes, dhe, aty-këtu, ndonjë kuadër përgjegjës, të kreut të saj, këtu, do ta mbyllë kapitullin e luftës.

 

*

*       *

 

            - Ju thirra për t’ju njoftuar, se, protagonistët e krijimit të një ushtrie janë nën pranga.

            - Sa veta janë?

            - Rreth tetëdhjetë, por, disa kanë ikur në perëndim dhe në Shqipëri. Një grup irredentistësh, të uniformuar, nuk do për t’ua ditur veprimeve tona, edhe pse, njëherë, u përballen me ne. Edhe ata do të mundohemi t’i përcjellim, por, do të ndërmarrim veprime propagandistike, përmes Kritikut, për t’i shpallur persona të padëshiruar, sepse, ata, po e ndjellin ujkun në torishtë, duke e rritur fuqinë tonë, dhe, këtu ishte edhe qëllimi i krijimit të ushtrisë, përmes Kritikut.

 

*

*      *

 

            - Erdhëm për t’ua dhënë një informatë.

            - Ka peshë?

            - Sot, në mëngjes, ka filluar operacioni për shuarjen e ushtrisë së Kritikut.

            - Janë paraqitur probleme në terren, dhe, sa do të zgjasë ky operacion?

            - Jo. Me këta e kemi më lehtë, se, pothuaj e kemi gjithë regjistrin e tyre. Disa i kemi lejuar të ikin në Shqipëri, për të mos u rritë numri i të burgosurve.

            - Pastaj?!

            - Ata i kemi nën kontroll.

 

*

*      *

 

            - Pas shumë konsultave në terren, e, me krerët fetarë, edhe nga bota arabe, kemi ardhur në përfundim, t’i thellojmë edhe më tepër ndarjet fetare, sidomos, aty ku a kanë juridiksionin Kritiku dhe Filozofi, e, të tjerët do të shkojnë pas tyre si delet pas kripës.

            - Pse duhet investuar edhe më tepër, kur, atje, të gjithë u drejtohen xhamive, madje, nuk po kanë as vend për t’i kryer ritet?

            - Ashtu është, që, me zbatimin e pluralizmit, xhamitë janë përplot, por, po ta analizojmë në thellësi, ajo nuk bëhet për besimin që kanë, sepse, ne, kurrë nuk ua kemi ndaluar fenë, por, këtë e bëjnë për t’ju shmangur etiketimeve për enveristë, madje, edhe për ta përfituar votën, qoftë në kuadër partie, apo, pushteti, të tyre.

            - Atëherë?!

            - Nga analizat dhe konsultat që i kemi bërë me specialistë të fushave të ndryshme, sidomos, me ata fetarë, se, duhet krijuar edhe një oazë specifike fetare, që nuk është askund, nën juridiksionin e Kritikut. Edhe me të është biseduar, e ka tumirur këtë ide, por, pa e ditur qëllimin, ose, pa ditur se ku do të dalim. Stafi fetar, një pjesë e udhëheqjes, ka pranuar ta fillojë punën për hartimin e një Kushtetute, madje, edhe prej atyre që deri dje ishin kundër tyre, kanë pranuar të jenë në grupin e ekspertëve.

            - Mirë. Ku doni të dilni?!

            - Përmes mekanizmave tanë, kemi filluar ta shpërndajmë propagandën, se, ata, nuk kërkojnë liri kombëtare, por, liri fetare. Ne jemi të gatshëm të lëshojmë pe, dhe, do t’i bëjmë me Kushtetutë. Sipas të gjitha zhvillimeve që po ndodhin, ne, do të përballemi edhe me armë, dhe, përmes kësaj, ne, do ta arsyetojmë para shteteve të perëndimit si luftë fetare, që, do të thotë luftë civile, ku po luftojnë konfesionet ndërvete.

- Atëherë, çka kërkoni prej nesh?

            - Fonde.

            - Përllogaritni sa ju duhen, dhe, do t’i keni.

            Filluan të lëvizin në terren. U caktua një komision për ta hartuar një Kushtetutë të shtetit islamik. U lëshua në qarkullim shumë sekret, me të cilën kishin të drejtë të merreshin vetëm kuvendarët. Kuvendi, ishte caktuar të mbahet.

            Rrodhën informata, për lojën që luhej. Të gjithë aktivistët e ilegales filluan të kontaktonin dhe të bisedonin me kuvendarët, ku kishin besim, dhe, ua shpjegonin lojën e kurdisur. Kosova, nuk duhej të ketë Kushtetutë fetare, ky ishte përfundmi.

            - Përsëri, po takohemi. 

            - E, tash, kjo po më duket si e jashtëzakonshme?!

            - E tillë është. Nxjerrja e Kushtetutës fetare dështoi. Jemi munduar ta gjejmë arsyen, dhe, kemi ardhur në përfundim se ilegalja ka ndërhyrë dhe i ka ndaluar kuvendarët për ta votuar. Por, kryesorja është se ua kemi mbushur mendjen, se, u duhet identifikimi fetar, që ta mund identitetin kombëtar.

 

*

*      *

           

- Jemi kujdesur, përmes Specialistit, që të furnizohemi me karburante. Do të binden të gjithë, se, nuk ka çka na bën embargoja.

            - Kush do të jetë furnizuesi?

            - Krushku i dhëndrit tonë ka hapur bisedimet për furnizim me karburante. Është përkujdesur që, në fshehtësinë më të madhe, të lidhet marrëveshja, dhe, mallërat të transportohen përmes Liqenit.

            - Sasia…?

            - Sipas nevojave tona, por, duhet të mbetët sekret i dyanshëm.

            - Kur mund të fillojë, se, janë duke u shterur rezervat?

            - Brenda dy apo tre ditësh.

 

*

*         *

 

            - Ka ardhur momenti për t’i koordinuar veprimet edhe më shumë. Shihet se në shtetin tënd po sillen disa persona të rebeluar, dhe, këtu, po mundohen të përgatiten për aksione të armatosura, për te ne. Këtë, nuk mund ta tolerojmë, prandaj, duhet të veprojmë, së bashku.

            - Si?!

            - Ju do ta lëshoni një dekret, ku do të sqaroni për veprimet që do të ndërmerren ndaj personave të padëshiruar. Do të filloni me zbatimin e tij dhe ata që do të vinë në territorin tonë, ose do të prangosen, e, ndoshta edhe do t’i vrasim. Kujdes për Argjendin, ai, kurrsesi, nuk bën të na dalë doresh, sepse, ka zbuluar lëvizjet e Paramilitarit, kush e shoqëron dhe në cilat vende po shkon. Po ashtu, ka zbuluar edhe furnizimin me naftë dhe kemi informata se është i lidhur me vëllezërit, që i prijnë bandës këtu e te ne.

            - Edhe ne kemi disa informata për Argjendin, dhe, është në përcjellje të vazhdueshme edhe nga pala e jonë, madje, na ndihmojnë edhe ata të ambasadës së Kritikut.

            - Njerëzit e Kritikut, nuk bën të preken. U kuptuam?

            - Po.

            - Ndërmerr veprime.

            - Siurdhëroni!

 

*

*      *

 

            - U lëshua në qarkullim dekreti?

            - Po.

            - Ndërmerrni veprime, por, me kujdes. Me çështjen e Argjendit le të merren organet më të larta.

            Shtimi i kontrollit shihej. Identifikoheshin njerëzit përmes pasaportave. Nuk kishte të arrestuar, por, kjo paralajmëronte furtunë.

            - U arrestua Argjendi?

            - Po.

            - Mirë. Gjetët diçka të dyshimtë në punishte e banesë?

            - Jo.

            - Ka folur diçka?

            - As që e hap gojën.

            - Merru, ti, me të. Nuk guxon të na dalë nga dora. Të gjitha përgjegjësitë bien mbi ty, nëse nuk mund t’ia arrish qëllimit, i ke duart e lira të veprosh, ku të duan e me kë të duan. Filmimet duhet gjetur, për të parë se çka ka në to, dhe, të nxirrni informata se kujt ia ka dërguar, sepse, disa gjëra janë zbuluar rreth naftës dhe Paramilitarit.

            - Alo. Çfarë?! Nuk foli? Mirë, humbjani gjurmët! Më lajmëruan se Argjendi vdiq. Nuk foli, fare. Dosja, të mbyllet menjëherë, dhe, asnjë gjurmë të mos zbulohet. Edhe me familjarët kujdes se si të komunikoni. Kjo le t’i mbetet biznesit, qërim hesapesh mesvete.

 

*

*        *

 

            - Kemi dëgjuar se ekzistojnë armë të deponuara për rebelët, dhe, kjo sasi është bukur e madhe. Duhet, menjëherë, të largohen prej aty.

            - T’i asgjësojmë?

            - Jo, nuk ka mundësi, por, mund të shiten, dhe, do të keni përfitime.

            - Ne nuk kemi përvojë për këtë?

            - Do t’ua mundësojmë ne, përmes Specialistit.

            - Nuk do të ketë problem?

            - Puna me Argjendin, përfundoi. Mirëpo, na intereson, nxorët diçka prej Tij?

            - Jo.

            - Duhet filluar me të tjerët, por, me kujdes. Këtyre, veç duhet bërë me dije se nuk janë të mirëpritur në territorin e tyre, dhe, nuk do të lejojnë ushtrime ushtarake, apo, ndonjë shantazh, që do t’ua humbasë prestigjin, në botë. Për momentin, askush nuk është i gatshëm për luftë, ndërsa, ne, edhe më pak, sepse, jemi të zënë me zhvillet luftarake, që po ndodhin te ne.

 

*

*        *

 

            - Të gjitha, shkuan sipas planit?

            - Po.

            - Nuk do të ketë më aktivitete ushtarake, këtu?

            - Shpresojmë.

            - Çka u bë me depot e armëve?

            - Falë Specialistit, të gjitha shkuan në treg, dhe, nxorëm përfitime të majme, që nuk do të shkojnë në thesarin e shtetit, por, nëpër xhepat tanë, për forcimin  e pozitave tona.

            - Si po shkon loja piramidale?

            - Mirë. Qytetarët, janë të varur prej nesh. E kanë bishtin të zënë me derë, sepse, të gjitha kursimet i kanë deponuar aty.

            - Lojë e mirë. Kjo do të na nevojitet për të ardhmen. Të gjithë ata që do të ngrenë kokën, do të goditen nga kjo lojë. Mirëpo, ju nuk duhet ta merrni përsipër këtë, sepse, do t’ju kushtojë me pozita shtetërore e shoqërore.

            - Kurrsesi.

            - Sipas situatave të krijuara, do të kemi takime, por, nga ato të nivelit të agjencive, edhe të Kritikut, do të vazhdojnë. Këmbimi i informatave ka peshë të madhe për të dyja palët. U bë?

            - U bë.

 

(Vijon)

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode