MISIONI DHE MISIONARËT PRODHOJNË ENIGMA (4)

28/04/2018 13:06

AFRIM MORINA

MISIONI DHE MISIONARËT 

PRODHOJNË ENIGMA (4)

 

 

Enigma e katërmbëdhjetë

 

- Përshëndetja me dy gishtërinj ka filluar ta bëjë efektin e vet. Një pjesë bukur e madhe e ka pranuar atë. Mirëpo, na duhet të ndërmarrim edhe veprime të tjera, më thelbësore. Është momenti, që, gjithë garniturën politike, intelektuale dhe njerëz të vullnetit të mirë, t’i angazhojmë, për të kërkuar nga demonstruesit, ta ndërpresin demonstrimin dhe të kthehen në shtëpitë e tyre. Kemi dhe një delegacion nga blloku tjetër, që rri krahas personaliteteve shqiptare, që mundohen t’i përvetësojnë, por, është e kotë, sepse, ne i kemi dosjet e tyre dhe po u vërejt se po fillojnë të anojnë, ne, u këcënohemi me publikimin e tyre, dhe, ata do të sprapsen. Duhet ndërmarrë gjithë këtë angazhim të ri, sepse, demonstrimi ka mbuluar gjithë hapësirën e Damës, ku synojnë ata. Kemi frikë se do të marrin përmasa shumë të mëdha, ndoshta, edhe shpërthyese, për të cilën gjë nuk jemi të gatshëm, sepse, ka njësi tonat që presin vetëm një pretekst, dhe, na zgjerohet fronti. Nuk mund të dalim kundër të gjithëve, e para, ndërsa, ajo më thelbësorja është, se, e kemi vështirë të ballafaqohemi me shqiptarët, sepse, nuk dimë çfarë arsenali ushtarak disponojnë. Nga agjentët tanë dhe të miqve, dimë për ndryshim strukturimi ushtarak, dimë për forcën fizike aktuale, dimë për mundësinë e mobilizimit të menjëhershëm, dimë për efektin e bunkerëve dhe rolin e tyre, por, çka është më e rëndësishmja, nuk guxojmë, nga blloku tjetër, të lëshohemi në aventurë, e cila ua mundëson edhe bashkimin. Prandaj, duhet lëvizur figurat që i kemi në disponim. Këtij potenciali politik e intelektual që kemi tubuar rreth vetes, duhet dhënë hapësirë mediale, për thirrje që të ndërpritet demonstrimi, duke e paraqitur edhe rrezikun që mund të vijë edhe nga faktori ndërkombëtar.

- Sipas jush, situata është duke u përshkallëzuar?

- Po. Madje, me theks të veçantë. Ua thashë edhe më parë, se republikat veriore po e presin vetëm shkasin për të ndërmarrë veprime radikale, për shkëputje. Kjo u pa edhe në kongresin e partisë, por, ne u detyruam të shpifim, se, gjoja, e kemi  zbuluar çerdhen e shtabit ushtarak të irredentës, e, gjakrat janë qetësuar pak, por, edhe në forume të ndryshme, kanë thënë se ata nuk kanë ushtarë për t’u bërë mish për top. Në mitologji, ekziston e marta, që nuk duhet ndërmarrë disa veprime, prandaj, në gjuhën e folësve duhet futur “të martën e përgjakshme”, për të futur tmerr te organizatorët.

- Me sa kemi informata, organizatorët nuk janë të ndikuar nga feja, dhe, si enveristë të përbetuar, nuk do të zmbrapsen.

- Sot, duhet provuar me këtë, e, nëse nuk prodhon efekt, dalim me ndonjë mendim tjetër, por, për këtë duhet konsultuar të gjithë krerët e popullit, jo vetëm të kombit tonë, por, edhe fenë dhe krerët e akademisë.

- Ndërmerrni veprime, ne do të mundohemi të marrin kontakte me pistat që ju i sugjeruat.

Ekranet televizive filluan të trumbetonin për të “Martën e përgjakshme”. Lloj-lloj figurash dilnin në ato ekrane, jo vetëm shqiptare, për t’ua mbushur mendjen se, nëse nuk ndaleshin së demonstruari, ka për t’u bërë plojë e përgjakshme, dhe, organizatorët do të ndëshkohen për këtë. Shkruanin edhe gazetat, e zëri i tyre dëgjohej edhe në radio. Edhe organizatorët filluan të mendonin për këtë. E analizuan në tërësi dhe u ndanë dysh. Njëra palë e besonte këtë, ndërsa, pala tjetër e kishte shkoqitur gjithë lojën dhe mori qëndrim: Demonstrimi do të bëhet, derisa arsenali dhe uniforma ushtarake të dalë jashtë garnizoneve, veprim që nuk mund ta arsyetonte askush, nga cilido bllok të ishte, se, ishin nën okupim klasik.

            Të gjithë, e pritnin në ankth ditën e nesërme. Folësit, dilnin me radhë. Të gjithë, përcilleshin me vëmendje. Pakkush e dinte kush ishin organizatorët, që t’ua kërkonin ndaljen e demonstrimit. Ata që i njihnin, ishin bashkëveprues dhe i mbështesnin. Edhe ndër organizatorët që ishte krijuar kjo ndarje, e pritnin ditën e nesërme, të martën e përgjakshme.

            Demonstrimi u bë, por, vetëm në tre qendra dhe kaloi siç kishin kaluar edhe ditët e tjera. Doli se ishte propaganda e kurdisur mirë, dhe, ditëve të tjera, morën aq përmasa të mëdha, sa u detyrua të dalë në terren ushtria, duke mbuluar të gjitha akset rrugore, që lidhnin qytetet ndërvete. Zyrtarisht, ishte pushtet ushtarak, edhe pse nuk e thanë asnjëherë, as figurat e reja politike, por, kjo u kuptua nga bota demokratike, nga intelektualët e kombeve të tjera dhe shtypi i dha jehonë të madhe shtrirjes së ushtrisë në tokat e kryengritësve.

 

 

Enigma e pesëmbëdhjetë

 

            - Është momenti i fillimit të projektit tonë të ri, sepse, të gjitha përpjekjet e derisotme kanë dështuar. Dështimi ka ndodhur, dhe, kjo nuk duhet të jetë një fshehtësi. Nuk jemi të vetmit që e pranojmë këtë, sepse, kanë dështuar të gjitha projektet e secilit bllok a shtet, që ka qenë i angazhuar në këtë pjesë të Ilirikut. M’u për këtë, na duhet një qasje e re e angazhimit tonë, të cilin e kemi analizuar deri në detaje.

            - Edhe ne e kemi kuptuar dështimin. Për këtë do të flasim në ndonjë moment tjetër, ku duhet të llogaritet a ia vlejti të investohet aq shumë, për një hapësirë kaq të vogël?

            - Se e ka vlejtur, kjo është llogaritur me kohë. Edhe pse është vend i vogël, po të shikohet në hartën gjeografike, është, madje shumë i vogël, por, në hartën gjeopolitike dhe gjeostrategjike është shumë, shumë i madh. Këtë e vërteton edhe angazhimi i të gjithëve, pa përjashtim, i të dy pakteve dhe i botës së tretë. Mos të harrojmë, se shkaku i atij vendi kanë qenë në luftë shumë shtete me perandorinë Romake, Bizantine e Turke, madje, edhe të dy luftërat botërore kanë filluar m’u aty. Shën Stefani e Berlini, madje, edhe Posdami, Londra, Versaji e Parisi, janë thirrur, pikërisht, për këtë pjesë të botës, dhe, sot e asaj dite, nuk kanë pushuar projektet për ta shtrirë ndikimin ndaj saj. Nuk do të merremi tash me historinë, nuk do të merremi tash me milionat e miliardat që i kemi shpenzuar, por, do të merremi me efektin domino aty, ne a pa të tjerët, se, sa për ata, nuk diskutohet më. Ky ishte investimi i derisotëm, që, këtë pjesë të Gadishullit Ilirik, të mos e zotërojnë ata, shqiptarët, dhe as të tjerët, por ne!

- Çfarë ngërthen projekti i juaj?

- Planifikojmë ta gjejmë momentin e duhur, që të vërshohen tragetet e gjithçka që mund të shërbejë për lundrim, duke u premtuar edhe qumësht dallëndysheje, siç i thonë ata, në sferën tonë. Partneri i ynë do të vërshohet me të ikur, por, edhe për këtë, jemi kujdesur të shtojmë mjete në xhirollogarinë e komisionierit për refugjatë. Kjo, në njërën anë, nuk do të na nxjerrë problem, por, problemi është, si do të fillojë, posa të fillojnë të afrohen qytetarët pranë bregdetit, duhet orientuar kahun e zhvillimit të kolonave. Kemi investuar në personelin e anijeve, për t’i bartur, kemi investuar edhe te qytetarët bregdetarë, që të ju ndihmohet, po ashtu, edhe në një bisedë me aleatin tonë, që t’i mirëpret në bregdetin e vet dhe t’u rrijë gati me gjithçka që ju duhet. Kemi investuar edhe në intelektualë, që, për gjithçka që do të ndodhë, ta fajësojnë qeverinë, ngathtësinë e saj për intervenim, pamundësinë e saj për t’i ushqyer, paaftësinë e saj për t’u siguruar jetë të dinjitetshme, etj. Kur të rregullohet kjo, do të ndërmarrim masa për largimin e Nobelit, megjithëse, ai, nuk ka kurrfarë pengese, dhe, as që kemi ndonjë informatë se do t’i ndodhë diçka. Ne, duhet të jemi vrojtues të ngjarjeve, dhe, të gjitha ato që do të ndodhin, të përcillen përmes syrit të kamerës, pa analiza zyrtare, e ato mediale do të ndodhin, ne, nuk duhet t’i ndalim. Ne, do t’i përcjellim, përmes ekipeve, të gjitha ngjarjet, në të dyja anët e bregdeteve. Me siguri edhe nga blloku tjetër do të merren me këtë fenomen, edhe ata do të merren me analiza, madje, me këtë shpërthim kaq të papritur, ata, do jenë të zënë në befasi, dhe, kjo bën që edhe ata do të jenë vrojtues të situatës.

            Gumëzhinin rrugët nga lëvizja e qytetarëve. Të gjitha rrugët që shkonin në bregdet, u mbushën, me të dhënë të një lajmi, se, një anije peshkimi, plot me refugjatë, po shkëputej nga bregdeti shqiptar. Ky ishte shkaku, ndërsa, ata që ishin në mision të kësaj, ishin djersitur, se kush më mirë po e kryente detyrën, duke i orientuar qytetarët drejt trageteve e anijeve, për të hipur në to. Tragetet, anijet e peshkimit, motoskafët, filluan të mbingarkoheshin, dhe, Adriatiku e Joni kishin ndryshuar pamjen e kaltër, me laramani ngjyrash nga veshjet, një vend i përshtatshëm për kronikanë e misionarë. Këto pamje ishin në qendër të vëmendjes së propagandës dhe shumë rrëqethëse për shikuesit e televizioneve. Bregdeti Italian ishte mbushur me të ikur, të cilët kërkonin parajsën, dhe, m’u për këtë kishin lënë gjithçka në shtëpitë e tyre. Mirëpo, dallgët e deteve merrnin me vete trupa refugjatësh.

            Pati komente të duardurta. Komentonin edhe misionarët shqiptarë. Në thumb të kritikës ishte pushteti. Atëherë, ndërhynë edhe komentuesit e tjerë, zyrtarë, të "pavarur" e privatë. Komentonin edhe të dyja blloqet, secili sipas planifikimit të vet, por, pa i bërë publike synimet.


           

 

Enigma e gjashtëmbëdhjetë

 

            - Nuk janë rezultatet e pritura. Dikush ka ndikuar që ky fenomen të kalojë pa problem.

            - Dukshmëria është e theksuar, mirëpo, nuk kemi arritur ta kuptojmë si ndodhi kjo. Mendimi i ynë, është i ndarë në dysh. I pari, se udhëheqja ka qenë shumë e përgatitur, për të mos u përsëritur Temishvari, dhe, mendimi i dytë, nuk kemi ditur t’i qasemi thelbësores, ndoshta, nuk janë njerëz dinjitozë dhe të mirëpritur nga ana e jonë, që do ta ngritin në këmbë masën. Sepse, gjithë kjo që ka ndodhur deri tash, më tepër i ngjason stihisë dhe kalkulimit të taborit tjetër, për një jetë më të qetë, që nuk do t’u mungojë as qumështi i dallëndyshes, poqëse do të ikin në vendet e tyre të preferuara.

            - Edhe kjo ka ndikuar shumë, dhe, këtu qëndron arsyeja pse ne duhet qasur me metoda të tjera. M’u për këtë kemi bërë një plan, që këto ngjarje do ta ngjallin urrejtjen në mes të pushtetit dhe mbështetësve tanë. Jemi konsultuar me kuadrot meritore. Për ta udhëhequr operacionin, njëri ka të bëjë me planin e veprimit, deri në ekzekutim, ku, duhet të jetë prania fizike e njerëzve tanë, të cilët janë vendosur atje dhe po merren me studimin e vendit e me personalitetin e shënjestrës, dhe, tjetri, këtë shkas duhet ta shndërrojë në shkak për të marrë përmasa kombëtare të tyre. Sipas informacioneve që i kemi, pjesa e parë e operacionit është përgatitur në detaje, ndërsa, me planin e dytë, po punohet edhe mëtej, madje, ky angazhim i yni do të jetë i vazhdueshëm, këmbëngulës deri në shkaktimin e plojës së përgjakshme.

            - Do të thotë, është gjetur vendi, mënyra dhe protagonistët, për ta kryer punën e tyre?

            - Po. Vendi do të jetë në kaos. Shënjestra do të jetë një student i respektuar i rrethit. Edhe për këtë jemi përkujdesur, që të fillojë një demonstrim, e, sa do të jetë i madh, nuk kemi informata, por, vrasja e tij do t’i irritojë qytetarët, dhe, besojmë se të gjithë do të ngriten në këmbë.

            - Tash, të gjithë në veprim dhe të kujdeseni për grumbullimin e informatave, dhe, ato të cilat nuk jeni në gjendje t’i zbërtheni, dërgojini në qendër, por, edhe për të gjitha problemet që mund të krijojnë huti. Ato që mendoni t’i zgjidhni, përshpejtoni, dhe, në këto letra do t’i keni të gjitha instruksionet, madje, edhe emrat e veprimtarëve tanë, të cilët janë të gatshëm për të vepruar, me çdo mjet që u vjen në dorë. Kjo situatë do të krijojë edhe huti në taborin tjetër, sepse, ata po e luajnë lojën ngreh e mos e këput dhe janë shumë të hutuar, ngase, nuk e kanë pritur ndërhyrjen tonë. Ata, nuk do të dalin haptas kundër nesh, se, na e kanë leverdinë dhe nuk do të guxojnë, në këtë moment, të na e kthejnë shpinën.

            Në qytet fillojnë të tubohen qytetarët, dhe, herëpashere, brohorasin për demokracinë. Nuk shihen shenja të revoltës së pritur, për përballje me pushtetin. Masa fillon të tubohet gjithnjë e më tepër. Ka, aty-këtu, zëra të revoltës së theksuar, sidomos, të ish anëtarëve të grupeve kriminale, si bashkëpunëtorë të fashizmit dhe të nazizmit, e, më vonë, edhe të shërbimeve të huaja, për zhbërjen e Shqipërisë, të posa liruarit nga burgjet, të cilët duan rehabilitim sa më të shpejtë dhe përfitime nga kjo situatë e krijuar. Feja, filloi ta shtrijë ndikimin e vet, për më shumë liri të shprehjes së mendimeve. Kjo zhurmë e tyre nuk përfillej nga qytetarët, dhe, në këto momente, prapa tyre u dëgjuan disa krisma arme. U shtangën të gjithë. Dikush, pas shpine, e kishte goditur një demonstrues, student, dhe, ata që ishin në rrjedhë të ngjarjes, ngritën duart në drejtim të postëkomandës dhe zyrës së selisë së pushtetit, si dorërasëse. Një pjesë vrapoi atje, një pjesë mbeti e hutuar, duke e shikuar viktimën, e, me sy hulumtonin drejtimin e ardhjes e plumbave. Pozita e viktimës së shtrirë dhe plumbat që e kishin goditur nga prapa, nuk jepnin shenja për t’i fajësuar këto dy pika, që u bënë qendra të sulmeve.

            Rrëmuja filloi, një tren ishte nisur për në kryeqytet, dy-tre vetë biseduan ndër vete dhe njëri prej tyre ua bëri me dorë disave, që rrinin pak më larg dhe mësynë ta zinin trenin. I vunë flakën me koktej molotovi, mirëpo, ai vazhdonte të ecte, ndërsa, brenda u dogjën një grua dhe dy fëmijë. As që i shkoi ndër mend dikujt, se çka po ndodhte aty brenda. Treni ecte rrugës së tij.

            Raportet e mbrëmjes, që i morën të gjitha palët e interesuara të asaj ngjarje, ishin: një i vrarë, disa të lënduar nga demonstruesit dhe mbajtësit e rendit dhe tre të djegur në tren. Përgjegjësia filloi t’i hidhet pushtetit, për të gjithë atë që kishte ndodhur. Secila palë bënte analizën në planin e vet, kishte shkuar apo jo deri te qëllimi. Duhej marrë masa vepruese në shkallë më të gjerë, apo, jo.

            Përfundimi, do të shkohej në qytet, për ta parë situatën nga afër. Kishte zëra kundër, por, edhe të tillë që e mbështetnin udhëheqësin. U vendos. Veturat e nisura nga Kryeqyteti, që ecnin rrugës. Kur arritën te ura, e cila ishte e bllokuar nga ana tjetër, ku kishin zënë pritë edhe njerëz të gatshëm për të zbrazur plumba. U bë një heshtje e madhe. Udhëheqësi dha shenjë që të ndalën. Ura, vështirë të kalohej, sepse, mund të ndodhte ndonjë tragjedi, nga frika. Zbritën, dhe, pas pak, ndau mendje.

            - Do të shkoj në këmbë

            - Nuk bën, - e kundërshtuan disa, në mesin e tyre edhe këshilltari.

            - Unë do të eci, le të më vrasin.

Më shumë zëra kishte, që bënin thirrje për të mos e kaluar urën. Filloi të eci. Heshtje varri në të dyja anët. Kaloi urën dhe filloi të kalojë nëpër turmë, e cila i hapte rrugën. Filluan ta ndiqnin edhe të tjerët, edhe protestuesit, deri në selinë e pushtetit lokal. Filluan ta diskutonin vrasjen e studentit. Atë nuk e kishte vrarë pushteti, as masa, por, dikush jashtë tyre, armiku. Sepse, analizat e balistikës tregonin se vendi nga kishte ardhur krisma, nuk përkonte as me pozitën e institucioneve shtetërore, por, as me pozitën e demonstruesve. Përveç kësaj, edhe arma nuk përkonte me ato zyrtare, por, një lloj arme e prodhuar në Damë. Vetë arma tregonte se shënjestra ishte marrë nga larg. Sikur u qetësua situata.

            - Dhëndëri, nuk është në nivel detyre, por, nuk kemi alternativë tjetër, këtë e mbështet edhe tabori tjetër. Prandaj, duhet t’i koncentrojmë më shumë misionarët tanë, që ta bindim se ne jemi e vetmja zgjidhje për te, se, në të kundërtën, do t’ia publikojmë dosjen.

             

 

Enigma e shtatëmbëdhjetë

 

            -Të gjitha projektet tona, të derisotme, kanë dështuar. Ndoshta, nuk kemi ditur t’i gjejmë akterët e vërtetë, për të vepruar, apo, kanë një mekanizëm të fortë të agjenturave, që na kanë zbuluar që në hapat e parë. Ndoshta, edhe informatat nga Dama kanë qenë të pavërteta, dhe, tash, e kanë ndryshuar rrjedhën e gjërave në interes të ngushtë, edhe pse, gjatë gjithë kohës na kanë pasur aleat. Siç duket, motoja e rirreshtimit ka bërë që t’i ngjeshin radhët ndërvete, dhe, nuk na e kanë nevojën më. Edhe pse, Zonja e Hekurt, i ka pasur punët pushkë me ta, përsëri, ne, dalim te përfundimi se qëllimi i tyre ka qenë ta forcojnë ndikimin e vet, e, ne të përdoremi si fuqi mbrojtëse e tyre. Na kanë shfrytëzuar, për t’ua mbajtur ison, në gjithë këtë lojë që kanë bërë me shqiptarët në hapësirën e Damës, ndërsa, neve na kanë orientuar vetëm për pjesën tjetër të shqiptarëve. Pikërisht, këtu na lindë problemi, pse inteligjenca e jonë ka dështuar, dhe, të gjitha mjetet, që kemi dhënë, në këtë plan, kanë shkuar huq. M’u për këtë, duhet të gjejmë metoda te reja, se si t’i qasemi problemit të rajonit. Duhet ta heqim nga agjenda Enver Hoxhën dhe ta zgjerojmë veprimtarinë në kuadër të rajonit, sepse, aty luhen lojërat e interesit gjeostrategjik e gjeopolitik. Tash, kemi të bëjmë me kolektivin dhe jo me individin, edhe pse personifikohen me atë, lëvizjen irredentiste.

            - Më dukeni pak si tepër pesimist, në këtë plan. Nuk guxojmë të heqim dorë.

            - Nuk e thashë se duhet hequr dorë, por, duhet ndërruar kursin e veprimit. Deri tash, jemi marrë me filozofinë politike të individit dhe ndikimit që ka pasur ai në të gjitha këto zhvillime politike përbrenda kombit të vet, dhe, më gjerë. Sot e tutje, duhet marrë me situatën e krijuar në terren. Duhet joshur forcat e reja që kanë dalë, larg ndikimit të misioneve tjera, në këtë rast, të Damës, por, jo më përmes sulmit ndaj Enverit, se me këtë problem kanë filluar të merren edhe vet shqiptarët, dhe, miku i ynë matanë oqeanit. Ne, duhet të krijojmë strategji kundër rirreshtimit të ri politik, në skenën globale, përndryshe, do t’i humbasim të gjitha predispozitat, të jemi faktorë me peshë në historinë më të re.

            - Pra, ju kërkoni nga ne që të kalojmë në një fazë të re të luftës speciale, jo vetëm në relacion me shqiptarët, por, edhe me rirreshtimin?

            - Saktë. Këtë po e kërkojmë, që të kemi mbështetje edhe nga ju.

            - Mund të na thoni diçka më tepër, për këtë çështje?

            - Pas rënies së Murit të Berlinit, ka filluar një etapë e re në politikë. Kjo dëshmon, se, shumë pak kemi qenë të përgatitur për këto zhvillime të reja. Dështimi në qytetin verior na i çeli sytë dhe na dha për të kuptuar, se, ne, nuk duhet të radhitemi krahas shteteve që mashtrohen për imtësi, por, duhet ta zëmë vendin që meritojmë në këtë histori të re. Po ta pyesim veten, pse iu deshtë një populli të gjejë rirreshtim edhe në fe, duke i lënë, për momentin, interesat nacionale, veç e veç? Mund të nxjerrim përfundime të mëdha, dhe, që meritojnë për një analizë më të thukët. Sipas të gjitha analizave të bëra, instituti i ynë, ka ardhur në përfundim se lufta e jonë duhet zhvilluar në dy drejtime. E para, duhet injoruar kultin e Enverit dhe shpartallimin e interesit të rirreshtimit në këtë hapësirë gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Dihet tashmë, se, lufta bëhet për profit dhe profiti i sotëm është shtrirja e ndikimit në pjesë të caktuara të globit, ndërsa, për momentin, interesi më i madh është shtrirja e ndikimit në atë pjesë bukur me peshë, sa edhe gjithë Lindja e Mesme.

            - Kjo, është e kuptueshme. Mirëpo, duhet të na e zbërtheni më mirë këtë, dhe, do të shihemi në një takim tjetër, ku, shpresojmë, se, do të dilni me gjëra konkrete, që të lypset ndihmesa për veprim. I keni duart e lira, për të gjetur misionarë te shqiptarët, dhe, njësoj, për metodat e shpërblimit, duart i keni të lira.

            - Besojmë, se, shumë shpejt do të dalim me gjëra konkrete, por, ky takim ishte sa për informim të shpejtë për gjendjen në terren, sepse, në qytetin e veriut, dështuam plotësisht. Aty pati komplot, dhe, së pari, duhet zbërthyer nga erdhi ky.

            - Punoni me kujdes dhe përkushtim. Do të shihemi.

 

(Vijon)

 

 

 

 

 

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode