MISIONI DHE MISIONARËT PRODHOJNË ENIGMA (2)

23/04/2018 06:47

AFRIM MORINA

 

MISIONI DHE MISIONARËT

PRODHOJNË ENIGMA (2)

 

Enigma e pestë

 

- Jemi të ftuar në Qytetin e zonjushave, ne të tre, që do t’i përfaqësojmë trojet dhe interesat tona. Aty do t’i marrim sugjerimet e mëtejme për veprim. Jo vetëm do të kemi mbështetje prej tyre, por, prej të gjithëve, se, sipas tyre, ka ardhur momenti që shqiptarët duhet t’i udhëheqë një garniturë e re politike.

- Ne! – u befasua Kritiku.

- Pse jo – ndërhyri Doktori. – ne i plotësojmë të gjitha kriteret. Do të mbështetemi edhe nga Dama, se, siç duket, është inicim i saj, për ta realizuar këtë vizitë. Duke dalë kundër Enver Hoxhës, do ta kemi mbështetjen e botës demokratike, dhe, kështu, do të dobësohen edhe enveristët.

- Nga një vizitë e një grupi shkrimtarësh, realizuar me Lartmadhërinë, kemi premtime se do ta kemi edhe mbështetjen e Tij, figurë unifikuese për të gjithë ne.

- Po, Ti, i pate shpallur luftë në disa romane tua?! Nga erdhi kjo dhe sa të beson, e, të pranon, Lartmadhëria?!

- Do ta filloj një epokë të re të jetës sime dhe tonës. Një epokë kombëtare, në kushte të reja, se, kështu e lyp nevoja, dhe, ne, si intelektualë, duhet t’i përgjigjemi kohës. Në bashkëveprim me të, me një kërkim faljeje, me ndërhyrje në libra, besojmë se gjërat do të vihen në vend. Do t’u kërkoj falje publike edhe protagonistëve, që ishin bashkëpunëtorë të tij, por, edhe të tjerëve, që patën ngritur kokën kundër Enverit, për t’i joshur, për një rrugëtim të përbashkët. Edhe unë do të hidhem në valle, se, kam qenë i detyruar të shkruaj, Ai, kërkonte nga unë, dhe, kështu, gjithnjë, e kisha kokën në trastë, prandaj, për mbijetesë, iu nënshtrova diktatit. Këtë arsyetim do ta tumirin të gjithë. Nga ky opinion i krijuar, do t’i nxisë edhe të tjerë të hynë në valle pas meje, dikush, për t’i larë mëkatet, dikush, për t’u dukur se është dikushi, dikush, për ta arsyetuar mosaftësinë e shkrimit, karrierës, etj. Tabori që do të krijohet kundër Enverit, do të jetë i madh, se, të mëdhenj i kemi miqtë, në këtë drejtim, ndërsa, kurrizi i gjithë kësaj do të jeni ju të dy, njëri mik e tjetri bashkëveprues të Damës.

- Mos ta zgjasim më shumë. Janë marrë të gjitha masat e takimit?

- Po, të gjitha. Takimi do të mbahet në vilën e Presidentit dhe do të trajtohemi, për dallim prej të tjerëve, si miq të Tij. Media nuk do të ketë, kështu që do të jemi larg syrit të botës. Kjo duhet të mbetët fshehtësi për të tjerët, por, për ne, me peshë të madhe, prandaj, nuk duhet të ngurrojmë për synimin tonë dhe për pranimin e porosisë së Tij.

Arritën në vendin e takimit. U pritën si miq të rangut të lartë. Salloni i gjerë dhe tavolina ovale, e shtruar me disa lloje pijesh e mezesh, ku,  informatorët, kishin informuar për secilin, çfarë pinte e çka hante. Pas një shtrëngimi duarsh, zënien e vendeve në tavolinë dhe bisedave dytësore, Presidenti, kaloi në temë.

- Më tregoi Këshilltarja, desha të them, bashkëshortja, se u ka thirrur në një drekë, por, te ne, drekat janë të gjata. Që të katërtit i keni shijuar drekat tona dhe e njihni mirë gjuhën dhe kjo na mundëson të flasim më lirshëm.

            - Ju falënderojmë që gjetët kohë për të na pritur, - foli, në emër të të gjithëve, Zonja e Nobelistit, - dhe, aq më tepër, në rezidencën e Juaj private.

            - Kjo është gjëja më e vogël që mund të bëj për miqtë, aq më tepër, kur e kërkojnë ndihmën tonë për të dalë nga qorrsokaku. Ka dekada që jemi munduar të gjejmë njerëz seriozë dhe njerëz që të marrin përgjegjësi për të ardhmen e kombit tuaj.

            - Kohët kanë ndryshuar.

            - Jo vetëm kohët, por, këtë e ka bërë edhe emancipimi, prandaj, ne kemi pasur nevojë që ta kemi një inteligjencë përbrenda jush, se, rruga që kanë ndjekur të tjerët, deri me tash, ka kushtuar shumë, në para dhe njerëz, dhe, nuk është arritur asnjë rezultat. Deri tash, janë ndjekur rrugët e armës, me njerëz që janë detyruar të dalin maleve, ndërsa, sot, kemi përfaqësues të inteligjencës nga tri treva me rëndësi.

            Besojmë se e kemi terrenin e përshtatshëm, sidomos, në lindje të atdheut tuaj. Koha është për koordinim veprimesh, sepse, na duhet hequr mitin për Enverin, se, edhe pse është në Varr, na nxjerr telashe. Ju, të lindjes, si mision e keni ta luftoni Atë, se, e gjithë ajo që ka ndodhur dhe po ndodhë, i atribuohet Atij. Këta të dy, do t’u ndihmojnë, nga të dyja skajet e atdheut, për ta përmbysur Atë, përmes propagandës, dhe, në emër të arkivave që do t’ua përgatisim ne, për ta bërë përbindësh njerëzorë.

            - Kam frikë, se vështirë e kemi ta shpallim për të tillë, dhe, ta luftojmë me të njëjtën kartë edhe irredentizmin, – foli Kritiku.

            - Në malësinë tonë ka brumë të mjaftuar për ta bërë një gjë të tillë, por, kam frikë, se kjo pjesë është e lidhur shumë me irredentistët, - plotësoi Doktori

            - Të gjitha i kemi marrë parasysh, - ndërhyri Presidenti.- Doktor, ti, e the mirë për malësi, por, i ke miqtë e tu, që mund të krijojnë pakënaqësi, fillimisht, për Enverin, dhe, pastaj, do të marrë rrjedh tjetër ngjarja. Nobelist, Ti do të jeshë në Kanë, dhe, nga atje do ta dërgosh mesazhin e lumturisë, dhe, do ta koordinosh propagandën kundër Enver Hoxhës, se, fjala e jote do të dëgjohet, ndërsa, Kritiku ka një alibi të mirë, se, e ka përgjegjësinë kolektive, të nxjerrë katër vite më parë, dhe, ne, do t’i bashkërendisim veprimet me Specialistin, person i autorizuar nga Dama, që të bëjë ndërhyrje periferike, dhe, kështu, të rritet autoriteti, dhe, luftën e fillon kundër të kuqve, fillimisht, e, më vonë, edhe kundër Enverit. U kuptuam? Edhe për këtë do të përkujdesemi ne, që një grusht syresh t’i bashkërendisin veprimet me ty.

            I dha fund bisedës, por, edhe takimit. I përcolli deri te dera, ndërsa, tri vetura, ndaras, morën drejtimin e Kryeqytetit.

 

 

 

Enigma e gjashtë

 

- Jeni të informuar se kundërshtarët tanë, në dhomën e lartë, kanë diskutuar për irredentistët në Damë. Nuk guxojmë, që ajo pjesë gjeostrategjike dhe gjeopolitike, të na dalë nga duart.

            - Sigurisht, i keni menduar mirë veprimet, sepse, duhet llogaritur edhe krahun tjetër shqiptar të shqiponjës. Ai ka strategji bukur të fortë dhe vetëm po pritet momenti i duhur.

            - Po. Një pjesë e aparatit shtetëror duhet mënjanuar. Për këtë, kemi biseduar me Damën, për t’i masivizuar masat në mbështetje të tij. Kështu, me këtë veprim, do t’i përmbysim ideologët e irredentistëve dhe në pjesën tjetër të atdheut të tyre, do të pasivizohen veprimet, sepse, njerëzit, që, përmes veprimeve tona, do të dalin në skenën politike si atdhetarë, do ta gëzojnë besimin e dyanshëm. Kjo do ta arrijë qëllimin e duhur dhe duhet fuqizuar me çdo mënyrë dhëndrrin, që ai të jetë në krye të punës.

 

*

*      *

 

            Masat filluan të lëvizin. Ndihmesën e kishin në të gjitha planet. Aktivistët partiakë ishin vu në krye të detyrës. Filluan të grumbullohen në kryeqytetin e kryengritësve. Të gjitha mjetet e komunikacionit ishin lënë në dispozicion. Gjithçka, bëhej falas. Mund të udhëtonin me çka t’u tekej dhe sido që t’ju tekej. Nuk kishte përkufizim moshe, e gjinie. Milicia ishte në krye të detyrës, për ta kontrolluar komunikacionin, dhe, ekipet sanitare ishin vendosur nëpër të gjitha rrugët. Shiu dhe fluskat e borës, që binin, nuk ishin asgjë para atmosferës së krijuar, për shpëtimin e liderëve të tyre. Defiluesit, kishin vetëm dy emra në gojë dhe në pankarta. Masa brohoriste emrat e tyre. Filluan të mbushen rrugët e kryeqytetit.

 

*

*        *

 

- Jemi vonuar në veprime. Blloku tjetër e ka nuhatur situatën. Tash, duhet vepruar me shkathtësinë e duhur. Nuk i burgosën, por, po krijojnë mite të rreme. Ne, si duhet vepruar në këtë situatë shumë delikate? Sipas informatave që i kemi nga terreni, nga pika më e largët, për tetë orë kanë arritur në pikën e grumbullimit. Ky fenomen i ka kaluar të gjitha parashikimet e analistëve tanë dhe të taborit tjetër. Kur një masë mund të lëvizë kaq shpejt, merreni me mend, se, sa kohë u duhet ushtarëve për të arritur në çdo pikë kufitare?! Informatorët tanë, raportojnë se deri më tash nuk ka asnjë të lënduar. Kjo tregon për gatishmërinë e tyre, për t’u përballur me Damën. Ky shpirt i irredentistëve, së shpejti do të zbehet, poqëse nuk zbërthehen të gjitha këto. Besojmë, se, nuk e kanë trurin për t’i menduar prapaskenat. Edhe udhëheqja e krahut tjetër të shqiponjës do ta komentojë ngjarjen e sotme, por, haptas, nuk besojmë se do të dalin, nëse e kanë zbërthyer situatën e krijuar.

 

*

*        *

 

            - Jemi para një situate shumë të rrezikshme, për atë jemi tubuar me shpejtësi. Duhet ta kemi këtë situatë nën kontroll. Sigurisht, keni edhe mendimin e shokëve nga terreni.

            - Po – u përgjigjen disa të pranishëm.

            - Të gjithë mendojnë se ky është skenar i BIAKOS-sit. Ata duan që këta emra të apostrofuar, të jenë bartës të situatës së krijuar dhe të na e punojnë sikurse në të dyzetepestën.

            - Duhet të shpërndahemi nëpër masë dhe, atje, ta bëjmë punën tonë. Veprimtarët duhet të tubohen dhe të japin vlerësime të herëpasherëshme, për situatën e krijuar,

            Të gjithë u ngritën dhe dolën.

 

*

*       *

 

            Shiu dhe bora, sikur u jepte energji demonstruesve. Shumë sy ishin drejtuar në sheshet e qytetit, duke e përcjellë situatën përmes ekraneve televizive. Secili, bënte llogari për vete. Raportet përcilleshin nga momenti në moment, në katër qendra. Përpunoheshin të dhënat dhe Dama, nga tabori i vet, mundohej ta mbante situatën në dorë, përmes liderëve të krijuar për momentin dhe të atyre që i kishte edhe më herët. Situata, filloi të nxehej. Disa bashkëpunëtorë të pushtetit filluan të rrahen nga turma. Zërat, dëgjoheshin me brohoritje dybinarëshe. U krijua huti në masë. Edhe për këtë situatë, filluan të shkojnë raportet. Bëheshin analiza, dhe, përkundër të ftohtit të madh e pa mjete mbrojtëse, masa thërriste. Dolën dhe grushtat e parë të përshëndetjes.

            Urdhri ishte të shpërndahej masa, dhe, të shkonin nga kishin ardhur, nën moton se qëllimi ishte arritur. Masa nuk donte të dëgjonte për asgjë. Filluan brohoritjet për liderë të tjerë dhe për kushtet e parashtruara nëpër të gjitha pranverat e kryengritësve.

            Situata, nisi të dalë nga kontrolli. Masa ishte ndarë në dysh. Ata të cilët ishin të informuar për skenarin e përgatitur, mundoheshin t’u kundërviheshin misionarëve të kryengritësve.

 

*

*        *

 

            - Ju lumtë! Filluat ta merrni situatën nën kontroll. Mos u ndalni, përpara! - Vinte mbështetja nga udhëheqësit e kryengritjes.

 

*

*        *

 

            - Duhet vu kontakt me kryengritësit, dhe, përmes tyre, ta marrim situatën në dorë. Tabori tjetër pësoi disfatë!

 

*

*       *

 

            - Çdo minutë që vonohemi, do të na kushtojë shtrenjtë! Masa duhet shpërndarë me çdo mjet!

 

*

*        *

 

            - Bashkatdhetarë, duhet të ktheheni në shtëpitë tuaja. Moti po përkeqësohet!

            - Republikë! Republikë! Republikë!

            - Ju bëj kërkesë që të shpërndaheni!

            - Republikë! Republikë! Republikë!

            - Ne kemi edhe tjera masa për t’ju shpërndarë, por, kërkojmë që këtë ta bëni me dëshirë!

            Aktivistet e pushtetit filluan propagandën e shpërndarjes.

            - Në mesin tuaj kanë depërtuar armiqtë e popullit. Shpërndahuni, se do të trajtoheni të gjithë të tillë!

            Masa filloi të lëvizë. Disa për kthim prapa, e disa për të qëndruar edhe më tutje.

            - Jam përfaqësues i kryengritëseve. Ju bëj thirrje vëllazërore, për shpërndarje. Ende nuk kemi arritur gjer në atë pikë, sa, të vdesim tash. Na jepni kohë për ta analizuar situatën dhe të ndërmarrim veprime. Ju, sot, e patë se pushteti ua ka nevojën, për aq kohë sa i shërbeni. Atdheut i duhen njerëz që e kuptojnë situatën, gjendjen dhe vuajtjet. Të tria i përjetuam sot, prandaj, të jeni të kujdesshëm për veprime të mëtejme. Vetëm me të dëgjuar thirrjen Republikë, ua përmendën edhe masat e tjera për shpërndarje. Këto masa tjera janë, dajaku, plumbi, burgosja, nga ata të cilët e kontrollonin komunikacionin që të vini këtu shëndoshemirë, për ta kryer misionin e tyre. Sipas nevojës, do t’ju ftojmë, tash, ngadalë e të qetë, të shpërndahemi.

 

 

 

Enigma e shtatë

 

            - Duhet organizuar zgjedhjet sa më parë, për ta penguar përhapjen e indoktrinimit. Kjo duhet të jetë garniturë e kuvendarëve shumë të besuar, sepse, duhet marrë autonominë pa dridhje të mëdha, dhe, atë, përmes përfaqësuesve të tyre, siç ndodhi në Prizren, pas LDB.

            - Mund të shpallen zgjedhjet kur ta shihni ju të arsyeshme. Anët teknike mund të përfundojnë për pak javë.

            - Koha nuk pret.

            U mobilizuan të gjithë, edhe ata që nuk u takonin strukturave qeverisëse dhe partiake. U shpallën zgjedhjet, u shpërndanë kutitë dhe fletëvotimet, të cilat ruheshin edhe me mbështetje të milicisë. Siguria ishte e nivelit më të lartë, sepse, frikësoheshin se mos kryengritësit i sulmonin ato, apo, bënin propagandë e kërcënime te votuesit. Raportet nga terreni jepnin pasqyrën e daljes në votime dhe masën e qytetarëve që dilnin për të votuar. Raportonin se kishte familje që nuk votonte asnjë anëtar i saj, madje, edhe i përbuznin ata që i ruanin kutitë. Kishte të tillë, nga ruajtësit e kutive që i fyenin ata që nuk votonin. U ngjitnin etiketa të ndryshme. Siç duket, ata nuk ishin në gjendje ta kuptonin veprimin e tyre, por, të joshur me pak send, të mashtruar, apo, për shkak të bindjeve të tyre, kryenin misionin e pushtuesit.

- Votimi kaloi me sukses. Duhet të dalim me plan konkret, dhe, krahas kësaj, të organizohet edhe diskutimi publik për Kushtetutën.

            Fushata është hapur në të gjitha vendbanimet, raportohej. Kishte, aty-këtu, fërkime, mirëpo, siç duket, kryengritësit e kishin kuptuar, se mund të binin në sy, prandaj, e kundërshtonin në forma të ndryshme, me mospjesëmarrje, me parashtrimin e pyetjeve që kishin synim ta zbërthenin kauzën, për ta kuptuar qytetarët. Raportonin edhe për një fenomen që nuk e kishin planifikuar organizatorët e fushatës. Kur pyetej akëcili, pse nuk merr pjesë në diskutim, menjëherë e merrnin përgjigjen: unë luftoj për Republikë dhe nuk më intereson mbrojtja e Autonomisë, se, kjo është pjellë e armikut, për ta vu edhe njëherë në lojë, se sa jemi të gatshëm për të mos hequr dorë nga Republika. Metodë, përmes të cilës kërkon ta marrë mbështetjen gjithëpopullore, për anatemimin dhe fuqizimin e dënimeve që iu kishin bërë artikuluesve dhe mbështetësve të Republikës. Për t’i arsyetuar edhe vrasjet, rrahjet, syrgjynosjet, linçimet, e, përjashtimet. Këtë përgjigje e merrnin, kryesisht, nga ish të burgosurit politikë, të cilët nuk jepnin shenja për ndërrim mendimi. Raportohej, se të gjitha këto fenomene po shënohen, e, bashkë me to edhe akterët. Në fund, kërkonin mendimin e organeve të larta, për të ndërmarrë veprime ndaj tyre.

 

 

Enigma e tetë

 

            - Fillimi i ndryshimeve në rajon, po shihet. Duhet ndërmarrë veprime edhe për krijimin e atmosferës tjetër. Duhet shfrytëzuar figurat artistike e politike të taborit tonë, për t’i përplasur me irredentistët. Këtë rol, mëse miri mund ta luajnë ata të cilët i kanë tumirur deri tash veprimet e vëllezërve tanë dhe kanë forcuar parullën e bashkim-vëllazërimit, jo sa për të thënë, por, edhe që e kanë ndier në shpirt dhe kanë dhënë prova, duke i zbuluar e sulmuar irredentistët gjatë veprimtarisë së tyre.

            - Ide e mirë, por, duhet t’i kemi emrat e përveçshëm, për t’i angazhuar. Ndoshta, gjatë analizës që i keni bërë situatës politike, në Damë, keni pasë parasysh për ta veçuar ndokë?

            - Ata, veç janë, por, duhet të punohet padiktueshëm që të rritet numri i tyre. Duhet ndërmarrë shkrimin e një peticioni, i cili do të ketë dy misione. I pari, për të krijuar figura të reja politike, që, nesër-pasnesër, ta marrin situatën në dorë, dhe, e dyta, që masën ta bindin për t’u pajtuar me autonomi. Kjo u vërtetua me demonstrimin e vitit të kaluar, ku, në kryeqytetin e tyre, vërshuan të gjithë. Edhe pse, irredentistët e shkoqiten mirë lojën që bëmë, por, ne e kemi propagandën në duar dhe mund t’i mposhtim me koordinim punësh.

            - Pas shkarkimit të kryesisë së pushtetit atje, vështirë e kemi ta gjejmë dikë që do të rikthehet përsëri në atë kërkesë, kur patëm demonstratë të përgjakshme.

            - M’u këtu qëndron edhe arsyeja, pse duhet ta ndërmarrim një veprim të tillë. Nëse nuk i shtimë në veprim disa intelektualë, kemi frikën se ata mendojnë se janë të rrezikuar nga irredentistët, prandaj, t’ua japim një shans, se, edhe ata, dikur, kanë marrë guximin publikisht, ta kërkojnë rikthimin e autonomisë, ndërsa, në heshtje, pajtohen me situatën e krijuar, e, kur u jepet mundësia, dalin haptas kundër nesh, që, në esencë, edhe do ta zbresin pazarin deri në atë autonomi substanciale. Ne, kemi menduar dhe përfundimi i analizave është, që ta ndërmarrin një nismë për shkrimin e peticionit, për rikthim autonomie. Në sy të popullit, do të shikohet një guxim, sepse, për herë të parë, dikush, me emër e mbiemër, e me tituj shkencorë e publicistikë, do të dalë në mbrojtje të kësaj kauze.

            - Mendoni se do të ketë efekt?

            - Efekti kryesor është, që masën ta orientojmë pas emrave e titujve, sesa të shkojnë pas dikujt, që është i panjohur për ta dhe vetëm kur të burgosën e vriten,  ua mësojnë emrat. Edhe me këtë fenomen, do të merremi më vonë. Kemi ardhur në përfundim, se, hëpërhë, rezultati është i padiktueshëm, por, sipas analizave të institutit tonë, do të japë rezultate të mira për perspektivën. Mos të humbasim kohë, të veprojnë.

            - Prej nesh i keni duart e lira, mund të veproni, por, duhet të informohemi për të gjitha rrjedhat dhe sukseset që i arrini. Deri tash, nuk jemi të dëshpëruar në rezultatet e juaja.

            U ngriten, dhe, si hije të zeza, u shpërndanë në errësirën e natës. Menjëherë, filluan nga puna, duke kontaktuar pikat e veta. Peticioni shkoi sipas planit të paraparë.

- Pati efekt, bukur të madh. Qytetarët u besuan intelektualëve me emra e mbiemra, më tepër se irredentistëve, që janë të panjohur edhe në rrethet familjare. Ky është efekti që kemi pritur, por, edhe më i madh do të jetë, kur të hyjë në veprime për këtë fenomen, të mos guxojë askush ta marrë edhe më të voglin veprim, qoftë t’i kërcënojë me vende pune, apo, edhe me biseda informative. Kjo do ta krijojë përshtypjen se me këtë kategori njerëzish mund të ecim përpara, ndërsa, në opinion do të krijohet përshtypja se njerëz të tillë as që guxojnë të preken, prandaj, duhet mbështetur dhe ecur bashkë me ata. Kritiku, që ka krijuar emër në dy plane: një, si kritik nga Kongresi dhe, dy, biografinë e krijuar me kohë, si pinjoll i një familjeje të përsekutuarish, që jemi përkujdesur t’ia krijojmë, dhe, rezultati nuk do të mungojë, së shpejti do të dalë në skenë. Veprimtaria e tij do të lejohet në suazat e marrëveshjes së Kongresit të shkrimtarëve, që, secila, mban përgjegjësinë për veprimet e veta, pra, përgjegjësia individuale nuk ekziston dhe kjo metodë do të çojë peshë edhe më tepër, sepse nënshkruesit e peticionit do të jenë në ballë të kësaj loje.

 

(Vijon)

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a website for freeWebnode