MIKU I MIRË PËR DITË TË VËSHTIRË, E, JO PËR TË TA VËSHTIRËSUAR EDHE MË TEPËR GJENDJEN

23/04/2020 06:07

OPINION

 

 

MIKU I MIRË PËR DITË TË VËSHTIRË, E, JO PËR TË TA VËSHTIRËSUAR EDHE MË TEPËR GJENDJEN

Afrim MORINA

 

 

            Sot, të mos mendosh se çka po ndodh rreth shqiptarëve dhe me shqiptarët, do të thotë, të mos e jetosh kohën në të cilën jetojmë. Për të menduar sa më mirë e më këthjellët, duhet ta kesh përcjellë edhe kohën e kaluar. Koha e kaluar, është barometër i mirë për të bërë analiza parimore. Parimi, duhet të jetë i paanshmëm, përndryshe, lehtë mund të biesh pre e animit kuturu dhe pa baraspeshë. Ky parim dhe krahasimi i së djeshmës me të sotmen, hapë dilemat e bëries së politikës joparimore, siç po ndodhë nga administrata Amerikane dhe lidershipi në Kosovë.

            Në hulumtimet e derisotme, të cilat edhe i kam publikuar para shumë vitesh, kam ardhur në përfundim, se:

            Evropa hulumton kuadro me biografi, në shtetet ku dëshiron ta shtrijë politikën e vet, për ta pasur gjithnjë nën mbikëqyrje. Kryesisht, janë marrë njerëz me biografi të dyshimta, të cilët janë bërë, shumë shpejt, vegla të tyre, duke mos guxuar të ngrehin kokën.

            Amerikanët, gjithnjë, janë përkujdesur që të marrin kuadro të reja, të panjohura për palën tjetër, t’i orientojnë në politikën e vet, që ta shtrijnë ndikimin aty ku mendojnë se po u rrëshqet nga dora ndonjë vend me pozitë të lakmueshme gjeopolitike e gjeostrategjike. Pra, duke i vënë përballë atyre figurave që kanë biografi të dyshimta. Në shumë pjesë të botës është luajtur kjo lojë në mes të Amerikës dhe Rusisë.

            Sot, për çudi, këto raporte kanë ndryshuar. Vetë situata politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ka bërë këtë ndryshim të madh. Evropa, po i ikën kuadrove të vjetra, ndërsa, Amerika po i mbështet, te ne shqiptarët, ata të cilët janë shterrur për shkak të bëmave të tyre! Pse po ndodhë kjo, kur dihet rrugëtimi i tyre (kuadrove), të cilët janë në skenën politike shqiptare dhe serbe, për këto tridhjetë vjetët e fundit?!

            Kjo gjë më ka shtyrë të mendoj shumë dhe mu për këtë kam munguar në dhënie të mendimit. Pse po ndodhë kjo me amerikanët, rreth një shteti, që kanë interesin e ndërsjellë. Kosova ka nevojë për mbështetje diplomatike e materiale, ndërsa, Amerika, për gjeopolitikë dhe gjeostrategji. Pse ka “humbur” ky interes i ndërsjellë dhe kush po e bën dhe nxitë këtë? A është e gatshme dhe a është pajtuar Amerika që të lëshojë pe në këto dy pozicione të cekura më lartë? A është e gatshme dhe e pajtuar Amerika që këtë hapësirë bukur me peshë t’ia lëshojë Rusisë?

Në parim, jo!

Në realitet, po?!

Ku është dallimi në mes parimit dhe realitetit? Parimi vlen për politikën e jashtme Amerikane, e cila, që nga LDB, ka qenë e përcaktuar që këtë hapësirë gjeografike ta kontrollojë, dhe, Lufta e Ftohtë, e ka pasur ndikimin e vet me peshë. Për çudi, edhe gjatë asaj kohe, Jugosllavia ka kaluar mëse miri. Kjo ka ndodhur edhe gjatë detantit (izolimit). Ndikimi i Rusisë ka qenë më i dobët në këtë hapësirë. Mirëpo, raportet kanë ndryshuar pas një seri luftrash në ish Jugosllavi, sidomos, pas Rambuillet. Rusia u mundua e mundohet ta kthejë ndikimin e vet në Gadishullin Ilirik, duke shfrytëzuar vëllanë e vogël, Serbinë. Këtë po e bën, se, Dejtoni, nuk i dha rezultatet e duhura për perëndimin, dhe, Kosova, mbeti e varur në çengela, me Rrezolutën 1244. Duke mbetur pak zbrazëtirë, Rusia, po mundohet ta shfrytëzojë, që, me pykat e amerikanëve dhe të vendësve, të zgjerojë hapësirën e veprimit dhe nuk po lë gur pa lëvizur. Lobimi rus për shtetet e kësaj hapësire gjeografike dhe më gjerë, ka bërë që të krijojë hapësirë veprimi. Në heshtje po e bëjnë, edhe në mbështetje nga disa individë në administratën Amerikane, duke mos e penguar forcimin ushtarak të Serbisë. Forcimi ushtarak i Serbisë bën edhe forcimin e pozitës së Rusisë në këtë Gadishull. Kjo lë për të kuptuar se administrata Amerikane po i jep hapësirë gjithnjë e më tepër politikës Ruse. Mos kjo ka të bëjë për mandatin e dytë të z. Trump, se, për të parin është diskutuar e diskutohet, sa, përpak, z. Trump do të ishte presidenti i parë që do të rrëzohej, për shkak të politikës mbështetëse të Rusisë, për ardhjen në pushtet, me kundërshpërblim.

            Evropa, duke u munduar t’i ikë ndikimit Rus në hapësirën e vet, po i anashkalon kuadrot me biografi, se, ato, sot, nuk po çojnë peshë. Ajo, e ka parë se Rusia e ka fuqinë e rekrutimit të kuadrove, se është një shtet me ndikim në Evropë dhe ka arritur të luajë lojën e vet. Kësaj po i frikësohet Gjermania, mëse shumti, sepse, ajo e di mirë lojën Ruse, për shkak të raporteve që kanë pasur. Në këtë situatë çfarë jemi, Kosova, është në trekëndëshin Amerikë, Rusi dhe Gjermani. Që të tria, e joshin me mbështetjen të vet, që, për herë të parë, në diplomaci, po ndodhë kjo. Ajo që po ndodhë në mes Amerikës dhe Rusisë, Gjermaninë e ka bërë më të kujdesshme dhe më të qartë në dhënien e mendimit, për ndikimet dhe përafrimet e tyre. Kjo bëri që z. Grenell t’i ftohë raportet diplomatike me Gjermaninë.

            Gjithë ajo që ndodhi në Administratën e z. Trump, që nga hyrja në Shtëpinë e Bardhë, jep për të kuptuar, se, edhe amerikanët e kanë kuptuar këtë lojë përafrimi në mes këtyre dy fuqive botërore, jo në të mirën e njerëzimit, por, për hesape liderësh. Mu për këtë, Kongresi Amerikan ia tëhoqi vërejtjen për përzierjen e politikës Ruse në lobim për president të z. Trump. Sot, po ia tërheq vërejtjen për politikën anuese Ruse rreth Kosovës dhe heshtjes së armatimit serb nga Rusia.

            Ku janë shqiptarët, sot? Janë me kuadrot e vjetra apo me të rejat, në kuptimin e bëries së politikës? Janë me politikën e z. Grenell, apo, me politikën e Kongresit? Janë me politikën administrative apo me polikën e një mekanizmi institucional? Këtu, kemi përplasjen e këtyre dy politikave, asaj afatshkurtër dhe asaj afatgjatë.

            Nëse politikës së z. Grenell po i thotë mjaft, Kongresi, analistët e pavarur, shtypi i pavarur nga të gjitha këndet e Amerikës dhe Evropës, që merren me çështjen shqiptaro-serbe, dhe, Gjermania, si shtet bosht i Evropës, bashkë me Anglinë, për rastin e Kosovës, ne shqiptarët kujt duhet thënë mjaft, me këtë politikë panruse?

            Nisur nga historiku i partishmërive, në Kosovë, del se LDK-ja, ka ndjekur politikën pansllave, që nga themelimi, qëndrim që mbajti edhe në Rambouillet dhe në prill të vitit 1999. Ajo është e gatshme të hyjë në të gjitha lojërat, jo pse e lypë koha, por, sepse, ka lënë peng biografinë e vet dhe mundohet ta fshehë përmes z. Grenell. Pse kësaj isoje po i bashkangjiten AAK-ja dhe Nisma? Edhe këto janë peng i biografisë, por, në një plan tjetër, në planin e korrupsionit, nepotizmit e zhvatjes së qytetarëve. Edhe këta po mundohen të fshihen pas z. Grenel. PDK-ja po hesht, sepse, në lojë është z. Thaçi, që i përfaqëson, i cili fshihet pas z. Grenell, sepse, edhe ai është peng i biografisë së tij, asaj të pasluftës. Ky, në biografinë e vet, ka ngarkesë edhe me rehabilitimin e figurave kundërkombëtare e kuislinge, duke i pozicionuar edhe në hierarkinë pushtetare, dhe, ecejaket me Vuçiçin, për fatin e Kosovës. Këta, po mundohen ta fshehin veten, duke u arsyetuar për fuqinë që e ka z. Grenall në pushtet, dhe, kësisoji, janë shndërruar në xhoker të tij.

            Mendoj se, z. Grenell, mban përgjegjësinë në gjithë këtë lojë politike. Sikur ai të kishte sadopak simpati për shqiptarët, apo, respekt për gjakun e derdhur, nuk do ta kishte luajtur lojën e pushtimit të kalasë, në këtë kohë të pandemisë së Covid-19. Atij, iu desh ta shkarkojë nga përgjegjësia, pjesërisht, z. Thaçi, duke i dhënë mesazhe z. Skënder Hysenit, për koordinim punësh. Sikur z. Grenell ta kishte pritur kalimin e kësaj pandemie dhe të vepronte, do ta hante pazari, por, sot, mban përgjegjësi morale e institucionale, për gjithçka që po ndodhë në Kosovë. Miku-mikut, nuk ia bën ditët e vështira edhe më të vështira. Ai, edhe sot e ka mundësinë ta shpëtojë Kosovën, përmes shenjës NDAL, drejtuar z. Thaçi, se, z. Mustafa nuk pret t’i thuhet, por, vetëm dorën po t’ia ngritë, ai do të shembet përdhe.

            Morali i kohës e lypë këtë! Zëri i ndërgjegjes e kërkon këtë! Zëri i ruajtjes së shëndetit qytetar e kërkon këtë! Vepro, z. Grenell, në këtë moment të caktuar dhe mendo pak! Nesër nisja lojës së filluar, nëse nuk të brenë ndërgjegjja!

 

            Prishtinë, 22. 4. 2020

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode