MË MIRË TË KETË SHQIPËRI JASHTË BE-së, APO SHQIPTARË BRENDA BE-së, PA SHQIPËRI? RASTI “BELERI” DHE HIMARA SI VIKTIMË E MEGALI IDESË
27/05/2023 07:19
OPINION
MË MIRË TË KETË SHQIPËRI JASHTË BE-së, APO SHQIPTARË BRENDA BE-së, PA SHQIPËRI? RASTI “BELERI” DHE HIMARA SI VIKTIMË E MEGALI IDESË
Nga Viktor MALAJ
“Deveja nuk mund ta shohë gungën e vet”
Proverbë greke
Ndalimi, dhe më vonë arrestimi i kandidatit për kryetar bashkie të Himarës, z. Fredi Beleri shkaktoi shumë zhurmë dhe nxori në pah disa probleme që ekzistojnë prej shumë kohësh, por që shfaqen dukshëm vetëm në raste të veçanta. Pavarësisht cili është dhe çfarë përfaqëson Beleri, burgosja e një kandidati për poste politike pak ditë përpara ditës së votimit shkakton gjithmonë dyshime dhe polemika të cilat e ka për detyrë t’i sqarojë dhe sheshojë institucioni përkatës që merret me hetimin dhe gjykimin e veprave penale.
Problemi i parë, qartësisht i dukshëm dhe po kaq i dyshimtë është fakti se çfarë e ka shtyrë partinë dhe z. Dule si drejtues i saj të kandidojnë për qytetar të parë të Himarës një individ të cilit i mungojnë dy cilësitë kryesore për t’u bërë drejtues pushteti. Z. Bejleri i mungon niveli i duhur kulturor dhe eksperienca qeverisëse, sepse është një individ me shkollë të mesme dhe pa asnjë përvojë drejtimi administrativ. Nga ana tjetër, këtij personi i mungojnë cilësitë e karakterit, të nevojshme për drejtimin e punëve të një bashkësie shoqërore. Një individ i cili ka pasur probleme serioze me drejtësinë në Shqipëri dhe Greqi dhe për të cilin ka pasur prova të forta të implikimit në masakrën e Peshkëpisë ku u vranë dy ushtarakë shqiptarë dhe u plagosën tre të tjerë, nuk duhej kurrsesi të ishte kandidat i asnjë partie politike por, veçanërisht, i një force politike që pretendon se përfaqëson pakicën etnike greke në Shqipëri. Jam i bindur se pakica greke e Shqipërisë ka burra dhe gra të mençur e dinjitozë për të cilët nuk duhet të ngurojnë të votojnë edhe shtetasit e kombësisë shqiptare, qoftë në zonat minoritare apo jominoritare siç është Himara. Personalisht, do ta votoja një minoritar të cilësdo etni edhe për President të RSH, nëse do të bindesha për kulturën e mjaftueshme dhe integritetin e lartë moral të kandidaturës.
Problemi i dytë madhor dhe shumë domethënës është se si ka mundësi që blloku kryesor politik opozitar i Shqipërisë ia lejon vetes të mbështesë dhe të bëjë thirrje për të votuar për kryetar bashkie një individ si Beleri, i cili, përveç sa thashë më sipër, ka qenë edhe bashkëpunëtor i organizatave neofashiste greke si MAVI apo Agimi i Artë, tashmë të nxjerra jashtë ligjit në Greqi. Dhe, jo vetëm kaq, por pak javë para zgjedhjeve pohonte se shqiptarët kanë ardhur nga Kaukazi i largët (nënkuptimi është i qartë: shqiptarët kanë ardhur pas ne grekëve dhe toka është e grekëve si më të vjetër në këto hapësira) dhe se “Zgjedhja ime kryetar bashkie është jetike për helenizimin e Himarës, do të lehtësojë rrjedhën e helenizmit… është e rëndësishme për dekadat e ardhshme dhe jo vetëm për sot”. A janë dakord “atdhetarët dhe sovranistët” e zjarrtë S. Berisha dhe Ilir Metaj që territori i RSH të greqizohet nga kuajt e Trojës që sponsorizohen me propagandë dhe mjete të tjera nga “trungu i helenizmit”?!
Problemi i tretë dhe mjaft i rëndësishëm është reagimi zyrtar grek ndaj rastit Beleri, akuzues dhe kërcënues. Fatmirësisht, si gjatë sundimeve të A. Zogut e E. Hoxhës, ashtu edhe pas vitit 1990 trajtimi i pakicave kombëtare në Shqipëri ka qenë jo vetëm mosdiskriminues, por edhe favorizues në raport me shumicën e popullsisë shqiptare. Nëse dikush nga minoriteti ka pësuar probleme me pronat apo ndëshkime penale për motive politike kjo ka ardhur nga politikat e zbatuara ndaj cilitdo shtetas shqiptar pavarësisht përkatësisë etnike dhe jo pse i përkiste njërës apo tjetrës etni.
Fatkeqësisht, dy fqinjët tanë kryesorë, Serbia dhe Greqia, prej gati dy shekujsh kanë formuluar dhe vënë në jetë doktrina politike nacionaliste, shoviniste dhe kriminale kundrejt popujve fqinj me ta dhe, kryesisht kundrejt popullsisë shqiptare. Në filozofinë, moralin dhe sjelljen politike të shqiptarëve nuk gjen askund ndonjë model të ngjashëm me Naçertanien serbe apo Megali Idhenë greke. Programet dhe sjelljet e organizuara politike e ushtarake të shqiptarëve, gjithmonë dhe kudo kanë synuar mbrojtjen e territoreve të tyre të banimit nga synimet, planet dhe sulmet e politikës dhe ushtrive të fqinjëve grabitqarë, të cilët kanë bërë edhe marrëveshje midis tyre për copëtime dhe gllabërime të plota ose të pjesshëm të hapësirave shqiptare në Ballkan. Për shkak se patën krijuar shtetet e tyre para shqiptarëve dhe, rrjedhimisht edhe aleancat politike e strategjike me fuqi të mëdha dhe vendimmarrëse evropiane, fuqi që tërhiqeshin ndaj fqinjëve tanë sllavë e grekë për shkak të prejardhjes së përbashkët (sllave) apo interesave gjeostrategjike, serbët dhe grekët, jo pak herë kanë gjetur përkrahjen e këtyre fuqive në synimet e tyre shoviniste kundrejt Shqipërisë.
Gjatë periudhës hoxhiste, por edhe më vonë, kur kanë lindur probleme me Greqinë, politika shqiptare, për arsye diplomatike, ia ka paraqitur ato popullit tonë si “qëndrime të qarqeve reaksionare e monarko-fashiste greke” ose si “sjellje e veprime të disa ekstremistëve grekë”. Mirëpo, e vërteta është ndryshe. Qeveritë greke të pas Luftës së Dytë Botërore, qofshin ato të djathta apo të majta, diktatoriale apo “demokratike”, kanë vazhduar të mbajnë në fuqi një Ligj Lufte absurd qysh nga viti 1940 kur ushtria fashiste italiane, që e kishte pushtuar Shqipërinë një vit më përpara, e sulmoi Greqinë duke pasur në përbërje të saj edhe disa formacione mercenarësh shqiptarë, shumica e të cilëve dezertuan shpejt nga fronti i luftës. Edhe sot, qeveritë greke, me sofizma bajate pretendojnë se s’është i nevojshëm abrogimi i Ligjit të Luftës përderisa kemi një Traktat të Miqësisë Greqi-Shqipëri. Këtu lindin disa pyetje: Nëse nuk është i nevojshëm abrogimi, pse qenka e nevojshme lënia në fuqi e atij ligji? Pse Greqia nuk mban në fuqi aq “ligje lufte” sa ka pasur palë kundërshtare në luftëra rajonale apo botërore tash 200 vjet?! A duhej të ishte anëtar i BE-së një shtet që ka ende në fuqi një ligj lufte me fqinjët?!
Duke shfrytëzuar gjendjen e keqe ekonomike dhe situatat e paqëndrueshme politike në Shqipëri, qeveritë greke, vazhdimisht, në formë lutjesh apo kërcënimi, i kanë kërkuar politikës shqiptare të pas 1990 të pranojë ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërtimi i një varreze apo përmendoreje përkujtuese do të ishte normale, por të kërkosh “mbjelljen ” e varrezave greke aty-këtu nëpër Shqipëri, edhe atje ku ka rënë një ushtar grek (një Zot e di nëse ka rënë duke dëbuar pushtuesit e Greqisë apo duke ngulur piketat e shovinizmit jashtë territorit grek) do të thotë se nuk ke synime humane përkujtimore, por synime strategjike djallëzore.
Ndërsa qeveritë greke i bëjnë presion Shqipërisë dhe ankohen në kancelaritë evropiane se nuk po respektohet pakica greke në Shqipëri, apo pse vritet një terrorist me automatik në dorë në ndeshje me policinë, ose pse burgoset një blerës votash, ata vetë nuk kanë pranuar të firmosin konventat ndërkombëtare për minoritetet, nuk pranojnë ekzistencën e tyre në Greqi dhe, madje, kundërshtojnë çdo kërkesë të shtetasve shqiptarë të Çamërisë për njohjen dhe dëmshpërblimin e pronave në vendlindjet e tyre, brenda territorit të shtetit grek.
Ndërsa në Shqipëri s’ka pasur kurrë armiqësi individuale apo kolektive midis pakicave etnike dhe popullsisë vendase apo midis pakicave etnike dhe qeverive shqiptare, politika greke e shekullit të njëzetë njeh dokumente dhe praktika të sjelljes shtetërore armiqësore, shfarosëse dhe zhvendosëse (nëpërmjet dëbimeve dhe këmbimeve të popullsive mbi baza fetare dhe etnike). Atëherë, çfarë të drejte morale, historike, politike dhe demokratike ka politika greke t’iu kërkojë llogari të tjerëve dhe, posaçërisht Shqipërisë në këtë fushë ?!
Duke kaluar në rastin Beleri, qëndrimi dhe reagimi zyrtar grek të krijon përshtypjen sikur ky individ ishte kandidati i propozuar i Greqisë për të drejtuar Himarën, dhe jo kandidati i disa forcave politike shqiptare. Nëse e vërteta qëndron kështu, atëherë duhet të konkludojmë se politika e sotme greke është vazhdim i zbatimit të Megali Idesë dhe Himara vetë një viktimë e saj. Nga ana tjetër, përzgjedhësit e një individi të tillë për “lehtësimin e helenizimit” të tokave shqiptare duhej të tregoheshin pak më të mençur pasi një “Kalë Troje” i tillë më shumë i diskrediton sesa iu shërben. A nuk ka ardhur koha që edhe politika greke ta zgjasë kokën mbrapa dhe ta shohë “gungën” e saj dhe të bëhet një “zonjë e hijshme” e Ballkanit dhe Evropës?
Kryeministri grek z. Micotaqis dhe nja dy ministra të tjerë reaguan ndaj rastit Beleri me prepotencën e më “të fortit” dhe anëtarit të BE-së, duke dhënë leksione për shtetin ligjor, drejtësinë e pavarur etj. dhe duke kërcënuar se do ta pengojnë hyrjen e Shqipërisë në BE. Pasi njoftuan kancelaritë evropiane dhe amerikane se në Shqipëri po diskriminohej pakica etnike greke (vini re: identifikojnë një individ me krejt pakicën greke dhe konsiderojnë diskriminim procedimin penal të një trafikanti votash?!) ata pohuan se “Shqipëria duhet ta dijë se kjo do të ndikojë në marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe në rrugën e Shqipërisë drejt Evropës. Nuk do të tolerojmë qëndrime të tilla në kurriz të minoritetit tonë grek” (Mitsotakis ), dhe se “Arrestimi i z. Fredi Beleri është i papranueshëm” (Miltiadhis Varviciotis, zv/ministër i jashtëm i Greqisë).
Një shtet që, me të drejtë, arrestoi disa shtetas të vet që u morën me trafikim votash në zgjedhjet parlamentare greke, kërkon llogari pse Shqipëria e bëri një veprim të tillë kundrejt një shtetasi të vet, i cili ka rastisur të vetëshpallet grek, për arsye shpirtërore ose xhepore. Arrestimi i një kryetari bashkie në Veri të Shqipërisë sapo filloi fushata zgjedhore tek ne konsiderohet normale, siç është në fakt, ndërsa ndalimi i Belerit gjatë fushatës shpallet diskriminim etnik. Greqia, e cila, në kuadër të BE-së, i kërkon Shqipërisë ndërtimin e “shtetit ligjor” dhe “drejtësisë së pavarur”, domethënë të pavarur nga qeveria dhe politika shqiptare, kërkon ta bëjë drejtësinë shqiptare të varur nga politika greke, duke urdhëruar që “Shqipëria ka detyrimin… të lirojë menjëherë ata që ka burgosur!”.
Politika greke e ka bërë modë që, për t’i lënë dorë të lirë çfarëdo akti kriminal të kryer nga pjesëtarë të minoritetit grek në Shqipëri dhe për t’i shmangur ata nga përgjegjësitë penale, të përdor gogolin e pengimit për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Nëse Bashkimi Evropian, krijesa politike federative më qesharake e kohëve moderne, ku në politikat e jashtme, të mbrojtjes, por edhe ato ekonomike, njëri i bije gozhdës e tjetri patkoit, një bashkim politik shtetesh me histori, tradita, konstitucion shpirtëror e kombëtar dhe, jo rrallë, interesa krejt të ndryshme, do të vazhdojë të propagandojë demokracinë si sistem qeverisjeje kombëtare të shumicave parlamentare dhe, nga ana tjetër, do të kushtëzojë pranimet e shteteve të tjera brenda saj nga vota kundër e një shteti të vetëm, atëherë ka të ngjarë që, në vend të respektit dhe joshjes të shkaktojë neveri dhe shpërbërje.
Nëse BE pranon që të përparojnë bisedimet për pranim me shtete si Serbia, e cila parasheh në Kushtetutën e saj aneksimin e shteteve të tjera të pavarura (Kosovës), apo të ketë anëtare të tij shtete si Greqia që mban në fuqi ligje lufte me fqinjët, atëherë kjo bashkësi shtetesh nuk do të ketë të ardhme të ndritur dhe në paqe. Sa i përket Shqipërisë, shqiptarët duhet të pranojnë më mirë të ketë Shqipëri, qoftë edhe jashtë BE-së sesa të ketë shqiptarë brenda BE-së, por pa Shqipëri të barabartë me shtetet e tjera. Ato shtete që janë anëtare të BE-së dhe e përdorin këtë fakt për propagandë false dhe si mjet presioni kundrejt fqinjëve dhe, nga ana tjetër, sillen si para një shekulli, janë duke i bërë hyzmet periudhës “pas BE”. Sidoqoftë, duket se llogaritë nuk i kanë bërë edhe aq mirë pasi koha dhe realitetet shoqërore e politike do të punojnë kundër tyre.
DITA