MANDATET – DY FERRAT E FSHEHJES SË SAJ

08/07/2018 15:26

OPINION

 

MANDATET – DY FERRAT E FSHEHJES SË SAJ

Bedri ISLAMI

 

Në radhët e larta të opozitës, gjithnjë e më shumë, ka nisur të zërë vend mendimi i dorëzimit të mandateve dhe krijimit të një gjendjeje të pazakontë, jo vetëm në politikën shqiptare, por sidomos në jetën parlamentare.

Deri tani, si është pritur dhe si e ka shpallur që nga dita e parë e paszgjedhjeve të vitit të shkuar, prijën e këtij mendimi e ka mbartur gjithnjë Berisha, politikani i dorës së fortë dhe i veprimeve ekstreme gjatë gjithë jetës së tij politike, edhe para vitit 1991, pavarësisht nëse është në pushtet apo në opozitë. Sidomos në këtë gjendjen e fundit.

Ai e ka shpallur këtë si kredo të jetës së tij politike dhe pas vetes ka pasur “skifterët” e forcës së tij politike, të markës “Noka”, apo të tjerë, të cilët nuk e dinë mirë se ku qëndron radikalizmi i një lëvizjeje politike me mendimin e sertë, të saktë dhe të drejtë. Shumë prej tyre, të paraqitur si një gardë parlamentare, brenda oborrit të opozitës, mendojnë se vetëm shfaqja e tyre si njerëz të fortë, agresivë, të rrëmbyeshëm, sallahanas, britmas, i bën ata të jenë të sigurt në aradhen e deputetëve të opozitës.

Në të vërtetë, shumë prej tyre, nuk kanë një mendim të tyre vetjak mbi një çështje kaq të madhe, a është kjo e dorëzimit të mandatave, djegies së tyre dhe nuk e besoj se çfarë mund të ndodhë, në radhë të parë brenda forcës së tyre politike. Duke shkuar pas berihajt, pra, nga i çon i pari i tyre, ata janë të gatshëm, që nesër, të ndërrojnë mendim, të cilin edhe pse nuk e kanë pasur, e kanë mbrojtur, ashtu si mund të mbrojnë, po me aq forcë, cilindo mendim ndryshe.

Kjo është një sëmundje e vjetër parlamentare: në dy krahët e politikës sonë. Në të tria forcat dominuese, janë shfaqur e shfaqen edhe tani figura politike, që nuk janë e nuk mund të jenë përfaqësues të askujt tjetër, veçse të Njëshit që i ka zgjedhur, i ka vendosur në listë, duke paguar ose jo, i ka vënë një numër dhe nuk kanë as tagrin dhe as kurajën të jenë një zë vetjak.

Mendimin fillestar të Berishës e kanë kundërshtuar fillimisht dy liderët e tjerë të opozitës, Basha dhe Kryemadhi. Ata kanë patur një qëndrim më liberal dhe këmbëngulës për qëndrimin e tyre në parlament dhe, është dukur, sikur ky do të jetë një qëndrim konstant i tyre.

Ndoshta, në fazën e parë të jetës parlamentare pas një votimi gati të pabesueshëm në mbështetje të forcës politike që qeveris, u është dashur momenti kohor për të qenë të pranishëm, që shumë nga deputetët e tyre të dalin nga anonimati, që të provohet e dëshmohet besueshmëria e tyre, të kenë një arenë nga ku mund të flasin dhe, së fundi, të provojnë forcat, jo vetëm me pozitën, por edhe ndaj njëri tjetrit, duke krijuar një relaks në marrëdhëniet e dyfishta.

Parlamenti i ri, pra i tashëm, ka nisur si kurrë ndonjëherë: me pozitën të hasmëruar me opozitën e madhe dhe, si nuk ka ndodhur kurrë, me opozitën e madhe të hasmëruar më shumë me opozitën e vogël se sa me pushtetin. Basha, thellësisht naiv në politikë, gjatë fushatës, tehun e kishte tek LSI-ja, pasi i dukej se ajo ia kishte vjedhur votuesit dhe, duke denoncuar atë, solli një përmbysje të pashoqe, nga humnera e së cilës enë nuk ka dalë dhe, si është nisur, nuk besoj se do ia dalë së shpejti.

Nga ana tjetër, LSI-ja, si një forcë gjithnjë përmbysëse e balancës politike, pasi nga kishte shkuar ajo kishte rënduar edhe pushteti, u ndje si e lënë mënjanë nga PD-ja, për më tepër e sulmuar nga ajo si parti e kazanit, dhe, në këtë periudhë kohe i duhej domosdo rifitimi i besimit, krijimi i një ndërlidhjeje të re me majën e opozitës, duke besuar se, më pas, do e kishte edhe me bazën e saj, çka nuk është arritur dhe është e vështirë të arrihet.

Tani, si duket, gjendja politike e parlamentare, mund të jetë përballë një ndryshimi të rëndësishëm. Jo vetëm Berisha, por edhe Kryemadhi, që në fakt është marrë vesh gjithnjë më mirë me Berishën se sa me Bashën, po mendojnë seriozisht të braktisin parlamentin, të djegin mandatet e tyre dhe të krijojnë vakuumin e padobishëm, por thellësisht të rëndë për jetën e vendit. Në një vit tepër serioz, që quhet edhe vit i provës, ata mund të sjellin një tablo të rëndë dëshpërimi dhe rëndese.

Pse ndodh kjo?

Është e gjitha kjo se duhet ruajtur një godinë teatri, të cilën, edhe ata vetë e dinë se nuk mban më? Është qëndresa që po bëjnë ata ndaj një afere, si e quajnë, ku lëvizin e rendin disa qindra milionë euro. Shifra prej 200 milionë euro të duket si një nostalgji e Bashës për 200 milionët që humbën në rrugën e Kombit.

Është kjo lëvizje e pazakontë politike qëndrim dëshpërues i opozitës, apo qeveria ua ka bërë borxh dhe nuk po merren vesh me asgjë?

Do të duhej krijimi i një klime të çtensionuar apo duhet rënduar edhe më shumë? A mund të shërbejë marrëveshja enigmë e majit të shkuar si një mundësi lëvizjeje politike dhe a e ka pikërisht këtë ndërmend Basha, Kryemadhi dhe mbi ta Berisha? A mund të jetë loja e mandateve të dorëzuara një lloj çadre e re politike kësaj here thellësisht ekstreme dhe nga e cila, krahas opozitës, do të ketë humbjet e saj edhe qeveria dhe krejt jeta e vendit?

Çështja “teatër” ka një “mbrojtëse” të njohur, zonjën Vokshi. Për këtë temë, si për një patate të nxehtë që po ftohet, janë rrahur aq shumë ujëra, janë bërë përbetime e stërbetime, janë vënë në lëvizje aktorë dhe vetë opozita dhe, si duket, do të kemi një ditë një teatër të ri. Nuk jam ekspert i kësaj fushe, personalisht ky sistemi PPP më duket si një ngrehinë që mund të zërë nën vete shumë nga brezat që vijnë, por tema teatër nuk mund të jetë veçse sebepi i hedhjes poshtë të mandateve.

Lepuri, nëse është fjala për lepur, fshihet tjetër kund.

Janë dy ferra të mëdha:

Ferra e parë ka lidhje me atë që po ndodh në procesin e vettingut. Shumë nga figurat e afruara nga PD-ja dhe të afishuar si mbrojtës të bëmave të saj, tani po largohen nga sistemi i drejtësisë. Kushti i vënë nga BE për shpejtimin dhe thellimin e këtij procesi është një kambanë se shumë shpejt rendi i gjërave do të vijë afër politikës.

Ky rend duhet prishur. Me çdo kusht. Edhe duke dorëzuar mandatet. Edhe duke e bërë parlamentin njëkolor. Pas kësaj shprishjeje është besimi se vendi do të futet në kolaps politik, do të ndalen ingranazhet e shtetit dhe do të ketë zgjedhje të reja, në të cilat, besojnë, nuk do të jenë kaq humbës.

Ferra e dytë është brenda vetes. Pasi janë provuar të gjitha mënyrat e protestës, që nga thirrjet për shkatërrim, rrëzim me dhunë, rrëmbime drurësh, e deri tek naivitetet e dëmshme si Babale 1 dhe babalet e tjera që kanë në sirtarë, është vënë re se mbështetja e opozitës nga njerëzit nuk ka ndryshuar. Në disa raste, besimi ndaj liderëve opozitarë është shumë më poshtë se sa ndaj vetë forcës politike që drejtojnë.

Berisha e do braktisjen edhe për hir të asaj që mund t’i trokasë në derë: një grup hetues për pasurinë e fëmijëve të tij, dhe, për të shmangur këtë, ai është i gatshëm të hedhë në erë çdo urë të mundshme bashkëjetese.

Provimi i një lëvizje radikale brenda parlamentit, herë-herë me gjetje groteske, si hedhja e çizmeve, rrëmbimi i kartave të votimit, pushtimi i foltores, rikthimi tek e njëjta temë përmes së njëjtës strategji, jo vetëm nuk kanë ngritur dallgë, por e kanë bërë disi mes qesharakes dhe mosbesueses figurën e Bashës dhe e kanë zbehur rolin e Kryemadhit.

Të gjitha format e deritashme nuk e kanë nxjerrë atë nga “ferra” e saj, pra, nuk e kanë bërë më të besuar.

Nëse njerëzit janë të lodhur nga politika dhe mosbesimi quhet vlerë, fajtor janë edhe ata vetë.

Tani, si duket po vjen koha e provës më të fundit: shkallmimit të pjesshëm të jetës parlamentare.

Për vendin kjo është më e rrezikshme se sa shembja e një godine të vjetër, në të cilën, vetëm pak nga aktorët kanë kujtime që janë pjesë e të gjithëve.

Besimi i opozitës që, pas hedhjes së mandateve, do të ketë një presion të ndjeshëm ndaj qeverisë dhe Edi Rama mund të bëjë lëshime të mëdha, askush nuk e di se cilat lëshime.

Braktisjen e parlamentit PD-ja nuk e ka bërë as pas vitit 1997, megjithëse humbja e tashme është më e rëndë se e asaj kohe.

Opozita mund të mendojë se pas kësaj braktisjeje mund të kenë një fitore të madhe, por i bindur jam se e gjithë kjo lojë radikale, për hir të llogarive të një birboje, nuk do të jetë edhe aq fitimprurëse.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode