MAJKO, DERRAT DHE KOKËDERRAT
11/02/2016 21:25
OPINION
MAJKO, DERRAT DHE KOKËDERRAT
Nga Gjon BRUÇI
· Edhe debati aktual për reformën në drejtësi, i cili valon “si në Karadak”, nuk është gjë tjetër veçse një zhurmë e madhe për të kaluar lumin me ndërkombëtarët dhe doemos edhe me qytetarët, që presin me padurim një drejtësi të vërtetë, e cila kurrsesi nuk do të jetë e tillë, por vetëm një fasadë drejtësie. Këtë na e verteton Majko, kur pyetjes së intervistuesit se “A mund të dështojë reforma në drejtësi?”, i përgjigjet: “Nëse nuk do të kalonte (reforma në drejtësi), Shqipëria do të humbte çdo shpresë për bisedimet me BE”(!). Që do të thotë se synimi i miratimit të reformës në drejtësi nuk është bërja e një drejtësie të vërtetë, por të plotësohen formalisht kushtet e BE për të nisur bisedimet e famshme dhe pastaj . . . duke parë e duke bërë!
I nderuar z.Thano
Nëse dëshironi të kuptoni e të përcaktoni se cila është filozofia politike, ideologjike apo pragmatiste e politikanëve që po na qeverisin, dhe kur them qeverisje kam parasysh pozitën dhe opozitën, merrni e lexoni intervistën e Pandeli Majkos në emisionin “Top Story” të datës 8 shkurt 2016.
Ish kryeministri Majko, është nga politikanët më transparentë që kemi patur në këta dy dekada e gjysëm të tranzicionit tonë demokratik dhe këtë profil ai e manifeston jo vetëm në bisedat private, por edhe në deklarimet publike, si nga posti i qeveritarit, ashtu dhe nga pozicioni i deputetit.
Një transparencë të tillë na manifestoi edhe të hënën e kësaj jave, kur në përgjigje të pyetjeve të intervistuesit, ai me dy tri ligjërata lakonike na dha një radiografi të saktë të tri partive kryesore politike që mbajnë në dorë timonin e pushtetit dhe të shtetit teorikisht ligjor, por praktikisht në formim e sipër.
Qysh në krye të intervistës, pyetjeve të gazetarit për situatat që po zhvillohen në Partinë Socialiste, Majko, si transparent që është, na zgjedhon e na sqaron me fjalë të thjeshta e të dretpërdrejta: ”Partia Socialiste është një parti e madhe dhe si e tillë ka shumë zhurmë”. (!)
Dmth “partitë e mëdha” janë klube, si ai i “Selanikut”, ku buja e zhurma mbizotëron mbi gjithë normat e parimet që rregullojnë jetën e brendshme e të cilat duhet të jenë doemos demokratike, nëse pretendojnë që kur të vijnë në pushtet të ndërtojnë demokracinë. Majko na konfirmon një të vërtetë që të gjithë e shohim. PS-ja, ashtu si dhe PD-ja e LSI-ja, që kanë mbërthyer timonin e shtetit (në shtet bën pjesë edhe opozita), si familje të “mëdha” që janë dominohen nga zhurmat e për rjedhojë edhe qeverisja e tyre nuk është gjë tjetër veçse një kakofoni zhurmash, e cila mbulon si me buldozer skenat e prapaskenat që zhvillohen në bodrumet e tyre të errta e të mykura me korrupsion.
Edhe debati aktual për reformën në drejtësi, i cili valon “si në Karadak”, nuk është gjë tjetër veçse një zhurmë e madhe për të kaluar lumin me ndërkombëtarët dhe doemos edhe me qytetarët, që presin me padurim një drejtësi të vërtetë, e cila kurrsesi nuk do të jetë e tillë, por vetëm një fasadë drejtësie. Këtë na e verteton Majko, kur pyetjes së intervistuesit se “A mund të dështojë reforma në drejtësi?”, i përgjigjet: “Nëse nuk do të kalonte (reforma në drejtësi), Shqipëria do të humbte çdo shpresë për bisedimet me BE”(!). Që do të thotë se synimi i miratimit të reformës në drejtësi nuk është bërja e një drejtësie të vërtetë, por të plotësohen formalisht kushtet e BE për të nisur bisedimet e famshme dhe pastaj . . . duke parë e duke bërë!
Në vijim të transparencës së tij shembullore, pyetjes se “a ka rrëshqitje të ideologjisë së PS-së nga majtas në djathtas”, Pandeli Majko i përgjigjet pa ngurim: “Kam përshtypjen se po flisni me njeriun e gabuar. Po flisni me personin që kur ishte kryeministër liberalizoi bankat, privatizoi Telekomin” – përgjigje kjo që sqaron përfundimisht se PS “ka hane” që nuk është më e majtë, pavarësisht se socialistët dhe votuesit e votojnë si të tillë!!
Mjaft interesant është dhe qëndrimi i Majkos në realcion me kërkesat e Blushit. Blushi, – pranon Majko, – ka të drejtë sepse të zezat mbi të bardhë në statutin e Partisë Socialiste thonë ashtu siç e kërkon Blushi. Është e vërtetë se ka shkelje në PS të parimeve e normave statuore, por ato “duhen kapërcyer për hir të qeverisjes dhe situatat që po kalojmë”. Me fjalë të tjera, normat e parimet, sipas Majkos, mund të hidhen në kosh, për interesa shtetërore e qeverisëse dhe për situata të veçanta.
Të njëjtën “stratagemë” ka përdorur e përdor edhe Berisha në partinë e tij, PD, çka na verteton katërcipërisht se të dy partitë kryesore të politikës shqiptare janë dy dema të zinj të vendosur në të njëjtën parmendë që “lëvrojnë” arën e demokracisë borgjeze, duke mbjellurr në të ferra e driza.
Por ajo që i vë kapuçin gjithë intervistës transparente të Majkos, e që na nxiti për të hartuar këtë letër modeste në DITA, është radiografia që ai u bën tre figurave kryesore të politikës aktuale, dy ish-kryeministrave Berisha e Meta dhe kryeministrit aktual, Rama.
“Berisha dhe Meta janë kokëderra, por Rama është një kokëderr në llojin e vet”, – shprehet Majko, duke qeshur, por jo me shaka.
Dhe për ta vertetuar se nuk e ka me shaka, vijon: “Rama mund të ketë shumë të meta, por ky kokëderr i gjatë nuk mund të qeverisë këtë vend pa bërë atë që mendon se është më e mira”. Pra, sipas Majkos, por edhe sipas realitetit që ndodh, votuesit ja japin votën Partisë, por qeverisjen e bën kryetari i saj, i cili, sa më kokëderr që të jetë, aq më me sukses shkojnë punët e qeverisjes.
Këtë filozofi interesante personazhi ynë e vulos me ligjëratën më të çuditshme që mund të nxjerrë mendja e një politikani të kohës së sotme: “Për të qeverisur këtë vend, – konkludon Majko, – duhen qeverisur edhe dobësitë e “derrave”, sepse njerëzit janë të prirur të shohin ato që nuk ke bërë, e jo ato që ke bërë”! Me fjalë më të drejtpërdrejta, “këta derra”, (lexo votuesit, qytetarët) mund të qeverisen vetëm prej “derrave”, madje më saktë prej “kokëdrerrave”!!
Kur lexova këtë “konkludë” të një socialisti veteran, mendja më shkoj tek një poezi satirike e kohës kur doli gripi i derrit: “S’ka ç’na bën ne gripi i derrit / Por kujdes nga derri i derrit!
Ruajna Zot nga “derri i derrit”.
I respektuari Pandeli Majko është ndër anëtarët më të spikatur të Partisë Socialiste, ndër drejtuesit kryesorë të saj dhe madje njëri nga kryeministrat më të suksesshëm të këtij subjekti politik, që në dy zgjedhjet më të fundit pretendon të ketë marrë votën e një milion shqiptarëve.
Nisur nga kjo, intervista e tij në Top Story, është plotësisht e vërtetë, plotësisht e besueshme. Ai na thotë me plot gojën dhe fare shqip se partia e tij me emrin Partia Socialiste, tashmë është “tëpkë” si simotra e saj, Partia Demokratike, me të vetmin ndryshim: ndërsa PD-ja ka “hane” që është kthyer në një parti neofashiste, PS-ja, sapo është futur në atë rrugë nga ku do ta ketë shumë të vështirë të kthehet.
Drejtuesit e saj, përfshi edhe të nderuarin Pandeli Majko, falë pozicioneve dhe miradinave që kanë siguruar me këtë parti, tashmë të korruptuar e të degraduar, po fluturojnë në ”qiellin e shtatë”, dhe nuk kanë asnjë mundësi të shohin poshtë reve, aty ku gjendet anëtarësia e tradhëtuar e kësaj partie.
Vini re: Pyetjes së gazetarit në fund të intervistës se “kemi dëgjuar se po merrni pasaportë të Kosovës”, Majko i përgjigjet: “Po, kam bërë kërkesë dhe besoj se do të më miratohet. Kam dëshirë të kem një apartament në Prishtinë dhe prej andej të nisem në punë në Kuvendin e Shqipërisë”.
Një detaj i vogël, por tepër domethënës. Politikanët tanë të kalibrit të Majkos me shokë tashmë e kanë siguruar mundësinë të kenë apartamente në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Bullgari, në Bruksel e madje edhe në Amerikë, dhe prej andej, si “senatorë të përjetshëm” të Parlamentit pasunor të shqiptarëve të varfër të drejtojnë fatet e “derrave” që do të mbeten në Shqipëri . . .
Socialistët e thjeshtë që përbëjnë edhe shumicën dërmuese të kësaj partie, nuk duhet ta pranojnë këtë situatë. Është jo vetëm interesi i tyre jetik, por edhe obligimi që kanë ata dhe partia e tyre ndaj fateve të vendit, dhe të popullit, i cili nuk duhet të drejtohet nga “kokëderrat”, por nga kokëintelektualët dhe kokëatdhetarët e vërtetë.
(Marrë nga DITA)