“LULET” E BERISHËS

03/05/2016 08:47

OPINION

 

“LULET” E BERISHËS

Nga Bedri ISLAMI

 

 

“Do të të duket lule 14 shtatori”, ky ishte kërcënimi i fundit i ish-shefit të qeverisë, njeriut numër një të shqupasve, që i bëri shefit aktual të qeverisë së sotme, dhe e gjithë kjo është tashmë në vazhdën e asaj që ka ndodhur që ditën e parë të pranisë së tij në politikën shqiptare. Pra, nuk është as e re e as e papritur. Prej atij stani, atë “bulmet” pret.

Përse kërcënoi edhe një herë Berisha, aq më tepër kur socialistët bënë një lojë politike, duke e dërguar në prokurori deklaratën e tij parlamentare për armatosjen e popullsisë dhe rrëzimin e qeverisë përmes armës?

Ai e di se klasa politike në pushtet nuk ka as këllqet e as dëshirën për të hapur një proçes juridik ndaj atij, aq më tepër një proçes i cili, në të gjithë këtë kohë do të tingëllonte si një proçes politik. E di gjithashtu se, edhe kur bëri gjithë krimet e mundshme si shefi i shtetit, në vitin 1997, kjo klasë politike, jo vetëm që nuk bëri asgjë, por, për më tepër, drejtues të lartë të saj u mburrën se ishin pikërisht ata që e kishin shpëtuar nga burgu, sikur drejtësia të ishte malli i tyre. Më vjen keq që në këtë lojë u përfshinë figura të larta të politikës socialiste, por e vërteta është se pikërisht nga bythëpambuku i politikës së tyre, Berisha, jo vetëm është në lojë, por edhe kërcënon, me një kërcënim tipik fashist, si ishte edhe grushti i shtetit i 14 shtatorit të vitit 1998.

Ai e di gjithashtu se, edhe nëse socialistët janë mbushur mend, të paktën përsa i takon ligjshmërisë dhe të së drejtës, ai strukturat e drejtësisë ka instaluar një mori të pafund të njerëzve të tij, të cilët, pa asnjë droje, ashtu si mbyllën në heshtje 21 janarin, Gërdecin, Rrugën e Kombit, vrasjet e 2 prillit, shitjen e detit, koncensionet marramendëse, ashtu do mbyllin qoftë edhe me proçedurë, të gjithë inskenimin politik ndaj Berishës. Sepse, të jemi të qartë, loja e socialistëve me dërgimin e Berishës, për një thënie, ndoshta më e zakonshmja e tij, është një lojë politike, qoftë edhe për të mbuluar dështimin e tyre me ndëshkimin e vrasjeve të 21 janarit.

Ai e di gjithashtu se në të gjithë këto vite, dashje pa dashje, lobet e tij në shtetet e fuqishme, të ushqyera mirë financiarisht prej tij, gjë që vazhdon edhe sot e kësaj dite, kanë krijuar mendimin se burgosja ose gjykimi i tij do të sillte destabilizimin e gjithë vendit dhe kështu, ndoshta, do të shkohej drejt një përplasje të furishme, çka do i turbullonte selitë e tyre diplomatike ose politike. Askush në karrierën e tij, qoftë si sundimtar ose përfaqësues, nuk do një vatër të re konfliktuale, të paktën deri sa të jetë ai në këtë vend. Kjo ndodh edhe në Shqipëri. Berisha e di këtë të vërtetë, dhe, edhe në se nuk e ka ditur, miqtë e financuar prej tij, ia kanë mësuar dhe ai ka shkuar edhe tej mësimit të tyre.

Berisha e di se një 14 shtator nuk përsëritet më, sepse jo gjithnjë i njëjti kungull shkon nëpër ujë, edhe kur ky kungull është i mbushur me kallashnikovë dhe tanke të grabitura. Ai, në fakt, jo rastësisht e nxorri të dhënën e ditur se viti 1997 dhe 14 shtatori janë veprat e tij, çka e kishte mohuar deri tani; e nxorri për të thënë se kjo mund të përsëritej dhe, nëse me 14 shtator gjërat i “kishin dalë jashtë kontrollit”, këtë herë ai do i mbante nën kontroll dhe një 14 shtator i ardhshëm do u dukej lule, sepse nuk do të kishte më kthim pas.

Si e kishte cilësuar kolegu Koçiko, Berishës ia falën 21 janarin dhe ai është i gatshëm të bëjë një 14 shtator, sepse mes tyre ka lidhje të furishme. 14 shtatori është edhe përtej 21 janarit, pasi ishte një kohë tjetër, kohë kur përcaktohej gjithçka për Kosovën, dhe urdhrin për të bërë grusht shteti Berisha nuk e mori thjeshtë për të rrëzuar një pushtet qeverisës, por për të rrëzuar edhe të ardhmen e Kosovës. Urdhëri për të bërë grusht shteti dhe asfiksuar luftën çlirimtare në Kosovë atij i erdhi nga serbomalazezët, qofshin edhe jashtë Europës, i erdhi edhe urdhri për tërheqje në të njëjtën gjuhë, dhe jo rastësisht, forcat drejtuese politike të luftës çlirimtare në Kosovë nuk patën asnjë lidhje me të, dhe ajo ishte koha e vetmisë së tij më të madhe politike. 14 shtatori ishte një lëvizje e paralajmëruar, aq më tepër e sinjalizuar edhe nga struktura të tjera jashtë Kosovës, për të cilën isht vënë në dijeni pramida drejtuese e shtetit të asaj kohe , të paktën që në mesin e muajit gusht. Thënia e tij e tashme se hapja e armëve ishte edhe për luftën në kosovë është mashtrimi më i madh politik i tij në lidhje me këtë luftë, sepse, duan apo nuk duan, e kundërta ka ndodhur. Ai ishte dhe mbetet njëri ndër sabotuesit më të ndjeshëm të kësaj lufte, deri sa iu hoq pushteti.

“Lulet” e Berishës janë plumbat. E bëri këtë në ngjarjet e Shkollës së Bashkuar , ku brenda saj ishte edhe presidenti i tashëm; e bëri në demonstrimet e para kundër partisë-shtet, megjithëse vetë u bë karikatura e përgjakshme e këtij shteti – parti; e bëri në rrëzimin e qeverisë së Përkohshme, pas së cilës, një burrë i mënçur, ish ministër i partisë së tij, Emin Musliu deklaroi haptas se “pas kësaj unë shoh gjak” dhe gjaku u derdh me shumicë; e bëri me 2 prill, e bëri në marsin e vitit 1997… dhe do e bëjë kurdoherë që qullashët në pushtet e lejojnë të bëjnë të fortin, shkelësin e të gjitha ligjeve, mashtruesin, ngritësit të greminës financiare, të copëtimit të vendit.

Berisha nuk është budalla, ai është një njeri që politikën e ndërton përmes krimit, jo sepse nuk ka mend, por sepse e di se cilët ka përballë. Nuk është trim, por shet trimëri; nuk është burrë i fortë, por ka rreth vetes një falangë krimi që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka; nuk është njeri i fjalës, por i armës së drejtuar tinëzisht, edhe nëse je miku i tij; por, ajo që e di krejt mirë ai është se ka përballë vetes një klasë politike të shkërmoqur, një sistem juridik nën këmbët e tij, një shërbim informativ i cili merr frymë përmes frymës së tij. Dosjet e Berishës janë më shumë se dosjet e shtetit; informatorët e tij, të specializuar, janë më të shumtë se sistemi ynë informativ, pasi edhe ky i fundit në shumicë është në thesin e tij.

“Lulet” e Berishës janë lulet e së keqes. Nuk duhej lënë të bulonin, por në fakt buluan. Ku është faji i parë tashmë kjo është pak e rëndësishme; themelore është se ai vazhdon në rrugën e së keqes pafundësisht i pandryshuar dhe as që ka ndër mend të ndryshojë.

“Lulet” e Berishës janë ata që ndodheshin në bodrumet e selisë së PD në shtatorin e vitit 1998, armët. Atëherë ishte në opozitë. “Lulet” e Berishës janë ato që ndodheshin me 21 janar në bodrumet e qeverisë, armët. Pra, kur ishte në pushtet. Ky njeri, qoftë në opozitë, qoftë në pushtet, është i njëjti: i egërsuar dhe i gatshëm të të vrasë.

Ai mund të ndryshojë vetëm kur të ketë të tjerë përballë tij. Mos mendoni se nuk trembet. Sillni për një çast ndër mend momentet e pakta të arrestimit të tij minutëshkurtër: Sillni ndër mend njeriun që ishte mbyllur në makinën e blinduar dhe nuk dilte prej aty.

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode