LUFTA NË UKRAINË – LUFTË IMPERIALISTE
17/07/2023 15:18
OPINION
LUFTA NË UKRAINË – LUFTË IMPERIALISTE
Nga Dilaver GOXHAJ
Qëllimi kryesor i luftrave imperialiste është aneksimi i vendeve agrare nga shtetet e zhvilluara imperialiste. Dhe, për këtë arsye, gjendja e sotme e të dy palëve ndërluftuese imperialiste në Ukrainë thërret: “Rroftë lufta!”
Çdo ditë dëgjojmë retorika nga udhëheqësit e lartë politikë të gjithë shteteve imerialiste ndërluftuese se përdorimi i armëve bërthamore është e pashmangshme. Shënjat e parandalimit të kësaj lloj lufte duken të largëta.
Përsëritja e shpeshtë e fjalëve “kemi mbushje bërthamore” prej palëve ndërluftuese, natyrisht që e çon kujtesën njerëzore në rastin e parë e të vetëm hitorik të përdorimit të bombës atomike para 77 viteve, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Për ta freskuar kët kujtesë të llahtarshme, mjafton t’i referohemi librit të historianit ushtarak Roberto Batalia: “Lufta e Dytë Botërore”:
“Në 17 Korrik 1945 u mbajt Konferenca e Tretë e “tre të mëdhenjve”, Konferenca e Potsdamit, pas asaj të Teheranit dhe të Jaltës, dhe nuk kishin as kohë e as dëshirë për t’u vënë veshin ofertave djallëzore të japonezëve…
Konferenca e Potsdamit i filloi punimet më 17 Korrik 1945. Ditën që filloi punimet Konferenca, më 17 Korrik, arriti nga Uashingtoni një mesazh i shifruar me këtë përmbajtje cinike: “Fëmijët lindën të shëndetshëm”.
Në këtë frazë kaq të pafajshme, e cila sot na duket shumë cinike, fshihej lajmi i eksperimentimit të shpërthimit me sukses të bombës së parë atomike në poligonin e Alamogirdos në Nju-Meksiko. Mesazhi sqaronte: “Afshi kishte qenë i tmerrshëm. Një kolonë tymi e flaktë u ngjit lart deri në kufijtë e atmosferës. Shkretimi kishte qenë i plotë brenda një rezeje gati një kilometër e gjysëm.”
Po në datën 17 Korrik 1945 ishin kapur e deshifruar nga shërbimi i përgjimit se Japonia dëshironte të përfundonte luftën me ndërmjetësinë e Bashkimit Sovjetik.
Sapo e morën lajmin Trumani dhe Çërçilli u përshëndetën me njeri-tjetrin dhe, siç rezulton nga të gjitha burimet, Trumani mori menjëherë vendimin për ta përdorur armën e re dhe të tmerrshme kundër Japonisë. Ky sekret, më i rrezikshmi i të gjithë luftës, i bashkoi edhe më shumë aleatët anglo-amerikanë, të cilët në fazën e fundit të luftës shumë herë kishin pasur pikëpamje të ndryshme strategjike dhe politike. Dhe nga ky çast Stalini mbeti, në fakt, i mënjanuar, të cilën e konfirmon vetë Cërçilli: “isha i sigurtë se Stalini nuk e mori vesh fare, se çfarë rëndësie kishte lajmi që sapo na u tha”…
Ne fakt, i vetmi justifikim i dhënë nga Trumani në kujtimet e tij është ai që hedhja e bombës “do të kursente, të paktën, një milionë viktima”.
Në qoftë se ky justifikim i pare, në përgjithësi mund të duket i arsyeshëm, në rastin konkret ai nuk qëndron. Së pari, faktet tregonin që Japonia tashmë ishte mundur. Së dyti, plani amerikan parashikonte që “deri më 1 nëntor 1945” të mos fillonte pushtimi (i Japonisë) duke u kufizuar vetëm me bllokadën aero-detare, e cila i përjashtonte sakrificat e mëdha njerëzore. Atëhere pse nxituan amerikanët?
Në kujtimet e tij Trumani thekson se vendimin për hedhjen e bombës e mbështeti në mendimin unanim të Komitetit të Ekspertëve, gjë që është e vërtetë… Më 1 qershor 1945, ende pa u bërë eksperimentimi në poligonin e Los Alamas, komiteti ishte shprehur: “1-Bomba duhet të përdoret sa më shpejt kundër Japonisë. 2- Ajo duhet të hidhet mbi një objektiv të dyfishtë, domethënë, mbi instalime ushtarake, pranë qendrave të banuara, ku efekri shkatërrues i bombës do të ishte më i ndjeshëm. 3- Ajo duhet të përdoret pa paralajmëruar për efektet e saj shkatërruese”.
Bëhet e ditur se Komiteti i Studimeve të Pasojave Shoqërore dhe Politike të bombës atomike e kundërshtoi me vendosmëri përdorimin e bombës.
Atëherë, pse s’u muar parasysh ky mendim?
E vërteta e hidhur, të cilën Trumani e fshihte, u zbulua brutalisht nga Çërçilli në kujtimet e tij. Në to, ai pasi mbron arsyetimin pseudohuman mbi gjoja kursimin e viktimave njerëzore, saktëson: “Për më tepër, me përdorimin e bombës nuk do kishim nevojë për rusët. Fundi i luftrave japoneze nuk do të varej nga pjesëmarrja e armatave ruse. Ne s’do të kishim më nevojë t’u kërkonim rusëve favore…Të njëjtat mendime ushqenin edhe miqtë e mi amerikanë”.
Siç nënvizon shkencëtari anglez Bleket: “Duhet të arrijmë në përfimin se hedhja e bombës atomike, më shumë se veprimi i fundit ushtarak i Luftës së Dytë Botërore, përfaqëson në realitet operacionin e parë të madh të Luftës së Ftohtë diplomatike kundër Bashkimit Sovjetik”…
Në orën 21.00 të datës 5 gusht 1945 Shtabi i Përgjithshëm Amerikan nisi urdhërin e pakthyeshëm për fillimin e sulmit dhe në mesnatë, skuadrilia e përbërë nga tre avjonë B-29, ndërmjet të cilëve edhe avjoni “Enola Gei”, nisi fluturimin. Në agim avjoni arriti mbi Hiroshima dhe në lartësinë 10.000 metra gishti i pilotit amerikan Tomas Frebie shtypi butonin që komandonte lëshimin e bombës, e cila shpërtheu përpara se avjoni të ngrihej mbi vertikalen e tij.
Ja dhe shifrat e tmerrshme: rreth 12 kilometra katërore të qytetit u rrënuan krejtësisht; 80 mijë ishin të vdekurit, po kaq dhe të plagosurit; pothuaj të gjithë të mbeturit gjallë ishin të dënuar me një vdekje të ngadaltë nga kanceri atomik; 65 mijë ndërteta, nga 90 mijë që kishte qyteti, u shkatërruan ose u bënë të papërdorshme…
Drama u përsërit më 9 gusht 1945, me hedhjen e bombës së dytë mbi Nagasaki. Bomba me pluton që u hodh këtu, në krahasim me atë me uranium që u hodh në Hiroshima, rezultoi 15 përqind më shkatërruese: 20 mijë nga 57mijë shtëpitë që kishte u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë; 40 mijë të vdekur dhe 70 mijë të djegur të dënuar me një agoni të gjatë…
Në realcionin zyrtar të “Bombës Sërvej” lexohet: “”U zgjodhën si objektiva Hiroshima dhe Nagasaki për shkak të dëndësisë së lartë të popullsisë dhe të veprimtarisë së tyre”, (kjo, me sa duket, për faktin që ata ishin punëtorë; por fabrikat e Hiroshimës mbetën pothuajse të paprekura).”
Që të mos përsëriten të tilla tragjedi ndaj njerëzimit, poeti kombëtar amerikan Uitman, thërriste:
U flas shteteve, a njërit nga ata, a çdo qytetari në shtetet:
“KUNDËRSHTONI SHUMË, BINDUNI PAK!”;
Se bindja e verbër të shpie në skllavëri të plotë;
Prej skllavërisë së plotë asnjë popull i botës
Nuk e fitoi dot përsëri lirinë.
Referencat:
- Roberto Batalia “Lufta e Dytë Botërore”, botim i Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1990, fq.411-413, 415-422.
- Urs Shvarc “Strategjia dje, sot, nesër - Zhvillimi i mendimit ushtarako-politik në SHBA”, Shtëpia Botuese e Ushtrisë,Tiranë 1995, fq.90-91
Tiranë, 16 korrik 2023