LUFTA E DYTË E KOSOVËS
13/08/2015 18:48
Redaksional
LUFTA E DYTË E KOSOVËS
Naiviteti i politikës miratoi një ndryshim kushtetues nga droja se mund të miratohej diku tjetër, ku as që e kishin në plan dhe as që mund ta bënin. Alibia e OKB-së i trembi deputetët e qeveritarët dhe tani ato do të përballohen me një betejë tjetër. Ndryshimi është se në luftën e parë ata ishin të gjithë bashkë; në këtë të dytën do të jenë larg njëri tjetrit e, ku ta dish, edhe kundër njëri tjetrit.
Parlamenti i Kosovës, nën ndikimin e një bote të tërë diplomatike, më në fund, para disa ditësh, miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, e cila, as më pak e as më shumë, do të hetojë, gjykojë, dhe, në gjetjen fajtorë, do të dënojë disa nga figurat më themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këmbëngulja e një grupimi parlamentar, rreth opozitës apo edhe brenda shumicës, për një përfshirje më të gjerë të hetimit të krimeve, të ndodhura apo të supozuara, pra, duke përfshirë edhe qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë dhe kanë qenë pjesë e makinerisë ushtarake serbe, nuk u miratua. Raporti i Dik Marty-t, i cili solli fragmente që më parë i kishte sjellë edhe media serbe, apo që i tha pas largimit të saj nga detyra e kryeprokurores në Hagë, zonja del Ponte, më në fund kanë një pasues: Gjykata do të krijohet, dhe kjo, edhe pse do të zgjidhë disa nga çështjet më kruciale të luftës në Kosovë, përsëri do të jetë një gjykatë e mangët, pasi jashtë saj dhe kompetencave të saj, do të lihen një shumësi nga ata që ishin vërtet vrasës, që u bënë pjesë e një makinerie vrasëse, duke besuar se pas kësaj lufte, në Kosovë nuk do të kishte më shqiptarë.
Tani, ajo që ka kaluar, ka kaluar. Kosova ndodhet para një sfide të re, e cila, megjithëse është paraqitur deri më tani si individuale, do të jetë përgjithësuese, në mos kolektive. Kosova dhe lufta e saj, e cilësuar deri më tani nga të gjitha strukturat e njohura të politikës, është në tehun e thikës: Do të jetë lufta e saj nën damkën e turpërimit, pra do të shfaqen bartësit e saj si njerëz të lidhur me krimin dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës si një strukturë e drejtuar nga njerëz të kriminalizuar; apo lufta do të përcaktohet si një domosdoshmëri historike, në të cilën shqiptarët, me humbjet e pazakonta, ishin viktimat.
Sado që përpiqen të japin një tabllo ndryshe, e vërteta mbetet vetëm një: Në tehun e kësaj thike të politikës dhe të drejtësisë është vënë rezistenca e një popullit të tërë, pjesë e rëndësishme e kombit shqiptar, dhe mendimi i institucioneve ndërkombëtare, ose më saktë, paraqitja e tyre sikur e kanë vetëm me njerëz të caktuar, jashtë hierarkisë dhe strukturave, është një alibi që nuk ia mbush mendjen askujt.
Jo e zakonshme në të gjitha këtë proçes është se ata që e miratuan, pra, forca politike që e miratoi dhe deputetët e saj, janë në shumicë deri më tani, objekt i hetimit dhe nesër, në një ditë të ardhshme, mund të jenë objekt i gjykimit dhe i dënimit. Historia e deritanishme e gjykimeve të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dëshmuar se, megjithëse gjyqtarët kanë qenë ndërkombëtarë, pra edhe të paanshëm, ata në fakt kanë qenë pjesë e një loje politike, të cilën, ose e kanë bërë me vetëdije, ose si mundësi për të pasur ngjitje në rrugën e jurispendencës; ose, dhe kjo nuk mund të përjashtohet, nën ndikimin e një faktori të tretë. Një ish-prokuror në Kosovë, i caktuar pikërisht për të hetuar krimet e luftës, pas përfundimit të mandatit gjeti strehë pikërisht në zyrën e prokurorit të përgjithshëm serb. Salustro është shembulli i ditur, por se çfarë ujrash kanë rrjedhur me gjyqtarët e tjerë, koha nuk e ka të vështirë të vërtetojë. Dënimi i Grupit të Drenicës, nga strukturat më të larta komanduese të zonës Operative të Drenicës, mes të tjerave u dënuan pasi “kanë vrarë vrarë një njeri, i cili nuk dihet se kush është dhe, po ashtu nuk dihet as se ku është varrosur”, mbi bazën e dëshmive të dëshmitarëve anonimë që sot gjenden disa mijëra kilometra larg Kosovës, nuk të jep shumë shpresë për një drejtësi të saktë, por për një deformim të fakteve dhe të së vërtetës historike. Idriz Balaj, i njohur si “Togeri”, për të njëjtat akuza, në Kosovë, po nga gjyqtarë ndërkombëtarë, dënohet ashpër, me shumë vite në burg, ndërsa në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, shpallet i pafajshëm. Në mos asgjë tjetër, dyshimi mbetet.
Por, duam apo nuk duam, e gjithë kjo është një gjë e së shkuarës, që patjetër do të ketë rihapjet e saj. Përse kjo është lufta e dytë e Kosovës?
Nga ajo që ka bërë të njohur media në Kosovë dhe të cilën askush nuk e ka demantuar, megjithëse ka pasaktësi të ndjeshme, në tehun e akuzës dhe që një ditë mund të arrestohen, janë të gjithë drejtuesit kryesorë të luftës; që nga Drejtoria Politike e saj e deri tek Shtabi i Përgjithshëm. Sipas një liste të bërë të njohur nga mediat, që nuk do të thotë se është krejt e saktë, një ditë të ardhshme, mund të arrestohen figura të tilla politike si Hashim Thaçi, ish kryeministër dhe tani zv.kryeministër, në fakt njeriu i cili, ndoshta pa dëshirë, bëri të mundur miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe krijimin e Gjykatës Speciale. Në mediat shqiptare në Kosovë janë bërë të njohur emra si Kadri Veseli, kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, njëra nga figurat fillestare të krijimit të UÇK-së, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Agim Çeku, ish kryeministër, ish shefi i shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, ish komandant i përgjithshëm i UÇK-së, Rexhep Selimi, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi, për disa kohë shef i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Blerim Kuqi, drejtues i një formacioni, Fatmir Limaj, Daut Haradinaj, etj etj. Duke pasur parasysh se më parë janë dënuar nga gjykatat ndërkombëtare në Kosovë, janë hetuar apo edhe dërguar për gjykim në Hagë, thuajse të gjithë drejtuesit e zonave operative, ATËHERË KUSH MBETI PA U GJYKUAR?
Gjetja juridike se secili do të dënohet për “faj individual”, pra , për krime vetjake, është një gjetje e bukur juridike, por nuk të thotë asgjë politikisht. Dënimi i krejt strukturës lideriste, politike e ushtarake, në fakt është dënimi i krejt UÇK-së, i njerëzve në Kosovë që luftuan nën drejtimin e tyre, është në një farë mënyre, amnistim i krimit të ndodhur nga falangat serbe.
Termi “faj individual”, dënim personal e jo hierarkik, është thjeshtë e vetëm një kurth politik, që secili të mendojë për kokën e tij, për fatin e tij, të lëshohet pas vetes dhe të lërë të përgjithshmen, të vërtetën që ka ndodhur. Një “fëmijizim” i tillë i proçesit, nuk bën asgjë tjetër, veçse i rëndon më shumë secilin prej tyre, e bënë fragmentare luftën që kanë bërë.
Ka disa kohë që loja me Gjykatën Speciale e rëndon situatën politike në Kosovë. Tani e bën krejt të rëndë. Në 15 vitet e fundit, nga shumë krahë, janë hedhur plot akuza mbi lutën e UÇK-së, dhe në fakt, nuk është sjellë asnjë provë për akuzat që janë hedhur. Por edhe sikur e gjithë ngrehina e tanishme e akuzës të shembet, si është e drejtë të shembet, asgjë nuk do të mund të heqë akuzat e përbindshme, pa asnjë provë serioze, për të ashtuquajturat trafikim të organeve, vrasje të personave civilë, burgjet në Kosovë e jashtë saj, financimin e luftës nga veprimtari ilegale, sidomos nga droga e trafikimi i armëve. Këto, me gjithë pafajësinë që mund të marrë Hashim Thaçi apo Agim Çeku, apo edhe me mosthirrjen e tyre në këtë Gjykatë, (dhe në fakt nuk kanë pse të thirren), janë njollat që luftës së një populli, ia ngjitën mjeshtërisht struktura të specializuara në Serbi e jashtë saj, në kohën kur liderët e luftës kishin fjetur politikisht, harruan luftën që ishte bërë, shokët e tyre që u vranë në luftë dhe rendën pas pasurisë vetjake. Të rebeluarit e djeshëm kundër padrejtësisë, u bënë vetë të padrejtë, por kjo është një temë tjetër, dhe, nëse ndonjë ditë do të ngrihej një gjykatë e tillë, speciale apo jo, kjo do të kishte ngritur në brohoritje popullin në Kosovë, ashtu si mund ta ngrejë edhe në Shqipëri, nëse do të ndodhte kjo mrekulli.
Politika në Kosovë u vendos nën një trysni të pazakontë: Të gjithë vrapuan duke bërë një presion që mund të kishte hallakatur edhe njerëz më të aftë e më të pjekur politikisht. Çështja e Gjykatës Speciale u bë guri i provës, u shfaq si mjeti që do e shpëtonte Kosovën nga krimi, kurse në fakt asgjë e tillë nuk është. Naiviteti i politikës në Kosovë miratoi një ndryshim kushtetues nga droja se mund të miratohej diku tjetër, ku as që e kishin në plan dhe as që mund ta bënin. Alibia e OKB-së i trembi deputetët e qeveritarët dhe tani ato do të përballohen me një betejë tjetër.
Ndryshimi është se në luftën e parë ata ishin të gjithë bashkë; në këtë të dytën do të jenë larg njëri tjetrit e, ku ta dish, edhe kundër njëri tjetrit.
(Marrë nga DITA)