LOTËT E ERMIRËS DHE GRUAJA SHQIPTARE

30/04/2016 07:35

OPINION

 

LOTËT E ERMIRËS DHE GRUAJA SHQIPTARE

Nga Monika SHOSHORI-STAFA

 

E kisha përshëndetur shkarazi në ambjentet e brendshme të një hoteli në Tiranë, atë gruan e re që më kish lënë gjurmë në ekranin e televizorit vite më parë kur mundohesha të ndiqja emisionet e formateve të mëdha televizive në ekranet shqiptare. Kuptova se sytë i kish të ndritshëm, çfarë më bëri të mendoj se jeta për të ishte ndryshe prej të shumtëve. Për mua nuk qe një surprizë deri këtu.

Historia e përgjimeve që i ndodhi më pas po aq nuk më çuditi. Ishte një “Espionage Trick” i zakonshëm ku jeta jote që pas shpikjes së ikonës së internetit, nuk do të ishte më aq sekrete. Por mundësia për ta mbrojtur atë me pushtetin e ligjit, neni 8 i së drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ta përkedhelte idenë se ajo ruhej deri diku. Nuk është se kish qenë e tillë edhe në sisteme të tjera, por shekulli i 21-të e bashkë me të edhe Wikileaks po provon se tashmë bota nuk ruan më sekrete. Do të ishte budallallëk të mendoje se askush nuk të sheh apo të vëzhgon me një sy të tretë që ti nuk duhet ta nxjerrësh prej mendjeje gjithmonë, sidomos kur personazhet i përkasin një ranku më të lartë publik.

Por po aq nuk do më çudiste edhe forca me të cilën ajo u përball megjithëse nëpërmjet telefonit në një studio televizive mbushur me burra ku zbërthehej historia e saj, bazë kodeve etnozakonore të një “mileti” hatërmbetur prej prekjes së nderit të shumicës ndërthurur me të ashtuquajturin status civil të saj. Gruaja që po kryqëzohej quhej Ermira Mehmeti, e cila disa vite më parë në një intervistë si pjesë e “European Initiative Stability”, një organizate hulumtuese me bazë në Berlin që bën analiza politike në vendet evropiane, besonte se të rinjtë shqiptarë dalëngadalë po bëheshin pjesë e shoqërisë globale, duke i lënë pas paragjykimet. Ermira ishte shpresëplotë kur thoshte se shumica e burrave me të cilën ajo punonte i përkisnin një brezi të vjetër të shqiptarëve dhe tradicionalë. Por nuk di të them, shprehej më tej ajo, nëse ishin më shumë tradicionalë apo konservativë.

Nuk dihet nëse Ermira besonte fort në optimizmin e një ere të re që po frynte mes shqiptarësh në Maqedoni apo nuk donte ta pranonte me energjinë dhe pasionin e një të reje që po hynte në politikë, realitetin tejet konservator aq sa dhe dhunues të skenës politike shqiptare në tërësi, në rajon.

Rritur nën frymën patriarkale të Ballkanit dhe të mësuar se një burrë është ai që komandon segmentet më të rëndësishme të jetës, gjithkush nga ne do ta kuptonte përse në disa vende si Maqedonia, sidomos në qytetet shqiptare, gratë të kenë qenë gjithherët të margjinalizuara. Ndaj në këtë kuptim ajo dukej se refuzonte t’i ndante të dyja konceptet ushqyer prej një ëndrre europiane që fshihte në zemrën e saj.

E shpenguar në llojin e vet, e veçuar prej të shumtëve dhe një figurë që tremb me moskokëçarjet e ndaj margjinalizimeve të çdo lloji, Ermira jetoi para ca kohësh një lojë të pisët. Një muaj më pas gratë shqiptare të politikës u mblodhën për ta mbështetur në një seancë jo të zakonshme plenare.

Në fjalimin që mbajti, përtej fjalëve, Ermira i rrëfeu publikut shqiptar se nuk ishte aspak e shqetësuar të fliste shumëçka mbi atë çfarë i kish ngjarë. Sepse ajo që ndodhi mbetej beteja e saj. Por çfarë ajo e tha hapur me një kthjelltësi të ashpër, kur u ndje se duhet të fliste pikërisht në atë seancë grash parlamentare u kuptua të ishte një draft luftarak, i pari në historinë e saj si politikane, i pari aq zëshëm në historinë e gruas shqiptare të pas 90-tës. Tej fjalëve që u dëgjuan u kuptua qartë që refuzonte të vihej nën shantazhin e disa përgjimeve të burimeve të paligjshme ku askush ende dhe sot nuk ka guxuar t’i dalë ballazi me një emër.

Prej atij fjalimi mbytur lotësh u kuptua thelbi; nëse do të isha një djalë nuk do të isha një vetëm një copë mishi, sikundër quhen gratë sot përgjithësisht, përkundrazi do të isha i fortë. Nëse do të isha burrë nuk do të isha thjesht një mikromenaxhere, por do të isha më pranë pushtetit të atyre që më inskenuan përgjimin. Dhe nëse si burrë nuk do të isha i fortë, autoritar, arrogant, intrigant dhe mashtrues e do të isha thjesht i dobët aty ku mund të drejtoja qoftë dhe një kabinet ministror ajo që mund të më ndodhte do të ishte vetëm shkarkimi nga detyra dhe aq. Vetëm kaq. Është kaq e ndryshme kur bie fjala për burrat.

Unë jam e sigurt se të gjithë ne dëshirojmë të kemi gra si ajo në politikë, gra të ulura në pushtet, gra të mençura, në vende ku ato të mund të bëjnë diferencën, sepse gjysma e politikës duhet të jetë me ne pavarësisht se duhet ta pranojmë vetëm një e dhjeta e tij është në anën tonë.

Fjalimi i saj në parlament ka qenë drafti i saj i parë në historinë e saj si politikane europiane me ëndrrën dikur rinore, ta shihte vendin e saj pjesë të një Europe të bashkuar dhe “gjuhën e tjetrit” si një koncept jo të huaj, panpacifist.

Por ndërsa fliste në foltoren e parlamentit, si një grua e fuqishme, bindëse, kontroversiale në lotët e saj, luftarake për të arritur majën e një sistemi jo aq miqësor, një grua po aq me të meta sa dhe e komplikuar e cila në përgjithësi gjatë karrierës së saj dukej që kish shmangur me zgjuarsi kurthet famëkeqe ndaj zonjave të bukua, para syve të sillte ndërmend se dikur apo diku duhet të vinin të tjera fjalime të këtij lloji mes “zonjave të shtëpisë” si fillim e më pas nga gra të tjera në vende të tjera. Vë bast se askujt nuk do t’i vinte mirë nga përmbajtja. Askush nuk do t’i shijonte ato.

Por ajo që pamë dhe dëgjuam nuk shpjegon gjithçka ka ndodhur ama nuk është se nuk shpjegon asgjë. Kupton se diçka ka ndodhur. I takon kombit tani të mendojë hollësisht dhe pak më në detaj aty ku dhe “djalli fshihet” rreth këtyre “shades of grey” të Ermirës syndritur. Por është e sigurt se pas kësaj që i ndodhi shqiptares sonë në Maqedoni qasja ndaj së njëjtës ngjarjeje nga publiku “nesër’ për gruan tjetër, për gruan pas gruas tjetër dhe gruan tjetër në radhë do të jetë më e lehtë.

Shekulli

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode