LOKOMOTIVA E SË KEQES
21/08/2019 07:30
OPINION
LOKOMOTIVA E SË KEQES

Nga Bedri ISLAMI
Në fillimin e mandatit të tij presidencial, Berisha ishte në Shkodër, në sallën e teatrit “Migjeni”, në njërin nga takimet e para entuziaste të tij. Sapo kishte filluar shprishja e çdo gjëje që ishte ngritur dhe “ teoria zero” apo ajo e “çekut të bardhë” ishin bërë , nga njëra anë fillimi i shprishjes dhe rrënimit të çdo gjëje dhe, nga ana tjetër, ngritja e institucioneve të një lloji të ri, rëndesa e të cilëve ndjehet sot e kësaj dite.
Mes të tjerave, kishte filluar edhe ngritja e institucioneve të drejtësisë; ishin mbledhur me turravrap militantë të ndryshëm në Durrës, në atë që mori emrin e merituar, “shkolla e plepave” dhe, si pritej, prej tyre do të merrte hov një sistem krejt tjetër, që, si më parë, partinë e kishte mbi të gjitha. Dhe, pas partisë, xhepin e tyre. Më shumë se gjysma e atyre që “studiuan” drejtësinë në pak muaj tek Plepat, janë rrëzuar nga Vettingu dhe shumë të tjerë presin të rrëzohen. Ata krijuan “gjingjnizmin” në drejtësi, si njëra nga përcaktimet e zhvatjes së shtetit, duke qenë shërbëtor i verbër i shtetit apo i partisë.
Në mesin e mbledhjes presidenciale, një ish i dënuar politik, i ndjeri Dedë Kasneci, befas e pyeti presidentin entuziast, përse në krye të Gjykatës më të lartë të vendit, kishte dërguar një gjyqtar si Rustem Gjata, i cili, mes të tjerave, do të ishte i fundmi gjykatës në gjykatën e Shkodrës, që, pa asnjë provë bindëse, do të dënonte me vdekje dy ushtarakë, Enver Bicakani dhe Rustem Tabaku, e me shumë vite të tjera ushtarakë e fakirë, që mezi ushqeheshin me bukë. Më ka rastisur të ndjek atë gjyq, pasi bëhej në sallën e shfaqjeve të një institucioni ku punoja përkohësisht dhe ishte njëra ndër britmet më arrogante të një pushteti arrogant, ku dhuna përzihej me hipokrizinë dhe ku njerëzorja ishte terratisur. I kam ende para syve skenat dhe dëshmitë e dhëna, sjelljet çjerrëse të trupit gjykues dhe të prokurorit, brutalitetin dhe çastin kur një nënë dëshmori, biri i të cilës nga Vlora, ushtarak, po dënohej me grupin, ngrihej të dënonte birin e saj dhe, kur po dilte, pyeste të afërmit : po, ç’ka bërë a të keqen, se nuk e muarmë vesh?!!!
Përgjigja e Berishës do të mbetet fillesa e mendësisë që çoi shtetin në këtë rrënim dhe në krizat e vazhdueshme.
-Ai na ka shërbyer Dedë, na ka shërbyer. Më jep ti disa emra dhe unë i bëj gjykatës dhe prokurorë.
Dedë Kasneci i tha shkurt se kjo nuk ishte punë e tij, se ai nuk është për këtë punë dhe se këtë do e bëjë vetë shteti, por ta bëjë me mend dhe jo të sjellë xhelatë në kreun e drejtësisë.
Në të vërtetë shtetit i duheshin shërbëtorë. I duhen ende sot. Pavarësisht se cilët kanë qeverisur, të djathtët, të majtët apo një mish-mash majtas – djathtas, mendësia e shtetit për të pasur të heshturit dhe shërbyesit e vet, nuk ka ndryshuar.
Mendësia e shërbëtorit në politikë dhe e thyerjes së shtetit, nisur rrëmujshëm nga demokratikasit dhe, përmes një emri të përveçëm, Berishës, u trand edhe më tej, në të gjitha qeverisjet që erdhën më pas, duke u bërë rruga drejt pushtetit, drejt parlamentit, drejt shtetit.
Po të krahasosh parlamentin e vitit 2017, kur ende nuk ishte braktisur nga një njeri i trembur që trembi edhe të tjerët, me atë të vitit 1991, do të kesh të qartë se si mendësia e shërbëtorit ka trumfuar mbi atë të njeriut të ditur, të përkushtuar dhe intelektual. Po të shkosh më tutje, se si vetë deputetët e vitit 1991 janë transformuar, do të jesh i bindur se pushteti të afron dy rrugë: ose bindje të plotë deri në verbëri, ose duhet të largohesh.
Në 30 vite asgjë më shumë se sa kjo nuk e ka rrënuar shtetin. E ka marrë nëpër këmbë, i ka zbehur fizionominë e tij, i ka përdhosur vlerat, e ka çnjerëzuar, e ka sakatuar, e ka bërë kokëulur dhe, në fund, ka lejuar krijimin e një sistemi bandash, që tashmë nuk janë hije apo alibi politike, por realitet i dukshëm, i frikshëm dhe enigmë.
Këto ditë gazeta DITA ka shtruar njërën ndër temat më vitale të historisë sonë, Luftën Antifashiste. Më shumë se me të djeshmen, ka të bëjë me të ardhmen. Më shumë se me historinë, ka të bëjë me projektimin e rrugës së nesërme.
Përdhosja e vlerave të Luftën Nacional Çlirimtare ka qenë e natyrshme të vijë nga një trupë e djeshme drejtuese e politikës kolaboracioniste përmes vazhduesve të tyre. Askush nuk pret që pinjollët e Cakranëve të Ballit të jenë pro luftës së djeshme, pasi ata e shohin si revansh bjerrjen e vlerave, kërkojnë të ringrenë një histori që ka pasur një përplasje të pazakontë dhe, në të cilën rreshtimi në krahun e fuqive aleate antifashiste ka qenë zgjidhja e vetme. Nëse Balli u gjend në kohën e gabuar, vendin e gabuar dhe krah një fuqive naziste, kjo nuk ka të bëjë me të sotmen. Ata, pinjollët e sotëm, vazhdojnë t’i shërbejnë një mendësie politike, e cila ka pasur një përcaktim të përbashkët europian, kolaboracionizëm. Pra, askush nuk ka pse të presë prej tyre, ashtu si nga disa historianë që ngjarjet e vitit 1942 e më tej, i trajtojnë me çka erdhi më pas në jetën e vendit. Ne jemi i vetmi vend në Europë, ku nga një përplasje e brendshme, fitimtarët kishin shumë herë më tepër të vrarë se sa humbësit; ku kolaboracionizmi mori trajtën e divizioneve SS, dhe ku u përfshinë mijëra njerëz, me idenë e rajasë.
Ajo çka nuk pritej ishte heshtja e një elite drejtuese ose jo e së majtës politike, e cila ku rrjedhimet e para pikërisht nga idetë e kësaj lufte dhe nga gjen përkrahjen më të fuqishme votuese. Në fakt, ata janë në pushtet, pikërisht nga njerëzit që e mbështetin , qoftë si ide, qoftë të lidhur përmes gjakut, Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Për shumë vite e majta ka qenë mbështetëse e kësaj vlerë europiane, antifashizmit.
Tani, njerëzit e saj kanë heshtur.
Për tri arsye mendoj unë.
Më e rëndësishmja , pasi vetë shefi i tyre politik, që është edhe shefi i qeverisë, jo për pozë politike, por për bindje të rrënjosura, është kundër kësaj lufte dhe ka konceptin që e shfaqi haptas ,“ulni kokat”, kur ju drejtua atyre që kundërshtonin mbivlerësimin e Mit’hat Frashërit.
Meqenëse ky shef i ka të gjitha në duart e tij, pushtetin, tenderët, listën e deputetëve, pasurinë, tatimet, taksat, të ardhmen, ata, si oportunitet politik dhe mungesë karakteri njerëzor, heshtin.
Të jesh besnik i shefit, je gjithçka. Jo rastësisht, Edi Rama largoi nga drejtimi i qarkut të Shkodrës, një intelektual të klasit të parë dhe, ndoshta, ministri më i mirë i jashtëm i këtyre tri dekadave, Ditmir Bushati, xhaxhai i të cilit, Nuri Bushati, 17 vjeçar, është vrarë nga gjermanët në Kukës, pasi u burgos nga kolaboracionistët dhe në vendin e tij emëroi një figurë të panjohur, nën një justifikim absurd, të cilin nuk e besoi as ai vetë.
2.Përgjithësisht të zgjedhurit në forumet e larta të së majtës, si në parlament, janë biznesmenë, mendja e tyre nuk lodhet fort për politikë, ide dhe vizione. Mendja e tyre synon paranë përmes pushtetit. Duke qenë të tillë ata as e çajnë kokën për një të djeshme dhe, për më tepër, nga diçka që mund t’i zemërojë me shefin e tyre.
3.Është krejt e mundshme që një shumicë e tyre as nuk e dinë se çfarë ka qenë kjo luftë, kush dhe pse ishte përballë njëri-tjetrit, çfarë vlerash mbronin dhe çfarë përcaktimesh kishin. Duke qenë një klasë parapolitike nga më të palexuarat në historinë tonë, por nga më të pasurat, ajo as ia ka idenë se për çfarë bëhet fjalë. Për to gjithçka që nuk ka lidhje me biznesin e tyre, është e tepërt, qoftë edhe leximi i një libri.
Ndërsa heshtja e një elite të lartë drejtuese brenda së majtës , e cila i njeh dhe i ka mbrojtur këto vlera është ulëritëse.
Disa ditë më parë u bë e njohur një e dhënë, që, në shumë raste, do të kishte qenë tronditëse për mentalitetin e të keqes që ka marrë para shumë gjëra: nga 338 personalitete të njohura apo studentë, të cilët, në dhjetor 1990, kishin firmosur aktin e krijimit të PD-së, sot, në strukturat e tij drejtuese, kishte mbetur vetëm një: Berisha. Thuajse të gjithë të zgjedhurit në forumet më të larta drejtuese të sotme të PD-së, vijnë nga familje, prindërit e të cilave, kanë qenë komunistë dhe në disa raste komunistë fanatikë dhe shërbëtorë të bindur. Në strukturat më të larta të saj janë tepër të radhë vazhdues të familjeve të njohura apo të ardhur nga shtresa e ish të përndjekurve politikë. Nëse në vitin 1990 kjo mund të justifikohej, pasi dyert e arsimit të lartë kishin qenë të mbyllura për to, tani, 30 vite pas, nuk është më alibi ngritja e tyre, por mendësia e të shërbyerit, të cilën nuk e kanë gjetur aty, por tek ata që mëkatin e kanë brenda vetes.
Në 6 vitet e “ liderizmit” Basha, nga PD janë përzënë rreth 70 figura të njohura politike, të shpallur armiq të shefit.
E njëjta gjë po ndodh edhe brenda së majtës. Shefat po krijojnë detashmentin e tyre politik me njerëz që i shërbejnë.
DITA