LIGJI DHE “GARDIANËT E LIRISË”. A DUHET BOTUAR NË MEDIA INFORMACIONET SHTETËRORE TË VJEDHURA?

01/10/2022 07:01

OPINION

 

LIGJI DHE “GARDIANËT E LIRISË”. A DUHET BOTUAR NË MEDIA INFORMACIONET SHTETËRORE TË VJEDHURA?

 

Nga Viktor MALAJ

 

Siç dihet, para pak kohësh, qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit pasi, sipas saj, ishte ky shtet që kishte ndërhyrë padrejtësisht dhe në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare në sistemin elektronik të informacionit të shtetit shqiptar, duke kryer atë që quhet hakërim (pirateri informatike).

Menjëherë pas aktit politik qeveritar, Prokuroria e Tiranës nisi një procedim penal që synon zbulimin dhe (ndoshta) ndëshkimin e fajtorëve për vjedhjen dhe publikimin e informacioneve shtetërore shqiptare, një pjesë e të cilave përbën sekret shtetëror.

Në kuadër të procedimit penal, Prokuroria e Tiranës, me vendimin e saj të datës 19 shtator 2022 i ndalon masmedias publikimin e të dhënave të hakëruara nga shteti i huaj si dhe i jep vetes të drejtën e sekuestrimit të materialeve që përmbajnë informacion të klasifikuar. Këtij vendimi të prokurorisë iu kundërvunë menjëherë disa persona publikë si dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH). E përbashkëta e reagimeve ishte se, sipas tyre, ky vendim i prokurorisë po i shërbente qeverisë shqiptare, por edhe po pengonte fjalën e lirë dhe “misionin” e medias pasi nuk e linte në ndërgjegjen e gazetarëve përcaktimin e informacionit që duhej dhe atij që s’duhej publikuar.

Kopertina e Ditës, 29 Shtator 2022

Në deklaratën e UGSH, ndër të tjera, thuhej se, “UGSH vlerëson se vendimi i prokurorisë gjyqësore dhe paralajmërimi për nisje hetimesh përbëjnë një kërcënim për lirinë e informacionit, të fjalës dhe raportimit, krijon premisë për censurim dhe vetëcensurë në realitetin informues. UGSH shprehet kundër një praktike të tillë… Kjo masë nuk parandalon dhe as nuk mbron, vetëm ndëshkon të drejtën profesionale që lidhet me lirinë themelore në shoqërinë tonë… UGSH iu kërkon institucioneve ligjzbatuese të vendosin para përgjegjësisë ato institucione dhe individë që kanë detyrën e ruajtjes dhe mbrojtjes së informacionit zyrtar”. Ndërsa Flutura Kusari, që paraqitet si eksperte e lirisë së medias, shkruante se “Ndalimi i publikimit të çfarëdo informacioni që rrjedh nga sulmet kibernetike është paragjykues, censurues, arbitrar dhe cenon rëndë lirinë e mediave që ato vetë të gjykojnë se çfarë informacioni duhet publikuar”.

Me gjithë bindjen time se të gjitha qeveritë shqiptare, ashtu si edhe ato të botës, nuk kanë dëshirë që t’iu zbulohet dhe publikohet gjithë veprimtaria e tyre qeverisëse dhe, po të kishin mundësi, do ta pakësonin ose ndalonin një publikim të tillë, më duhet të pohoj gjithashtu se liria e pakufizuar as ka ekzistuar dhe as do të ekzistojë ndonjëherë për askënd, në çfarëdo veprimtarie që ushtron, duke përfshirë edhe median. Miti i rremë i krijuar këto tri dekada për median si një “organizatë bamirëse” që ka për “mision” informimin e publikut është një nga gënjeshtrat më të mëdha me të cilat ushqehet pareshtur mendja e qytetarit shqiptar. Media është shumë e rëndësishme për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë, por ajo është vetëm njëri nga llojet e shumta të bizneseve që zhvillohen në këtë shoqëri. Në njëfarë mënyre, ajo përmban të dyja anët e medaljes: është një mjet i nevojshëm informimi e qytetërimi kur përdoret me ndershmëri dhe profesionalizëm, por mund të shndërrohet lehtë në një mjet spekulues dhe, madje, shantazhues kundrejt qeverive apo bizneseve të tjera, për të siguruar përfitime të paligjshme për pronarët e medias. Në rastin më pak të dëmshëm, media mund t’i shkaktojë dëme interesit publik duke vrapuar pas skupeve (lajmeve të bujshme), të vërteta ose të sajuara, për të rritur numrin e shikuesve apo lexuesve. Një turravrap i tillë jo rrallë i ka çuar mediat në përhapje gënjeshtrash ose në publikime informacionesh që nuk duhen ditur nga askush tjetër përveç atyre që ligjërisht i kanë siguruar, i disponojnë dhe iu nevojitet t’i përdorin për arritjen e një të mire publike.

Si çdo veprimtari tjetër shoqërore edhe veprimtaria mediatike kudo në botë rregullohet me legjislacionin përkatës, i cili parashikon të drejtat e medias dhe punonjësve të saj, por vendos edhe disa kufizime të imponuara nga interesi publik. Përralla që përsëritet shpesh se mediat duhen lejuar “të vetërregullohen” është thjesht një spekulim. Gjithë veprimtaria individuale dhe institucionale “vetërregullohet” duke iu përmbajtur Kodit të pashkruar Moral të shoqërisë, ashtu edhe legjislacionit kombëtar e ndërkombëtar. Nëse do t’i lihej thjesht dhe vetëm “vetërregullimit” individual, atëherë do të kishim aq gjykime lidhur me çfarë lejohet ose jo sa ka individë.

Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (neni 10/2) sanksionon se “Ushtrimi i këtyre të drejtave (të shprehjes, mendimit, për të marrë e dhënë informacione e ide) pa ndërhyrjen e autoriteteve publike mund t’iu nënshtrohet… kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj… për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit…, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale…”. Edhe Kodi i Procedurës Penale të RSH (neni 103/1) parashikon se “Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve sekrete që lidhen me çështjen ose edhe vetëm i përmbajtjes së tyre nëpërmjet shtypit ose informacioneve masive”.

Publicisti Andi Bushati pohonte se “Në një sistem demokratik nuk është e mundur që prokuroria t’iu imponohet mediave për t’i ndaluar të raportojnë në bllok një çështje, duke i privuar kështu nga e drejta e tyre për të vendosur se çka përbën interes publik. Ata prokurorë që kanë marrë një vendim të tillë nuk janë asgjë më shumë sesa lakenj tiranishë”. Ndërsa Genci Burimi, nga Franca, shprehej se “Media ka si objektiv të publikojë gjithçka që ka interes për publikun. Këtë s’e vendos prokurori, e vendos gjykata”. Gjithë çështja është se asnjërit nga “armiqtë” e qeverisë aktuale nuk iu vjen në ndihmë ligji, saktësisht neni 208/1 i K.Pr. Penale thotë se “Gjyqtari ose prokurori disponojnë me vendim të arsyetuar sekuestrimin e provave materiale dhe të sendeve që lidhen me veprën penale kur ato janë të domosdoshme për vërtetimin e fakteve”.

Në këto raste, kështu si u parashtrua, lind pyetja: Çfarë përbën sekret shtetëror që, si i tillë, nuk mund dhe as duhet publikuar? Ligji shqiptar Nr. 8457/1999 i ka përcaktuar qartë kriteret dhe rregullat. Në nenet 2, 3/ç dhe 6/c parashikon: “Sekret shtetëror do të thotë informacion i klasifikuar sipas këtij ligji, ekspozimi i paautorizuar i të cilit mund të rrezikojë sigurimin kombëtar. Sekreti shtetëror i kufizuar është kur ekspozimi i paautorizuar mund të dëmtojë veprimtarinë ose efektivitetin e institucioneve shtetërore në fushën e sigurisë kombëtare. Informacioni klasifikohet kur lidhet me veprimtari të shërbimeve informative, me forma dhe metoda të punës, me kriptologji në objektet dhe mjetet teknike, në vendet ku përpunohet dhe arkivat ku ruhet informacioni”. Në rastin konkret, një pjesë e mirë e informacioneve të pirateruara nga shërbimet iraniane është edhe informacioni i marrë, ruajtur dhe përdorur nga Shërbimi Informativ Kombëtar dhe Policia e Shtetit.

Legjislacioni shqiptar (Ligji 8457/1999, neni 4) e ka përcaktuar qartë se “Informacioni që përbën sekret shtetëror klasifikohet nga: Presidenti, Kryeministri, drejtuesit e institucioneve dhe funksionarët e lartë brenda institucioneve”. Pra, nuk mund të lihet në të drejtën e kujtdo, duke përfshirë edhe ne gazetarët, përcaktimi i asaj që përbën sekret shtetëror. Nga ana tjetër, për ta mbrojtur median dhe gazetarët nga spekulimet qeveritare, po ky ligj, në nenin 10 parashikon se: “Ndalohet klasifikimi i informacionit kur ai bëhet me qëllim që të fshehë dhunimin e ligjeve, paefektshmërinë apo gabimet e administratës…”.

Duke iu referuar rastit konkret, logjika nuk ta lejon që, nga njëra anë ta konsiderosh krim hakërimin (vjedhjen) dhe publikimin e informacionit sekret nga një shtet tjetër dhe, nga ana tjetër, publikimin e po këtij informacioni ta shpallësh si një të drejtë kushtetuese të medias shqiptare. Nga informacionet e hakëruara ka mjaft materiale që as përbëjnë sekrete shtetërore dhe as cenojnë sigurinë kombëtare e rendin publik. Mirëpo, midis tyre ka mjaft të dhëna që pengojnë e dëmtojnë seriozisht veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Fakti që institucionet shqiptare dhe personat e ngarkuar me mbrojtjen e këtyre të dhënave duhen hetuar dhe ndëshkuar, nëse gjenden fajtorë, nuk i përjashton nga përgjegjësia morale e ligjore mediat që e publikojnë atë. Mirë se rojet e “bankës” duhen ndëshkuar (penalizuar), po vjedhësit, strehuesit dhe përdoruesit e “parave” të grabitura në “bankë” a duhen ndëshkuar?

Të publikosh të dhëna konkrete sekrete të SHIK-ut apo Policisë që flasin për autorë të mundshëm vrasjesh, grabitjesh, terrori, trafikut të drogës etj., të cilët janë në ndjekje nga shteti do të thotë, me ose pa dashje, t’iu shërbesh njerëzve të krimit. Nëse media siguron fakte dhe prova që dëshmojnë lidhjet e institucioneve apo punonjësve të shtetit me botën e krimit (siç ishte rasti i Jeton Lamit, por që duhet të ketë edhe të tjerë), atëherë është në nderin e saj t’i publikojë pasi kjo i shërben interesit të përgjithshëm. Ligjet nuk janë bërë për t’u zbatuar vetëm gjatë një apo më shumë mandateve të një qeverie. Fuqia e tyre shtrihet në kohë shumë më të gjatë dhe, pavarësisht kush është në qeverisje, ligji është i detyrueshëm për zbatim.

Qenia në opozitë me një qeverisje mund të jetë fisnike dhe dobiprurëse por shkelja e ligjeve për shkak të këtij opozitarizmi mund t’i sjellë dëme të mëdha shoqërisë dhe, ndoshta asfare qeverisë. Dëshirat e flakta për të kundërshtuar dhe shkelur çdo ligj sot për shkak të mospajtimeve me qeverinë të kujton veprimet e kryera shumë dekada më parë nga kundërshtarët e regjimit hoxhist, të cilët shkonin deri atje sa të vrisnin punonjës të shtetit, të helmonin blegtorinë pronë shtetërore apo digjnin magazina e stalla, si dhe të nxisnin fshatarët të dëmtonin masivisht të mbjellat, me qëllim që të dështonte qeverisja e kohës dhe të vinin ata në pushtet. Në të vërtetë, dëmi kryesor i shkaktohej popullit të pafajshëm.

Një dekane e partishme universiteti shkruante se hakërimi i informacioneve sekrete nga shërbimet iraniane dhe publikimi i tyre nga mediat shqiptare ishte më pak i dëmshëm se prishja nga shteti shqiptar e ndërtimeve pa leje të pronarëve të mediave, apo se zotërimi i të dhënave personale (që në fakt, nuk përbëjnë kurrfarë sekreti) të shtetasve nëpërmjet “patronazhistëve”. Ndërsa një gazetare pasionante e pashërueshme e konsideronte faj qeveritar faktin që Kryeministri shqiptar paska thënë se kemi disa informacione jo të plota për personin në kërkim Ervis Martinaj por ai nuk na i ka treguar këto informacione. Në cilin vend të botës bëhen publike vendndodhjet e dyshuara të botës së krimit, lëvizjet e tyre, shoqërimet e tyre apo burimet e informacionit sekret rreth tyre, pa u kapur dhe vënë ata para përgjegjësisë penale? Informacione të tilla, për mendjemadhësi, përfitime financiare apo për armiqësi të verbër ndaj qeverive, i bëjnë publike vetëm njerëzit e papërgjegjshëm dhe ata që duan të ndihmojnë botën e krimit. Mendoj se media ka mjaft afera dhe informacione të tjera, jo sekrete, të cilat mund e duhet t’i publikojë dhe që ky publikim do ta ndihmojë shoqërinë shqiptare dhe jo t’i sjellë dëme si në rastet e hakërimeve. Nuk është as dinjitoze dhe as e dobishme që, nën maskën dhe me pretekstin e mbrojtjes së lirive të mendimit e informimit, të dëmtohet veprimtaria shtetërore që merret me sigurinë e rendit dhe atë kombëtare.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode