LIGËSIA E LLUMIT
29/09/2019 15:10
OPINION
LIGËSIA E LLUMIT
Nga Viktor MALAJ
“Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku tek njerëzit, dënohet me gjobë ose burgim deri në 5 vjet” – Kodi Penal i RSH, Neni 267
Kur përdorim fjalën ”llum” për individë apo kategori të veçanta të shoqërisë, zakonisht ne iu referohemi atyre personave apo grup personash që karakterizohen nga mungesa e theksuar e dijes, kulturës dhe intelektit, dhe, që, përveç kësaj, demonstrojnë sjellje dhe veprime moralisht të padenja, shoqërisht të dëmshme dhe ligjërisht të dënueshme. Në të vërtetë, duke e kufizuar kështu kategorizimin e kësaj fjale, ne i bëjmë dëm të vërtetës dhe vetë popullit. Iu bëjmë dëm sepse nuk përfshijmë këtu pjesën më të dëmshme të llumit shoqëror: individët e shkolluar por të ligj nga shpirti dhe të shkretuar nga morali, të cilët, duke zotëruar një nivel të caktuar dijesh, një shkallë më të lartë intelekti dhe, jo rrallë pozita shtetërore, ekonomike dhe publike të rëndësishme, i shkaktojnë shoqërisë dëme shumë më të mëdhenj se gjysma e parë e “tufës”.
Kjo periudhë gati tridhjetë vjeçare pas ndërrimit të sistemeve politike në Shqipëri na ka dëshmuar dhe bindur se një pjesë e konsiderueshme e llumit shoqëror, duke qenë e shkolluar, ambicioze dhe e paskrupullt, arriti të bëhet pjesë e elitës ekonomike, politike, juridike dhe publicistike të vendit. Duke qenë të tillë, pjesëtarët e llumit kanë pasur, kanë dhe, me shumë gjasa, do të vazhdojnë të kenë ndikim negativ në konstitucionin moral dhe prosperitetin ekonomik dhe shoqëror të popullit shqiptar. Ata, ose kanë imponuar ligje në shërbim të tyre, ose e kanë vënë ligjin poshtë nëpërmjet fuqisë ekonomike e politike, ose sapo ligji nis të veprojë mbi ta, hiqen si të persekutuar dhe japin alarmin për “kthimin e diktaturës”.
Ngjarja e pak ditëve më parë kur një portal elektronik, pa u shuar pasojat psikologjike të tërmetit, shpërndau lajmin e rremë se ” Braktisni shtëpitë sepse po vjen një tërmet akoma më i madh!..” është shumë domethënës jo vetëm për antivlerat e bartësve të gënjeshtrës por edhe të shumëkujt prej nesh që u rreshtuan në mbrojtje të autorëve dhe drejtuesve të portalit në fjalë edhe pse veprimi i tyre imoral dhe antishoqëror nxori nga shtëpitë e tyre dhjetëra mijëra banorë të Tiranës dhe jo vetëm, duke ua shtuar akoma më shumë ankthin, frikën dhe pasigurinë njerëzve të traumatizuar nga lëkundjet e tërmetit pararendës. Tufa e batakçinjve mediatikë, në vend që ta trajtonin rastin në fjalë si një akt të padenjë dhe të papërgjegjshëm që i sillte dëm popullit, bëri çmos t’i jepte aktit karakter politik dhe ta ”justifikonte” ( për turpin e tyre ) duke e lidhur me qeverinë.
Justifikuesit e aktit të turpshëm dhe të dënueshëm, moralisht dhe ligjërisht, nisnin me ndonjë analist gjithëditurist që pohonte se ” Unë nuk mendoj se dikush e ka bërë për panik…” e deri tek analistë të tjerë që justifikonin autorët dhe, në mënyrë të përsëritur, fajsonin popullin që, i lemerisur, la shtëpitë dhe doli në rrugë e sheshe me fëmijë e pleq për t’i shpëtuar një tërmeti imagjinar. Ja çfarë thotë një analist i cili ka mbi dy vjet që bën thirrje për luftë, përplasje civile dhe djegie institucionesh: ”Vërshimin e tyre (të popullit – V.M.) irracional në rrugët dhe autostradat rreth Tiranës, tmerrin e nxitur nga një dalldi kolektive Qeveria e pa si pasojë e dy reporterëve…Më shumë se nga ligësia, Fake News prodhohen nga padituria dhe mungesa e profesionalizmit…Kolegët tanë…dhe portalet janë ‘ bisha ‘ në një luftë të egër mbijetese, ku informimi i drejtë dhe i ndershëm kalon në plan të fundit…( Reagimi i Qeverisë ) mund të justifikohet me tentativën për të fshehur mungesën e përgatitjes së shtetit…”
Sipas kësaj kategorie njerëzish të padinjitet, dalja e njerëzve nga shtëpitë nuk kishte kurrfarë lidhjeje me “lajmin” kobzi, por ishte Qeveria ajo që bëri lidhjen e gabuar shkak-pasojë. Analisti idhnak dhe i papërgjegjshëm nuk na thotë asgjë rreth shkakut të daljes së njerëzve në rrugë, por përpiqet t’ia veshë atë “dalldisë kolektive”, siç ndodh në ndonjë ndeshje futbolli kur futja në fushë e 5-6 tifozëve të egërsuar pasohet nga vërshimet e tjera kolektive. Ai fajëson popullin i cili, megjithëse e paska mësuar dikur në shkollë se tërmetet nuk mund të parashikohen, u tregua “budalla” që doli jashtë dhe besoi lajmin e shpërndarë. Duke ia veshur lajmin e rremë (Fake News) padijes dhe mungesës së profesionalizmit analisti në fjalë “vetëvritet” kur, më poshtë pohon se portalet dhe kolegët e tij, për të mbijetuar në tregun mediatik, drejtësinë dhe ndershmërinë profesionale i kalojnë në plan të dytë. Kalimi në plan të dytë i të drejtës dhe të vërtetës për të mbijetuar nuk është veprim që bëhet nga padija dhe mungesa e profesionalizmit por nga mungesa e ndërgjegjes dhe e moralit të autorëve. Veprime të tilla janë të ngjashme me nxjerrjen në tregun financiar të kartmonedhave false ose në tregun ekonomik të mallrave të skaduar apo me përmbajtje helmuese dhe të rrezikshme për jetën. Në të dy rastet veprimi kryhet për përfitime, të afërta ose të largëta, por gjithnjë në dëm të popullit që është “blerësi” i mallit.
Nga padija ose mangësia profesionale mund të ngatërrosh data, emra personalitetesh apo të përcaktosh gabim shkaqet e fenomeneve natyrore, të tillë si tërmetet, por jo të shtrembërosh pjesë të një interviste të dikuj tjetër, të përcaktosh vetë datën, orën dhe fuqinë e një tërmeti imagjinar, që s’ka ndodhur, dhe t’iu bësh thirrje një milion banorëve të dalin nga shtëpitë sepse i pret ”kataklizma”. Akte të tillë janë produkte të pastër të ligësisë njerëzore. Këtë bindje e shton akoma më shumë mënyra rrugaçërore e reagimit të autorëve ku shfaqen qartë urrejtja, përçmimi, fyerjet, mashtrimet dhe mungesa alarmante e moralit dhe e përgjegjësisë qytetare. Autorë të tillë meritojnë ndëshkim ligjor në mënyrë që të zënë mend edhe halabakë të tjerë apo kriminelë që, në të ardhmen, mund të ndërmarrin një hap të tillë me qëllim që t’i shtyjnë njerëzit të lënë shtëpitë e veta përkohësisht dhe autorët e aktit verbal terrorist të kenë mundësi të bastisin dhe vjedhin ç’të mundin pa pasur frikë se do të diktohen. Sajimet, trillimet dhe mashtrimet nuk i bëjnë njerëzit e paditur por njerëzit pa integritet moral.
Në vend që akti të dënohej moralisht dhe profesionalisht, bëhen justifikime banale dhe të dëmshme. Sa i përket Qeverisë, kushdoqoftë në drejtim të saj, padia penale ndaj autorëve është veprimi më normal. Si analisti i sipërcituar ashtu edhe një aktore pa mend u shpreh se “Asnjë lajm nuk ishte fake. Fake është vetëm gatishmëria qeveritare ndaj popullatës “. Interesant dhe domethënës është reagimi i autorëve të lajmit të rremë. Njëfarë Rakipllari shprehet se “Fillimisht, dua t’i kërkoj falje çdo shqiptari për momentet e frikës dhe ankthit shkaktuar nga një lajm jodashakeqës por i nxitur nga lajme në portale…Qeveria nuk mund të gjente një rast të artë për të goditur një prej mediave të vetme opozitare dhe të tërhiqte vëmendjen nga zullumet e saj..Unë rrjedh nga dy familje që kanë bërë vite burg dhe internim, madje edhe janë pushkatuar nën akuzën e ‘agjitacionit dhe propagandës‘. “Sa për Syri.net, vazhdoni ta lexoni si dritarja e vetme e së vërtetës. ”
Në pohimin e mësipërm të autorit mund të gjesh një numër të pavërtetash dhe ligësishë. Megjithëse i pranon pasojat e lajmit të rremë që ka shpërndarë dhe “kërkon” falje, autori e konsideron të padrejtë shoqërimin e tij në polici për disa orë për t’u pyetur. Është bërë zakon që, për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore, individë politikë dhe publikë tash tridhjetë vjet bëjnë çmos që reagimeve shtetërore dhe të organeve të drejtësisë ndaj veprave të tyre t’iu japin karakter politik dhe ata vetë të paraqiten si viktima. Të tillë paraqiten edhe zjarrvënësit e institucioneve shtetërore, dhunuesit e forcave të policisë apo ata të zyrave të instaluara në Rrugën Milot-Kukës.
Çështja, në çdo rast shtrohet: E ke shkelur apo nuk e ke shkelur ligjin? Të tjerat janë përralla dhe tregojnë mospendimin dhe vendosmërinë antiligjore të autorëve. Pyetja tjetër, që shtrohet, është: Çfarë hyn këtu Qeveria? Përhapësit e lajmeve të tillë i kanë llogaritë e hapura me popullin dhe jo me qeveritë. Është populli ai që dëmtohet dhe jo qeveria, prandaj edhe neni 267 i K. Penal që parashikon krimin bën pjesë në kapitullin e “Krimeve kundër Rendit dhe Sigurisë Publike”. Ky lloj justifikimi të kujton disa ish-të dënuar para vitit 1990, të cilët, për inat të qeverisë, helmonin bagëtitë e fermave, iu vinin zjarrin stallave të bagëtive apo magazinave e dyqaneve si dhe bënin plane për hedhjen në erë të hidrocentraleve apo vrasjen e punonjësve shtetërorë me besimin se do të dobësonin ekonominë dhe armiqsonin popullin me regjimin dhe, tani hiqen si “viktima politike” të asaj kohe. Kur forcat amerikane kapën një drejtues të Al Kajdës, para disa viteve, dhe e pyetën se pse vrisnin njerëz të pafajshëm, ai iu përgjigj: Vrasja e njerëzve nuk është qëllimi ynë por është mjeti që ne përdorim për të shkaktuar frikë, pasiguri dhe për të dobësuar besimin e popujve perëndimorë ndaj regjimeve të tyre që janë armiqtë tanë…
Më poshtë, gazetari e konsideron shoqërimin në polici si hakmarrje të Qeverisë se, gjoja ajo qenka media e vetme opozitare kur të tilla ka me shumicë në Shqipëri dhe, madje, portalin e tij s’e njohin as 1% e popullit. Gazetari në fjalë, si shumë të tjerë, beson se persekutimi i dikurshëm politik i gjyshit apo stërgjyshit mund të shërbejë sot si “liçencë” për të shkelur çfarëdo ligji dhe për të mos mbajtur kurrfarë përgjegjësie. Është kjo arsyeja që përhapjen e njoftimit të rremë që shkakton panik përpiqet ta identifikojë me “agjitacionin dhe propagandën” e dikurshme, megjithëse nuk kanë asnjë lidhje dhe, e para drejtohet kundër popullit dhe sigurisë së tij, ndërsa “agjitacioni e propaganda” drejtoheshin kundër shtetit. Pasi, nga padija apo ligësia, pohon se të parët e tij ishin pushkatuar për agjitacion e propagandë (megjithëse ajo dënohej maksimumi dhjetë vjet burgim) autori bëhet qesharak dhe i neveritshëm kur portalin e vet që sapo ka shpërndarë gënjeshtrën më të madhe dhe më të dëmshme të vitit, e shpall si “dritarja e vetme e së vërtetës”.
Si për të na bindur edhe më tutje për nivelin e mjerë intelektual dhe moral të stafit të portalit në fjalë, del në skenë gazetari tjetër i tij, një Koka pa kokë dhe, duke iu drejtuar Kryeministrit, thotë: “O njeri i degjeneruar! Mirë që nuk bën asgjë për të qetësuar njerëzit që janë në ankth por merresh me Syrin…Hesht për hir të Zotit!”. Sipas një kopuku të tillë, i degjeneruar është ai që nuk qetëson njerëzit nga ankthi i shkaktuar prej lajmit të rremë dhe jo autorët e lajmit, ku bën pjesë edhe ai vetë.
Në ndihmë të llumit mediatik erdhi edhe një akademik qesharak i cili, në vend që të bënte thirrje për dije, kulturë, moral dhe përgjegjësi qytetare, shprehej: “Nuk parashikohen (tërmetet) ia pret tjetra që partia e ka graduar ministre…Ore, po budallallëku a parashikohet?”. Në fakt, budallallëku është gjithmonë i bezdisshëm dhe i dëmshëm, por ai bëhet i paparashikueshëm dhe akoma më i dëmshëm kur demonstrohet nga “elita akademike”, aty ku pritet dija dhe intelekti mëi lartë.
Avokat i marrëzisë publicistike dhe ligësisë njerëzore, edhe në këtë rast, u bë Sali Berisha, njeriu që dikur pati rrahur, burgosur e sakatuar gazetarë, që pati djegur redaksi gazetash dhe që u shpall “armik i shtypit të lirë” nga institucionet ndërkombëtare të shtypit. Ai që i pati bërë të gjitha këto, doli dhe e shpalli shoqërimin dhe pyetjen në polici të dy gazetarëve si “atentat ndaj shtypit të lirë”. Për njerëz pa integritet moral si Sali Berisha, në fjalën dhe shtypin e lirë bëjnë pjesë edhe gënjeshtra, mashtrimi, sajimi, shpifja, fyerja, kërcënimi etj. Mjafton që këto gënjeshtra, mashtrime e sajesa t’i shërbejnë atij (ashtu si “qytetari dixhital”) si mjete për të luftuar kundërshtarin politik. Për formimin e tij, për moralin dhe karakterin e tij, në “fjalën dhe median e lirë” bëjnë pjesë edhe sajimi mediatik i “Çështjes Babale” duke paguar njerëz për të imituar kundërshtarin politik, edhe paraqitja e fotografive të parcelave me drogë të Spanjës apo Kolumbisë si kultivime në zonat e Matit apo Gjirokastrës, edhe njoftimi se një fëmijë i aksidentuar nga makina vdiq nga mosdhënia e ndihmës së parë mjekësore edhe pse fëmija në fjalë ishte shëndosh e mirë etj. etj. në mënyrë që të përbaltet qeverisja e kundërshtarëve politikë me shpresën e pashpresë për të ringjallur kufomën e vet politike dhe të partisë së tij që ndodhet në dhomën e reaminacionit.
E gjitha sa u tha më sipër nuk është gjë tjetër veçse pasqyrë e degradimit moral të shoqërisë shqiptare dhe dëshmi e aleancës së llumit ordiner me “llumin elitar” të kombit. Gjithë çështja është: do të përpiqemi për pakësimin e llumit shoqëror apo do ta kultivojmë atë dhe ta çojmë veten dhe shoqërinë shqiptare në theqafje?
DITA