LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT DHE FESTIVALI NDËRKOMËTAR I POEZISË "DRINI POETIK"

14/06/2010 07:29

 

 Sa bukur e sa interesant !?

 

LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT

dhe

FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I POEZISË "DRINI POETIK"

 

Nga Dibran FYLLI

 

Dita e 10 e 11 Qershorit 2010, ishte ditë Feste në Prizren. Nga të gjitha anët e Shqipërisë, qytetarët e kishin mësyrë Qytetin e Lidhjes. Ato dy ditë, të gjitha rrugët të çonin te tempulli i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aty, 132 vite më parë ishte vendosur për fatin e tokave shqiptare. Tash, pas kaq vitesh, në po të njejtin vend, nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, e, sa për të thënë se ky Festival Ndërkombëtar i Poezisë, "Drini Poetik", po organizohet nën patronazhin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, poetë, shkrimtarë e studiues nga e gjithë hapësira shqiptare dhe nga Diaspora, u tubuan për të thënë edhe në fjalën e shkruar artistike, edhe në përshëndetjet e tyre, edhe në ndjenjat e tyre, se, Prizreni ka qenë dhe do të mbetet Kryeqyteti i Shqiptarisë.

Ora 10:00, me himnin kombëtar, të kënduar e interpretuar me profesionalizëm nga kori vendor, ku të gjithë rrinin me sy të drejtuar nga ai, duke e shikuar shqipen dykrenore që valëvitej në Tempullin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me një himn tjetër, fill pas tij, që, siç duket, për më tepër se 95% të të pranishmëve nuk e kuptonin apo nuk deshën ta kuptojnë, vetëm se rrinin ulur dhe dëgjonin një melodi që s’i përkiste asnjë zhanri, si dhe me fjalë rasti e përshëndetëse nga i pari i komunës së Prizrenit, u përkujtua kjo ditë e madhe për të gjithë shqiptarët, duke i lënë vend pikës në vijim, "Ora e Lidhjes".

 

Poeti Liri Loshi, duke lexuar në Vizitën letrare për fëmijë

Ora 11:00, me tinguj të bukur flaute, e, me interpretim të shkëlqyer të Nita Krajkut, u bë hapja zyrtare e Festivalit, në mungesë të Kryetarit të LSHK-së z. Adem Demaçi dhe të kryeministrit z. Hashim Thaqi, ky i fundit as qe vetë, e, as që kishte dërguar dikë nga Kabineti i tij. Roli i kryesuesit të të gjithave, u kalua, me apo pa dëshirë, te z. Shyqri Galica, i cili, të paktën, përshëndeti në emër të atyre që është dashur të ishin prezentë dhe e shpalli të hapur Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë "Drini poetik", duke i lënë vend meritor të parit të komunës së Prizrenit, z. Ramadan Muja, i cili, uroi e përgëzoi dhe bëri fushatë e reklamë të mjaftueshme për pozitën e tij dhe të komunës që ai drejton. Në mungesë të një moderatori, z. Galica, prapë, mori edhe atë rol mjaft të vështirë e domethënës për skenën dhe filloi të i thërriste poetët që do t'i lexonin poezitë e tyre në Orën e Lidhjes. Kjo festë e bukur poetike në Tempull, përfundoi pa paraqitjen e asnjërit nga poetët e degës së LSHK të Prizrenit, edhe pse, dukeshin se, ishin të pranishëm.

Ora 13:00, në holin e Pallatit të kulturës, ku ishte përgatitur edhe Ekspozita letrare, u bë Përurimi i gjashtë veprave letrare, por, për çudi, kësaj radhe "pip n’këmbë, n’kokërr të korridorit" (s'e di a ka mundur kush t’i përcjellë të gjithë referuesit). Çudi, salla e zbrazët, komode, me klimë, i detyroi poetët dhe të pranishmit, e, ka pasur edhe të moshuar që s’mund të qëndronin në këmbë, të liheshin nëpër korridor të Pallatit !... Ç'organizim, se!...

Ora 14:00, Ekspozitë artistike në Hamamin e qytetit, nga Piktorë të Prizrenit, dhe, më pas, dreka e organizuar sipas Programit, në orën 15:00, si dhe, në mbrëmje, vendosja në hotel, për t’i lënë vend, më vonë, në orën 18:00, Mbrëmjes qendrore të poezisë.

Poeti Izet Duraku, duke lexuar në Mbrëmjen e poezisë

Ora 18:00, në Pallatin e kulturës, tash, me moderatorë e me tinguj të bukur flaute, sërish, z. Galica, e tha fjalën e hapjes, për t’u lënë vend poetëve që ligjëruan në Mbrëmjen e poezisë dhe tingujve të kitarës dhe të pianos që i relaksuan të pranishmit me interpretim të shkëlqyer, si znj. Rina Bilurdagu dhe Rinor Ukimeri. Pas përfundimit të kësaj feste të mbrëmjes, u bë shpallja e laureatëve të çmimit "Metafora I, II dhe III", me ç’rast juria shpalli rezultatet. Për çudi, poezia më e "mirë", për juri ishte poezia që më së shumti pati data historike e qepje hartash... Vlerësim jo i drejtë (ky nuk është vetëm mendimi im, të paktën, është edhe mendim i 90% të të pranishmëve, që mendonin kështu, sikurse unë). I vetmi shpërblim që i është dhënë dhe i është bërë me hile, sepse, hilen s'e meritonte, por, e meritonte të parin, është ai që iu dha Rushit Ramabajës, të tjerat shkuan si shkuan... Sipas jurisë dhe veprimit të papërgjegjshëm të saj, do të thosha: "Zot, bane rrmok këtu e një milion vjet !!??"...

E premte, ora 10:00, meqë ishte festë dhe shkollat nuk punonin, Vizita letrare për fëmijë u mbajt në Sallën e Ekzekutivit, ku, poetët i lexuan poezitë e veta njëri-tjetrit, dhe, më pas u kalua në Sesionin letrar.

Ora 11:00, Sesion letrar, vazhdoi me temën bosht: Lidhja Shqiptare e Prizrenit në letërsinë shqipe. Me kumtesat e tyre u paraqitën dhjetë krijues e studiues. Pas përfundimit të Sesionit letrar, në mënyrë të organizuar, dhe, sipas programit të paraparë nga organizatori, u bë një vizitë vizitë në Grykën pitoreske të Lumbardhit. Pas drekës përshëndetëse dhe urimeve të mirëseardhjes, për vitin e ardhshëm, nga i pari i komunës, u përmbyll edhe Festivali i parë ndërkombëtar i poezisë, me shpresë të madhe se do të ndryshojë shumëçka...

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode