LETËR PUBLIKE Z. JANUESZ BUGAJKSI
20/05/2016 09:47
LETËR E HAPUR
LETËR PUBLIKE Z. JANUESZ BUGAJKSI

Nga Afrim MORINA
EMISIONI PËR MISION
Z. Bugajski ka kohë që ju përcjelli si analist politik, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vende e kombe tjera. Kam një ndjenjë se jeni ndër njohësit më të mirë rreth nesh e për ne dhe mu për këtë e kam mirëpritur emisionin e të martave për artikulimin e problemeve të Kosovës. Mirëpo, ky emision si duket ka synimin e një misioni, sepse, gjithnjë i gjen me pincetë analistë e shkrimtarë oborrtarë, e rrallë edhe analistë të pavarur, intelektualë të mirëfilltë, të cilët dëshmojnë për dell sinqeriteti dhe pa ngarkesa se do të linçohen, japin mendimin e vet historiko-shkencor.
Të intervistuarit, që në fillim, shihen se kanë respekt për Ju, sepse, janë të disiplinuar, nuk janë nervozë, presin rendin e fjalës dhe ka të tillë që edhe belbëzojnë. Nuk di në Ju ka rënë në sy ky fenomen, sepse analistët oborrtarë në emisionet shqip, të televizioneve tona, grinden, i ndërprenë bisedat, fyejnë intervistuesit rivalë, e, shpeshhere, udhëheqësit e debateve mbeten para aktit të kryer.
Jam analist dhe intervistat i kam për qejf, i anatemuar që nga viti 1976, për medie tona, në Kosovë, por, duke i falënderuar disa portale jashtë vendit, mundohem të jap mendimin tim “pa frik e zor” siç thotë një shkrimtari yni. Kam një përmbledhje intervistash të imagjinuara me bërësit e Historisë Kombëtare Shqiptare dhe e kam emëruar “Bëjeni Shqipërinë Shqipëri”, pra, kanë misionin e caktuar për shqiptarët, prandaj, duke i njohur që të dyja, edhe titullin e kësaj letre publike e emërova “Emisioni për mision”. Dihet se çdo intelektual ka misionin e vet, parandej, edhe Ju keni tuajin.
Temat që Ju trajtoni dhe intervistuesit që Ju i ftoni në emision më kanë shtyrë që të Ju drejtohem publikisht, ngase, secila temë është më e nxehtë se tjetra dhe po krijoni një bindje për qytetarët edhe jashtë trojeve shqiptare, se ne jemi kosmopolistë, që, sot, me gjuhë më modern, quhet - globalist.
Nëse një komb me shekuj është përgjakur për liri dhe pavarësi, të cilën nuk e ka arritur ende, ai komb nuk mund t’i prijë në civilizimin global për të qenë globalist. Këta kombe mund të nxjerrin njerëz me ide civilizuese për njerëzimin, por, në radhë të pare, e kanë misionin e vet, shtetin kombëtar, të cilin e kanë të gjithë rreth nesh e kudo në botë. Të kërkosh nga shqiptarët, për të hequr dorë nga kombi, nuk është asgjë tjetër, pos vazhdues i misionit të Maltusit për zhdukjen e racave e kombeve dhe Orvelite, për të na shpërlarë trurin, prandaj, nuk kam dëshirë të jeshë misionar i tillë.
Këtë të martë, me datë 17. 5. 2016, tejkaluat parametrat e pritur nga Ju, edhe pse kishte të marta të tjera që nuk jam pajtuar me tema dhe bashkëbiseduesit e Juaj. Në emisionin e apostrofuar keni trajtuar problemin e kombit. Janë teori të shumta për kombin, por, që asnjëra nuk e ka tejkaluar atë të Stalinit. Ke edhe Gjergj Llukaqin, e Kardelin, por, edhe teoritë e ekonomistëve, po, se sa janë frytdhënëse për të zgjidhur probleme, atë e di vetëm tipi i analistit oborrtar Halil Matoshi. Të gjithë qytetarët e globit dallohen për nga doket e zakonet, nga gjuha që flasin dhe simbolet që përdorin në një hapësirë të caktuar gjeografike. Këto elemente i kanë shqiptarët, mirëpo, teoritë borgjeze, teoritë me qëllim të shkatërrimit të kombeve, kanë pjellë edhe diçka tjetër dhe një të tillë e ka shpikur Kardeli, që merr vetëm territorin apo religjionin. Kjo teori kardeljane, të cilën e përfaqësojnë Halili ma bashkëmendimtarët e vet, ndërsa, pinjolli i kësaj teorie është Nexhmedin Spahiu dhe vetëm këta e dinë se nga kush paguhen për ta ngulitur në kokën e shqiptarëve, që të jemi komb Kosovar, sepse, për serbët, romët, malazeztë, ashkalitë, turqit, etj., është teori alkimike.
Teoria kardeljane shpiku kombin musliman dhe jugosllav. Shqiptarët që vuanin të zitë e ullirit në sundimin serbo, malazezo, maqedonas, u përcaktuan për komb “musliman”, ndërsa, elita politike përqafoi kombin “jugosllav” si Azem Vllasi, sot Halil Matoshi. Një “shkrimtar” në emisionin e Juaj kalimthi e tha, kombi Kosovar dhe Shqiptar, që e thotë haptas mendimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, e, që na trajtonte si albanici dhe shiftari.
Përpjekjet e identitetit tonë kombëtar janë të hershme, ndoshta, më të hershme se shumë kombe të tjera, edhe para Bizmarkut e Garibaldit, që krijuan shtetet kombe, por, si një populli i pushtuar nga Perandoria Osmane dhe Ortodoksizmi greko-sllav, nuk na kanë lënë që të mëkëmbemi. Kriza e Krimesë, Paqja e Shën Stafanit dhe Konferenca e Berlinit, bëri që të gjithë të janë kundër shqiptarëve dhe i nxorën trojet tona në aeropag, dhe, që atëherë, na janë marrë mbi 50.000 (pesëdhjetëmijë) kilometra katrorë, e cila praktikë vazhdon edhe sot, me të njëjtin avaz dhe zyrtarisht, pas pavarësisë, trojet tona janë zvogëluar për rreth 11.000 (njëmbëdhjetëmijë) hektarësh, në kufijtë e Maqedonisë dhe Malit të Zi, ndërsa Serbia mban të okupuar 25% të territorit tonë.
Nëse shqiptarët në të gjitha luftërat kanë përdor të njëjtin simbol, që nga Skënderbeu, të njëjtën gjuhë komanduese, atëherë, kjo është dëshmia më e madhe për përpjekjet tona shtetëformuese kombëtare. Kjo luftë e jona nuk ka përfunduar dhe këtë e dinë edhe armiqtë tanë, të cilët investojnë në “analistë, shkrimtarë, akademikë, politikanë dhe ekspertë” shqipfolës, vrastarë të kombit, për të na penguar në këtë rrugëtim tonin, për të pranuar një të drejtë burimore, vetëvendosjen e kombeve, të sanksionuar me konventa ndërkombëtare. Mu për këtë kanë gjetur argatë të mos vihet në Kushtetutë parimi i referendumit, sepse, të gjithë, pa përjashtim, e dinë se ne do të përdorshim një të drejtë të tillë dhe do të fillonim të civilizonim edhe Evropën, e cila sot merret me persekutimin e kombeve të vegjël, duke anuar në blloqe ushtarake, kombe të cilat i kanë shpëtuar shfarosjes e shpëlarjes së trurit, siç jemi ne. Për këtë vlen t’ua përkujtoj “Golgotën shqiptare” të Fondlih-t, botuar në vitin 1913 dhe po ta krahasosh politikën serbe dhe Evropiane, atëherë dhe sot, do të tmerrohesh z. Bugajski, me ngjashmëritë e dy epokave, për padrejtësitë që i bëhen kombit tim nga pushtuesit dhe ndërkombëtarët.
Nisur nga kjo, nuk kam dëshirë që një analist i rangut tënd të jetë misionar në misionin e krijimit të opinionit për “komb Kosovar”, për mbështetje të institucioneve, për mbështetje të politikave antikombëtare dhe antishqiptare, përmes shqipfolësve e dështakëve politikë, se ai që nuk e njeh kombin e vet, nuk do t’i vyej as armikut, por e ushqen deri sa ia ka nevojën.
Nuk mund të krijohen histori kombëtare të përcaktuara nga dëshirat e vasalëve e pushtuesve, për tetë vjetë. Nuk mund të bëhet edhe për dëshirën e honxho-bonxheve politikë, të tipit Rugova e Thaçi, por, historia krijohet me bëmat e veta të një kombi, gjatë shekujve, herë në luftë e herë në paqe. Ne, shqiptarët, për shumë arsye, që në këtë letër publike nuk e kam ndër mend t’i përmendi, gjatë gjithë historisë, pothuaj, nuk ka kaluar vit që nuk jemi përgjakur me pushtues, të ndihmuar nga vasalët e tipit matoshianë. Ne nuk e kishim të drejtën e shkrim-leximit, ku e mësuam këtë? Ne nuk e kishim të drejtën e mësimit të historisë, ku e mësuam këtë? Ne nuk kishim të drejtën e këndimit, ku e mësuam këtë? Të gjitha këto i kemi mësuar, falë konsolidimit të kombit tonë për të drejtën e vetëvendosjes, për të drejtën e lirisë dhe po mos të ishte Ibrahim Rugova e Sali Berisha, me ndihmësin e tyre Arbër Xhaferin, ky shekull do të na gjente të bashkuar, e jo sot të luajnë me gjakun e dëshmorëve matoshët e spahinjtë, bashkë me mumiet politike.
Mumiet dhe vasalët politikë nuk i nevojiten askujt, as Juve dhe për tema të karakterit kombëtar, merrni analistët e dëshmuar, pa anime politike, sepse, poqëse vijnë në emisionin e Juaj edhe “shkencëtarë” të historisë për Luftën e Dytë Botërore, e për Luftën çlirimtare të fundit, shqiptarët që i kushtuan gjithçka lirisë kombëtare, do të dalin në taborrin e tradhtisë, sepse, nuk duruan fashizmin, nazizmin, sadizmin, maltusianizmin dhe “bashkëjetesën” nën thundrën zhbiruese të titizmit e milosheviçizmit, e, tash, të “botës moderne”, ku edhe sot po mundohen me kutin e Bizmarkut të ndajnë drejtësi në Mesdheun e trazuar (Ballkan).
Shqiptarët do të mbesin luftëtarë të së drejtës kombëtare, e, përmes kësaj lufte, para qytetarëve do të qesin në pah të menduarit dhe të vepruarit borgjez, të cilët antivlerën e kanë shndërruar në vlerë dhe e kundërta, mirëpo, kur ta kuptojmë të gjithë, se njeriu ka vlerë më të madhe se paraja, se paqja është më e madhe se lëvizja e mallrave, mendoj se njerëzimi nuk do të vuaj teket e pseudoshkencëtarëve, pseudopolitikanëve, pseudogjeneralëve, se vet qytetarët e asaj etnie, shteti, do t’i përmbysin.
Prishtinë, 18. 5. 2016