LETËR E HAPUR LSHK-SË, PAS KUVENDIT TË DYTË

23/10/2010 14:38

 LETËR E HAPUR LSHK-SË, PAS KUVENDIT TË DYTË

 

A PO SHNDËRROHET SHOQATA E (SH)KRIMTARËVE TË KOSOVËS NË LIDHJE TË (SH)KRIMTARËVE TË KOSOVËS ?

Tafil DURAKU

 

Për një dekadë, sa jam anëtar i kësaj Lidhjeje, është hera e parë që ftohem në një kuvend të tillë dhe më kufizohet fjala në 2 minuta.

Më t’i parë rrjedhat jo në nivel të Kuvendit të Dytë Zgjedhor të LSHK-së, bëra një koncept të shkurtër, që të flasë për problemet që e përcjellin këtë Lidhje kohë të gjatë. Këtu, gjithsesi, m’u kujtua një thënie enciklopedike fraanceze, që thotë: “Gjithçka që shkëlqen, nuk është ar!”, e, një shkëlqim i tillë m’i shëmbëllënte LSHK-së së dalë nga SHSHK-ja.

Para pesëmbëdhjetë vjetësh, Shoqatës së (Sh)krimtarëve të Kosovës i qesh drejtuar me një letër të hapur, e cila, mund të themi me plot gojën, pas Kuvendit të Dytë Zgjedhor të saj, pas luftës së UÇK-së, u shndërrua në Lidhje të (Sh)krimtarëve të Kosovës (LSHK), e cila letër qe heshtur plotësisht nga mediat e kastës udhëheqëse titiste. Faji, si gjithnjë, jetim!...

Pësojnë të pafajshmit!... Por, më intereson, këtu, të di, se për çfarë interesash personale, sot, rehabilitohen njerëzit më të zëshëm të titizmit dhe argatët e paturpshëm e të palodhshëm të LKJ-së, vrasësit e popullit të tyre, dje dhe sot, vrasësit e kulturës autoktone të popullit të tyre, plaçkitësit e shtëpisë së tyre, ata “(sh)krimtarë” që gjatë kohës së luftës në Drenicë (Drenishtë) qirreshin kafeneve të Prishtinës, duke thënë edhe kështu, publikisht: “Kush ma shan Rugovën, ia … nanën n’bir t’…”, dhe, të tillëve e strucëve të tyre proshkie t’u jepet fjala për ta rehabilituar vetveten(!)… E çuditshme, tepër e çuditshme, zotërinj (sh)krimtarë!...

Në Kosovën e pasluftës së UÇK-së, gjithsesi, duhet të ruhen e të begatohen vlerat e asaj lufte dhe të avancohen përkrahësit e saj. Numri i anëtarëve të LSHK-së që kanë përcjellur rrjedhat e luftës së UÇK-së është shumë i vogël, krahasuar me numrin e përgjithshëm të anëtarëve të saj, prandaj, është e udhës, këtu, që të shihen ata që shanë UÇK-në dhe punuan kundër saj, e, mendoj, këtu, se ata individë nuk kanë vend në këtë Lidhje.

Të propozohet për anëtar kryesie “njeriu” (“shkrimtari”) që këtij folësi i ka thënë: “Do të fitojë UDB-a shqiptare!”(“shqiptare”, vër. imja, T. D.), e, i cili, është zënë edhe duke plaçkitur në emër të UÇK-së, pastaj, “poetesha” që tërë kohën e luftës në Drenicë, ka shkuar derë më derë nëpër Prishtinë, në Tiranë dhe gjetkë, e ka sharë luftën e UÇK-së, duke sharë Drenicën dhe duke lëvduar vetëm “Gecët” e Llaushës e duke përçarë studentët e Universitetit të Prishtinës, etj., prandaj, mendoj thellësisht se duhet të shikohen jo vetëm të propozuarit, por, edhe propozuesit e tyre, që një gjë të tillë e bëjnë për çfarëdo interesash personale e kulimo-klanore.

Edhe në këtë Kuvend u panë qartë tendencat e individëve të caktuar për ta përfituar luftën e UÇK-së. Diskutuesi, Agim Gjakova, poet, qiti në shesh tendencat e tij, duke e quajtur Lidhjen “apartiake”, prandaj, edhe e shtrova pyetjen: Çfarë Lidhje apartiake është LSHK-ja, kur shumë nga anëtarët e saj janë edhe kryetarë e edhe anëtarë partishë?(Sic!). Pastaj, si e sheh veten z. Agim Gjakova, kur konstaton: “Më liri dhe më mirë e keni pasë ju këndej kufirit, sesa ne andej!”… Këtyre konstatimeve “gjeniale” dhe “atdhetare” nuk do bërë koment fare, por, një është e ditur, se, sikur të kishte shtet dhe ligje demokratike (e, na ruaj zot prej “demokracisë” së të tillëve dhe të LDK-së!), ai njeri dhe kushdo qoftë tjetër, do duhej të dalë para përgjegjësisë penale e morale.

Këtu, do shtruar çështja edhe kështu: Pabarazia e shkrimtarëve para mjeteve të informimit dhe liria e tepëruar e një pjese të (sh)krimtarëve për të thënë çdo gjë e kudo, pa ditur çfarë duan e çfarë thonë, është evidente. Kjo luftë i qiti në në shesh aftësitë e secilit: Do të ishte mirë që dikush të ma vizatonte vetëm një udhëheqës të Kosovës, që e “kulloti” atë për 50-vjetë dhe që doli në momentet më të vështira dhe i tha këtij populli se çfarë duhej bërë, pos prijësve të UÇK-së e luftëtarëve të saj, do të pajtohem, por, nëse është e kundërta, dhe, që është, nuk pajtohem kurrë që strucët e titizmit që sakatuan popullin e tyre, të marrin vende e poste kyçe në shoqërinë e re shqiptare. Pastaj, është momenti të shohim se çfarë ka bërë kryesia paraprake e shkrimtarëve mjeranë, ose, ajo e (sh)krimtarëve më të njohur të Kosovës, të cilët i ka përqiellzuar politika antishqiptare e Titos? Asgjë për të qenë, pos vjeljes së honorareve më të majme, që u kanë ardhur sikurse hutërve në zgure.

A di kush të më përgjigjet: Kush kë propozon për anëtar të kësaj kryesie dhe cilat janë kriteret e propozimit të tyre?

Në këtë Kuvend, u vërejt edhe një tendencë shumë e tejkaluar: tendenca e mjeteve të informimit për instrumentalizimin dhe imponimin e individëve të caktuar për të qenë anëtarë të kryesisë së asaj Lidhjeje, sipas lojës së strucnisë titiste. Apo, nuk u ngopëm me atë që ofruan gjerë më sot gjeneratat titiste e kulimoklanore të Kosovës?... A nuk na erdhi maje hunde “kultura” që imponoi Serbia dhe atë imponim po e ruan te shtresa më e korruptuar e “inteligjencës” shqipfolëse? Pyetje mund të shtrohen sa të duam, por, çka nëse nuk ka përgjigje në to, por, çka nëse nuk punohet për eleminimin e mangësive të shtresuara për 50 vjetë të titizmit në Kosovë, por, çka nëse lejojmë që të na udhëheqë destruktiviteti i koordinuar titist, negativiteti i mbjellur enkas, qoftë në politikë, qoftë në kulturë, qoftë në shkencë, qoftë në administratë dhe gjetkë, por, çka nëse?... Ai që ka dy fije mendësh në kokë e di se: u pa çfarë ofruan gjeneratat kuislinge e kulimoklanore të Kosovës, në pushtetin e huaj, veglat dhe veglaritë e titizmit, të paratitizmit dhe të pastitizmit!...

Puna dhe roli i tyre janë për ndëshkim të rëndë, e, ju, po ua bajti fytyra, shpërblejini!... Po, çfarë lidhjeje është ajo kur mediat censurojnë anëtarët e barabartë para ligjit të LSHK-së, mendimet e tyre, ku, për fat të keq, nuk u ofrohet as hapësirë minimale për t’i shprehur preokupimet e tyre, e, një gjë e tillë u lejohet vetëm titistëve dhe këlyshëve të tyre në media. Kjo është e pafalshme për të gjitha kohët shqiptare. Duhet kuptuar se ka kaluar koha e njëmendësisë titiste, e njëmendësisë vetëvrasëse dhe e njëmendësisë vrasëse të kulturës dhe traditave të popullit të vet.

Po, çfarë Shoqate e Shkrimtarëve është ajo shoqatë që ka shërbyer për asimilimin gradual të popullit shqiptar të Kosovës dhe të vlerave reale të tij, po, çfarë Lidhjeje është ajo që u lejon po atyre njerëzve funksione prijëse, pikërisht, atyre njerëzve që kanë shërbyer brenda asaj Lidhjeje, si ekzekutues të vlerave të mirëfillta kombëtare, për ta imponuar si paravan një klanore të personave të caktuar, që i shërbyen titizmit, dhe, përgjithësisht, të huajit.

Që në fillim të këtij Kuvendi, u vërejt mangësi e madhe, pikërisht, sepse, pabarazia e madhe në radhët e asaj Shoqate (SHSHK-je), tash Lidhjeje (LSHK-je), ishte evidente. Ishte evidente, sepse, aty, kurrënjëherë, nuk kishte pasur barazi. Veglat dhe veglaritë e titizmit ishin mburrur vetëm me numrin që kishin anëtarësuar aty, për të marrë mjete dhe për t’i shfrytëzuar klanërisht, e, për të mos kryer punë kurrë. Asnjë anëtari të ri, kurrë nuk i është dhënë Status apo Rregullore e SHSHK-së, e, të mos flasim për ndryshimet që janë bërë në to… Kishte të tillë, atyre që ua kishte lënë mëse ëmbli titizmi, që thirreshin në ato statuse e rregullore dhe kërkonin që me çdo kusht të respektohen ato, e, faji ishte te Kryesia e pasluftës, e cila, nuk kishte arritur ende të bëjë Status, apo, qoftë edhe Rregullore të kësaj Lidhjeje (sh)krimtarësh). Të pranishmit kishin ardhur me porosi dhe me porosi të gazetave, për ta bërë “lëmë grashë” Kuvendin e Lidhjes së (Sh)krimtarëve të Kosovës. 15 anëtarë të kryesisë së re u zgjodhën, me ndonjë përjashtim shumë të vogël, nga radhët e titistëve dhe këlyshëve të tyre, sepse, përbënin shumicën në Kuvend, e, nuk do të duhej që të kishin vend aty. Aty, kishte të pranishëm edhe (sh)krimtarë që punojnë në gazeta si redaktorë dhe nuk lejojnë që fotografitë e shkrimtarëve të mirëfilltë të dalin në fjalëkryqet e atyre gazetave, shembull konkret është titisti dhe kosisti Ibrahim Kadriu dhe voksistët e tjerë e këlyshët e tyre të ditur, të cilët i pat kritikuar ashpër shkrimtari Nebil Duraku, me artikullin e botuar në “Rilindja”, me titull “Vox populi, vox dei”, para 40 vjetësh.

Prandaj, voksistët dhe radhët e tyre të ngjeshura titiste janë ata që, sot, kurrë nuk e zënë ngoje shkrimtarin Nebil Duraku dhe të tjerët si ai, e, nuk përtojnë ta lëvdojnë njëri-tjetrin, siç i kanë porositur shkiet – vëllai-vëllanë e klanërisht. Rastet që përmendëm më parë për fitore të UDB-së “shqiptare” dhe për fyerje të UÇK-së e të luftës së Drenicës, janë Gani Xhafolli, Naime Beqiraj, Rexhep Kastrati dhe një plejadë e tërë farkistësh (bukoshistësh dhe rugovistësh), të cilët, pa farë kriteresh të Lidhjes, zgjidhen anëtarë të kryesisë së LSHK-së, bile, me vota të tyre, dhe, pavarësisht se bohem, rrëzohet Tahir Desku, kryetar i kësaj Lidhjeje dy vitet e fundit, për t’u zgjedhur aty të përkëdhelurit e dikuj, Adem Gashi, kryetar, Gani Xhafolli, sekretar e kështu me radhë, sepse, Tahir Desku ishte ai që raportoi nga zona e nxehtë e luftës, kur kolegët e tij (sh)krimtarë pinin kafeneve të Prishtinës bashkë me shkie… Prandaj, pyesim: ku janë ata (sh)krimtarë që kurrë , për 50 vjetë të titizmit, lëre që nuk guxuan t’i  kundërshtojnë njerëzit që ua impononte politika antishqiptare e Titollkut, por, shtireshin si mace nën sofër, për të dalë shumë zëshëm kundër njeriut, i cili, në mos pastë bërë asgjë, mjafton që ka “ikur” gati tri vjetë të plota lufte në Drenicë, nga barbarët dhe kriminelët serbë, llugë më llugë, kur shumë kolegë të tij janë ahenguar me vëllezërit e tyre shkie kafeneve të Prishtinës dhe skutave të tjera të Kosovës, të Evropës dhe të botës. Botërisht, duhet të dihet se brenda zonës së luftës e kishe një Tahir Desku, një Liri Loshi, një Prend Buzhala, një Hajdin Abazi, një Rexhep Selimi, një Tafil Duraku që shkruante nga zona me pseudonimin RIPRESS dhe shumë pak emra të tjerë krijuesish krah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prandaj, tash, kur jemi të gjithë shqiptarë, është koha e fundit që të ndahet egjra e deridjeshme, që edhe sot po don të dominojë mbi grurin, nga gruri. Po, a ka turp më të madh në botë, se, atëherë, kur edhe në kohë lirie qet kryeshtëpie antivlerën ose “vlerën” komuniste sllave të shqipfolësve, oborrtarët e Beogradit, që për plot 50 vjetë ndëshkoi një popull të tërë, popullin e vet, një intelegjencë të tërë që bredh rrugëve të botës. Ejani, shkrimtarë dhe intelektualë, ta bëjmë këtë punë për të na lëvduar brezat e ardhshëm për një punë të mirë kombëtare, ku do t’u krijojmë hapësirë për liri të mirëfilltë krijuese gjeneratave të ardhshme të Kosovës shqiptare…

 

(Autori është poet, shkrimtar dhe publicist i pavarur shqiptar)

P. S.: Mosbotimi i këtij shkrimi nga mediat e kohës, kur u mbajt Kuvendi i Dytë i LSHK-së, pas Luftës së UÇK-së, dëshmon bindshëm për censurën e egër komuniste të shqiptaro-titistëve të kuqë jugosllavë, dirigjuar nga (sh)krimtarë letrarë e letraxhinj dhe oborrtarë të dëshmuar të Beogradit në trojet e pushtuara shqiptare dhe kjo gjendje e popullit e Atdheut shqiptar është rezultat i punës së tyre "patriotike" e "kombëtare"… Por, asnjë ndryshim nuk u vërejt as sivjet, me rastin e mbajtjes së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, në Prizren, ku plaçkitën shpërblimet disa që nuk duheshin shpërblyer me asnjë kusht, për çka vendosën juritë (para)politike dhe “profesioniste”…

Burojë, 25 tetor 2010

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode