KUSH KA LAJTHITJET MË TË ARRIRA(?!) PAAFTËSIA, VETËKËNAQËSIA DHE BABËZIA E TYRE JANË SHKAQET KRYESORE TË PASIGURISË QË KARAKTERIZON JETËT TONA

30/11/2021 05:47

OPINION

 

 

KUSH KA LAJTHITJET MË TË ARRIRA(?!) PAAFTËSIA, VETËKËNAQËSIA DHE BABËZIA E TYRE JANË SHKAQET KRYESORE TË PASIGURISË QË KARAKTERIZON JETËT TONA

 

Nga Edona LLUKAÇAJ

 

Një prej gjërave që mëson më shpejt në Shqipëri është të mos tronditesh. Të paktën mundohesh të mos lejosh çuditë me shpeshtësi të lartë në sferën politike të të prishin atë rutinën njerëzore në kufijtë e mbijetesës, që shumica e shqiptarëve me vështirësi e mbajnë.

Pretendon se realiteti yt mund të mos ndikohet nga gara “kush i ka lajthitjet më të arritura?” të një grushti njerëzish dhe këmbëngul të mbyllësh sytë para të vërtetës së hidhur se paaftësia, moskokëçarja, vetëkënaqësia a babëzia e tyre janë ndër shkaqet kryesore të pasigurisë që ta karakterizon jetën në këtë vend.

Për shembull, refuzon të besosh se fenomeni i foltores – dëshpërimi personal i dikujt se edhe mund të japë llogari për veprimet e veta i kthyer në propagandë për të dëshpëruarit – mund të ngrejë ndokënd në këmbë.

Kësaj i bashkangjitet një ndjenjë neverie ndaj orvatjes për t’i veshur moralitet fenomenit në fjalë, duke përdorur disa gra për të përfolur të tjera gra. Një show mjeran, me siguri, konceptuar duke marrë për bazë intriga telenovelash të lira.

Pretendon se të ka pushtuar një lloj verbërie intelektuale kur kryetari aktual i Partisë Demokratike tenton të shfaqet si një viktimë, i lehtë-sakrifikueshëm me gjithë forcën politike që përfaqëson, prej “trekëndëshit të Bermudës” së politikës tonë.

Njehsimi i tre figurave me simbolin djallëzor dhe vetë-lancimi si shpëtimtar janë strategji pa rezultat. Mohimi i përsëritur i borxheve morale nga ana e tij, këto kohë, nuk mjafton për të bindur kënd, se dikush, që veçse ia kanë servirur postet dhe ia kanë diktuar thuajse çdo vendim, përveç heqjes dorë nga përfaqësimi e atyre që e patën votuar, mund të mbajë ‘peshën e kryqit’ të udhëheqjes.

Nuk do ta pranosh se presidenti, i presupozuar mbi palët, bën konferenca iluminuese për shtyp, duke treguar ngjarje melodramatike me kryetarë partish të pabesë që luten në gjunjë për shtyrje zgjedhjesh në dhoma hotelesh europiane.

Është larg të besueshmes se një politikan me kaq përvojë, që ka ditur të lundrojë me gjitha rrymat, që ka dalë më i fortë nga beteja llogjikisht e publikisht të humbura, që disa muaj më parë ka bërë thirrje për të marrë kosat në dorë, të lëkundet nga dy pika lot, të tejkalojë kompetencat e veta, e ndoshta të shkelë kushtetutën, mbi të cilën po në gjunjë është përbetuar sheshesh.

E teksa loja ‘topadjegës’ vazhdon, kryeministri të lë pa fjalë tjetërsoj. Me siguri, duke u zbavitur dhe duke përfituar nga epërsia që i jep sherri ‘këmbanat nuk po bien për mua por atë tjetrin’ i rivalëve të vet, deklaratat e tija janë bërë më pak të sofistikura.

Pak ditë më parë, ai mohoi kategorikisht se në Shqipëri do ndërtohen kampe refugjatësh, çka mund të jetë krejtësisht e vërtetë. “Kazanët” britanikë mund të mos e kuptojnë se kjo nuk nënkupton mospranimin e emigrantëve.

Por ne e dimë fort mirë se kemi boll rezidenca përrallore buzë detit. Bile, po sipas kryeministrit, ka edhe vende pune plot, por shqiptarët, që përçmojnë akademinë e barinjve, nuk janë të specializuar të punojnë në to.

Këta individë që e kthyen politikën në sinonim të gënjeshtrës, udhëheqjen në alibi të paudhësisë së vet, përfaqësimin në mburojë të interesave vetjake nuk mund të jenë e nuk duhet të jenë burra shteti, “e keqja më e vogël”, “alternativa jonë pa alternativë”.

Por, në fund të fundit, edhe fakti që çmenduria e kohëve të fundit pak çudit paralajmëron se shqiptarët prej tyre, tashmë, kanë hequr dorë.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode