KUSH E GJUNJËZOI LULZIM BASHËN?
23/07/2016 10:46
OPINION
KUSH E GJUNJËZOI LULZIM BASHËN?
Nga Mero BAZE
Kundërshtarët e reformës në drejtësi pranuan më në fund të votojnë draftin e propozuar nga ndihmës zëvendës sekretarja Nuland, pa ndryshuar asgjë thelbësore. Lulzim Basha kaloi një kalvar të tërë presioni në 48 orët e fundit, por faktorët që e bindën, nuk ishte kozmetika e propozimit hibrid, por rreziku real përball të cilit u gjend, si kryetar i PD, dhe si politikan pa të ardhme në Shqipëri.
Arsyeja themelore përse u dorëzua, nuk ishte as ndonjë ndryshim në projekt dhe as ndonjë bisedë e ëmbël telefonike me Komisonerin Hahn, por fakti që në mesditë u bën 95 vota pro reformës.
Dashamir Shehi dhe Agron Duka, respektivisht dy kryetarë partish të vogla të koalicionit deklaruan votat e tyre para ambasadorëve të perëndimit në mesditë, duke kaluar numrin e nevojshëm të votave. Në orën 13:00, Majlinda Bregu, vendosi të dalë po ashtu publikisht pro reformës, dhe është ndalur në minutat e fundit nga drejtuesit e PD, pasi e siguruan se vetë Basha do të dalë të mbështesë reformën.
Arritja e një shumice kushtetuese për reformën e nxorri në një pakicë antiperëndimore Partinë Demokratike, dhe Lulzim Basha po gjendej përball fiaskos së tij më të madhe politike.
Edhe pse kishte 48 orë që kishte nisur të lëkundej, ai ka qenë në një krizë reale për ta menaxhuar ndryshimin përballë Sali Berishës. Një natë më parë Sali Berisha ka pasur një bisedë të ashpër me ambasadorin Lu dhe situata është përkeqësuar edhe më shumë.
Ajo që Basha bëri me vetëdije për t’u lehtësuar dhe për t’u dukur i dorëzuar para Berishës, është se u shkeli zyrin aleatëve të tij, Duka dhe Shehi të jepnin votën pro, pas Selamit, dhe ndali Bregun që të mos dukej një rrjedhje dhe plasaritje nga PD.
Pasi u kalua numri 95 i votave, ai e kishte më të lehtë para Berishës të punonte për projektin e ndryshimit të qëndrimit.
Arsyeja tjetër përse Basha u dorëzua ishte dhe problemi personal që ai do të kishte si kryetar i partisë që refuzonte reformën nga lista e zezë e SHBA. Ndërsa Berisha që ishte arsyeja e bllokimit po i shpëtonte kësaj liste, Basha do të vihej përballë instruksioneve të dërguara nga Uashingtoni me këtë rast.
Por mbi të gjitha Basha u ndje i rrezikuar brenda PD. Qëndrimi i Eduard Selamit që theu murin antiamerikan dhe antievropian të PD, si dhe debatet konstruktive të tre-katër deputetëve të tjerë brenda PD, kthyen prozhektorët e perëndimit nga faktorë të tjerë brenda PD dhe larg Bashës.
Ndërsa për Bashën po përgatitej lista e zezë e presidentit të SHBA, për Selamin dhe Bregun po projektohej mbështetja e pakursyer perëndimore. Është kjo arsyeja që ai ndali Majlinda Bregun në mesditë të dilte hapur pro reformës, duke e bërë vetë atë gjë një orë më vonë, pa pikën e turpit.
Eduard Selami është praktikisht kryetari i Partisë Demokratike që bëri me reformë në drejtësi Shqipërinë, ndërsa Basha dhe të tjerët janë tërhequr zvarrë pas tij. Kjo duket dhe më shumë se Selami është më i sulmuar nga njerëzit e Berishës pas miratimit të reforrmës, ndërkohë që duhet të ngrihej në krah si shpëtimtari.
Kur pa se brenda PD po dëgjoheshin me respekt njerëzit që mbronin perëndimin në raport me ata që kërkonin shpalljen “Non grata” të ambasadorëve të BE, ai filloi të punonte për t’i krijuar vetes një rrugëdalje duke u shkelur syrin aleatëve të vegjël të rreshtoheshin pro reformës.
Ajo që është negative dhe që po mban pezull entuziazmin perëndimor, është fakti që Basha po e çon PD drejt votimit, duke mos i treguar që nuk ka ndryshuar asgjë. Misioni Ndërkombëtar ka të drejtën e shqyrtimit dhe përjashtimit të kandidaturave për Komisionin e Vetingut dhe nuk është prekur asnjë presje nga projekti Nuland, përveç procedurës së vendit se ku aplikohet nga Avokati i Popullit tek Presidenca.
Dyshimet se Basha do të thotë në minutat e fundit se nuk ra dakord për këtë çështje dhe se nuk e ka kuptuar mirë në telefon, janë ende të forta dhe duhet pritur dita e nesërme që të mos ketë supriza. Deri atëhere lereni të gëzohet! Ka shpëtuar prej shkatërrimit përfundimtar si kryetar i një partie që çfarë thoshte në drekë nuk e thoshte në darkë, ka shpëtuar prej tutorllëkut të Sali Berishës që e mbajti peng deri në fund, derisa e kuptoi se nuk kishte rrugëdalje, por mbi të gjitha ka shpëtuar nga damkosja e rreshtimit të PD në llogoret antiperëndimore, vetëm për hallin e një njeriu.
Ai është sot si një i liruar nga burgu që po çmendet nga gëzimi që nuk mori ndëshkimin final. Gëzimi me të cilin bllokuesit e e reformës po bëjën sikur festojnë, është disproporcional me urrejtjen me të cilën njerëzit e Bashës dhe PD në përgjithësi po vazhdojnë të sulmojnë dy ambasadorët e Perëndimit në Shqipëri që kanë menaxhuar gjithë procesin. Është e çuditshme, se si Basha ka pranuar variantin e tyre, por nuk pranon t’i falenderojë ata që e nxorrën nga bataku ku ishte zhytur.
Tani mbetet të presim nesër nëse Basha e ka ende seriozisht mbështetjen, dhe të mos bëj atë lojën naive që “e kupton gabim” se cfarë ka folur.
Reforma dhe miratimi i saj, është një fitore e madhe për shqiptarët, natyrisht dhe për Lulzim Bashën, Edi Ramën dhe Ilir Metën. Por beteja me kundërshtarët e reformës, është një nga fitoret më të mëdha të Perëndimit dhe aleatëve të tyre që i qëndruan në krah në Shqipëri, kundër horrave që kërkojnë të bëjë strehë sovranitetin, sa herë nuk kanë ku fusin kokën e tyre.
TEMA