KUSH BËN KRIM TË ORGANIZUAR NË KOSOVË?
31/01/2011 08:23
KUSH BËN KRIM TË ORGANIZUAR NË KOSOVË?
Shkruan: Tafil DURAKU
Nëse mund të thuhet diçka e vërtetë për këto dymbëdhjetë vjetë të paluftës së lavdishme të UÇK-së dhe për Kosovën e trepushtuar shqiptare, serbo-kosovaro-ndërkombëtarisht, e vërteta është plotësisht e hidhur, sepse, krim të organizuar institucional kanë bërë vendorë dhe ndërkombëtarë të mësuar në kryerjen me finokëri të krimeve ordinere, madje, në emër të tyre, edhe gjykatat e të dyja palëve. Bile, në këtë rrafsh, ndërkombëtarëve u ka rënë shi në kallamoq, sepse, terrenin ua kanë përgatitur kosovarët antishqiptarë të Titos e të Milosheviçit.
Në këtë shkrim tonin do ta njohim opinionin shqiptar, sikurse në të gjitha shkrimet e derisotme, me fakte e prova të paluajtshme, kush bën krim të organizuar “institucional” në Kosovën e trepushtuar shqiptare. Për rastin që do bëjmë fjalë këtu, do i referohemi një dëshmie të një dëshmitari shqiptar dhënë Gjykatës së Qarkut, në Prishtinë, si dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, prokurorit të Prokurorisë dhe gjyqtarit të EULEX-it. Dëshmitari quhet Afrim Kryeziu. Ai, është hetues financiar në Dhomën e Krimeve Ekonomike të Kosovës.
Z. Afrim Kryeziu, kur flet për të “dyshuarit”, thotë, citojmë: “… e kam percjellur… pas mbylljes se bankës, thuaj te gjithë punën e disa anëtarëve të bordit dhe menaxhmentit te bankës siç është verifikimi i gjendjes se parave ne llogarite e tyre bankare, është hulumtuar kapitali ne prone i te gjithë te “Dyshuarve” ne te gjitha komunat e Kosovës e shumë e shumë veprime të tjera zyrtare qe janë ndërmarrë nga ana e sektorit tone ne lidhje me te “Dyshuarit” e BKP-se. Di shumë gjera qe janë zhvilluar ne atë kohe si dhe qëllimin pse është mbyllur Banka Kreditore e Prishtinës.”
Madje, zyrtari në fjalë shpjegon se “Disa individ te korruptuar te UNMIK-ut te cilët me vone u vërtetua se kishin ardhur me mision te caktuar ne Kosove për te grabit dhe plaçkit pronat, duke iu falënderuar eksperiencës korruptive te tyre dhe imunitetit te cilin e gëzonin ne Kosovë te ndihmuar nga disa zyrtare vendore te korruptuar e qe dihet botërisht roli i tyre ne KQK (ish-BPK)”, siç ishin: Donat Branger, ish-Drejtor i Përgjithshëm i ABPK-së; David Ëeatherman, ish-Drejtor i bankave të Sigurimeve të BPK-së; Thomas Turulla, ish-Drejtor i Sigurimeve të ABPK-së; Michell Svetchin, ish-Drejtor i Përgjithshë i BQK-së; Hashim Rexhepi, ish-Drejtor i Sigurimeve në Kosovë, Zëvendësdrejtor i BPK-së, dhe, në fund, edhe Guvernator, si dhe disa zyrtarë në pozita të larta të BPK-së.
Grupi në fjalë, sipas dëshmive që zyrtari i lartë i DHKEK i ka ofruar Gjykatës së Qarkut, në Prishtinë, “… për një periudhë të gjatë kohore ka zhvilluar korrupsion institucional në Kosovë…”, duke shkaktuar qëllimshëm falimentimin e tyre. Viktima të këtij grupi kriminal e mafioz kanë qenë shumë kompani, si: Kompania e Sigurimeve “DRINI”, “KOSOVA”, “DARDANIA”, etj,, dhe, më pas kanë filluar shkatërrimin sistematik dhe të qëllimshëm të falimentimit të disa bankave komerciale, siç është Banka Kreditore e Prishtinës, etj. Përfundimi i logjikshëm del se “Ky grup ka përdorur te njëjtin system te punës për mbylljen, shkaktimin e falimentimit dhe pastaj plaçkitjen e tyre.” … Këtu, sipas asaj që shihet për dritë të diellit, qëllimi “fisnik” i këtij grupi mafioz “është bere për përfitime personale”, gjë që shihet qartë së qëllimi i tyre final ka qenë “shkatërrimi i sistemit banker te Kosovës ne te njëjtën kohe plaçkitja e tyre dhe ne fund humbja e imazhit te Kosovës ne arenën ndërkombëtare ne mënyrë që Kosova te mos mund te anëtarësohet ne institucionet e rëndësishme financiare ndërkombëtare”…
Rasti i Bankës Kreditore të Prishtinës
Dihet se Banka Kreditore e Prishtinës ka qenë dhe mbahet mend si një ndër bankat më stabile në Kosovën e pasluftës së lavdishme të UÇK-së, por, fillimisht, ende nuk diheshin ata që kishin marrë për detyrë shtëpie e kujdestari nate shkatërrimin e saj, pas shpinës së opinionit dhe pas shpinës së udhëheqjes së Bankës Kreditore të Prishtinës. Mënyra e hetimit dhe marrja e licencës së saj, si dhe ndalimi i punës, kanë qenë dhe kanë rrjedhur në mënyrë perfide, me qëllim të “shkaktimit të qëllimshëm të falimentimit.”
Dëshmia e dëshmitarit në fjalë, është tepër rrëqethëse, sepse, edhe pse ishte filluar të hetohet në hollësi rasti i BKP-së, nga Sektori i Hetimeve Financiare , në Drejtorinë e Krimit të Organizuar, anëtar i të cilit sektor ishte edhe ky dëshmitar, i cili, duke dashur t’i ofrojë ndihmë profesionale një hetuesi ndërkombëtar, jo që nuk kishte lejuar t’i ofrohet ndihmë, por, i ishte kërcënuar me fjalët: “Jeni te ri, këqyrni punën tuaj dhe mos u përzieni ne këto pune”, madje, krimineli ndërkomëtar, kërcënimin e kishte bërë në prani të hetuesve të tjerë të DHKEK, z. Sh. Zhabari, hetues në Sektorin e Hetimeve Financiare dhe z. M. Mehmeti, hetues në Drejtoratin e Krimeve të Rënda.
I dyshuar kishte qenë ndërkombëtari Riqards Stivens (Riki), i cili pas rastit të BKP-së, kishte marrë pozitë tjetër, të lartë, në PTK dhe qëllimi i shkuarjes së tij atje ishte “shkatërrimi i dëshmive të miliona eurove, të cilat ishin të deponuara në Bankën Kreditore të Prishtinës ku qëllimi i grupit të lartcekur ishte edhe plaçkitja e tyre ne vazhdimësi gjate likuidimit duke dërguar likuidatorë te regretuar për korrupsion.”
Falimentimi i qëllimshëm i Bankës Kreditore të Prishtinës
Kur Banka Kreditore e Prishtinës qëndronte mëse miri, si partner i sigurt e strategjik i biznesit financiar të Kosovës, kur pritej që partner strategjik i saj të jetë Banka e Re e Lubjanës (NLB), dalin në skenë urithët e krimit të organizuar zyrtar, dhe, Bankës Kreditore të Prishtinës, BPK-ja (AQBK-ja), antiligjërisht, ia merr licencën, në mënyrë që t’i pamundësohet NLB-së t’ia paguaj kësaj, të parës (BKP-së), paratë në emër të 51%-shit të aksioneve të marrëveshtura, gjë që NLB-ja ishte e gatshme ta kryejë edhe pas likuidimit të saj.
Atë që e thotë dëshmitari, në këtë rast, për Bankën Kreditore të Prishtinës, i jep frymë gjithçkasë antiligjore që kanë bërë ndërkombëtarët dhe vendorët e korruptuar, njerëz mafiozë të krimit të organizuar. Sidomos, kjo bie në sy, kur thotë: “Pa dijeninë e tyre unë i kam përcjelle Zyrtarët e Bankës së Re të Lubjanës në Hotelin Grand të Prishtinës dhe me veshët e mi kam dëgjuar njërin nga drejtorët e lartecekur duke thënë, citoj: “Se Z. Mitchell ishte fjala për Michell Svetchin ish drejtor gjeneral i BQK-së ka bere kërkesa që janë jashtë etikës profesionale tona dhe na ka ndaluar çdo kontakt me gazetare dhe persona tjerë për te dhëne ndonjë informacion”. Çfarë interpretimi skandaloz kapë kjo deklaratë kërcënuese e z. Svetchin, si autoritet i BQK-së, i cili është përgjegjësi dhe fajtori kryesor i falementimit të Bankës Kreditore të Prishtinës, ose, siç thotë dëshmitari, në deklaratën e tij dhënë Gjykatës së Qarkut, të Prishtinës: “kjo të bën të kuptosh qëllimin e ish drejtorit general të BQK-së, pra i ka ndërpre çdo rruge te mundshme te rimëkëmbjes së bankës vetëm e vetëm qe te arrije qëllimin e shkatërrimit të bankës, shkaktimit të qëllimshëm te falimentimit dhe ne fund plaçkitjes së saje.” Ky dëshmitar thotë se e posedon edhe shkresën e datës 10. 03. 2006, të nënshkruar nga Michell Svetchin, drejtor i BPK-së, si dhe Hashim Rexhepi, drejtor i Bordit të BPK-së për ta revokuar licencën e punës për Bankën Kreditore të Prishtinës. Lidhur me këtë pohim, dëshmitari vë në pah se ka edhe dokumentin e marrjes së licencës Bankës Kreditore të Prishtinës, të nënshkruar nga drejtori i BPK-së (AQBK-së), dhe, jo nga Bordi Drejtues i BPK-së (AQBK-së), gjë që është kompetencë ligjore vetëm e këtij të fundit, Bordit Drejtues, pra, marrja e licencave.
Për këtë, dëshmitari sqaron se “Këto veprime te zyrtareve te BPK-se (AQBK-se) te ndërmarra ne shpejtësi (Brenda një dite) te bëjnë të kuptosh se çdo veprim i këtyre zyrtareve ka qenë i pergaditur për te arritur qëllimin e caktuar”, përfundon citati. Pastaj, shton: “posedoj edhe shkresën e datës 13. 02. 2006, nga BPK-ja drejtuar bordit të Bankës Kreditore te Prishtines…. Dhe, mbi këtë bazë, sqaron: “Zyrtaret e BPK-se (AQBK-se) me ane te kësaj shkrese kane plasuar te paverteta dhe e kane futur ne mashtrim te fakteve Bordin e BPK-se vetëm e vetëm për tia marrur licencën BKP, ky rast mund te trajtohet edhe si rast penal i mashtrimit”.
Skandalet e grupit kriminal, të zënë ngoje, këtu, janë të mëdha, madje, bizare. Paratë (eurot) e BKP-së janë konfiskuar nga trezoristët, në të gjitha filialet e BKP-së, në shoqërim të policisë, duke mos ua lëshuar asnjë dokument për konfiskimin e tyre. Ajo që e forcon edhe më shumë dhe bindshëm implementimin e qëllimshëm të të zënëve ngoje, këtu, në krim të organizuar, është edhe veprimi i paramenduar e skandaloz i hapjes me dhunë të kasafortës së marrë nga zyra e Drejtorit Ekzekutiv të BKP-së, ku ishin të ruajtura dokumentet sekrete të bankës. Dhe, kasaforta, pa urdhresë të askujt, hapet në Gërmi të Prishtinës, pa u mbajtur asnjë proces për dokumentet e gjetura në të, ku, pa asnjë dyshim, janë asgjësuar dokumente me rëndësi të BKP-së.
Ajo që e vë në dyshim edhe më të madh procesin e mbylljes dhe likuidimit të bankës janë raportet e auditorëve të caktuar nga vetë BPK-ja, sipas të cilave raporte BKP-ja ka qëndruar më mirë se të gjitha bankat tjera të Kosovës dhe mëse paku ka ofruar mundësi të bëhet likuidimi i saj. Në sqarimin e dëshmitarit, thuhet preras: “Kjo jep të kuptosh qëllimin e të lartcekurve për mbylljen dhe likuidimin e kësaj banke, ku po dihet se qëllimi i tyre ka qenë, edhe një herë po e ceku, plaçkitja e parave që PTK-ja i ka pasur të depozituara në BKP.”
Mbyllja, falimentimi dhe likuidimi i BKP-së, nga sa po dëshmohet e shihet, është bërë qëllimshëm dhe me paramendim dhe BKP-ja ka qenë viktimë e grupit të përmendur, mafioz e kriminal, i cili, synim të vetëm ka pasur plaçkitjen e parave të bankës. Dhe, për këtë, dëshmitari, kërkon që t’i mundësohet bashkëpunimi me prokurorinë dhe gjykatën, për ta dëshmuar vetëm të vërtetën, në të kundërtën, ai do të jetë i shtrënguar t’i njoftojë të gjithë klientët dhe mediat.
Pse heshtën dhe pse heshtin institucionet para provave?
Në rastin konkret, është plotësisht e pajustifikueshme heshtja e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, pasi që janë bërë publike provat, së paku, në shtypin e përditshëm dhe periodik. Kjo që pamë më lart vërteton katërcipërisht se në Kosovë ka korrupsion, por, pse nuk u bë ndonjë analizë dhe hulumtim për t’u parë se kush është më i zhytur në korrupsion, vendorët apo ndërkombëtarët, është çështje që do ta sqarojnë rrethanat e reja në Vend?!...
Mbi këtë bazë, EULEX-i nuk do të jetë i besueshëm për popullin shqiptar, në Kosovë, deri sa nuk e ngritë asnjë aktakuzë për të korruptuarit e UNMIK-ut, e, këtu, mjafton të ceket një publikim i mëhershëm në mediat gjermane se “në Kosovë janë plaçkitur 450 milionë euro nga persona zyrtarë”, me imunitet të UNMIK-ut.
Dalëngadalë, po vjen koha që Gjykata ta tregojë anshmërinë ose paanshmërinë e saj profesionale dhe ta dëshmojë në praktikë anësinë apo paanësinë e saj, përballë provave të reja që kanë dalë para saj, nga persona përgjegjës të DHKEK, që janë marrë me hetimin e kësaj çështjeje.
Dhe, në fund, po e provojmë e vërtetojmë se duke heshtur ne, përditë e më shumë po dalin në skenë Carla Del Ponte-t dhe Dick Marty-ët e Serbisë… Dhe, a nuk na rrëfen mjaftueshëm kjo gjendje se kush bën krim të organizuar në Kosovë, në emër të imunitetit të UNMIK-ut?!...
Burojë, më 31 janar 2011