KUSAR, VRASËS DHE ZUZAR
14/05/2016 09:13
OPINION
KUSAR, VRASËS DHE ZUZAR
Nga Arben RROZHANI
Fjalimet e Sali Berishës ngjallin alergji. Sidomos këto të 3 viteve të fundit kur është në opozitë politike. Por përroi i tij psiqik është një rast studimi. Specialistët e komunikimit dhe psikanalistët, aty kanë material të bollshëm për të gjetur se ajo çfarë thotë ligjëruesi i palodhur, është në fakt ajo që ka menduar dhe bërë vetë. Dhe për 26 vite ka treguar se ka menduar dhe bërë gjithçka ka dashur, sa herë ka patur mundësi.
Kusaria në kurriz të shqiptarëve
Pë paktën prej tre muajsh, Sali Berisha propozon futjen në Parlament të një amendamenti shtesë, krahas dekriminalizimit. E quan dekusarizim dhe i drejtohet shumicës qeverisëse: kusarë. Ka shumë përvojë në këto histori. Të paktën prej 25 vitesh. Që kur nisi të drejtonte opozitën e atëhershme njëlloj si e sotmja, që e shikon pronën publike si të vetën, paratë e shqiptarëve si të sajat dhe buxhetin e shtetit si arkën e familjes. Kusaria e drejtuar prej tij zhbëri pronën publike të trashëguar nga rregjimi komunist, e që ishte vënë me mundin dhe djersën 45-vjeçare të miliona njerëzve.
Kusaria e tij zhbëri kursimet e shqiptarëve të hallakatur nëpër botë në mesin e viteve ’90. I inkurajoi me kriminalizëm që t’i fusnin paratë e fituara me gjak në emigracion te piramidat mashtruese që vetë i ngriti dhe i mbrojti. Plot 1.2 miliardë dollarë u zhdukën, miliona shqiptarë u varfëruan më keq se ç’ishin. Kusaria e tij zhduku paratë e buxhetit të shtetit në 8 vitet e mandatit të tij si kryeministër. Borxhe pa fund, fatura të papaguara, prona të rrëmbyera anekënd, koncesione që po vjedhin shqiptarët edhe sot dhe do t’i vjedhin edhe për dekada të tjera.
Vrasës me “diplomë”
Kur propozoi dje në Parlament një amendament të ri, me anë të të cilit kërkon që deputetët që humbasin mandatin të mos kenë mundësi rikandidimi, Berisha tregon hiç më pak se ajo çfarë ka dashur të ketë përballë në karrierën e gjatë politike: kundërshtarë të vdekur politikisht. Nuk do shumë mend dhe kalem që të dalësh atje ku del edhe vetë Berisha. Të mos ketë më përballë në politikë, në kuvend, politikanë kundërshtarë si Koço Kokëdhima.
Në këto tre vite parlamentarizëm dhe përplasje politike, Kokëdhima ka qenë deputeti dhe politikani më i sulmuar nga Sali Berisha dhe PD-ja e tij, ndoshta duke ia kaluar edhe kryeministrit të vendit. Dhe, politikisht, ka të drejtë ta sulmojë, madje shumë egër, sepse ka patur përballë një politikan pa kompromis, ndryshe nga ata të kulisave dhe pazareve të vocka, me të cilët merret vesh edhe kur është në pushtet, edhe kur është në opozitë.
Atij nuk i leverdis të këtë në zonën elektorale më të ndjeshme për votat që vijnë në parlament, një deputet që e zhbën si parti, që fuqizon partinë e vet, që nuk bën kompromise politike në dëm dhe në kurriz të votuesve.
Dekusarizimi, nuk është hiç më pak se lustracioni famëkeq që tentoi ta bënte dikur për të hequr qafe çdo politikan me peshë, t’i linte ata jashtë listave zgjedhore dhe të kishte në krah dhe përballë vetëm eunukë. Është egoja e tij diktatoriale për të qenë njëshi dhe të tjerët, disa numra të thjeshtë. Dhe për t’ia arritur kësaj nuk ka ngurruar edhe të përdorë armët, të vrasë dhe të linçojë. Është gati ta bëjë sërish, ndaj dhe propozon pak si “me stil amerikan”, armatosjen e popullsisë, që të bëjë sërish grusht shteti, t’u sulet godinave qeveritare, t’i plaçkisë dhe t’i marrë peng, në ëndrrën e tij për të qenë gjithnjë në pushtet.
Zuzar edhe në pleqëri
Kur thotë se Edi Rama ka folur kreun e Gjykatës Kushtetuese për 170 minuta për të ndikuar te vendimi për deputetin Kokëdhima, Sali Berishës i kalojnë në revistë mijëra minutat që ka konsumuar në biseda pa fund për të urdhëruar, kërcënuar, shantazhuar, dhënë vendime, pretenca dhe dënime për gjithkënd. Për të mos shkuar thellë në kohë te Bashkim Gazidede dhe Agim Shehu dhe SHIK-u famëkeq që urdhërohej me telefon që të eliminonte opozitën, sulmonte popullsinë në Jug në pranverën ’97, mjaftojnë shantazhet për të mbyllur dosjet përvëluese të viteve të fundit.
Ato që lidhen me ish-ministrin që e ka vënë tani në krye të partisë së drejton nga distanca, kërcënimin e kryeprokurores për dosjen e Rrugës së Kombit; për Gërdecin, emrin e djalit të tij në biznesin e milionave të municioneve dhe barutit, rolin e Fatmir Mediut në ngritjen e fabrikës së vdekjes; për 21 janarin, shantazhet që prokuroria të mos merrte në pyetje gardistët vrasës, as të merrte serverin e kryeministrisë, as të merrnin prova materiale që faktonin vrasjen shtetërore përballë zyrës së tij; por anulimin e rezultatit të zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011, telefonatat pa fund me Ristanin dhe Kolegjin Zgjedhor për t’ia vjedhur mandatin e kryebashkiakut Edi Ramës.
Sikur Edi Rama vetëm të kishte “çuar selam”, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Koço Kokëdhimën do të ishte në favor të tij. Sepse gjyqtarët dihet se kanë dy mënyra për të dhënë drejtësi: të shpërblehen materialisht apo të urdhërohen politikisht. Nuk ndodhi asnjëra, ndaj dhe vendimi për Kokëdhimën e bindur se ishte në të drejtën e tij, doli ai që dimë. Një standard shumë larg atij të Berishës vetëm pak vite më parë kur gjyqtarët urdhëroheshin politikisht që të shpëtonin me procedurë Lulzim Bashën, Fatmir Mediun dhe të gjithë zyrtarët e kapur në paligjshmëri dhe krim.
Një standard me kusarë, vrasës dhe zuzarë, të cilit i ka perënduar koha dhe t’i soset edhe “uji i gamiles”.
SHEKULLI