KUR SHQIPTARI, AKADEMIK APO BARI QOFTË, DO TË SHOHSHËNIM: KUR SHQIPTARI, AKADEMIK APO BARI QOFTË, DO TË SHOHËSE NUK I NEVOJITEN MË, AS “MIQ” DHE AS RYSHFET...

06/03/2023 20:48

SHËNIM

 

 

KUR SHQIPTARI, AKADEMIK APO BARI QOFTË, DO TË SHOHSHËNIM: KUR SHQIPTARI, AKADEMIK APO BARI QOFTË, DO TË SHOHËSE NUK I NEVOJITEN MË, AS “MIQ” DHE AS RYSHFET...

 

Nga Viktor MALAJ

 

Nuk do shumë mend për të kuptuar se një nga shkaqet kryesore të shkurajimit dhe pakënaqësive mbarëpopullore ka qenë dhe mbetet niveli mjerisht i ulët profesional dhe, sidomos, moral i drejtësisë në vendin tonë. Ato që kanë ndodhur dhe nuk duhej të ndodhnin tash tridhjetë vjet në Shqipëri janë bërë të mundura, kryesisht, për shkak të aleancës së turpshme dhe kriminale midis politikës dhe drejtësisë.

Në heshtje dhe me veprime të dukshme dhe të nëndukshme, secila palë ka shpërdoruar e vjedhur dhe pastaj i janë gjendur njëra-tjetrës me forma dhe mjete të ndryshme sa herë janë ndodhur në hall dhe kur iu duhej të jepnin llogari.

Kur erdhi puna që mullarët e të keqes mund të merrnin zjarr nga zemërimi popullor dhe t’i digjnin të dy palët njëherësh, edhe me nismën e huaj, u mendua të bëhej Reforma në Drejtësi.

Unë jam nga ata individë që e kam mbështetur dhe e mbështes Reformën, jo pse besoj se do të kemi “drejtësi të kulluar”, që as ka pasur dhe as do të ketë ndokund mbi rruzull, por sepse kam besuar dhe besoj se, sidoqoftë, do të bëhet më mirë se ç’ka qenë.

Përveç disa arritjeve të dukshme formale që nuk mund të mohohen, janë bërë qartësisht të dukshme edhe, të paktën, dy mangësi të kësaj reforme: ngadalësia e papranueshme dhe cilësia e punës në përzgjedhjen dhe klasifikimin e personave që i janë nënshtruar procesit të Vetingut.

Një brez i tërë po kalon nën vuajtjet e padrejtësisë dhe duket se edhe një brez tjetër do të vuaj ngadalësinë dhe cilësinë jo sa duhet të lartë të “drejtësisë së re”.

Vetingu ka larguar nga sistemi gjithfarë banditësh që s’kishin lënë gjë pa bërë, por ka larguar, çuditërisht dhe mendjelehtësisht, edhe pak individë me integritet profesional e moral, duke iu quajtur të rëndësishme mospërputhje apo mosdeklarime pasurishë të papërfillshme.

Me vlerësime të tilla, në Shqipërinë e informalitetit shumëvjeçar, zor se do të lejohej të punonte ndonjë zyrtar i administratës shtetërore, qendrore e vendore, i cilitdo pushtet qoftë. Nga ana tjetër, filtrit të Vetingut ka arritur t’i shpëtojë edhe ndonjë rrufjan i pavlerë i cili ka mundur të fshehë ose justifikojë produktet e sjelljes së tij të paligjshme.

Shqiptari i thjeshtë nuk ka as mundësi dhe as nevojë të bëjë vëzhgime dhe analiza në këtë fushë. Këtij i mjafton realiteti që prek vetë. Kur shqiptari, akademik apo bari qoftë, do të shohë se për të fituar të drejtat e tij nuk i nevojiten as “miq” dhe as ryshfet, kur të shohë se në burg do të përfundojë cilido që ka bërë apo vazhdon të bëjë zullume, atëherë do të bindet se punët kanë marrë drejtimin e duhur, do t’i pakësohet dëshpërimi dhe do t’i shtohet besimi në të ardhmen vetjake, familjare dhe kombëtare.

Një numër pambarimisht i madh prokurorësh e gjyqtarësh kanë qenë, dhe ndonjë është akoma, tregtarë të së drejtës dhe, rrjedhimisht, edhe bashkëpunëtorë të botës së krimit. Ata janë pasuruar, janë larguar nga funksionet zyrtare por as kanë dhënë llogari ligjore për pasuritë e vëna nëpërmjet shpërdorimit të posteve zyrtare dhe as iu është hequr e drejta të shërbejnë në drejtësi në role dytësore si avokatë apo noterë, pra në role ku mund të vazhdojnë të dëmtojnë drejtësinë dhe interesat e qytetarëve.

Dhjetëra prokurorë dhe gjykatës, që nuk arritën të justifikojnë para Vetingut pasuri të mëdha, pse nuk ndiqen penalisht dhe pse nuk dënohen?! Po qindra zyrtarë shtetërorë, të djeshëm dhe të sotëm, që i kanë shkaktuar shtetit dhe popullit qindra milionë euro dëme ekonomike gjatë ushtrimit të detyrës, përse nuk shkojnë në burg?!

Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatohen çdo vit dhjetëra milionë euro dëme financiare, të shkaktuar kryesisht nëpërmjet tenderave dhe konçesioneve të parregullt. Pse nuk ndiqen penalisht dhe pse nuk dënohen autorët e tyre?!

Mosdënimi i autorëve të 21 janarit, vjedhjeve, shpërdorimeve dhe krimeve të djeshme dhe të sotme,  shkakton çudi, pakënaqësi dhe mosbesim.

Në Shqipëri, fatkeqësisht, janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen aq shumë krime sa nuk do të mjaftonin edhe pesë herë më shumë burgje për fajtorët. Pir e quajtura “drejtësi e re” duhet ta provojë dhe dëshmojë veten. Prova janë ndjekja e shpejtë, cilësore dhe pa kompromis ndaj cilitdo, por në radhë të parë ndaj atyre që kanë qenë apo janë në krye të pushteteve, sepse rrezikshmëria e tyre shoqërore është më e lartë.

Në të kundërt do të na duhet të besojmë se po ndryshojmë formën, por jo përmbajtjen. Nuk ia vlen kaq shumë kohë, mundime dhe burime financiare për të ndryshuar vetëm formën. Le të shpresojmë se nuk do të presim gjatë për të parë në “ekranin shoqëror” ndryshimin e thellë të përmbajtjes!

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode