KUKU E MADHE PËR TË GJITHË

20/07/2019 09:42

REAGIM

 

KUKU E MADHE PËR TË GJITHË

Afrim MORINA

 

            Erdhi në pushtet përmes aferës së Demarkacionit me Malin e Zi dhe po shkon me aferën e Taksës. Politika e PDK-së e dogji, përmes kësaj afere të Demarkacionit, duke ia lënë në dorë pataten e skuqur dhe për lakmi pushteti e votoi vetë. Kështu e arritën qëllimin edhe Hashimi e Kadriu, që Haradinaj ta ketë barrë politike për tërë jetën dhënien e territoreve Malit të Zi.

            Kjo dorëheqje, në aferën e Taksës, filloi të prodhojë efekte pozitive, por, iu shkaktua humbje tepër në shtrirjen e ekzekutivit, për t’i pozicionur militantët e vet dhe të partnerëve qeverisës, sidomos, të Nisma-s. Fërkimet e kohëve të fundit me Presidentin dhe Kryetarin e Parlamentit i kanë dhënë të kuptojnë se qeverisjen nuk do ta ketë të gjatë, qoftë në aferën e Taksës dhe spastrimin e kabinetit nga ministrat me afera korruptive. Gjeti shkasin e dorëheqjes për t’i shpëtuar shkakut të rënies së qeverisë, nga PDK-ja. Kadri Veselit nuk ia krijoi rrethanat e komoditetit, të luajë sikurse me Isa Mustafën. Kjo ka bërë që t’i zërë në befasi qytetarët, por, edhe subjektet politike. Befasia e qytetarëve nuk është shumë domethënëse, sepse, janë pajtuar me të gjitha dhe pak kanë pritur nga kjo qeveri. Por, kjo i ka befasuar subjektet politike. Jo për dorëheqjen, por, për mënyrën e shkuarjes së kësaj qeverie, dhe, me të drejtë, bëjnë kuku!

            Kuku bën PDK-ja, sepse, nuk arriti ta shkarkojë, siç bëri me Isa Mustafën, për t’i dhënë arsyet e veta, për t’ia prishur imazhin atij dhe subjektit të tij edhe pse shumë kanë lobuar me faktorin ndërkombëtar rreth taksës dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Ky qëndrim ua ka prishur planet e Presidentit dhe të PDK-së, prandaj, pse të mos kukatin, kur i krijuan edhe rrethanat mbështetëse nga Makroni.

            Kuku bën Lëvizja Vetëvendosje, që nuk arriti ta rrëzojë përkundër argumenteve, për t’ia numëruar të gjitha, në Kuvend, që njëherit do të ishte edhe platformë zgjedhore.

            Kuku bën LDK-ja, që nuk arriti të mbajë Kuvendin, të dalë me kryesi të re dhe kështu ta bëjë veten faktor potencial për ta trashëguar pushtetin.

            Kuku bën Nisma Socialdemokratë, sepse, nga fuqia e pushtetit të Haradinajt ka përfituar shumë dhe në fakt ishte partneri kryesor. Çfarë do të bëjë me pozitat e fituara në këtë koalicion dhe a do ta ketë komoditetin për të hyrë në parlament, e, mos të flasim për premtimet që u ka bërë anëtarëve të rinj, për pozicionimin e tyre gjatë këtij mandati qeverisës dhe rikthimit në pushtete, në mandatin e ardhshëm.

            Kuku bën PSD-ja, e cila filloi t’i fitojë disa benificione si “opozitë”, duke mos mundur të veprojë në terren dhe e ka frikën se mund t’i ndodhë si LDD-së, t’i kthehet anëtarësia në bazë.

            Kuku bën edhe AAK-ja, jo vetëm për pushtetin e humbur, por, edhe për premtimet e dhëna publikisht, për anëtarësinë e vet. Gjithashtu, ai ka bërë që partia e tij të identifikohet me emrin e tij dhe pa të nuk ka parti! Edhe kjo ka arsye, se, po i shuhet ylli i shpresës për ta kushtëzuar çdo krijim qeverie, mu për arsyet e thëna më lartë.

 

            Prishtinë, 19. 7. 2019

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode