KUJDES! KAMUNIKATA KAMUNISTE!

15/04/2017 17:36

OPINION

 

 

 

KUJDES! 

KAMUNIKATA KAMUNISTE!

 

Viktor MALAJ

 

 

Qëndrimet ekstreme nuk pasohen nga qëndrime të moderuara, por, nga qëndrime ekstreme të kundërta me të parat” – Fridrih Niçe

 

Para pak kohësh, në kuadrin e luftës me mullinjtë e erës, siç ngjan antikomunizmi delirant, i panevojshëm dhe hipokrit i këtyre 27 viteve, një ish i dënuar politik i para 1990 dhe aktualisht mbajtës i një funksioni qesharak publik, me emrin Agron Tufa dërgoi në Parlamentin shqiptar një “Propozim për ndalimin e propagandës komuniste që fyen, denigron dhe manipulon ndjeshmëritë e popullatës së persekutuar gjatë diktaturës nëpërmjet dokumentarëve dhe filmave artistikë”.

Përveç përmbajtjes së dokumentit, janë dy gjëra thelbësore që i bëjnë përshtypje çdo njeriu normal: Së pari, pse një veprim i tillë ndërmerret pas 27 viteve nga ndryshimi i sistemit politik dhe kur nuk ekziston asnjë mundësi për rikthim të sistemit të mëparshëm, dhe, së dyti, si është e mundur që ata njerëz që na shiten prej gati tri dekadash se janë persekutuar si luftëtarë të lirisë së fjalës, na dalin tani me iniciativën për ndalimin e mendimit dhe fjalës së lirë?

Autori dhe të tjerë si ai mund të thonë se po kërkojnë ndalimin e asaj pjese të prodhimeve artistike që fyen dhe denigron pjesën e persekutuar dhe se kjo lloj përmbajtje artistike bie ndesh me Kushtetutën shqiptare. Që propaganda e regjimit të ashtuquajtur komunist ka pasur edhe denigrime, përçmime dhe deformime në portretizimin e asaj pjese të popullsisë që e konsideronte armiqësore ndaj regjimit, kjo as që vihet në diskutim. Mirëpo, lind pyetja: si do të veprohet me propagandën antikomuniste, denigruese, fyese, shpifëse, gënjyese dhe luftënxitëse ndaj shumicës së popullsisë shqiptare që nuk u persekutua, që ishte pjesë e administratës shtetërore dhe nuk kreu kurrfarë krimi por shikoi punët e veta?

Ka 27 vjet që një pjesë, pjesa më emocionale e të përndjekurve, së bashku me pjesën më të pamoralshme dhe të bastarduar të nomenklaturës komuniste kanë bërë çmos që të krijojnë idenë e ndarjes së prerë të popullsisë në “të mirë” dhe “të këqij”, ku në cilësorin e parë, sipas tyre, bëjnë pjesë të gjithë të përndjekurit realë apo të rremë të regjimit komunist dhe në të dytin bëjnë pjesë të gjithë ish-anëtarët e PPSH-së, punonjësit e administratave të atij regjimi dhe kushdo tjetër që nuk i bashkohet korit vajtues, denigrues dhe mashtrues të pas 1990.

E vërteta e madhe është se çdo përcaktim en block si të mirë apo të këqij i grupeve shoqërore, politike, fetare, krahinore apo etnike është i gabuar, i pavërtetë dhe i dëmshëm. Rrjedhimisht, përcaktimet e propagandës komuniste për kundërshtarët e saj, pa dallime, kanë qenë po aq të pasakta dhe të padrejta sa përcaktimet që ka bërë dhe bën propaganda antikomuniste këto 27 vjet për regjimin e kaluar. Në kushtet e para 1990 kishim vetëm një parti dhe një propagandë që shprehte mendimet, interesat dhe qëllimet e saj. Prej 1990 e këtej kemi shumë parti, midis të cilave edhe parti të ligjshme komuniste, të cilat kanë mentalitete, ideologji dhe qëllime të ndryshme. Atëherë, si mund të veprohet sot, në kushtet e pluralizmit, me të njëjtët kritere si përpara 1990? Atëherë, triumfi i një ideologjie synohej të realizohej nëpërmjet ndalimit dhe ndëshkimit të tjetrës, ndërsa sot triumfi apo dështimi i ideologjive apo forcave politike pritet të realizohet nëpërmjet konkurrimit. Dhe, që të konkurrosh do të thotë të ekzistosh.

Pretendimet e autorit Tufa se “Njëra (propaganda antikomuniste- V.M.) e përjashton tjetrën (propagandën komuniste- V.M.) në mënyrë të ndërsjellët ” të kujtojnë shprehjen e Leninit se “Ose ideologji borgjeze, ose ideologji socialiste, rrugë të mesme nuk ka”. Autori kërkon të mos lejohen transmetimet e pakontrolluara të materialeve filmike, sidomos atyre dokumentare, dhe disa të ndalohen krejtësisht ndërsa atyre që do të lejohen t’iu vihen logo si “Kujdes!” ose “PPSH”. Një pretendim i tillë është sa antidemokratik e i pamundur, po aq edhe qesharak. Filmat, artistikë apo dokumentarë, përmbajnë vitin e prodhimit dhe prodhuesin që ishte Kinostudio “Shqipëria e Re”. Kush do i shikon, kush nuk do ndërron kanalet e transmetimit. Këta filma, jo vetëm që mund t’i gjesh të gjithë në Youtube, por ndalimi i tyre do ta nxiste dhe zhvillonte riprodhimin dhe tregtimin e tyre në kaseta apo disqe.

Nga propozimi i Tufës dhe nga disa diskutime në media rezultojnë dy pretendime lidhur me filmat e para 1990. I pari, siç thotë Tufa “Shfaqja pa kriter e filmave provokon higjienën mendore dhe shpirtërore të çdo qytetari normal” dhe i dyti, po sipas Tufës, “Një pjesë e filmave dhe shumica e dokumentarëve falsifikojnë e shtrembërojnë faktet, historitë, sjellin manipulim të të vërtetave të rendit socialist”. Në të dy aspektet ka ardhur koha të thuhen disa të vërteta pavarësisht etiketimeve që mund të marrë njeriu nga çeta e çakejve të kohës dhe turmat e injorantëve përjetësisht të pashërueshëm.

Filmat, ashtu si të gjitha veprat artistike, përgjithësisht vlerësohen mbi bazën e dy kritereve: të vlerave artistike e estetike dhe të mesazheve që përcjellin. Sa i përket kriterit të parë, është e sigurt se jo pak nga 240 filmat e realizuar kanë qenë mediokër, gjë që ka ndodhur dhe ndodh në të gjithë botën. Para pak vitesh, njëri nga regjisorët më të shquar të Hollivudit, Oliver Stone thoshte se: “Mbi 90% e filmave që prodhohen në Hollivud nuk kanë asnjë vlerë artistike dhe përcjellin mesazhe të dyshimtë etikë”.

Por duket se halli i Tufës dhe pak individëve që mendojnë si ai nuk qëndron aty. Tufa “shqetësohet” për higjienën shpirtërore të shqiptarëve dhe pretendon se ata filma e ndotin atë. Ndërsa një tjetër bashkëmendimtar i tij, Ylljet Aliçkaj shkon më tutje kur thotë se “Kinematografia, në periudhën e komunizmit, ishte hallka më e fuqishme, më efikase e deformimit të personalitetit të individit i cili, me sa po shihet, është i pakthyeshëm”. Një gazetare intervistuese, mendjepakët, viktimë e çfarëdo propagande të çastit, thoshte se “Propaganda shërbeu për shpërfytyrimin e shqiptarëve”.

Po t’i merrnim si të mirëqenë mendimet e sipërcituar do të konkludonim se shqiptarët, deri në 1944 kur erdhi sistemi komunist, kanë qenë një tufë engjëjsh të dëlirë, pa cene, aspak mëkatarë dhe të denjë për të përfunduar në Parajsë në grup. “Fatkeqësia” ndodhi kur erdhën komunistët në pushtet sepse, me propagandën e tyre iu futën të gjitha veset dhe i shndërruan në djaj dhe ua deformuan personalitetin (siç thotë Aliçkaj) në mënyrë të pakthyeshme. Pretendime të tilla janë të mjera, qesharake, të pavërteta dhe vetëdiskredituese për autorët e tyre.

Në përgjithësi, mund të thuhet pa droje se shumica dërmuese e filmave të asaj periudhe janë përshkuar dhe kanë transmetuar vlerat më të mira morale dhe shoqërore që duhet të karakterizojnë njeriun si: atdhedashuria, respekti për njeriun, të vjetrin, prindërit, shokun apo shoqen e punës, solidaritetin shoqëror, sakrificat për atdheun dhe të mirën e përbashkët, dashurinë e sinqertë në çift, emancipimin dhe barazinë e femrës me mashkullin, dashurinë dhe përpjekjet për dije dhe kulturë, respektin ndaj punës dhe njeriut punëtor. Është e qartë se këto vlera bien ndesh me moralin e atyre tek të cilët ekziston kulti i racës, fisit apo përkatësisë klasore, kulti i pronës private dhe parasë, i qejfit dhe shthurjes, i dembelizmit dhe individualizmit në kurriz të bashkësisë të cilës i përkasin, i sakrifikimit të pasurisë së përbashkët dhe, madje, të vetë bashkësisë për veten dhe pronën vetjake. Pra, në thelb, në vlerësimin se cili personalitet i nevojitet shoqërisë dhe progresit varet nga morali, formimi, kultura e atij që bën vlerësimet.

Tufës dhe të tjerëve si ai nuk iu bëjnë përshtypje filmat dhe veprat e tjera artistike të sotme që ngrenë në kult pasurinë materiale dhe paranë, zdërhalljen, shthurjen, bixhozin, drogën, alkoolin, pornografinë, prostitucionin, korrupsionin, dhunën dhe sakrifikimin e interesave shoqërore për hir të atyre vetjake. Nuk iu bëjnë përshtypje dhe i konsiderojnë normale dhe të moralshme mesazhet e filmave, vendas apo të huaj, që denigrojnë femrën, fshatarin, përkatësitë etnike, krahinore apo fetare. Për ta janë normalë dhe të pranueshëm emisione porno-artistiko-politikë si “Big Brother”, “Zonë e Lirë”, “Al Pazar”, “Portokalli”, “Shihemi në gjyq” etj. etj. ku për hir të fitimeve materiale të prodhuesve dhe transmetuesve të tyre, i paraqitet publikut shqiptar vulgariteti e imoraliteti, duke nëpërkëmbur privatësinë dhe integritetin moral të shumë individëve dhe familjeve.

Pavarësisht disa të metave dhe gabimeve, forma dhe përmbajtja që synohej t’i jepej personalitetit të njeriut të atëhershëm qëndron shumë më lart se personaliteti që i jep sot individit komercializmi dhe propaganda që shpreh moralin dhe interesat e klasës sunduese, që është në thelb oligarkia e formuar më së shumti në rrugë amorale dhe kriminale. Jo më kot është thënë se moral dominues i një shoqërie është morali i klasës sunduese. Kur kemi parasysh shumicën e përbërjes së klasës sunduese shqiptare, atëherë nuk e kemi të vështirë të nxjerrim përfundimin se me çfarë morali e “bombardojmë” përditë “njeriun e ri” të kapitalizmit të sotëm. Dhe, rezultatet janë dëshpërues: pakësim të solidaritetit shoqëror, rënie e respektit dhe ndihmës për prindërit, për njerëzit në nevojë, prishje alarmante të familjeve, rritje katastrofike të krimit dhe vetëvrasjeve, dorëzime të shfrenuara ndaj shabakimit, shthurjes, drogës, prostitucionit dhe korrupsionit.

Përpjekjet për t’ia faturuar shkaqet së kaluarës janë mjerane dhe të dëmshme. Jo pse fyejnë të kaluarën por, duke përcaktuar gabim diagnozën do të përcaktojmë gabim edhe terapinë dhe nuk japim kurrfarë mundësish për shërimin e të sotmes dhe sigurimin e së ardhmes. Këto përpjekje për fajësimin e së kaluarës për mëkatet e sotme na kujtojnë një ndodhi të vërtetë të viteve ’80. Siç tregojnë, kur një grup inxhinierësh nga Perëndimi shkoi në një fabrikë në Tiranë, midis të tjerave e pyetën drejtorin: Po lidhur me punën dhe prodhimin çfarë shqetësimesh keni? Duke u përgjigjur me sloganet e kohës, drejtori tha se kishin disa të meta që vinin nga ndikimet borgjeze të Perëndimit. Dhe, cilat janë ato?- pyetën të huajt. Po, ja- vazhdoi drejtori- kemi punëtorë që nuk e bëjnë detyrën, largohen nga vendi i punës dhe prishin edhe makineritë. Të huajt buzëqeshën dhe iu përgjigjen: Shikoni se këto të meta janë tuajat dhe jo tonat, sepse ne i heqim nga puna ata që s’punojnë dhe i detyrojmë të dëmshpërblejnë makineritë kur i prishin.

Unë do të dëshiroja që asnjë nga filmat e së kaluarës të mos përmbante mesazhe denigrues për kategori të veçanta politike, por jam i sigurt se ato nuk janë asgjë krahasuar me ato çfarë kanë thënë e thonë përditë kundërshtarët e atij regjimi dhe as me fjalorin dhe ato që politikanët tanë të pas 1990 thonë për njëri-tjetrin. Edhe vetë Tufa, në dokumentin e tij i fyen të gjithë ata që janë kundër ndalimit të filmave (dhe këta përbëjnë shumicën e popullsisë dhe të botës intelektuale dhe artistike) duke i quajtur “Bërllok toksik” që do të thotë mbetje helmuese. Sipas formimit të tij, ata që s’mendojnë si ai duhen ndaluar sepse mendimet e tyre janë helmues. Me fjalë të tjera, zotëria thotë: ose duhet të kenë të gjithë formimin dhe moralin tim ose duhet të shkualifikoheni e ndaloheni si “helmues”.

Korit të vajtimeve dhe fajësimeve të së kaluarës për mëkatet e sotme iu bashkua edhe një prift i cili, ngado që vete sheh ëndrra me komunizëm. Ai arriti deri atje sa të pohojë se komunizmi është fajtor edhe pse shqiptarët gënjejnë sot edhe kur i pyet se ku ndodhen. Pastaj, në mënyrë kontradiktore, thotë se, “Ne kemi një koncept shumë të cunguar dhe konfliktual me të mirën e përbashkët. Koncepti i të mirës së përbashkët është thellësisht i prekur nga ideja e kolektivitetit marksist. Ne nuk arrijmë ta shohim të mirën e përbashkët si një element që na shërben të gjithëve por e shohim si lopën që duhet mjelur nga kush të mundet….S’ka si shpjegohet ndryshe që për një seancë kimioterapie s’ka ilaçe dhe sapo del atje i ka farmacia private… Është ngritur një sistem i mjeljes së të mirës së përbashkët që për Doktrinën e Krishterë është thelbi… Shqiptarët janë të çorientuar.”

Vetë prifti i shërben çorientimit të shqiptarëve me ato që thotë sepse nuk kupton se “kolektiviteti marksist” që përmend ai e ndihmon të mirën e përbashkët dhe është pikërisht lufta për pasurim vetjak që e dëmton atë. Është dashur që prifti ynë të kuptonte se lufta për pasurim material vetjak nuk prodhon në vetvete kurrfarë vlerash morale. Jo rastësisht në Bibël thuhet se, “Nuk mund t’iu shërbesh njëherësh dy zotërinjve, edhe Zotit edhe pasurisë”. Është mahnitës fakti se si një pjesë e klerit ka shprehur shpesh gjykime dhe qëndrime që bien ndesh me Doktrinën e Krishterë.

Kjo periudhë 27 vjeçare po dëshmon qartë se shumica dërmuese e atyre që u dënuan politikisht para 1990 u futën në armiqësi me regjimin thjesht për interesa vetjake dhe për kurrfarë idealesh apo parimesh siç propagandojnë. Po të ishin ndeshur me regjimin për shkaqe parimore apo për ideale demokratike nuk do ia kishin lejuar vetes që të heshtin apo, akoma më keq, të bëjnë avokatin falas të të gjitha padrejtësive dhe krimeve të kryer nga politika shqiptare e pas 1990.

Se cila ka qenë Shqipëria dhe shqiptarët e para 1944 le të lexojmë Konicën, Nolin, Fishtën, dhjetëra diplomatë, ushtarakë apo studiues të huaj që vizituan vendin tonë. Ja si e përshkruan stereotipin e shqiptarit Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Austro-Hungarisë gjatë Luftës së Parë Botërore, Conrad Von Hotzendorf : “Plotësisht i pabesueshëm, i mbytur nga zakonet, i pakulturuar, i korruptueshëm ndaj ndikimeve të huaja- sidomos në Shkodër dhe rajonin bregdetar. I prishur nga pafuqia e administratës turke. Nëse arrihet kënaqësia individuale apo përfitohet personalisht nuk merret në konsideratë përdorimi i sistemeve që i shërbejnë gjithë komunitetit…”.

Po të lexohet me vëmendje propozimi i Tufës për ndalimin e filmave të para 1990 do të vihet re se “halli” kryesor i tij nuk është “dëmtimi i higjenës shpirtërore”, por fakti se pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare ruan ende vlerësime pozitive për aspekte të rëndësishëm të organizimit shoqëror dhe politik të para 1990. Me sa duket, nxitje për Tufën është bërë një sondazh i OSBE i fundvitit të kaluar nga i cili rezulton se 59% e të pyeturve pohonin se komunizmi ishte një ide e mirë, por ndaheshin në mendimin për mënyrën e zbatimit në praktikë; se rreth 90 % e të pyeturve i vlerësonin më lart se sot punësimin, sigurinë, arsimin, shërbimin mjekësor dhe pohonin se vendi ishte shumë më pak i korruptuar se sot. Vetëm 19 % e gjithë popullsisë dhe vetëm 31 % e të përndjekurve politikë mendonin se trashëgimia komuniste përbënte “problem të madh”. Disa njerëz që reaguan atëherë e quajtën sondazhin ose të pavërtetë ose e konsideruan popullin “budalla”. Arsyeja e shëndoshë të thotë se përgjigjet e dhëna kanë qenë shumë afër të vërtetës. Këtë e tregon edhe fakti se kur janë pyetur për ekonominë dhe të drejtat e njeriut para 1990 shumica kanë dhënë vlerësime negative. Mesa duket Tufa beson se janë filmat e së kaluarës që kanë përcaktuar perceptimet, prandaj thotë se “Brezi i ri gjendet i pambrojtur sepse nuk e ka përvojën e krahasimit të të dy kohëve”.

Jo vetëm Tufa por edhe disa të tjerë ku shquhet një dervish i cili, pasi ka vjedhur dokumente arkivore ku ishte punësuar dikur, përpiqet tani të ndryshojë historinë me gjithfarë marifetesh dhe manipulimesh. Këta pretendojnë se filmat e së kaluarës, sidomos ata dokumentarë, kanë “shtrembëruar faktet, historitë dhe manipuluar të vërtetat e rendit socialist”. Është e vërtetë  që në filmat dokumentarë ka, krahas pasaktësive, të pavërteta dhe shtrembërime, por kjo nuk do të thotë se ato ndreqen duke ndaluar filmat. Ne jemi dëshmitarë të faktit që këto 27 vjet janë përgatitur dhe transmetuar me dhjetëra emisione dhe dokumentarë që përmbajnë mashtrime, shpifje, sajesa dhe gënjeshtra të pafundme rreth së shkuarës së afërt dhe të largët. Siç thotë bejtexhiu shkodran Nexho Shabani për kohën e sotme: ” A ka ba nejherë vaki, me marrë rrena kaq shumë randsi !”. Nuk mund të presësh që të pavërtetat e dokumentarëve të para 1990 t’i ndreqin individë si Tufa i cili, në propozimin e tij të lartpërmendur lëshon një rrenë sa mali i Dajtit kur pohon se “Të persekutuarit përbëjnë 30 % të popullsisë”. Në vitin 1994, kur disa ish- të burgosur politikë hynë në grevë urie, ish- i burgosuri politik për 27 vjet Pjetër Arbnori pohoi se “Të persekutuarit e vërtetë politikë i bëjnë apo jo 5 % të popullsisë”. Pretendimet për persekutime politike të rreme tek ne janë kthyer në epidemi. Para një muaji, kur e pyetën një plak 90 vjeçar pse nuk ishte martuar kurrë u përgjigj se “Nuk mund të martohesha me vajzat që donte partia”.

Revizionuesit e historisë jo vetëm kërkojnë të ndryshojnë faktet historike, por edhe moralin e ngjarjeve historike. Po të lexosh një shkrim të Dervishit dhe pretendimet e disa të tjerëve rezulton se turqit nuk ishin pushtues, por administrues të vendit; italianët ishin të mirë sepse ngritën disa ndërtesa dhe “na bashkuan me Kosovën”; edhe gjermanët, ashtu si italianët, nuk ishin pushtues por “kalimtarë” dhe ishim ne që “iu ramë në qafë”; se heroi i filmave të soc-realizmit është njeriu i ri që punon e lufton për të ardhmen dhe kjo është e gabuar; se filmat përmbajnë “skena imagjinare të luftës së komunistëve kundër italianëve”, a thua se nuk janë të gjithë filmat artistikë produkte të imagjinatës; se na paraqiten “komunistët si përkrahës të dijes e kulturës”; se paraqesin “ushtrinë gjermane duke kontrolluar edhe nëpër shtëpi”; se individi shqiptar paraqitet sikur “nuk ka hallin e vet por të ndërmarrjes, pronës së përbashkët” etj.; tregojnë se fshati ishte rritur e përmirësuar; se kleri paraqitet si i lidhur me pushtuesit dhe se “veprimet e forcave antikomuniste paraqiten si terroriste”; tregojnë se “të huajt, amerikanët, anglezët, italianët etj. na kanë inat dhe duan të na përmbysin rendin socialist”; se lartësojnë aftësitë e Sigurimit të Shtetit dhe gënjejnë sikur vendet e huaja bënin spiunazh ndaj nesh etj.etj.

Nuk mund të mos mbetesh pa mend kur lexon këto xhevahire. Kush i pengon këta skifterë të mohimit të realizojnë dhe të shfaqin dokumentarë që “tregojnë” se Shqipëria para 1944 ishte e zhvilluar e moderne, me rrugë e bulevarde të gjerë, me katedrale, muze, universitete dhe akademi, me fabrika, uzina, kombinate, shkolla e spitale gjithkund, me hidrocentrale dhe elektrifikim në gjithë vendin, me hekurudha nga jugu në veri, me popullsi jo 900 mijë banorë por 3-4 milion dhe me një moshë mesatare 27-28 vjeç etj.etj. dhe se ishte ardhja e regjimit të pas Luftës së Dytë Botërore që “na shkatërroi”.

Është në moralin dhe formimin e gjithkujt që të vlerësojë të shkuarën dhe të tashmen por, midis atyre që morën pjesë në luftë dhe atyre që ndihmuan pushtuesit; midis atyre që ngritën shkolla dhe universitete dhe atyre që vranë mësuesit që luftonin për përhapjen e dijes; midis atyre që ndërtuan hidrocentrale, fabrika, uzina e spitale dhe atyre që u përpoqën t’i hidhnin ato në erë; midis atyre që tërhoqën rininë në aksione për rindërtimin e vendit dhe emancipimin e femrës dhe atyre që kërkonin t’i pengonin duke kryer edhe vrasje dhe shpërfytyrim të femrës; midis atyre që përhapën shëndetësinë falas dhe luftuan sëmundjet vdekjeprurëse dhe atyre që ngritën mjekësinë e sotme të korrupsionit dhe vjedhjes; midis atyre që bonifikuan kënetat dhe moçalet dhe atyre që u përpoqën t’i sabotonin; midis atyre që u vunë në shërbim të shtetit të tyre, sido që ishte ai, dhe atyre që u bënë spiunë dhe vegla kriminale të të huajve (kavje laboratori- siç i ka quajtur Abaz Ermenji); midis atyre që nxitën solidaritetin shoqëror dhe atyre që propagandojnë individualizmin e paskrupullt; midis mjekut “komunist” Sali Berisha që punonte me përkushtim dhe jetonte me dinjitet dhe politikanit antikomunist Sali Berisha, zjarrvënës të vendit, përçarës të kombit, falsifikues dhe dhunues të zgjedhjeve, shpifës, gënjeshtar e fyes, dhunues, burgosës dhe vrasës të kundërshtarëve politikë, tjetërsues të territorit shqiptar dhe që ka një familje milionerësh pa pasur kurrfarë biznesesh, unë zgjedh të parët dhe përçmoj të dytët. Ky fakt nuk më pengon që të refuzoj dhe dënoj kategorikisht gabimet, fajet dhe krimet e kryer para 1990 me dënimet e njerëzve për agjitacion e propagandë, dënimet e disa individëve për krime që s’i patën kryer kurrë, internimet e familjeve të të dënuarve politikë, ndalimin e ushtrimit të riteve fetare etj.

Përpjekjet për ndalimin e transmetimit të filmave shqiptarë, që përbëjnë një nga thesaret e kulturës kombëtare, pavarësisht të metave, janë në rastin më të mirë një budallallëk dhe në rastet e tjera një ligësi njerëzish të mërishëm e smirëzinj. Nëse presim të mbajmë dhe respektojmë vetëm vepra dhe autorë që janë artistikisht të përkryer dhe etikisht pa asnjë të metë, atëherë ne do të mbesim pa asnjë vepër arti dhe pa asnjë artist pikërisht sepse veprat e artit, ashtu si çdo vepër njerëzore, janë bartëse dhe shprehëse të mendimit njerëzor. Dhe, vetë njeriu është bartës i veseve dhe virtyteve, i arritjeve dhe dështimeve të kohës e vendit ku jeton. Kërkesat për ta bërë të detyrueshëm transmetimin e filmave të para 1990 me logo apo shpjegime të sotme janë të dëmshme dhe sjellin në shekullin e 21-të atmosferën, mentalitetin dhe moralin e kohës së Luftës së Dytë Botërore. Pretendime të tilla në kohën e sotme janë dëshmi e qartë se jo pak nga kundërshtarët e sistemit të kaluar politik kanë qenë dhe mbesin reaksionarë të pandreqshëm dhe nuk kanë nxjerrë kurrfarë mësimesh nga historia.

DITA

 

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode