KRISTO FRASHËRI DHE ENVER HOXHA, HISTORIA E JETËS SË NJË HISTORIANI (2)

27/08/2019 08:49

HISTORI

 

 

KRISTO FRASHËRI DHE ENVER HOXHA, HISTORIA E JETËS SË NJË HISTORIANI (2)

 

Prof. Nasho JORGAQI

 

Kristo Frashëri

 

Projekti për hartimin e Historisë së Shqipërisë kishte hyrë në rrugë zyrtare, por emri i tij në listën e autorëve haste në pengesa. Vetëm falë këmbënguljes dhe interesimit të prof. Budës transferimi i Kristos nga Banka në Institutin e Shkencave mbetej i hapur.

Por ndërsa koha kalonte, në fushën e shkencës shtroheshin detyra të reja. Kështu, nga lartë në vitin 1952, u dha orientimi i mbajtjes së një konference shkencore me temën: “Formimi i kombit shqiptar dhe fillimet e lëvizjes nacionale shqiptare”. Meqenëse konferenca do të zhvillohej në formë debati, u propozua që të paraqiteshin dy referate, nga të cilët njëri iu ngarkua S. Pollos dhe tjetri, me këmbënguljen e A. Budës, K. Frashërit.

Por historiani i ri e refuzoi dhe, siç e shpjegon ai vet, druhej se mos mendimet e tij do të merreshin si teza jo marksiste. Atëherë u la që ai të diskutonte si gjithë të tjerët dhe kështu ndodhi. Kristua edhe kësaj radhe i shpëtoi ndonjë rreziku të mundshëm që i vinte nga e kaluara dhe nga fakti që ai vazhdonte të ishte nën vëzhgim.

Por kjo nuk e pengoi që të paraqesë mendimet e tij të argumentuara e me nivel për çështje themelore të temës së konferencës. Ishte ky një hap i ri, por i matur që Kristua bënte në rrugën e studimeve historike dhe e afirmoi si një historian të talentuar e shumë premtues. Pas këtij suksesi, falë aftësive dhe meritave të veta, më në fund ai u emërua zyrtarisht historian pranë Institutit të Shkencave (1955), edhe pse akoma nuk i kish kryer studimet e larta. Por largimi nga Banka, nga dashuria e tij e parë profesionale, do të ishte për të e dhimbshme, aq sa në kujtimet e veta do ta quajë “tradhti shpirtërore”.

Megjithatë, në sektorin e historisë, drejtuar nga prof. Aleks Buda, shpejt ai do të gjejë veten dhe do t’u përkushtohet akoma më thellë studimeve duke pasur si shëmbëlltyrë e mbështetje shefin e sektorit, dashamirësin e përhershëm dhe njohësin e gjithë periudhave të historisë së Shqipërisë.

Tani Kristua nuk ishte më një historian amator, por profesionist ndaj dhe kërkesat ndaj vetes dhe interesat e projektet e tij do të zgjeroheshin e do të merrnin peshë akoma më të madhe. Për habinë e kolegëve, ai që në fillim të punës botoi në Buletinin shkencor studimin “Lufta çlirimtare e Vlorës 1920”. Ishte kjo një provë serioze e historianit të ri, që i nxiti drejtuesit t’i ngarkojnë një tjetër studim akoma më të vështirë, me temë jashtëzakonisht delikate, që kish të bënte me kryengritjen e fshatarësisë së Shqipërisë se mesme dhe udhëheqësit të saj Haxhi Qamilit.

Në këtë kohë opinioni shqiptar kish mendime negative për figurën e tij, kurse nga ana tjetër Enver Hoxha i kish dalë në mbrojtje duke e cilësuar “një fshatar revolucionar”, pra si njeri të popullit e të partisë. Kuptohet se në ç’pozitë të vështirë do të vihej Kristua që kish mendime krejt të kundërta me udhëheqësin. Duke u konsultuar me drejtuesit e tij A. Buda dhe S. Pollo, ata i garantuan se do të ishin pranë tij dhe e këshilluan të tregonte kujdes me gjuhën dhe logjikën e argumentit, duke shtuar se studimi do të botohej kryesisht në Buletinin shkencor.

Kristua provoi të guxonte, por për shkak të pozitës politike u detyrua të bënte disa lëshime dytësore, gjë që e shmangu përplasjen zyrtare. “Në fakt, kujton Kristua, ky ishte i vetmi rast që unë kam shkruar në kundërshtim me bindjet e mia.”
Historiani i ri ndërkaq kreu studimet e larta duke mbajtur temën e diplomës mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit. Në këtë kohë u krijua Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, ku ai u përfshi si një nga kuadrot e sprovuara në fushën e historisë politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore.

Kjo i hapi rrugën për t’u përfshirë në projektplanin e grupit të punës si autor dhe redaktor për hartimin e historisë së Shqipërisë nga lashtësia deri në kohët e reja. Emri i tij do të renditej si bashkautori i dy vëllimeve të Historisë së Shqipërisë, të cilat u botuan dhe u mirëpritën nga opinioni shkencor, madje autorët e tyre u nderuan me Çmimin e Republikës të klasit të parë.

Më në fund, ai mori dhe titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”. Me këtë vlerësim u duk sikur kishin marrë fund telashet e historianit problematik, por në fakt nuk ndodhi kështu. U hap rishtazi debati mbi Haxhi Qamilin dhe lëvizjen fshatare dhe pozita e tij u trondit për shkak se kapitullin e kësaj ngjarjeje historike në tekstin e Historisë së Shqipërisë e kish hartuar ai.

Ndërsa kolegët përgjegjës të Historisë së Shqipërisë bënë autokritikë, Kristua për habinë e të gjithëve mbrojti pikëpamjet e tij, duke shprehur hapur se “nuk mund t’i vënë dyshim idetë e shokut Enver, por deri me sot nuk kam qenë i bindur për to… dhe do të rishoh pikëpamjet e mia në dritën e fjalimit të tij. Madje premtoj se do t’i analizoj mendimet e mia dhe do t’i përvetësoj pikëpamjet e drejta të Partisë.”

Megjithëse i dhanë kohë të reflektojë dhe u vu nën presionin e autoriteteve të partisë dhe drejtuesit e Institutit, ai refuzoi të ndryshojë mendim, sepse nuk donte t’i kundërvihej bindjeve të tij. Atëherë kolegët u detyruan të bëjnë korrigjime dhe teksti doli pa emër autori.

Pavarësisht nga ky qëndrim kurajoz i Kristos që kish rrezikuar pozitën e tij politike, me emrin e nderuar që kish krijuar si historian serioz, ai pranoi kërkesën për të hartuar “Historinë e Shqipërisë” për të huaj, duke marrë përsipër i vetëm këtë detyrë. Një punë kjo e jashtëzakonshme, plot sfida, të cilën ai, me përgatitjen e lartë profesionale dhe zellin e madh, arriti ta kryejë në një kohë rekord.

Vepra pastaj u përkthye në anglisht, frëngjisht dhe rusisht dhe hyri në qarkullim shkencor jashtë vendit, për të cilën kishin aq nevojë. Por edhe ky sukses i merituar i autorit u pasua nga telashe burokratike të institucionit që e ngarkoi, duke refuzuar t’i japë honorarin e veprës.

Letra ankimuese që autori i dërgoi kryeministrit M. Shehu, nuk bëri asnjë efekt, vetëm se zgjoi zemërimin e tij. Kështu Kristua, edhe pse kishte fituar gjyqin, nuk mori asnjë honorar e jo vetëm kaq, por pati pasoja në pozitën e tij. Ishte koha e revolucionarizimit të jetës së vendit, që nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez kish filluar qarkullimi i kuadrove në bazë, duke mos kursyer as studiuesit.

Kështu, historiani Kristo Frashëri, në kulmin e punës studimore, u transferua në Përmet si mësues historie në gjimnaz. E ndërpreu gati dhunshëm punën shkencore, u shkëput nga familja, iu përgjysmua rroga, braktisi arkivat dhe bibliotekat e Tiranës dhe u vendos në qytetin e vogël buzë Vjosës duke iu nënshtruar një jete spartane. Sigurisht të pesë vitet që kaloi në provincë nuk qenë të lehtë.

Përballoi probleme dhe vështirësi deri edhe intriga dhe diskriminime, por ai nuk u dha falë karakterit dhe personalitetit të tij. Do të kryente detyrat e mësimdhënies, por nga ana tjetër, drejtoi dhe hartoi historinë e Përmetit dhe kontribuoi për ngritjen e muzeut të qytetit.

Ai do të mbetej dinjitoz, i nderuar dhe i çmuar nga opinioni për vlerat e tij. Por vitet e Përmetit do t’i kushtonin, po të kemi parasysh që qarkullimi do ta ulte nivelin e tij, nga një studiues e mësimdhënës universitar në një mësues gjimnazi, do ta shkëpusnin nga puna shkencore, do t’i krijonin probleme ekonomike aq sa do ta detyronin të shiste qindra vëllime me vlerë albanologjike nga biblioteka e tij, që do ta përjetonte, siç pohon në autobiografi: “më dukej sikur po nxirrja në treg pjesë nga trupi im ”.

Kjo jetë e detyruar do të zgjaste afro pesë vjet dhe pas kësaj shkëputjeje, atë e rikthyen në Tiranë, në një kohë kur po ngrihej Akademia e Shkencave. Në këtë institucion të lartë do të kishte vendin e tij dhe Kristo Frashëri në mes personaliteteve të shkencës shqiptare. Atë do ta prisnin detyra e angazhime të reja shkencore, për të cilat ai do të përkushtohej me aftësitë dhe seriozitetin që e karakterizonte.

Aksioni më i madh shkencor në këtë kohë do të ishte përkujtimi jubilar i 100 vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, për të cilën do të organizoheshin veç Konferencës kombëtare në Tiranë edhe konferenca në qytete kryesore të vendit, ku Kristua do të caktohej në redaksinë qendrore që do të drejtonte gjithë punën shkencore e organizative të festës kombëtare.

Ndofta barrën më të rëndë të këtij aksioni do ta mbante Kristua që, veç detyrave organizative, do të hartonte dhe botonte dy monografi “Lidhja shqiptare e Prizrenit ’ dhe “Abdyl Frashëri”, pa harruar dhe dy albumet “Vëllezërit Frashëri” dhe “Lidhja shqiptare e Prizrenit”. Po gjatë dekadës së viteve 70 ai do të punonte si bashkautor i veprës në gjuhën frënge “Historia e Shqipërisë nga origjina deri në ditët tona”.

Veprimtaria e historianit tonë të palodhur nuk kish të mbaruar. Pas 100 vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, ai u ngarkua të kontribuonte në ngritjen në Krujë të Muzeut kombëtar kushtuar Skënderbeut. Me pasion e kompetencë shkencore, ai u mor me detyrën e pajisjes së brendshme me objekte muzeale dhe fizionominë historike të sallave dhe ambienteve të Muzeut, S’ka dyshim se në detyrën komplekse e të vështirë të jetësimit të këtij institucioni përfshihet dhe puna e kualifikuar e historianit Kristo Frashëri.

Krahas kësaj detyre që zgjati për dy vjet (1980- 1982) dhe u krye me sukses të plotë, Kristua do të vijonte veprimtarinë e tij shkencore si bashkautor i “Historisë së Shqipërisë” (1984) dhe autor i studimeve vetjake me vlerë.
Puna e tij si historian i epokës socialiste do të mbyllej në dhjetorin e vitit 1990, që koincidonte rastësisht me 800 vjetorin e themelimit të Shtetit të Arbrit, ku në simpoziumin e mbajtur me këtë rast, ai do të paraqitej me kumtesën “Rrethanat historike të formimit të shtetit të parë shqiptar mesjetar.”

Por nuk ishte koincidenca e përvjetorit të kësaj ngjarjeje historike ajo që ngriti një kufi të ri në jetën dhe veprimtarinë shkencore të Kristo Frashërit.

Ishte shpërthimi i lëvizjes së studentëve, mitingjet e tyre nën parullat liri demokraci që i ngjallën shpresa historianit dhe e bënë të përjetonte me optimizëm gjithë ç’po ndodhte. Para syve të tij, siç kujton ai, po shkruhej historia e Shqipërisë, kapitulli i demokracisë, po fillonte epoka e mendimit dhe fjalës së lirë, për të cilën ai jo vetëm kish ëndërruar, por kish kontribuar e sakrifikuar për dekada të tëra.

Më në fund ishte rrëzuar shteti totalitar dhe po vendosej pluralizmi partiak. Po historiani patriot e demokrat nuk aderoi në asnjë parti. Vendi i tij tani ishte në frontin e mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave të njeriut. Ndaj së bashku me mikun e tij, prof. A. Puton krijojnë “Forumin e të drejtave të njeriut”, një institucion demokratik jo politik, por humanitar, jo opozitar, por në rolin e oponencës shoqërore.

Në fillim nënkryetar e më vonë kryetar i Komitetit shqiptar të Helsinkit, ai për afro një dekadë do t’i përkushtohet i tëri kauzës së të drejtave të njeriut, duke filluar nga lirimi i të burgosurve politikë, mbrojtja e të drejtave qytetare, liria e mendimit dhe e shtypit, interesimi për fatin e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit, lufta kundër dhunës etj.

Veprimtaria e tij humanitare tani do të shtrihej jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë Shqipërisë. Ai dhe kolegët e tij do të ktheheshin në misionarë të lirisë, të të drejtave njerëzore dhe kombëtare. Udhëtimet e shpeshta nëpër botë, duke filluar nga Kosova e vendet fqinjë, nëpër Europë e deri në SHBA, do të kishin të bënin me takime pune me zyrtarë e diplomatë të huaj, me konferenca dhe bisedime, me kontakte me emigracionin shqiptar.

Kristo Frashëri gjithnjë i palodhur e i përkushtuar, në lëvizje sa asnjëherë, do të ishte në lartësinë e detyrave si historian dhe emisar i lirisë e paqes njerëzore në mbrojtje të së drejtës dhe parimeve demokratike.

Pas disa vitesh i angazhuar i tëri në veprimtarinë humanitare, Kristo Frashëri do t’i kthehej më në fund punës shkencore, madje si nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në këtë post të lartë, ai dha kontribute të vyera, sidomos për zgjidhjen dhe interpretimin e një vargu problemesh që kishin të bënin me çështjen kombëtare.

Artikujt, polemikat, Çala e tij në konferencat ballkanike, bisedimet e kontaktet me personalitete të huaja homologe etj janë disa nga foshat kryesore të punës së tij që i përballonte me përgatitje shkencore dhe kurajë nga pozita patriotike e demokratike.

Megjithëse koha kalonte, detyrat dhe angazhimet e Kristos nuk kishin të mbaruar. Koha e pensionit kish kaluar e mbikaluar. Ai tani ishte në prag të tetëdhjetave dhe s’kish zgjidhje tjetër veç të dilte në pension. Dhe ajo ditë erdhi jo për t’u qetësuar si gjithë të tjerët, por për të vijuar punën shkencore në kushte të tjera, duke qenë i lirë dhe i shkëputur nga zyra. Filloi kështu një periudhë tjetër pune, zgjimi i energjive intelektuale si asnjëherë tjetër. Vitet dhe gjithë ajo veprimtari shkencore shumëvjeçare e kishin mpakur e plakur fizikisht, por shpirtërisht e mendërisht kurrsesi, përkundrazi. Rinisi nga puna sikur të ishte në fillim të rrugës, ngarkuar me projekte, rrethuar me dokumente dhe skedarë të pafund, gjithë energji dhe optimizëm duke sfiduar moshën dhe haraçet e veprave të kaluara.

U “burgos” në studion e tij, u shndërrua në një martir të punës, gjithnjë i paepur e besimplotë, megjithëse dalëngadalë po i mpakej shikimi e dëgjimi, po i ngathtësohej dora, po kurrsesi truri, mendja, logjika dhe kujtesa, nervi i jetës aktive. Tani që po afrohen gati dy dekada nga rinisja, bilanci i punës së tij shkencore është thuajse i pabesueshëm.

Në këto vite profesor Frashëri ndërmori një varg studimesh historike, ekonomike, kulturore, ku përfshihen monografi e biografi, vështrime dhe shqyrtime historike-politike, kumtesa dhe artikuj problemorë, hartoi vetë ose me bashkautorë “Histori të Shqipërisë”, histori të qyteteve dhe fshatrave, histori të lëvizjeve politike, zhvilloi polemika dhe dha intervista të panumërta, botoi broshura të ndryshme dhe hartoi albume të rinj, përgatiti vëllime burimesh historike me dokumente, tekste shkollash etj.

Bibliografia e veprimtarisë së tij shkencore përfshin 360 zëra studimesh, nga të cilat mbi 30 libra.
Kështu mund të përmendim veprat e tij më përfaqësuese shkencore të periudhës postkomuniste si “Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Jeta dhe vepra (1405-1468) (2002), “Historia dhe përkatësia etnike e himaqotëve” (2004), “Historia e Tiranës” (2005), “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH” (2006), “Historia e qytetërimit shqiptar” (2008), “Historia antike e Kosovës, Dardania” (2008), “Monedha, krediti dhe banka në Shqipëri gjatë shekujve” (2011), “Historia e Dibrës” (2012), “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” (2012), “Abdyl Frashëri” (2013), “Etnogjeneza e shqiptarëve” (2013), “Sulejman Naibi dhe letërsia shqipe e shek. XVIII” (2013), “Ahmet Zogu, vështrim historik” (2014), “Fillimet e krishterimit në viset shqiptare” (2000), “Historia e Përmetit”, “Frashëri, shkëlqimi dhe rrënimi i tij” (2010), “Mbi historinë e Ballit Kombëtar” (2012), “Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera” (2006) etj.

Në bilancin e veprimtarisë shkencore të prof. Frashërit të kësaj periudhe përfshihen dhe një varg polemikash për probleme të historisë shqiptare dhe më gjerë,që nuk po i përmendim. Por ajo çka është shumë e rëndësishme të nënvizojmë në punën e madhe që ka zhvilluar ai është rrokja e tërë periudhave të hershme, nga lashtësia, Koha e Skënderbeut, Mesjeta, Rilindja, Shpallja e Pavarësisë, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Vlorës, Kryengritja e Qershorit 1924, Regjimi i Zogut, Okupacioni fashist, Lufta antifashiste, Koha e socializmit e deri te Tranzicioni demokratik.

Për tërë këto periudha dhe ngjarje historike, prof. Frashëri ka sjellë mendime dhe vështrime origjinale, ka bërë zbulime të reja dhe interpretime të thella shkencore. Pjesëmarrja dhe aktivizimi në lëvizjen revolucionare të kohës, kontaktet që herët me filozofinë marksiste, por dhe me shkollat e tjera filozofike, njohja me shkencat sociologjike dhe me teorinë e politikës, leximi i disa prej kryeveprave të letërsisë botërore,i dhanë atij një formim serioz e të gjithanshëm kulturor e mbi të gjitha përftuan te ai një botëkuptim shkencor, të frymëzuar nga materializmi dialektik dhe historik, të cilit i qëndroi besnik gjithë jetën.

Filozofia marksiste nuk do të ishte për të një qëllim në vetvete, por një udhëheqje për veprim, për të zbuluar e interpretuar fenomenet social-politike. Një platformë e frymëzim të tillë e gjejmë dhe në përshkrimin e jetës së tij. I mbështetur në kujtesën e tij të fortë, nga buron një pasuri e pafund kujtimesh, por dhe duke shfrytëzuar një varg dokumentesh autentike, të gërshetuara e të plotësuara me njëra-tjetrën, sjellin para lexuesit jetëshkrimin e një personaliteti, ku bashkëveprojnë rrëfimtari me historianin, gjë që i jep veprës vërtetësi të dokumentuar e bindëse, si dhe larmi emocionale.

Gjithë struktura e tij është ngritur mbi etapat kryesore të jetës, duke evokuar ngjarje të rëndësishme, pa rënë në vogëlsira dhe në subjektivizëm, por dhënA në një kontekst social e historik, me detaje domethënëse, populluar me personazhe të vërtetë, të cilët i portretizon dhe karakterizon objektivisht, i përmbahet një logjike bindëse e të arsyeshme, jep mendime dhe gjykime përgjithësisht të ekuilibruara, por zhvillon dhe debate dhe evokon pozicione të kundërta. Është i përmbajtur në emocione dhe i shmanget shfrimeve vetjake, siç nuk joshet nga fantazia letrare dhe retorika.

Pavarësisht nga jeta e gjatë dhe veprimtaria studimore shumëplanëshe, të marra këto në kontekstin social-historik të kohës, të ngarkuara me ngjarje e konflikte të mëdha, me situata tepër të vështira e me rreziqe nga më të ndryshmet, nuk mund të mos konstatohet, siç del nga libri i tij, se Kristo Frashëri, paraqitet një personalitet unik, njeri me karakter dhe konseguent, parimor dhe besnik i së vërtetës, i patrembur dhe i vendosur përballë situatave komplekse e konflikteve që zgjonin kufizimet e kohës.

Ndonëse gjatë luftës, por edhe pas çlirimit përjeton dramën e heshtjes, ai nuk bie kurrë në konformizëm e aq më tepër në servilizëm, po ngaherë dinjitoz, duke gjetur veten dhe kuptimin e jetës në punë. Puna dhe vetëm puna do të mbetej diviza e njeriut, e qytetarit, e historianit Kristo Frashëri. Nën këtë divizë evokohet dhe përshkruhet jeta e tij në libër. Procesi i punës i Kristo Frashërit paraqitet me një gamë të gjerë, që nga rrokja e temave kyçe, në shpirtin e tij kërkues, si një gjurmues i palodhur, i mirinformuar dhe me horizont të gjerë, sistematik e metodist, kritik e i rreptë, i saktë deri në hollësi e mbi të gjitha më ndërgjegje të lartë shkencore.

Një punë e tillë është kryer suksesshëm brenda jetës së tij që ka ecur në vijën e progresit, në krah të lirisë e të së drejtës, i udhëhequr nga e vërteta dhe për të vërtetën.
Kristo Frashëri është një zë origjinal në historiografinë shqiptare. Jeta e tij shkencore shpërfaqet qartë dhe bindshëm në librin e tij: ai është talent i fuqishëm në fushën e vet, tepër produktiv e i shumëllojshëm, i prirë nga shtigje të reja, shoqëruar me kurajë e argumente, me një bagazh jashtëzakonisht të pasur, serioz dhe kurajoz.

Veçanërisht në evokimin e jetës së tij është treguar i sinqertë dhe realist, çuditërisht pa kurrfarë nostalgjie e romantike. Mënyra e rrëfimit duket e thjeshtë, por mban peshën e së vërtetës, të argumentit dhe të informacionit të nevojshëm. Gjuha e të treguarit është e saktë dhe transparente, komunikatave dhe e rrjedhshme, gjë që e bën veprën tepër tërheqëse.

Në këtë rast më vijnë ndërmend fjalët e shkrimtarit dhe burrështetit anglez Benjamin Disraeli “Mos lexoni histori, por jetëshkrime, sepse kjo është jeta pa histori.” E tillë është dhe vepra e Kristo Frashërit “Jeta e një historiani”, ku autori, ndonëse është historian i dorës së parë, nuk vihet në këtë rol kur tregon për jetën e tij, edhe pse ajo është e gërshetuar dhe e pleksur me ngjarje historike.

Edhe sipas biografit të famshëm Emil Ludvig, “në përshkrimin e jetës së tij ka rëndësi qëndrimi i autorit, sa ai është në gjendje të zbulojë vetveten”. Kristo Frashëri e ka arritur këtë në librin e vet: të zbulojë dimensionet shpirtërore, raportet e veta njerëzore me realitetin e kohës, karakterin dhe botën e tij të brendshme, por të gjitha këto me sens mase, në përputhje e harmoni me natyrën e tij. Nuk gjen kurrfarë iluzionesh mitike, pra nuk i ngre mite vetes, që Noh i quan kuçedra më shtatë kokë, përkundrazi është modest dhe e njeh veten realisht ashtu siç është

. Ndonëse ..me kujtimeve është politika, ai nuk lë në hije jetën personale, por prapë tregohet i kursyer, deri dhe dhimbja për vëllain dëshmor jepet e përmbajtur, apo shmang ankesat dhe pakënaqësitë për padrejtësitë që i janë bërë, ndjehet qëndrimi burrëror dhe besimi në vetvete dhe në bindjet e tij. Dramën që përjetoj kryesisht gjatë luftës dhe në vitet e para të çlirimit e kalon me urtësi, heshtje dhe vetëpërmbajtje të admirueshme, por mbi të gjitha me korrektësi e përkushtim në kryerjen e detyrave gjatë luftës dhe me punë të pareshtur e produktive pas çlirimit.

I tillë paraqitet diagrami i jetës së gjatë e të pasur të qytetarit, luftëtarit, intelektualit dhe historianit Kristo Frashëri.

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode