KRIMI, SHTETI SHOQËRIA

17/07/2023 15:14

OPINION

 

KRIMI, SHTETI SHOQËRIA

Nga Viktor MALAJ

 

Ju jetoni në demokraci, jeni të lirë, mund të thoni çfarë të doni, të shkoni ku të doni, të krijoni parti e shoqata dhe t’i ndërroni ato sa herë t’ju teket. Ju mund të votoni për cilindo që dëshironi dhe mund të gjeni punën që pëlqeni, e megjithatë, ju jeni të pakënaqur, të mërzitur, të dëshpëruar e, madje, edhe agresivë. Pse?!

Sistemi politik në të cilin jetojmë dhe mënyra si e kemi ndërtuar atë janë aq larg pretendimeve, propagandës trushpëlarëse dhe të vërtetës së pretenduar saqë të krijohet përshtypja se je i marrë ose nuk kupton asgjë nga realiteti në të cilin jeton. Njëri nga fenomenet më negativ, më antidemokratik dhe të pamoralshëm që ka ngulur rrënjë në shoqërinë shqiptare dhe në funksionimin e shtetit është kriminalizimi i gjithanshëm dhe i thellë i tyre.

Ne kemi parti politike me shumicë, bëjmë zgjedhje “të lira” dhe ndërrojmë qeveri, por fenomeni mbetet dhe, madje, përkeqësohet. Kjo tregon se bartësit dhe manifestuesit e së keqes nuk janë vetëm në një krah politik dhe as mund të kufizohen vetëm tek një grusht individësh politikë. Shkaku kryesor që shqiptarët braktisin vendin e tyre pa ndalim nuk është varfëria ekonomike, por, para së gjithash, padrejtësia e thellë e trajtimit të tyre gjithnjë në shkelje të ligjit, të normave morale, por kurdoherë në varësi të “peshës” së tyre ekonomike dhe politike.

Shikoni me vëmendje çfarë i kemi bërë vendit tonë këto tri dekada. Kemi ndërtuar hotele, restorante, vende pushimi apo qiellgërvishtës madhështorë, kryesisht me paratë e krimit e të korrupsionit, dhe ia shesim popullit si rezultate dhe arritje të “demokracisë”, por, nga ana tjetër, kemi lejuar grabitjet e pasurive kombëtare e individuale nga njerëzit “e fortë”, domethënë nga banditët e lidhur me politikën dhe nga politikanët banditë.

Provoni të filmoni me dron apo të udhëtoni me avion dhe të shihni se asnjë popull tjetër në Evropë, në Lindje apo Perëndim, nuk ka zaptuar pronat e të tjerëve, nuk ka ndërtuar pa leje dhe pa plane urbanistike, nuk ka shpërfytyruar malet e kodrat e pyllëzuara, as mjediset e përbashkëta siç kemi bërë ne. Gradualisht, me mbështetjen dhe përfitimet e politikës, kemi krijuar “të fortët”, jo vetëm oligarkët e paskrupuj, por edhe banditët ordinerë që kanë siguruar licenca për shfrytëzimin, në të vërtetë grabitjen, e pyjeve, minierave, lumenjve, bregdetit, guroreve etj.etj

Politika është lidhur ngushtësisht me këto kategori shoqërore kundërpopullore dhe kundërkombëtare, ka përfituar prej tyre ekonomikisht dhe politikisht. Tani kemi ardhur në pikën ku është vështirë të dallohet kufiri midis politikës dhe krimit, politikanit dhe banditit, shtetit dhe antishtetit. Drejtësia ka mbetur një ëndërr që zhgënjen përditë qytetarin e zakonshëm dhe lumturon përherë ligjshkelësin, spekuluesin e pamoralshëm. Secili politikan apo grupim politik premton reforma dhe shtet të së drejtës, por e drejta, barazia para ligjit dhe morali qeverisës kanë mbetur pengje të kriminalizimit të thellë të jetës sociale e politike, të lidhjeve të hapura dhe të fshehura administratë shtetërore-botë e krimit. Deri kur kështu ma?!

Rasti më i fundit i ngjarjes së Krujës, ku një fis i tërë rrëmben armë zjarri dhe shkopinj e iu vërsulet dy njerëzve të pafajshëm vetëm pse ata kishin denoncuar veprimtarinë e tyre ekonomike të paligjshme dhe të rrezikshme, është shumë domethënës. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm por pjesë e një kategorie të caktuar shoqërore dhe e një tipologjie sjelljeje gjerësisht të përhapur në Shqipëri. Ata simbolizojnë pikërisht bandat e “të fortëve” që, jo pa arsye, besojnë se kanë përkrahje politike në masën që i bën të paprekshëm nga ligji. Është në turpin tonë si shoqëri ky tregues i kriminalizimit të politikës shqiptare.

Është turp shtetëror që bandave të tilla iu është lejuar të zhvatin pasuritë kombëtare si miniera, lumenj e male dhe, përveç grabitjes së këtyre pasurive, shkaktojnë edhe shëmtime të pariparueshme të natyrës, mjedisit në të cilin jeton shoqëria shqiptare. Kush ka udhëtuar me avion nga Shqipëria drejt vendeve të tjera ka parë me trishtim se sa të shëmtuara duken nga lart, por edhe gjatë udhëtimeve automobilistike, të ashtuquajturat gurore. Ambienti natyror dhe urbanistika janë dy “ekspozitat” e para që një popull dhe vend iu paraqet të huajve.

Futja në dorë e pasurive kombëtare dhe pasurimet e paligjshme kryesisht nga bota e krimit janë një dëm shumë i madh dhe me pasoja afatgjata për popullin shqiptar. Janë këta njerëz pa din e iman që, pasi pasurohen me këto rrugë e mjete, ndikojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi politikën, politikëbërjen dhe drejtësinë jo vetëm nëpërmjet nismave për t’i bërë, ndryshuar dhe përshtatur ligjet por edhe gjatë procesit të zbatimit të tyre. Përrallat e përditshme e përnatshme me “liri e demokraci” vjen një ditë që kuptohen nga shumica e njerëzve dhe, kur “thika vjen në asht”, pastaj nis reagimi popullor i cili mund të jetë i papritur dhe me pasoja të paimagjinueshme për vendin, por edhe për fajtorët kryesorë të gjendjes.

Akti i fisit Rrahja, që nuk është i vetmi, është shumë domethënës. Duke u ndjerë të mbrojtur politikisht dhe të fuqishëm ekonomikisht, prandaj edhe të paprekshëm ligjërisht, këta guxojnë marrëzisht t’u “tregojnë vendin” viktimave të tyre. Nuk ndalen tek veprimtaria ekonomike e paligjshme që zhvillojnë, por prishin qetësinë dhe sigurinë e qindra apo mijëra banorëve përreth. Kur denoncohen, organizojnë hakmarrje kriminale, e filmojnë reagimin e tyre dhe e fusin në rrjetet sociale për t’iu treguar të tjerëve se çfarë i pret nëse i kundërvihen sjelljes dhe veprimtarisë së tyre amorale dhe të paligjshme.

Guxim i marrë që rrezikon jetë njerëzish. Drejtësi e turpshme dhe kundërpopullore e përbërë nga njerëz të korruptuar. Ndërsa Reforma në drejtësi vagullon tutje në horizont.

“Trimat” e këtij rasti u çuan në burg. Nga ana tjetër, u bënë shkarkime zyrtarësh dhe u dhanë dorëheqje nga të tjerë zyrtarë, por problemi nuk do të zgjidhet, për aq kohë sa shteti dhe qeverisjet të mos prishin përfundimisht marrëdhëniet me “të fortët”, domethënë me njerëzit e krimit. Individë si këta të ngjarjes së fundit ka në çdo qytet dhe krahinë. Janë këta që marrin përsipër “sigurimin e votave” për këtë ose atë parti apo individ politik, që shoqërohen me deputetë, kryetarë bashkish apo zyrtarë të tjerë shtetërorë.

Shumica e qytetarëve shqiptarë i njohin këta persona në vendbanimet e tyre dhe, megjithëse i urrejnë, janë të detyruar që, kur kanë halle apo duan të kërkojnë një të drejtë, t’iu drejtohen atyre për ndihmë. Këta elementë realisht kriminalë fillojnë e shfaqen pastaj si bamirës dhe bëjnë sekserin midis popullit të thjeshtë dhe administratës shtetërore apo sistemit të drejtësisë, në këmbim të mitmarrjes ose votave në zgjedhjet e ardhshme.

Në këtë mënyrë, për shumicën e popullit shqiptar, ekziston “drejtësia” e botës së krimit dhe jo shteti ligjor. Duke premtuar dhe siguruar vota, këta banditë gjejnë mbështetje në institucionet shtetërore nga baza në qendër, sigurojnë licenca e privilegje të tjera të paligjshme.

Shikoni çfarë ndodh thuajse në çdo qytet të Shqipërisë dhe, kryesisht, në Tiranë. Trafikun e lëvizjes e bllokojnë dhe e shpërfytyrojnë një pakicë horrash që nuk përfillin ligj, as shtet dhe as popull. Është e shëmtuar kur udhëton në rrugët kryesore të hyrjes në Tiranë dhe ndeshesh në dhjetëra makina të shtrenjta dhe luksoze që kanë ndaluar në korsitë kryesore për minuta të tëra duke i bllokuar trafikun shumicës. Dhe këtë shëmti ke mundësi ta shohësh çdo ditë.

Në rastin e Krujës, pas marrjes së denoncimit “për shkatërrim të pronës”, prokuroria nuk ndërmerr asnjë veprim ligjor për bllokimin e menjëhershëm të asaj veprimtarie, por mjaftohet me dërgimin e ndonjë shkrese policisë rajonale.

Nga ana e saj policia jo vetëm druhet të ndërhyjë, por elementë nga radhët e saj njoftojnë palën e paditur se kush ishte paditësi, duke na dhënë prova se në radhët e policisë ka individë të veçantë po aq kriminalë sa këta të gurores.

Është e dhimbshme dhe shumë domethënëse që njerëz pa dinjitet, madje batakçinj të spikatur, pasanikë hajdutë dhe hajdutë ligjshkelës të tregojnë episode apo fotografi që provojnë takimet e tyre me Kryeministrin apo ministra të veçantë, ndërsa njerëzit e thjeshtë duhet të bëjnë kërkesa me shkrim dhe të presin me ditë e muaj për të takuar një zyrtar të lartë shtetëror.

Një bandit i pashkollë në Lezhë, organizator i tjetërsimit të pronave shtetërore në vitin 2017, i dënuar me burgim, bën video me të cilat kërcënon administratën shtetërore, deri tek Kryeministri, dhe i fut në rrjetet sociale. Organet e shteti shqiptar jo vetëm nuk e gjejnë e dërgojnë në burg të kryej dënimin e dhënë nga gjykata, por administrata e Kadastrës Shtetërore rajonale, e frikësuar nga banditë të tillë, iu bëhet pengesë denoncuesve për regjistrimin e pronave të tyre të ligjshme, të kthyera me vendim gjyqësor të formës së prerë. Kur pala e dëmtuar dhe denoncuese përpiqet t’i ankohet Kryeministrit me mesazhe telefonike, ndesh në shpërfillje.

Është vrastare dhe shumë domethënëse heshtja e atij që, në takimet paselektorale falënderuese për votëbesimin, nuk linte vend pa folur për “njerëzillikun” që duhet të tregojë administrata shtetërore në marrëdhëniet me popullin.

Dashuria pa maskë e zotit Kryeministër për oligarkët dhe kategoritë e lartpërmendura mund të vijë një ditë që të ndëshkohet jo vetëm me votë. Kur njeriu është në pushtet i duket vetja mbinjeri, megjithëse është po aq i pambrojtur ndaj disa fenomeneve sa ç’ishte dikur në djep. Ka rrebeshe nga të cilat nuk të mbron dot as çadra e pushtetit dhe as lajkat e ambasadorëve si shpërblim për favore e joshje ekonomike, politike e servile.

Do ishte në të mirë të shoqërisë që edhe z. Rama dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij të mendojnë edhe për periudhën paspushtet pasi, ashtu siç lëshon ai sot, me të drejtë, bashkëqeverisësit e tij ligjshkelës, ashtu të lëshojnë nesër pasardhësit politikë, oligarkët politikëbredhës, punonjësit e drejtësisë dhe misionarët diplomatikë.

Nuk mjafton vetëm ndëshkimi i fajtorëve të rastit të fundit. Nevojitet ndëshkimi i vetë sistemit që ka krijuar politika e papërgjegjshme në çdo cep të vendit. Sistemi politik dhe shoqëror i krijuar nuk ka kurrfarë lidhjeje me demokracinë, por është një përzierje e rrezikshme oligarko-kriminale.

Populli shqiptar do të jetojë në një sistem demokratik vetëm atëherë kur politika do të shkëputet qartë dhe prerë nga bota e krimit. Vetëm atëherë personazheve të tillë, si këta të Krujës nuk do t’iu shkojë në mendje të kryejnë krime sfiduese ndaj shtetit.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode