KRAKËLLIMAT LUFTËNXITËSE TË KORBAVE POLITIKË
01/12/2017 16:53
OPINION
KRAKËLLIMAT LUFTËNXITËSE TË KORBAVE POLITIKË
Viktor MALAJ
“Kryeministër, kurseja Shqipërisë një ’97 të dytë!”- Petrit Vasili
Pakkush mund ta vërë në dyshim që Shqipërisë dhe shqiptarëve iu nevojitet një qeverisje më e mirë se kjo që kemi. Po ashtu, pakkush me arsye të shëndoshë beson se kjo qeverisje më e mirë mund të vijë nga ata që populli shqiptar i largoi me votë, sepse e shfrytëzuan qeverisjen për të majmëruar veten dhe klanet e tyre me pasuri të zhvatura në forma të paligjshme. Fakti që përballë qeverisë aktuale ndodhen një grup politikanësh pa vlera, tashmë të diskredituar, mund të jetë fatmirësi për qeverisësit e sotëm por, pa asnjë dyshim, përbën fatkeqësi për popullin shqiptar dhe të ardhmen e tij. Përbën fatkeqësi sepse nuk i shtrëngon sa duhet qeverisësit aktualë të përmirësohen dhe, akoma më keq, paralajmëron mundësinë e një qeverisjeje të ardhshme edhe më të padenjë në rast rotacioni.
Për shkak të së kaluarës së padenjë dhe për shkak të sjelljes dhe qëndrimeve të sotme të papërgjegjshme udhëheqësit kryesorë të opozitës aktuale shqiptare nuk shfaqin asnjë vlerë të qenësishme para popullit. Nga kundërshtues të veprimeve të gabuara të pushtetit, siç duhej të ishin, ata janë kthyer në kundërshtarë të marrë të gjithçkaje që ndodh në Shqipëri dhe që lidhet ose jo me qeverinë. Nga instrument ndreqës i të metave dhe gabimeve politike qeverisëse ata përpiqen të luajnë rolin e mohuesve, bllokuesve dhe shkatërruesve të çdo veprimi të pushtetit, pavarësisht nëse është i drejtë apo jo, i ligjshëm apo i paligjshëm.
Një grup individësh politikë, të padëshiruar dhe të papranueshëm për shumicën e shqiptarëve, kërkojnë që të fitojnë simpatinë dhe përkrahjen e popullit, jo duke ndrequr së pari veten e tyre, duke pranuar e dënuar sjelljet dhe fajet e kryer për të cilët edhe i ka ndëshkuar populli, por duke nxirë pa pushim dhe pa kufi gjendjen aktuale dhe, pastaj, duke kaluar deri në kërcënime dhe thirrje kobzeza për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Politikanë dhe parti politike që merren me tymin nëpër shkolla, me gjobat e policisë në rrugë, që kundërshtojnë vjeljen e ligjshme të taksave nga institucionet përkatëse apo që çdo investim që bën qeveria sipas buxhetit të miratuar përpiqen t’ia shesin popullit si vjedhje të bërë nga kryeministri dhe ministrat, e të tjera si këto, nuk mund të jenë tjetër veçse batakçinj që pengojnë funksionimin normal të shtetit. Disa nga këto figurina politike janë aq toksike sa helmojnë jo vetëm dëgjuesit që duan një qeverisje më të mirë, por edhe vetë formacionin politik që sundojnë apo bëjnë pjesë si “elitë”.
Pasi e panë se dështuan në pengimin e Reformës në Drejtësi dhe si të tillë u stigmatizuan edhe nga bashkësia ndërkombëtare por dhe nga shumica e shqiptarëve, tani derdhin lot krokodili dhe na thonë se reformën në drejtësi mund dhe duhet ta bëjnë vetëm ata. Pasi u bënë qesharakë deri në bezdi me epopenë e Çadrës ku patën shpallur “Republikën e Re” dhe nga i dërgonin kryeministrit legjitim ultimatume për dorëheqje, dolën prej saj të ngazëllyer ngaqë kryeministri u bëri shumë lëshime politike, tani kanë vënë kujën dhe na thonë se Rama ua ka hedhur, se “Nuk ka konsensus të PD-së me këtë qeveri, me këtë mazhorancë dhe me Edi Ramën.
Opozita është totalisht kundër kësaj qeverie për jetë a vdekje” (L. Basha). Vini re: për jetë a vdekje! Ky është morali dhe koncepti për demokracinë dhe opozitarizmin i “të shkolluarve në Perëndim”. Fatkeqësisht, shkollat, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, nuk përgatisin dhe as japin diploma që vërtetojnë qenien “njeri”, por thjesht për teknikë në fusha të caktuara. Qenia ose jo njeri, pasja ose jo moral dhe dinjitet është diçka vetjake dhe formohet e ndikohet edhe nga shumë faktorë të tjerë që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me shkollën.
Sjelljet e kësaj skote politikanësh janë tipike për individë me personalitet të shformuar dhe të keqmësuar me pushtet të pamerituar dhe të shpërdoruar. Duhet të jetë e padurueshme dhe e papërballueshme për ta që, nga sundimtarë të papërgjegjshëm dhe fodullë, ta shohin veten në rolin e tellallëve të papërfillur dhe, madje, të tallur.
Duke qenë me ndërgjegje të pavrarë për çfarë kanë bërë në të shkuarën ata bëjnë çmos të turbullojnë të sotmen për t’u ringjitur atje ku ishin dhe ku s’e meritonin dhe as e meritojnë të jenë. Por, duke u ndjerë të pashpresë, hakërrehen për turbullira, “revolucion”, përmbysje dhe kaos.
Megjithëse votimet kanë përfunduar dhe, siç thotë Komisioneri i BE-së, Johanes Han, “Rezultatet e zgjedhjeve ishin një vendim i qartë politik dhe votuesit e kanë thënë qartë fjalën e tyre… Ne kemi investuar shumë dhe rezultati do të jetë një anëtarësim në BE”, korbat politikë të mbetur pa pushtet predikojnë se “Qeveria që lindi sot nga gropa e ujërave të zeza të votave të drogës dhe të krimit asgjësoi që në lindje të saj integrimin evropian…”. Kështu thotë shkollëshumi P. Vasili. Megjithëse Perëndimi thotë se “Jemi shumë të kënaqur me përparimin që ka arritur Shqipëria… Ne mbështesim qeverinë që ka dhënë shembullin…” (Hoyt Brian Yee), opozitarët “atdhetarë” kërcënojnë se “Në Shqipëri nuk do të ketë as stabilitet, as rend, as drejtësi, as liri, as demokraci, as përparim me Edi Ramën në krye të qeverisë” (L. Basha).
E, ndërsa raportuesi për Shqipërinë në BE, Knut Fleckenstein thotë se “Për shkak të punës së mirë të qeverisë, si dhe të parlamentit, unë jam i sigurt se negociatat (me Shqipërinë- V.M.) do të fillojnë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm” dhe “Procesi i Vetingut, në përgjithësi, po shënon progres dhe është në drejtimin e duhur” (Gjenoveva Kalavera- Kryetare e ONM-së), për opozitaren shqiptare, “qelibaren” Kryemadhi ,”Sot e kësaj dite kjo reformë ka rënë”.
Drejtuesit kryesorë të opozitës politike shqiptare përpiqen të bindin popullin se ata janë misionarë të luftimit të krimit në Shqipëri dhe se do të jetë fatlume dita kur atyre t’ua besojnë shqiptarët këtë mision. Kur i shikon dhe i dëgjon çdo ditë këto figura të konsumuara politikisht për shkak të mjerimit moral, kur kujton sjelljet dhe bëmat e tyre në pushtet, vetvetiu pyet veten: Janë apo nuk janë pikërisht ata që i kishim deri dje mbi krye?
Këta, me demek, do të na sjellin “demokracinë e vërtetë”. E cila qenka kjo “demokraci e vërtetë”, ajo që na e patën demonstruar sa herë kanë qenë në pushtet? Këta shfaqen si kryqtarë të luftës antikanabis dhe na garantojnë për demokraci, por njeriu i thjeshtë u thotë më shumë me mendje se me zë: nuk e kemi harruar “demokracinë e Balilëve dhe të Lazaratit”; këta përbetohen për luftë kundër korrupsionit, por qytetarëve u ndjellin në kujtesë “demokracinë e Rrugës së Kombit dhe të CEZ-it”, nga zhvatën qindra milion euro; këta derdhin lot krokodili për lirinë e medias dhe të qytetarëve, por popullit i kujtojnë “demokracinë e 21 janarit 2011 dhe të djegies së gazetës “Koha Jonë” në 1997″; këta premtojnë përgjegjësi atdhetare në qeverisje, por na sjellin ndërmend “demokracinë e Marrëveshjes së Detit”. Janë të njëjtët apo na bëjnë sytë, xhanëm?
Opozita e sotme flet për shkëputje të lidhjeve të politikës me krimin dhe ka shpalosur dhe tund flamurin Habilaj. Jam në krahun e tyre, por nuk besoj se Habilajt janë më të rrezikshëm dhe më të dëmshëm se bosi i Santa Quarantas të cilin këta opozitarë e kishin graduar zyrtar të administratës së tyre. Me gjithë neverinë që ndiej ndaj trafikantëve të drogës, me gjithë krupën që më shkakton arratisja e oficerëve të lartë të policisë, veprim që flet shkoqur për bashkëpunimin e tyre me trafikantët, nuk mund të besoj se Habilajt janë më të dëmshëm dhe më të përbuzshëm se tutori i prostitutave të Shkodrës, “Tata” i cili, së bashku me dy nga “vartëset” e tij kaluan disa net në “Çadrën e Lirisë” të opozitës në maj 2017, duke ndihmuar në sjelljen e “demokracisë së vërtetë” për shqiptarët dhe Shqipërinë. Apo jo?
Dhe, nuk mjaftohen me vrerin e derdhur brenda vendit por besojnë se do të impresionojnë edhe të huajt kur u thonë se “Edi Rama është jo vetëm rrezik kombëtar por edhe rajonal ” ( M. Kryemadhi ) apo “Nënvizoj se Shqipëria shërben si bazë e operacioneve për organizatat rajonale të krimit të organizuar ” ( L. Basha ). Ky vrer mund t’iu sjellë buzëqeshje vetëm fqinjëve lakmitarë dhe pretendues të kahershëm të domosdoshmërisë së copëtimit dhe sundimit të shqiptarëve për shkak të ” mosaftësive shtetformuese “.
Si për të dashur t’i mbyllë në kafazin e turpit të gjithë korbat e zhurmshëm politikë të Shqipërisë, Sekretari Amerikan i Shtetit Reks W. Tillerson tha: “ Vlerësojmë thellësisht kontributet e Shqipërisë në NATO dhe në Koalicionin për Mposhtjen e ISIS si dhe promovimin nga ju të stabilitetit në rajon. Përgëzojmë qeverinë e Shqipërisë për përpjekjet e saj të vazhdueshme për të vënë në zbatim reforma kyçe, përfshirë reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit si dhe luftën kundër krimit të organizuar “.
E, ndërsa karagjozllëqet e Bashës, përçartjet e Shehit, pafytyrësia e Mediut apo budallallëqet e Ndokës edhe mund të anashkalohen për një a disa çaste, hakërrimat dhe thirrjet e përsëritura ogurzeza të Petrit Vasilit për përsëritje të ’97 meritojnë vëmendje, neveri dhe ndëshkim moral, politik e deri penal.
Një individ politik që pranoi ta përdornin si xhol në lojën politike partiake për të bërë tranzicionin familjar të udhëheqjes politike ka meritën se është i vetmi kryetar partie në botë që jep dorëheqjen nga drejtimi partiak pasi ka pohuar se, nën drejtimin e tij, partia kishte arritur rezultatin më të lartë historik në zgjedhje. Tani, ky farë burri, është aleat me PD-në që mbajti në krye si drejtues formal të njëjtin individ që e çoi partinë në rezultatin më të ulët në gjithë historinë e saj elektorale.
Një individ politik që ka drejtuar disa dikastere qendrore dhe nuk është në gjendje të tregojë një arritje nën drejtimin e tij, nëse nuk quhen arritje gradimi i të dënuarve ordinerë si drejtorë burgjesh apo vendosja në zyrat dhe drejtimin e ZRPP-ve të bashkive të individëve të inkriminuar që kanë bërë kërdinë me vjedhjet e tokave në Sarandë, Vlorë, Fier, Kavajë, Lezhë dhe Shkoder, ky individ, pra, po përpiqet të bëjë skifterin politik, të na premtojë efikasitet dhe moral politik në një qeverisje të ardhshme të përbërë prej tij dhe stanit ku është duke kullotur. Dhe, jo vetëm kaq por, duke mos duruar qenien pa kolltukë politikë, i kërcënon dhe traumatizon shqiptarët me përsëritjen e një tjetër ’97.
Thellë në vetëdijen e vet, Vasili shpreson dhe beson se mund të vijë një ditë e tillë kur shqiptarët të kenë harruar pasojat e vitit 1997 dhe për rehatinë e të ndenjurave të vasilëve do të djegin Shqipërinë dhe vrasin njëri-tjetrin. Përsëritja e vitit 1997, fatmirësisht, nuk ka gjasa të ndodh edhe pse iu intereson të ndodh tri kategorive shoqërore: politikanëve të diskredituar, pa din dhe iman të Shqipërisë; një numri jo të vogël ish-zyrtarësh thellësisht të inkriminuar që tani janë duke u hequr nga puna apo duke u ballafaquar me drejtësinë dhe shpresojnë se kaosi do t’i shpëtonte nga përgjegjësitë e veprimeve korruptive të kryer në të kaluarën e afërt; gjithë lumpeni për të cilin rënia e shtetit dhe kaosi janë ditë festash dhe “aksionesh” kriminale fitimsjellëse.
Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të përpiqen për përmirësimin e qeverisjeve të tyre, vendore dhe qendrore, t’i ndryshojnë ato nëpërmjet proceseve të rregullta ligjore dhe të refuzojnë me neveri batakçinjtë e dështuar dhe korbat politikë që kërkojnë të sakrifikojnë Shqipërinë për hir të interesave meskine dhe shuarjes së epsheve të veta sunduese dhe përfituese.
Leckat e përdorura dhe të keqpërdorura politike nuk mund të shërbejnë për fshirjen e “syzeve” me të cilat shikohet dhe projektohet e ardhmja.
DITA