KOPERTINA / QË PROTESTA E STUDENTËVE TË BËHET HISTORIKE

09/12/2018 07:50

OPINION

 

 

KOPERTINA / QË PROTESTA E STUDENTËVE TË BËHET HISTORIKE

 

Nga Jorgo MANDILI

 

Lajm i mirë që studentët u ngritën në protesta. E flakën frikën dhe me parulla të ish studentëve të 8 dhjetorit marshojnë rrugëve të kryeqytetit për katër ditë me rradhë. Shumë mirë bëjnë që protestojnë.

Por kërkesat e tyre për tarifa të ulta apo arsim falas janë të diskutueshme. Kjo tregon se organizimi dhe kërkesat e tyre nuk zgjidhin problemin real të universiteteve, që janë në gjendje të atillë sa që edhe me tarifa zero të bëhet unë nuk dërgoj asnjë nip apo mbesë sepse e para, profesorët e këtyre Universiteteve ku ata vetë japin mësim nuk i çojnë fëmijët e tyre. Po ashtu deputetë politikanë, biznesmenë e zyrtarë të lartë.

Përse do të thoni ju? Për faktin se e dinë mirë se çfarë niveli kanë dhe se çfarë diplome marrin. Bëni një sondazh dhe do t’a mësoni këtë të vërtetë.

Arsyeja e dytë lidhet me frekuentimin. Po të shikosh klubet afër të gjitha universiteteve janë plot e përplot gjithë ditën me studentë. Kur përgatiten? Kur i frekuentojnë leksionet, laboratorët, bibliotekat? Libra nuk kanë, konspekte, konsultime, projekte detyra nuk u kërkon njeri se pedagogët janë të dypunësuar e nuk interesohen fare për studentët e tyre. Mirë që kanë të paktën një fletore në dorë apo në xhepin e pasëm. Një rrumpallë studentore.

Atëhere a mund të edukohen me ndjenjën e punës edhe ata të paktë studentë të motivuar për të studiuar në këtë mjedis rrumpallë? Ata që e kanë kuptuar këtë dhe i kanë mundësitë ikin jashtë. Konkurrojnë në universitetet perëndimore se sa të harxhojnë kohë, energji, mund, djersë e stres me formularët e Nikollës, që i fut në labirinthet e udhëzimeve e rregullave idioteske.

Gjendja

Në terma më konkretë tek ne ekziston një sistem universitar;

-statik e konservator, me struktura pedagogjike relativisht të ngurtësuara, me veprime të nxituara për të hapur programe të reja studimi (pa u konsultuar me grupet e interesit), ku mbizotëron arsimi tradicional, verbal dhe arkaik, ku disiplina mësimore dhe shkencore mungon, ku mediokriteti dhe paaftësia e stafit prevalon, ku detyrat, esetë, projektet që iu jepen atyre, shpesh kopjohen apo shkarkohen të gatshme nga interneti, ku madje edhe temat e diplomave janë plagjiaturë dhe akoma më keq shiten edhe nga pedagogët,ku mungon baza materialo-laboratorike,ku mungojnë bibliotekat në funksion të programeve të studimit,ku mungojnë kampuset universitarë për akomodimin qytetar të studentëve, ku korrupsioni dhe nepotizmi e përshkon si “fill i zi” të gjithë veprimtarinë universitare.

-I menaxhuar keq nga rektorë (pa llogaritur dekanët dhe përgjegjësat e departamenteve) anonimatë, gjenetikisht të paaftë për tu vetëfaktorizuar si lidership akademik, dëshmi është mungesa e një strategjie vizionare, ndërkohë që ndesh probleme të panumërta dhe të mbivendosura në çdo nivel, mungesa e një planveprimi për ta nxjerrë universitetin nga ngërçi akademik dhe shkencor, pa konkurrencën e brendshme, me një staf akademik me integritet copë – copë dhe profil të rrënuar, pedagogë mediokër, që shesin diploma dhe studentë “renzobossi” që i blejnë me nivelin më të ulët të mësimdhënies, (që nga koha e krijimit të universiteteve) jashtë standardeve universitare, pa kualifikimin e nevojshëm pedagogjik të pedagogëve të jashtëm (një armatë e tërë gjyqtarësh, prokurorësh, policësh , mjekë, agronomë, administratorë, gjithëologë etj) me një këmbë në zyrë dhe tjetrën në universitet, guxojnë të lektojnë para studentëve (kuptohet nëqoftëse do kishte studentë të interesuar dhe të motivuar për t’u bërë “dikushi”, atëherë as këta të jashtmit dhe as efektivët nuk do të guxonin të “luanin” me ta, siç bëjnë tani me “studentët askushë”)

-Ku leksionet në më të shumtën e rasteve lexohen apo demonstrohen me power point etjtandartet akademike sot e konsiderojnë leksionin që shpaloset para studentëve, jo vetëm si një volum i caktuar dijesh, por mbi të gjitha si një bisedë prestigjoze interaktive, jo se ai thjesht paraqet shtrimin e një problem dhe zgjidhjen e tij, por se dhe kërkimi i zgjidhjes së tij, fut në vetvete domosdoshmërinë e bazimit teorik të tij, zbulimin logjik të lindjes së tij.

— ku dy apo tre punësimi i një pjese të mirë të pedagogëve ka ulur ndjeshëm nivelin shkencor dhe profesional të veprimtarisë akademike në universitetet publikë dhe në mënyrë fiktive mban “në këmbë” universitetet private me këto “frymëra të vdekura” (jo të Gogolit, por të Nikollit).

-ku ekziston kaosi akademik dhe shkencor. Nuk ka një botë akademike si dije nga njëra anë dhe si shkencë nga ana tjetër. Nuk ekziston askund asnjë shkencë shqiptare, në asnjë universitet. Ekziston “trafik shkencor”, kllounëri shkencore, plagjiaturë,abuzivizëm me gradat shkencore dhe titujt akademikë,vegjetim dhe menopauzë intelektuale.

Atëhere përse duhet t’i dërgojnë prindërit fëmijtë e tyre në këtë “ferr” universitar? Që i pajis ata me një diplomë mediokriteti dhe papunësie?

Dhe kjo rrjedhojë e marrëzisë së masivizimit të arsimit të lartë nga liria”pa fre”dhe politikat “pa tru”. Nga anarshia dhe nga mungesa e një vizioni profetik për të ardhmen. Nga një klasë politike adoleshente dhe qeveri të papërgjegjshme që janë tallur me hapjen e universitetet, pa standarde, pa staf të kualifikuar, pa bazë materiale. Më lehtë ishte të hapje një universitet se sa një kioskë. Gjithmonë për efekte elektorale!

Dhe tashmë kemi 12 universitete publike dhe mbi 30 universitete piramidale private ,të denjë për një shtet mbi 40 milionësh.A duhet rishikuar koncepti universitet? A mund të edukohen si tani kaq shumë njerëz? A është e mundur të garantojmë cilësinë? A ka profesione që për arsye të theksimit praktik ,thelbësor nuk meritojnë studime universitare?

Ndryshimi

Një reformë radikale universitare është bërë emergjencë kombëtare,që të mos pendohemi nesër për rrënimin intelektual të shoqërisë shqiptare. U premtua nga Rilindja por deri tani vetëm show është demonstruar me mbylljen selektive të disa universitetet private në prag falimentimi dhe një ligji të Arsimit të Lartë,shumë i diskutueshëm dhe debatueshëm,por që ka mbetur rrugëve

Një reformë radikale,që kërkon vizion dhe menaxhim europian, lidership politik dhe akademik të standardeve bashkëkohore, mjete financiare dhe burime njerëzore të kualifikuara, që t’a transformoni këtë sistemin te vjetër anakronik dhe jo efiçent të përhapur në të 12 “ngrehinat”universitare, në një sistem universitar model, me kurrikula bashkëkohore, me një staf akedemik-shkencor të formuar në mënyrë të plotë , me një sistem informativ modern si dhe me krijimin e mjediseve dhe kushteve të përshtatshme për studentët dhe stafin.Vetëm me këtë vizion universiteti realizon misionin e vet për të cilin është krijuar.

Cilat duhet të jenë kërkesat e studentëve që do té përbënin kauzën substanciale për një revolucion KOPERNIKAN në arsim ,të ngjashëm me atë që e kanë bërë vëndet e zhvilluara europiane në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar?

1– Një projekti kombëtar i qëndrueshëm, (që të ndryhojë sipas humorit apo interesave të çdo qeverie të radhës ), dhe inteligjent për një gjeneratë të re, ku në qendër të këtij projekti te ishin reformat arsimore me një strategji dhe me synime të qarta: a) edukimi i individëve të lirë e krijues, qytetarë të dobishëm për shoqërinë ; b) evidentimi i prirjeve individuale në përputhje me kapacitetet dhe interesat e tyre intelektuale për vazhdimin e mëtejshme të studimeve universitare ose profesionale ; c) pajisja me kompetenca akademike dhe metodologjike për të studiuar gjatë gjithë jetës për t’u përshtatur me ndryshimet e shpejta të shoqërisë globale.

2–Një filozofi e re menaxhimi dhe e administrimi që t’a transformojë sistemin e vjetër dhe jo efiçent universitar, në një sistem universitar model, me kurrikula bashkëkohore, me një staf akademik-shkencor të formuar në mënyrë të plotë , me një sistem informativ modern si dhe me krijimin e mjediseve dhe kushteve të përshtatshme për stafin dhe studentët.

3–Një metodologji të qartë për perfomimin e kurrikulave .Ato janë të dizajnuara dhe të imponuara vetëm nga Universiteti dhe jo të perfomuara si oferta të integruara me kërkesat e tregut dhe shoqërisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me ata që janë konsumatorë të këtyre produkteve humane Nga ana tjetër, e veçanta e kësaj kurrikule duhet të jetë garantimi i një standardi të lirisë studentëve, që duke i vendosur ata në qendër të skemës për formimin dhe vetformimin e tyre të vazhdueshëm nëpërmjet kërkimit dhe hulumtimit individual dhe në bashkëveprim me të tjerët,t’u krijojë mundësinë e zgjedhjes së lëndëve për formatimin e programit të studimeve të veta. Kjo liri i bën ata aktorë të formimit profesional dhe menaxherë të aftësive të tyre intelektuale, njëkohësisht duke edukuar tek ta identitetin individual, mendor dhe qytetar. Ndërkaq detyra e Universitetit është që t’u ofrojë studentëve mjedisin kërkimor – shkencor sa më cilësor e fleksibël si dhe akomodimin e tyre brenda një kampusi universitar ku të edukohen edhe si qytetarë me vlerat kulturore dhe demokratike.

4–Një konceptim të ri të të mësuarit si një proces më shumë hulumtues se sa shpjegues (deklarativ), që të modifikojë strukturën mendore të individit për të qenë i aftë të mendojë duke dyshuar , të mësojë duke vepruar (Learning by doing), të veprojë duke bërë gjëra me dijet e veta. Çelësi magjik që i garanton dhe i harmonizon këta elementë është metoda hulumtuese E “mësim-kërkimit”.

5– Një liri të zgjedhjes së universitetit dhe programit të studimit. Maturantët pas diplomimit, të jenë të lirë të zgjedhin ose studimet universitare( duke plotësuar testin e inteligjencës në universitetin që zgjedh), ose institucionet profesionale.Tashmë ata 18 vjeçarët, të pajisur me Diplomën e pjekurisë nuk konsiderohen më shkollarë, që orientohen nga qeveria në zgjedhjen e universitetit dhe profesionit, siç ndodh tek ne, duke humbur kohë dhe sorrollatur në kalvarin e “kurtheve” burokratike që nëpërmjet A1, A1z, A2…, detyrohen të shkojnë në atë universitet dhe në atë program studimi ku u bie “bingoja” e 10 dëshirave. Një politikë kjo miope dhe elektorale e klasës tonë politike, që nuk vështron më larg se “hunda e interesave pushtetore të veta”.Po kaq miope dhe elektorale është edhe tendenca dhe inkurajimi i të gjithë maturantëve për studime universitare. Jo të gjithë individët që mbarojnë shkollën e mesme janë të aftë të përballojnë studimet universitare, pavarësisht se janë normalë. Vendi i këtyre individëve mund të jetë në pozicione të tjera ku ka nevojë shoqëria, por jo në universitet. Jo më kot shoqëritë e zhvilluara e kanë zgjidhur këtë problem me “testin e inteligjencës”, që organizon çdo universitet për të zgjedhur ato mendje të afta intelektualisht, që përballojnë dijet universitare, që pas mbarimit të universitetit bëhen përcues të mendimit progresiv shkencor e qytetar të dobishëm për shoqërinë. Është kjo edhe një nga arsyet e rilindjes së universiteteve për të marrë përgjegjësi të tillë në selektimin e të aftëve për universitet e për krijimin e kushteve të përshtatshme për mësim, kërkim, hulumtim dhe akomodimin si qytetarë në kampuset universitarë. Kaq e rëndësishme dhe sinjifikative. Sepse këtu fillon e ardhmja e jetës së tyre.

6–Një Integritet të lartë shkencor, profesional dhe moral të profesoratit, i formuar në mënyrë të plotë për të garantuar lirinë dhe menaxhimin e universiteteve. Vetëm një trup e tillë e formuar në mënyrë të plotë, e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme për misionin e vet ndaj shoqërisë, siguron që të mos ketë anarki, dembelizëm mendor, vegjetim profesional dhe mungesë hierarkie shkencore, por konkurrencë, meritokraci rigoroze, liri akademike dhe angazhim në shoqëri. Dhe jo si tek ne, që qeverisja e brendshme e universiteteve është në duart e “presorave” sharlatanë, të papërgjegjshëm dhe të kurruptuar.

7–Seriozitet dhe përgjegjshmëri ndaj zgjedhjeve universitare për lidershipin akademiko-shkencor është një faktor tjetër i rëndësishëm që ndikon në menaxhimin intelektual të universitetit. Zgjedhja e një lidershipi akademik me vizion, mision e mesazh progresi, i cili me guxim dhe kurajo civile inicion reforma dhe frymëzon stafin drejt suksesit. Të përcaktohen kritere të qarta dhe kërkesa të atilla që të seleksionojnë nga gara sharlatanët, rrufjanët, të papërgjegjshmit, mediokrit e të paaftët,apo ata që kanë provuar t’ia “hypin” të paktën një herë në qafë”dhe e kanë” rrjepur “apo i kanë zenë frymën”universitetit, siç ndodh fatkeqësisht tek ne, që i ka kthyer zgjedhjet në “pazarin” e rradhës, duke u dhënë mundësinë të kandidojnë individë që nuk përfaqësojnë vlerat më të larta shkencore e akademike (në shumicën e rasteve) ,por numrin e llogarive bankare, te vilave, makinave e bordeve e mbi të gjitha, që pushtetin, tenderat, partitë, plagjiaturën shkencore, nepotizmin, arrogancën i kanë prioritetet e tyre. Dhe ja se çfarë ndodh tani.

Hapi i parë

Hapi i parë që duhet hedhur është reduktimi i numrit të universiteteve duke zbatuar me korrektësi standardin, sipas të cilit për çdo një milion banorë duhet të ketë një universitet.Një universitet i madh me tre filiale ku në çdo filial të prevalonin programe studimi që i shërbejnë atij rajoni ku filali do hapet.Kjo ndoshta mund të ishte një zgjidhje.Me këtë ristrukturim realizohet:

–optimizimi financiar që çon në uljen e kostos së çdo studenti dhe aktiviteti akademik-shkencor.

–eliminimi i mbivendosjes së njësive mësimdhënëse e hulumtuese të njëjta, (fakultete, departamente, qendra shkencore etj)dhe krijimi i njësive më të mëdha,që përqendron kapacitetet intelektuale, asetet materiale dhe seleksionon të paaftët dhe mediokrit, të rekrutuar jashtë kritereve dhe procedurave nga njësitë e mëparshme.

–krijimi në hapësirën universitare të dy botëve : bota e dijeve akademike nga njera anë, dhe bota shkencore nga ana tjetër, të cilat krijojnë mjedisin e domosdoshëm për një mësimdhënie moderne dhe një aktivitet kërkimor e hulumtues të larmishëm.

— garantimi i autonomisë financiare të universiteteve. Që edhe pse janë publikë, vetëm një përqindje e vogël të fondeve të marrin nga buxheti i shtetit. Pjesën tjetër ta sigurojnë nga aktiviteti shkencor, bashkëpunimi me të tretët (projekte shtetërore ose kompani private) si dhe nga tarifat e studentëve.

–mundësimi i implementimit në mësimdhënien universitare të parimit didaktik humboldtian të “mësim-kërkimit ,parim i implementuar sot në të gjitha universitetet e Europës Juglindore.

–akomodimi i studentëve në mjediset e kampusve universitarë, që u jep mundësinë të edukohen si qytetarë, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme teatrore, koncertale si dhe frekuentimit të bibliotekave, qendrave kulturore, artistike, shkencore etj.

Në përfundim mund të themi se çelësi i suksesit të këtij projekti të së ardhmes së gjeneratës së re është Vizioni kurajoz, Kuptimi, Kontekstualizimi dhe mbi të gjitha Menaxhimi për domosdoshmërinë e një arsimi të ri, misioni i të cilit është sigurimi i lirisë dhe pavarësisë së individit për zhvillimin e vetvetes, përshtatja e tij me kohën në të cilën ai jeton. Kësisoj duke realizuar këto, arsimi përmbush detyrën themelore të tij – lëvrimin e të gjitha aftësive njerëzore si një tërësi integrale, për të zhvilluar karakterin, zakonet dhe virtytet për t’ia bërë të mundur vetpërmbushjen individit.

A do të munden studentët me protestën e tyre t’u japin mundësinë vetes dhe fëmijve te shqiptarëve të varfër të studiojnë në një Universitet modern si bashkëmoshatarët e tyre të pasur që studiojnë në universitete të tilla në Europë e Amerikë?

A mund të ndodhë një mrekulli e tillë?Nëse kjo ndodh ,atëhere ju studentë që protestoni sot do të keni bekimin e brezave të ardhshëm dhe do bëni histori.

Mos e harroni ,se as ju, as unë, asnjë nuk e di të ardhmen e shoqërisë. As të ardhmen e shkencës. Por pa të ardhme të universitetit nuk ka të ardhme të shoqërisë. Sepse në instancë të fundit për këtë janë krijuar, si hapësira ku lëvrohet liria, intelekti, qytetaria…

*****

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode