KOMBI “DIGJET”, … KRYETARI KRIHET…!
11/08/2019 14:48
OPINION
KOMBI “DIGJET”, … KRYETARI KRIHET…!
Nga Ilmi QAZIMI
Kryetarët tanë “Njësha” të viteve 1990-2019, që kanë dalë nga radhët e shtresave amorfe të kohëve pa kohë, të sistemeve pa sistem hierarkik, do t’i renditja, duke ua bërë qejfin,(sepse kanë edhe merita), tek të ndoturit e historisë shqiptare të shkruar. Janë të shumta arsyet, janë të punumërta faktet, janë të skajshme bëmat e tyre individuale dhe me ndikim katastrofik mbi kombin, që mund të ilustrojnë këtë opinion. Në optikën time me sy të hapur, bëjnë përjashtim nga cilësimi i mësipërm për kryetarët tanë, profesor Mejdani i cili ishte thjesht honorifik; gjeneral Moisiu (e kish gradë të merituar edhe pse nuk ia dhanë) dhe prof.Meksi i cili,me aq sa di, qe thuajse rastësor në atë moment me post kryetari.Të tjerët pastaj, “njërin ngrije e tjetrin plase!”
Në qoftë se do të përmendnim emrat e tyre,shumëkujt lexuesi e gjithkund ku mund të jetë, do t’i kujtohen veprat dhe aktet në emër të popullit që kanë realizuar ata kryetarë gjatë kryesimit të tyre rotativ me kohëzgjatje një,dy e tre mandate. Duhet thënë, për hir të realitetit që tregon maja e aisbergut, se kryetar i para e pasprovuar në katër pozicione kryetari të Shqipërisë kapitaliste, grotesk e ‘glorioz’ është e do të mbetet Sali Berisha. Ai ka hedhur valle zellshëm me çdo lloj muzike e daulle të klikave nxitëse të huaja, në kurriz të këtij populli të papërgatitur mirë për vendosjen e rendit kapitalist. Ai ka fituar deri tani dekoratën, e pa dekretuar ligjërisht por të vendosur ashpër realisht, të pandëshkueshmërisë, si gradën më të lartë të mundshme. A do ta gëzojë deri në fund vallë? Vështirë!
‘Koncertet’ që po japin këtë vit katërshja e kryetarëve tanë,ku përfshij: Edi Rama,Lulzim Basha, Ilir Meta, e Gramoz Ruçi, janë vdekjendjellse për kombin. Të katër luftojnë (uf sa shumë luftojnë!U sfilitën duke luftuar!) në emër të popullit. Secili ka formulën e vet të mashtrimit më të përligjur. Më grotesket skena,veprime, pasreflektime dhe tendenca për shpëlarje truri që kemi parë si shikues me moshë deri tetëdhjetvjeçare, janë ato që bën kryetari tërësisht i përvëluar i opozitës, Basha. Më delirantet, gjithmonë pas atyre të Saliut kryetar shteti e kryetar qeverie,kemi parë këto të Ramës,që nga pamja e jashtme deri tek fjalët e qepura, me gjithë arritjet në faqet e gurosura të qyteteve tona,tashmë,me fytyrë europiane. Gojtarì e thurur aq sa edhe përdorim i stërgjatur i vetëm dyqind fjalëve të gjuhës shqipe, cic-micet dhe loja “ma le, ta lashë”,si dhe formula “unë jam i fituar edhe kur kam humbur” mbeten armë të kryetarit Meta. Heshtje që mund të vlerësohet si shumëkuptimshme dhe qëndrim nën hijen e njëshit- kjo është taktikë e suksesshme e kryetarit Ruçi. Pastaj, me raste, ndodh që kryetarët ndërrojnë edhe të folurën duke kopjuar njeri- tjetrin…Ustallarët,matanë oqeanit, bëjnë sehir. Sehir të distancuar, habitshëm bën edhe ish-kryetari më liberal i yni, Nano.
Fshatarët duan tokën ta punojnë, rrugën që të lëvizin e të shesin prodhimet, ujë për të pirë dhe qetësi në pronën e vet. Por kryetari ka halle të tjera më të mëdha.Ai lufton për t’u integruar në komunitetin europian!Me që ra fjala: njëri kryetar i tanishëm në një ditë aventurore, i bërë sikur ishte nxehur u tha dëgjuesve të huaj afërsisht këto fjalë:’ po deshët,po s’deshët edhe ne nuk po hyjmë fare në këto lloj negociatash!’ Që të jemi realistë, kjo të kujton atë thënien rrugore: “kur ju,të nderuar europianë, të bindeni se ne shqiptarët jemi gati plotësisht për të hyrë në Bashkimin Europian, vetë ky bashkim do të jetë shkrirë!” Ndërsa një tjetër kryetar i yni guxoi:”Mos i dëgjoni europianët!”, dhe më tutje:”Pse nuk më dëgjoni mua si institucion,po prisni të dëgjoni ata që akoma nuk janë krijuar”!? Sa mjeranë i kemi kryetarët tanë! Vetprezantim më të plotë për servilizëm të moderuar nuk gjen!
Në debatin e fuqishëm për të ruajtur vlerat e kombit e së pari Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, si lexues fare i thjeshtë shqiptar, shprehem tërësisht i një mendimi me prof.Xhufin, prof.Zeqon, prof.Milon, prof. F.Tarifa e gazetarin e shquar Xh.Shehu etj. E lidhur me këtë, për qëndrimin ‘indiferent’ ose ‘hidh gurin e fshih dorën’ të kryetarëve tanë,kam disa mendime. Kombi,në çdo kohë të ekzistencës së vet, kërkon që të vlerësohen gjithmonë dëshmorët, veteranët, heronjtë dhe historia të citohet ashtu siç është bërë,qoftë për burim frymëzimi, qoftë për krenari legjitime apo edhe thjesht fakt legjitim. Kryetarët tanë të katërshes, kanë idera e veprime të tjera: rehabilitojnë kolaboracionistët si Mitat Frashëri; ai i qeverisë e bën këtë me tam-tame e kërshëri ballore (duke harruar se mund të thyejë kokën po vazhdoi më tej), tre të tjerët o heshtin, o “mungojnë në mbledhje”! Para disa vitesh kryetari Sali,pasi hoqi furtunshëm yllin nga flamuri kombëtar, rehabilitoi plotësisht Ahmet Zogun e vdekur me qëllimin monstruoz që të bëhej vetë mbret, por i mbeti kocka në fyt, dhe vijoi më tej sa mundi. Kryetarët tanë të tanishëm provokojnë heqjen e emrit të Qemal Stafës prej Stadiumit Kombëtar dhe heshtin para propozimit me shkrim që komandantët e dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional Çlrimtare emërtohen ‘kriminelë lufte’. Me shumë marifet, për këtë thagmë antihistorike, njëri heshti, tjetri ‘s’desh të prononcohej’, një më tej tha: “Mos u merrni me gjëra që kalojnë caqet e kompetencave që u jep zyra ku paguheni!”. Kryetarët tanë “nuk janë këtu” ose “nuk janë bërë me dije” se një institucion demek” akademi shkencash” (lexo:klub militantësh antikomunistë të ringjallur) ka vendosur që të kremtojë në nëntor 2019, “antifashizmin vullnetar shqiptar pa armë e pa uniformë” në vend të 75 vjetorit të fitores së Luftës heroike Antifashiste Nacional Çlirimtare. A ka turp e tradhti më të madhe?Pa le, po edhe katër institucione shkencore postkomuniste dashkan të bëjnë një konferencë tjetër kombëtare për temën “Emigracioni shqiptar në vitet 1944-1990”, ku duan të rivlerësojnë armiqtë e kombit e të socializmit në Shqipëri…Por kryetarët tanë nuk kanë nge të merren me të tilla vogëlsira. Njëri ka marrë malet, tjetri s’gjen kohë sepse ia kanë marrë portalet me përgjigje për teatrin-estradë e shekullit dhe zhumilet e plazheve…tjetri do pushojë ca ditë në Holandë(ndonëse ai, me ato që ka bërë e bën, nuk di gjë fare se ka komb shqiptar; ai di vetëm fjalët “Hajdut psikik…Ik” ).Atë më mirë të mos ta ketë asnjë orë më tej as partia e vet në krye e as ne nëpër ekranet televizive!Le të rrijë,po të dojë në Shqipëri, si qytetar i thjeshtë.
Brezi i ri shqiptar kërkon punë, shkollim dhe angazhim serioz qeveritar për jetën e rinisë këtu në atdhe.Por këto nuk garantohen ashtu si gjetiu,ndaj ata gjejnë më të lehtë lëvizjen emigruese. Qytetarët e thjeshtë duan qetësi, punë dhe përsëri siguri jetese. Mjaft më me rrëmuja, vrasje,se nënat mbetën vetëm me shami të zeza. Biznesi i vogël kërkon ndihmë me fonde e me lehtësira sa për të filluar aktivitetin, por kryetari i qeverisë me anë të administratës së vet e dërrmon me taksa, tatime e privime. Disa nga kryetarët tanë të rangjeve të ndryshme kanë kryer lloj-soj aktesh antiligjore, vrasjesh direkte apo si urdhërdhënës të mirëfilltë, por askujt nuk i hyri gjemb në këmbë. Drama më e trishtuar dhe unike është kjo e zgjedhjeve vendore të këtij viti dhe “tos-mallosi” i pashembullt i zhdekretimit të tyre. Nisi edhe mosbindja civile nga disa kryetarë(u thënçin!) të vegjël bashkish që nuk deshën të zhvilloheshin zgjedhje vendore, por kur t’i dojë qejfi kryetarit të PD(lexo: së bashku me kryetarin e shtetit).Dale,dale se ç’do të na shohin sytë më tej!Shfaqje të neofashizmit të skremuar po davariten në efir. A nuk është humor pa pará ndërrimi i bravës së derës së bashkisë, dhe krevati për gjumë në një tjetër të tillë? Mirëpo zgjedhjet u bënë!Monò, por u bënë dhe u quajtën të mirëqena nga ‘të mëdhenjtë e kapitalit’…”Tani më tej, ecni siç duhet,siç i kini edhe ligjet”, -thanë ata, që kanë përvojën gjashtëqindvjeçare. Po kujt i thanë se ?!
Pra kryetarët tanë(tek e tek, dy nga dy, një me tre apo kush i pa më tej se si ulen), hanë, pihen, ngrihen dhe zihen. Të tëra në fasadë. Pastaj shahen, shpëlahen, krihen, dridhen,përdridhen dhe dalin në foltore. Flasin, por fjalët iu bien erë…Dalin jashtë zyre, “ulen pranë popullit”, “qajnë hallet”, lodhen këputen, hedhin zaret dhe ndajnë pazaret. Dhe më në fund thonë: “Ne nuk bëjmë pazar me x e y ?!”Kombi po goditet keqas nga pinjollët e rizgjuar e të shumëpaguar të kolaboracionistëve dhe neofashistëve, por kryetarët tanë nuk dëgjojnë nga ai vesh. Atëherë, e thënë troç: o kryetarët tanë janë në tavën antikombëtare dhe pro neofashistëve, o kryetarët tanë ruajnë menderen e tyre…Të dy këto opsione janë një: nuk jemi të aftë që t’ia prishim dot kapitalit të huaj strategjinë për të shkërmoqur Shqipërinë komuniste, sepse ata na kanë sjellë në këto poste. Atëherë, pse ju kemi juve zotërinj kryetarë aty në krye?Vetëm të mashtroni,të dredhoni, të kurdisni dhelpërira, intriga, batakçillëqe e tradhtira? Po një çikë burrëri a kini ju? Po një cep të faqes a e kini më cipë, vallë? Po pse nuk dëgjoni nga urtësia e popullit tonë që ju ka dhënë votën për të ardhur deri aty? Po një pikë gjak shqiptari a kini ju?
Të dashur lexues, këta janë kryetarët tanë të katërshes institucionale në këto vite të çngjyrosur nga pasojat e bëmave kryesisht të po këtyre kryetarëve. Prandaj edhe u shkon aq shumë një varg i përshtatur prej këngës popullore, të kënduar këtu e tetëdhjetë vjet më parë,në vitin 1939:”Ju more kryetarët tanë,haram e paçi paranë!”
Sa kohë mund t’i durojë kryetarë të tillë populli dhe kombi ynë?!
DITA