KOKËKORONAT
17/05/2020 06:46
OPINION
KOKËKORONAT
Viktor MALAJ
Legalizimi i të Keqes
Kohët e fundit, qeveria shqiptare njoftoi se po mendon mundësinë e legalizimit të prodhimit, shitjes dhe përdorimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Ndonëse më pak se shumë droga të tjera, është fakt i njohur dhe i provuar shkencërisht se edhe kanabis shkakton tek njeriu çrregullime të funksionimit biologjik dhe nervor. Ky ka qënë edhe shkaku që Konventa e Posaçme mbi Drogat e vitit 1961 e ka klasifikuar në grupet e drogave përdorimi i të cilave duhet kufizuar shumë. Po kështu, Ligji Federal Amerikan Për Substancat e Kontrolluara i vitit 1971 e rendit tek drogat e ndaluara dhe shprehet se kjo substancë “nuk ka kurrfarë përdorimi mjekësor të pranuar” dhe “i mungon niveli i pranueshëm i sigurisë “.
Në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të botës, janë dënuar me heqje lirie mjaft individë, qoftë edhe për përdorimin e kësaj bime, në gjendje të përpunuar apo natyrore. Disa vende e kanë legalizuar dhe futur prodhimin dhe përdorimin e saj në disa korniza ligjore. Të tjera vende e kanë dekriminalizuar përdorimin vetjak të saj. Një nga qëllimet e legalizimit ka qenë goditja e paligjshmërisë. Fatkeqësisht, përvoja e këtyre vendeve ka vërtetuar se, pavarësisht kuadrit ligjor, prodhimi, tregtimi dhe përdorimi i paligjshëm kanë vazhduar.
Nëse Qeveria shqiptare e ka seriozisht këtë synim, ajo duhet të krijojë një grup ekspertësh të përbërë nga mjekë, juristë dhe sociologë të shquar dhe nuk ka punë “të konsultohet” me grupet e interesit me çka nënkuptohet, më së pari, biznesmenët. Interesi i vetëm i biznesit është fitimi financiar dhe për hir të tij biznesi shpall të dobishëm dhe të pranueshëm gjithçka që ia siguron fitimin. Vetëm një raport shkencor që vë në dukje në mënyrë të hollësishme dhe të argumentuar efektet negative dhe ato pozitive të përdorimit të kanabisit, që shpjegon përvojën e vendeve të tjera dhe legjislacionin përkatës, që vlerëson kushtet dhe rrethanat shqiptare do të çonte në një vendim (ligj) të pranueshëm. Përrallat që thuhen se legalizimi do të sjellë kaq e aq fitime financiare apo vende të reja pune nuk i shërbejnë popullit. Fitime financiare dhe vende pune sigurojnë edhe veprimtaritë më të dëmshme në botë si prodhimi e trafikimi i armëve, i heroinës, kokainës, opiumit etj. deri tek prostitucioni.
Legalizimin e kanabisit nuk duhet ta bëjnë realitet as mendimet e vagullta qeveritare mbi përfitimet financiare dhe as nuk duhet ta pengojnë pohimet qesharake virusale të ndonjë opozitari që i bie qemanes vetë me refrenin: “Rama kërkon ta legalizojë kanabisin tani në prag të zgjedhjeve për efekte elektorale…”.
Personalisht, besoj se problemet e prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të drogave përbëjnë një nga dështimet e qarta dhe të dëmshme të njerëzimit në kohët moderne.
Fyellit në një vrimë
Bërja e Reformës Zgjedhore mbetet një nga kushtet e BE-së për Shqipërinë. Në vende të ndryshme ka ligje me përmbajtje të ndryshme për zgjedhjet, por askund si në Shqipëri nuk ka aq shumë pretendime, pakënaqësi dhe kundërshtime ndaj proceseve zgjedhore. Pavarësisht se ligji aktual, sidomos me ndryshimet e vitit 2008, ka disa të meta, shkaku kryesor i parregullsive dhe zhurmave tona mbetet ndërgjegjja jonë. Kur një shoqëri është e pjekur, kur ndërgjegjja shoqërore është në nivelin e duhur dhe kur klasa politike vë interesat kombëtare e shoqërore mbi egoizmin dhe privilegjet e veta, atëherë, me ligj apo pa ligj, proceset zgjedhore zhvillohen normalisht dhe pranohen ndërsjellë.
Tek ne, falsifikuesit dhe dhunuesit historikë të proceseve zgjedhore, ideatorët dhe zbatuesit e shumëhershëm të paligjshmërive dhe parregullsive zgjedhore na paraqiten si “viktimat” dhe ankuesit më të mëdhenj të padrejtësive zgjedhore. Ata që nuk munden të krijojnë besueshmërinë e nevojshme tek populli për shkak të së kaluarës së tyre të padenjë, të largët dhe të afërt, sa herë afrohet koha e zgjedhjeve vënë si kusht “krijimin e një qeverie teknike, të besueshme, garante për zgjedhjet” etj.etj.
Në vitin 2017 kërkuan krijimin e një qeverie hibride para zgjedhjeve dhe morën të gjitha dikasteret që kërkuan si garanci për procesin zgjedhor, duke përfshirë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe, megjithatë, humbën suksesshëm. Meqë humbja duhej të sillte edhe largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë dhe, rrjedhimisht, edhe monopolin e drejtimit nga birësuesi i tij, Sali Berisha, vendosën të mos e pranojnë rezultatin me besimin se do të ishte alibi e mjaftueshme për të justifikuar qendrimin në krye të “udhëheqësit” humbjesjellës.
Tani kërkojnë të bëjnë pjesë të Reformës Zgjedhore kërkesat për “qeverira teknike” dhe zgjedhje të parakohshme. Duke e ditur që shumica legjitime nuk ua pranon, shpresojnë se nesër do ngjitë alibia e paramenduar se reforma “dështoi” për faj të qeverisë. Pasi kanë ndërmarrë gjithfarë veprimesh të papërgjegjshme, deri tek braktisja përfundimtare e Parlamentit, mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, shpallja e Parlamentit dhe e Qeverisë si ilegjitime, këto koka plot korona të pashërueshme e pranojnë Qeverinë si partnere dhe bien dakord me të vetëm për një gjë: të ruajnë sistemin aktual zgjedhor me lista të mbyllura. Edhe ditët e fundit ambasadorja amerikane znj. Yuri Kim ua tha me diplomaci se “Ne bashkëpunojmë në çdo vend me qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime… Me qeverinë shqiptare kemi marrëdhënie të shkëlqyera…”. Tani, të vazhdosh t’i biesh fyellit në një vrimë pavarësisht se melodinë tënde e pëlqejnë gjithnjë e më pak dëgjues, kjo është një lloj vetëvrasje politike.
“Ramavirusi” i Opozitës
Administrimi i problemeve që lidhen me pasojat e tërmetit të nëntorit 2019 dhe ato të pandemisë së këtij viti kanë qënë deri tani dy nga gjërat më të mira që ka bërë qeverisja jo fort e mirë e Shqipërisë së sotme. E kapluar nga ethet e pushtetit dhe dritëshkurtësia e mendjes, opozita shqiptare besoi se do ta godiste pushtetin dhe ngrinte veten duke mbajtur thuajse të njëjtin qëndrim dhe demonstruar të njëjtën sjellje si në situatat e zakonshme. Megjithëse shqiptarët, edhe të pakënaqurit me qeverisjen, e shohin të gabuar taktikën e opozitës, taborri opozitar vazhdon t’i bjerë murit me kokë.
Pasojat e pandemisë janë mbarëbotërore dhe nga të gjitha vendet pritet rënie ekonomike për shkak të kësaj pandemie. Mirëpo L. Basha dhe disa llafazanë pa mend dalin çdo ditë në media dhe shpallin jo vetëm “dështimin e Qeverisë në lidhje me pandeminë”, por edhe pasojat ekonomike që ajo do t’i sjellë pashmangshëm ia faturojnë tërësisht Edi Ramës, duke e etiketuar si “Ramavirus”. Nuk besoj se ka ndihmë më të madhe për shumicën e sotme se sa të propagandosh me fjalë të kundërtën e asaj që votuesit e shohin përditë me sy.
Për të parë verbërinë opozitare po marr si shembuj dy nga mendjet tona politike më të vogla të cilave, fatkeqësisht dhe me përsëristje, iu kemi besuar disa nga punët më të mëdha.
Ish-Presidenti i vendit dhe Sekretari i Asamblesë së PD-së Bujar Nishani pohon: “Qeveria jo vetëm që dështoi totalisht në identifikimin e kësaj situate por me mosveprimin e saj në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të popullit ka kryer një krim të rëndë. Për të fshehur këtë dështim e këtë krim, gangsteri me pushtet absolut e futi vendin dhe popullin në një situatë psikologjike terrori dhe jetesën familjare, biznesin dhe ekonominë e vendit në një regjim ekstrem kolapsi…”.
Ashtu si edhe bashkëmendimtarët e tij pa mend, Nishani e fajëson qeverinë edhe pse s’e karantinoi (izoloi) vendin më heret, por edhe pse mori masat drastike të karantinimit qysh nga fillimi i marsit 2020. I dëshpëruar pse për tre muaj ka pasur aq vdekje nga koronavirusi sa shkaktoi qeveria e tij në 2008 për tre minuta, Nishani, duke fyer të gjithë mjekët dhe specialistët që merren me të sëmurët, konsideron si “mjekë të vërtetë” vetëm ata që i tregojnë atij se virusi ka qarkulluar në Shqipëri qysh në janar prandaj pohon se “Ka prova se koronavirusi ka qenë në Shqipëri që në janar 2020 por paaftësia e qeverisjes dështoi në identifikimin e kësaj situate”. Tani, këtu lind një pyetje: Cili ishte ai i aftë që provoi ekzistencën e virusit qysh në janar, si e provoi dhe pse s’e bëri publik këtë fakt qysh në atë kohë?
“Bilbili” zëçjerrë me emrin Petrit Vasili, megjithëse mjek nga profesioni, ligjëron se “Pesë shqiptarë që kërkuan azil politik në Norvegji në janar, pas testimit atje kanë rezultuar pozitiv por pa simptoma. Kjo provon se COVID – 19 ka qarkulluar që në janar në Shqipëri. Masat kufizuese të Qeverisë ishin tërësisht të vonuara, nuk kishin asnjë vlerë, ishin trashanike nga ana shkencore. Testimet ishin shumë të pakta, fshehën të vërtetën. U trondit sistemi shëndetësor. Masat kufizuese po përdoren thjesht dhe vetëm si shtetrrethim politik”.
Kur lexon këta dy “korifej” të mendimit, edhe një nxënës inteligjent do të pyeste: Ju zotërinj, ishit për masat shtrënguese, apo kundër tyre? O njëra, o tjetra! Si e provoni ju se pesë shqiptarët që rezultuan pozitiv me koronavirus në Norvegji ishin të infektuar në Shqipëri dhe nuk e morën atë gjatë ditëve që udhëtuan apo gjatë qëndrimit në Norvegji? Pse duhej që qeveria shqiptare t’iu bënte testet disa personave që nuk kishin asnjë simptomë dhe as ankesa për shëndetin e tyre? Nëse masat qeveritare ishin të vonuara dhe të pavlera se “sollën” dhjetë vdekje për një milion banorë, a mos duhen konsideruar të vlefshme dhe të marra në kohë masat e qeverisë italiane (me 500 të vdekur për një milion), të qeverisë amerikane (me 300 të vdekur për një milion) apo të qeverisë “liberale” suedeze (me 350 vdekje për një milion)?! Nëse Qeveria fshehu të vërtetën, pse nuk na e tregoni ju këtë të vërtetë me faktet? Pse dhe si “u trondit” sistemi shëndetësor dhe pse s’e pate ndërtuar ti këtë sistem aq të fortë sa të mos tronditej, kur ishe Ministër i Shëndetësisë?! A mos vallë pohimet tuaja janë halucinacione, trillime dhe perversitete si ato të kolegut tuaj pa karakter Bardh Spahia që jepte shifra fiktive për 40% më shumë vdekje në Shkoder gjatë këtyre katër muajve kur statistikat tregojnë se ka pasur dhjetëra më pak? A mos duhet zotërinj të filloni, ndonëse pa shpresë, kurimin tuaj nga viruset e koronamarrëzisë dhe koronapafytyrësisë? A e kuptoni ju se me përçartjet tuaja në vend që t’i siguroni shoqërisë ndryshimin e qeverisjes po ia zgjasni jetën kësaj qeverie që kemi?
Kokëkoronat e Internetit
M’u kujtua sërish këto ditë thënia e Umberto Ekos se “Është e drejtë që interneti t’iu lërë hapësirë atyre që nuk kanë asgjë të arsyeshme për të thënë, por tepria e budallallëkut është duke mbushur radhët”. Vdekja e z. Maks Velo ishte humbja e një njeriu, një intelektuali dhe si e tillë, duhet t’i shkaktojë keqardhje kujtdo. Kjo keqardhje shtohet akoma më shumë kur të vjen në mendje fakti se tetë vjet të jetës së tij i kishte kaluar në burg sipas nenit famëkeq të “agjitacionit dhe propagandës”. Velo ishte vërtetë intelektual, por të përpiqesh ta paraqesësh si të veçantë dhe mbi gjithë të tjerët apo t’ia atribuosh intelektin e tij faktit që kishte lindur në Paris, siç bënte një gazetar i nderuar, është mendjelehtësi e papranueshme. Në Paris dhe në të gjitha metropolet e botës lindin, rriten e vdesin qindra miliona individë, të mirë e të këqinj, të ditur dhe injorantë, bamirës dhe kriminelë, të pasur dhe të varfër dhe fare pak prej tyre bëhen intelektualë. Maks Velon nuk e bëri intelektual vendlindja por dhuntia që i kishin dhënë krijuesit e tij dhe prirjet vetjake për studime e dije. Ai nuk mbaroi kurrfarë shkolle në Paris por u shkollua në Tiranë.
Duke e lënë mënjanë këtë shkarje të gazetarit, dua të përmend disa “opinionistë” anonimë interneti të cilët shfrytëzojnë hapësirat mediatike kompjuterike për të ndotur çdo ditë ambientet informative me fjalën e lirë por të ndyrë. Mustafa Nano dhe Agron Gjekmarkaj janë dy publicistë shkrimet e të cilëve i lexoj rregullisht edhe pse nuk jam dakord me shumëçka thonë e shkruajnë. Mirëpo, unë i lexoj sepse në shkrimet e tyre mund të gjesh gjithnjë mendim. Dhe kanë mendime sepse janë njerëz të shkolluar dhe të ditur që nuk mjaftohen me përsëritjet dhe çaprashitjet bezdisëse të jetës politike shqiptare.
Poshtë shkrimit të z. Nano, në botimin online, një lexues me pseudonimin “nord.al” i hakërrehej Nanos: “Unë besoj se injorantët si ti nuk duhen lejuar të dalin në TV se infektojnë njerëzit si koronavirusi”. Një tjetër, me pseudonimin luftarak “TT”, i sulej: “Ik ore debil me shkollë nate, u bëre ti fshatar skrapari të gjykosh vatikanin…”.
Dhe tani, një koment poshtë shkrimit të z. Gjekmarkaj për vdekjen e M.Velos. Lexuesi me pseudonimin “Ben” shkruante: “Ku ka arrit puna, Gjonmarkaj malok, idiot, pseudointelektual, shkruan për Maksin (Velo). O gdhë, o dru me pre. Që të shkruash ti për Maksin duhet me kalu 12 breza në Tironë”.
Keqshkrimi është e meta më e vogël e këtyre kokëkoronave paskompjuterike. Më i dëmshëm është formimi dhe karakteri i tyre. Sipas këtyre “filozofëve” kokëboshë dhe truthartuar, vlerat intelektuale të dikujt përcaktohen nga përkatësia krahinore, fetare, politike etj. dhe fakti që dikush ka lindur në fshat e bën atë automatikisht inferior në intelekt e dije në raport me ata që kanë lindur në qytet. Për këta mjeranë pa mend, llafazanë kafeneshë dhe bezdisësh tryezash, kultura dhe dijet qëndrojnë atje ku vë këmbët dhe jo në kokë dhe mjafton të kesh lindur në qytet e, sidomos, në “Tironë” dhe automatikisht je i ditur dhe kompetent.
Ky koncept budallenjsh është i pakuptueshëm, i papranueshëm në masë në Perëndim dhe ndër shqiptarët e civilizuar. “Filozofi Ben” nuk e di se para 12 brezash Tirana ka qenë thjesht një katund dhe se inteligjencia e saj u formua dhe konsolidua kryesisht gjatë shekullit të 20- të dhe përbëhet nga individë të shquar të dijes të qytetit dhe të ardhur nga Jugu e Veriu, nga qytetet dhe (kryesisht) fshatrat dhe që iu përkasin të gjitha besimeve fetare.
Tepria e budallallëkut me të cilin e mbushin internetin këta filozofë të marrëzisë e fyen inteligjencën njerëzore dhe përçmon kohën e shpenzuar për dije nga jo pak njerëz që shkruajnë në gazetat shqiptare. Të pazotët t’iu kundërvihen autorëve të shkrimeve me argumente dhe shkrime të tyre, këta përtacë të mendjes dhe luftëtarë të kotësisë hedhin gurët nga pas ferrave virtuale dhe i gëzohen inferioritetit të tyre intelektual.
DITA