KAPJA E “SHTETIT” PO VAZHDON ME KAPËSIT E “AUTONOMISË”

05/03/2020 17:27

OPINION

 

KAPJA E “SHTETIT” PO VAZHDON ME KAPËSIT E “AUTONOMISË”

Tafil DURAKU

 

Parë realisht situatën e rrjedhave të këtyre njëzet viteve, sidomos, pas luftës së lavdishme të UÇK-së, nuk kemi të drejtë dhe nuk mund të pajtohemi me rrjedhat anakronike dhe vazhdën e tyre të njëanshme e skandaloze, antishqiptare. Këtij skandaloziteti të skajshëm “patriotik” e “kombëtar”, thënë urtisht, i ka prirë LDK me kompanitë e saj “patriotike” e “shqiptare”, e mbështetur skandalozisht prej disa kategorive të të “burgosurve politikë shqiptarë” në Jugosllavi.

Lufta e UÇK-së nisi mirë dhe mbarë, sepse, ishte domosdo e kohës dhe rrethanave të krijuara nga shqiptarët, por, jo edhe nga shqiptaro-titistët. Shqiptaro-titistët LKJ-isto-LKK-isto-LDK-istë&Co e tyre “patriotike” e “shqiptare”, e patën kapur për fyti, për tepër se gjysmë shekulli, “autonominë” e “Kosovës dhe Metohisë”, dhe, njësoj, kapja e “shtetit” të “Republikës së Kosovës” (si sajesë e tyre) po vazhdon po prej tyre, prej sharësve dhe shantazhuesve të luftës, sharësve dhe shantazhuesve të veteranëve e luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së.

Ata “shqiptarë” që i patën shërbyer “autonomisë” së të ashtuquajturës Krahina Socialiste Autonome e “Kosovës dhe Metohisë”, i patën shërbyer për interesa të tyre personale dhe familjare, sepse, për atë qëllim i mbante në pushtet pushtuesi serb e jugosllav dhe jo për interesa të popullit shqiptar e të atdheut të tij, brenda e jashtë saj, dhe, në këtë mënyrë, e krijuan shumicën e tyre “patriotike” dhe “shqiptare”, “popullore” tok me kategoritë e të “burgosurve politikë shqiptarë” në Jugosllavi.

Kësaj mënyre “qeverisëse” rotative, “patriotike” e “kombëtare”, me një fjalë, i thonë nepotizëm. Kryenepotizmat “shtetërore” e “autonomiste” të “shqiptarëve” në trojet e pushtuara shqiptare në ish-Jugosllavi, janë nepotizmi gjakovar, llapjan, pejan, gjilanas…, që janë shkaktarët dhe shkaku kryesor që e ka sjellë popullin shqiptar në kërtë derexhe dhe në këtë situatë shpirtdhënësie. Dhe, sot, janë më të këqinjtë ata që i fshehin dhe mbulojnë këto nepotizma e neonepotizma e flasin për “nepotizmin” e UÇK-së dhe të Drenicës (Drenishtës).

Dhe, në këtë pikë, fatkeqësisht, edhe Tirana zyrtare ka rënë pre e neonepotizmit e nepotizmit të vjetër shqiptaro-titist e neotitist dhe nepotizmit të të “burgosurve politikë shqiptarë” në ish-Jugosllavi dhe kjo prerënie po i kushton shumë shtrenjtë Shqipërisë-SHQIPËRI dhe kombit shqiptar, në të gjitha trojet e copëtuara shqiptare nga fqinjët dhe aleatët e tyre “shqiptarë”.

Kapësit e autonomisë që u bënë pushtetar e shtetarë të “obllastit” të “Kosovës dhe Metohisë” po këmbëngulin të jenë edhe sot pushtetarë e shtetarë të “Republikës së Kosovës”, që e sollën në këtë gjendje skandaloze. Madje, këto shëmti kanë ndodhur nga titistët vrasës të Tribunëve të Luftës së Drenicës, Shaban Palluzha e Mehmet Gradica dhe sot po vazhdojnë nga neotitistët “shqiptarë” (pro-jugosllavë të mëdhenj e të vegjël “shqiptarë”) dhe janë drejtuar me turr e me vrap theqafës po kundër tribunëve të Luftës së lavdishme të UÇK-së nga Drenica, duke mos i lënë dy shqiptarë bashkë, sepse, këto ishin detyrat e shtëpisë së shqiptaro-titistëve dhe po ato janë detyrat e neotitistëve “shqiptarë”…

Prandaj, kapja e “shtetit” të “Republikës së Kosovës” po vazhdon me egërsinë më të madhe nga titistët dhe neotitistët “shqiptarë”, që i ka mësuar Rankoviçi, Titoja e Millosheviçi që kudo dhe gjithkund të jenë të parët, bile, edhe të parët për trecopëtimin e Shqipërisë së shqiptarëve, duke e shpalluar “Kosovën Republikë”, flamurin dhe himnin, e, edhe “kombin kosovar”, si kombin më të ri antishqiptar.

Kjo do të thotë, lexuar shqip dhe drejt, se me titistët (si kapësit më të njohur të “autonomisë”), nga neotitistët (si kapësit më të rinj të “shtetësisë së Kosovës”), po vazhdon, sikurse kapja e “autonomisë” dikur, edhe sot po vazhdon kapja pa pardon e “shtetësisë” së “Republikës së Kosovës”, duke i përjashtuar dhe zhveshur shqiptarët dhe luftëtarët e bashkimit kombëtar shqiptar (sipas betimit të UÇK-së) nga çdo lloj procesi, duke ua mveshur luftëtarëve dhe Komandantit Adem Jjashari sajesat e tyre “patriotike” e “shqiptare” se Adem Jashari me shokë ka luftuar për “Pavarësinë e Kosovës”… Dhe, populli shqiptar e shteti shqiptar duhet ta dijë dhe ta kuptojë se kjo është një gënjeshtër e kulluar e shqiptaro-titistëve dhe e neoshqiptaro-titistëve…

Prandaj, populli shqiptar nuk duhet të çuditet se me kapësit “atdhetarë” e “shqiptarë” të “autonomisë”, po vazhdon edhe kapja e “shtetit” kosovar e kosovarist të dr. Ibrahim Rugovës&Co e tjera të “shakaxhijve të pavarësisë” e të bashkëmendimtarëve të tyre shakaxhinj të “shtetit shqiptar”…

“Shtetin” e kanë kapur UDB-ashët dhe KOS-istët shqiptaro-titistë me të rekrutuarit e tyre nëpër ministri, komuna, bashki, në politikë, në akademi, në kulturë dhe në letërsi, në ekonomi, në të gjitha nivelet e arsimit, në media, në gjyqësi, në ushtri, në administratë, në polici, në shëndetësi, në sport, muzikë…, që, në fakt, kanë qenë kapësit e “autonomisë” në kohë pushtimi serbo-jugosllav e kosovarist, fadilhoxhist dhe jo vetëm “UÇK-istët” e tyre…

Çuditërisht, këtu, siç thotë populli: Mos u çudit nëse të thonë se pjell edhe KALI!...

Burojë, më 5 Mars 2020

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode