JO “TË MAJTË” E “TË DJATHTË”, POR TË NDERSHËM DHE TË PANDERSHËM
13/03/2023 07:00
SHËNIM
JO “TË MAJTË” E “TË DJATHTË”, POR TË NDERSHËM DHE TË PANDERSHËM
Nga Fatos TARIFA
Një ndër subjektet më të zakonshëm në bisedat e përditshme të njerëzve dhe, sidomos, në ligjërimin politik të partive politike dhe pothuajse të të gjithë atyre që, nën cilësimin analistë ose opinionistë, marrin përsipër të “zbërthejnë” e t’u japin kuptim zhvillimeve politike në vend, është ai mbi të Majtën dhe të Djathtën në Shqipëri.
Një pështjellim i pashoq interpretimesh subjektive e të painfomuara dhe debate kuturu e bëjnë edhe më të vështirë kuptimin e nocioneve “i majtë” dhe “i djathtë” në vend që t’i bëjnë këto nocione më të qarta, si për publikun e gjerë, edhe për vetë drejtuesit e partive politike dhe militantët e tyre.
Pështjellimi bëhet edhe më i madh kur, për t’u akomoduar në një mënyrë ideologjikisht e politikisht më të pragmatike në spektrin politik midis ekstremit të djathtë dhe ekstremit të majtë e për t’u dukur më tërheqëse për një pjesë të madhe të elektoratit, asaj pjese që është politikisht më naivja, thuajse çdo parti politike në Shqipëri–nga më të mëdhatë te më të voglat, madje edhe ato, të cilave u ka mbetur veç emri dhe kryetari–thonë se janë parti “të qendrës së djathtë” ose “të qendrës së majtë”.
Çuditërisht, e Djathta klasike dhe e Majta klasike nuk përmenden shpesh, pasi në subkonshiencën e drejtuesve të partive politike në këtë vend e djathta klasike duket se njësohet me te djathtën ekstreme, ndërsa e majta klasike me ekstremin e majtë, qe zakonisht identifikohen, përkatësisht, me pikëpamjet dhe ideologjinë nacionaliste ekstreme, përfshirë edhe atë fashiste (e para), ose me pikëpamjet revolucionare dhe socializmin shtetëror (e dyta).
Por t’i lemë për një çast cilësimet klasike “i djathte” dhe “i majtë”, si pole të një sistemi dikotomik, dhe t’i referohemi një koncepti gjerësisht më të përdorur, sidomos duke filluar pas Luftës së Dytë Botërore, konceptit Liberalizëm, për të parë se në ç’marrëdhënie janë me këtë filozofi politike partitë “e djathta” dhe ato “të majta” në Shqipëri.
Nëse flasim për liberalizmin klasik, siç e formuluan atë John Locke dhe Adam Smith në shekujt e 17-të dhe 18-të, ai nënkupton lirinë e tregut, një shtet ligjor që mbron liritë dhe të drejtat e çdo qytetari, përfshirë liritë ekonomike, liritë politike dhe lirinë e fjalës. Për liberalët klasikë, këto liri kërcënohen kryesisht prej shtetit, prandaj ai nuk duhet të jetë i gjithëfuqishëm.
Liberalizmi modern mbështet po në këto principe, por thekson se liritë e individit kërcënohen jo vetëm nga shteti, por edhe nga aktorë ekonomikë privatë, nga bizneset e mëdha që shfrytëzojnë punonjësit dhe dominojnë politikat e qeverisë. Për liberalët e sotëm shteti duhet të jetë një rregullator në ekonomi dhe të ndërhyjë për të mbrojtur dhe përmirësuar kushtet e punës dhe shërbimet ndaj qytetarëve me qëllim rritjen e mirëqenies së tyre.
Të gjitha këto janë pjesë e programeve të të gjitha partive politike shqiptare. Madje, një ndër partitë politike kryesore, që sot është në opozitë, Partia Demokratike (ajo që Berisha e pretendon partinë e tij), edhe pse shpallet si një parti e qendrës së djathtë, premton sot (nëse vjen në pushtet) politika shumë më të majta sesa ato të Partise Socialiste, një parti e qendrës së majtë.
Berisha premton, ndër të tjera, dyfishim të pagave dhe shumë politika që në thelb janë më socialiste sesa politikat e kësaj qeverie socialiste që kemi.
Dhe këtë e bën për dy arsye: e para, për shkak se vetëdija e tij politike u formua në shkollën e socializmit shtetëror dhe ai vetë nuk u ngrit dot kurrë përtej horizontit të ngushtë të asaj shkolle dhe praktikave të atij rendi shtetëror; e dyta, sepse e tëra jeta e tij politike, nga vitet 1990 e këtej, është mbështetur mbi demagogjinë. Berisha është demagogu par excellence i politikës shqiptare të tranzicionit.
Për qytetarët shqiptarë është e vështirë–për shumë ndoshta edhe e pamundur– që të dallojnë sot “të majtët” nga “të djathtët”. Unë ofroj një vlerësim më të thjeshtë për politikanët tanë të tranzicionit, përfshirë edhe këta të sotmit.
Nëse është e vështirë t’i dallosh e t’i ndash ata në “të majtë” dhe “të djathtë”, nuk është e vështirë t’i ndash ata në politikanë të ndershëm dhe te pandershëm, të ditur dhe të paditur, të aftë dhe të paaftë, të mirë dhe të liq.
Unë vetë kështu i ndaj. Fatkeqësisht, deri më sot, te ne më të shumtët kanë qenë të pandershëm, të paditur, të paaftë dhe të liq.
DITA