JENI I ARRESTUAR… NË SHTËPI! LETËR E HAPUR KRIMINELIT “VIP” NGA NE, PROKURORËT DHE GJYKATËSIT E SHTETIT DEMOKRATIK
11/07/2021 11:09
OPINION
JENI I ARRESTUAR… NË SHTËPI! LETËR E HAPUR KRIMINELIT “VIP” NGA NE, PROKURORËT DHE GJYKATËSIT E SHTETIT DEMOKRATIK
Nga Viktor MALAJ
“Chi ruba poco, va a galera. Chi ruba molto fa carriera”*
I nderuar ligjshkelës!
Në vendin tonë demokratik të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Rrjedhimisht, të gjithë trajtohen njëlloj, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, krahinore dhe politike. Ne prokurorët dhe gjyqtarët e shtetit demokratik nuk duam t’ia dimë për kurrfarë përkatësie përveç, ndoshta, asaj pasurore e cila gjithmonë na e këput shpirtin dhe, për hir të ndjenjave tona humanitare, na shtyn të bëjmë ndonjë lëshim të vogël.
Nëse ti, i nderuar ligjshkelës ke vuajtur gjithë jetën tënde, duke punuar fort dhe rrezikuar burgun, ne matemi njëqind herë përpara se të zgjedhim masën e sigurimit ndaj teje, nëse ndodh rastësisht të jesh kapur në shkelje të ligjit. Meqënëse masat e sigurimit dhe të shtrëngimit janë disa dhe, meqë Ligji Procedural Penal na detyron të marrim gjithnjë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese, ne zgjedhim masën e duhur ndaj teje.
Lloji i masës së zgjedhur shtrënguese ndaj teje do të varet nga personaliteti yt, domethënë nga fakti se çfarë dhe sa ke në xhep, pasi populli ynë nuk thotë kot që “Je aq sa ke!”. Nëse ke shumë dhe, veçanërisht, nëse ato që ke i ke vënë me mundime dhe me rrugë e mjete të rrezikshme, atëherë ti, vetvetiu futesh në kategorinë e VIP-ave.
VIP-at janë njerëz shumë të respektuar në shoqërinë tonë. Ata bëjnë jetë përsëmbari, me vila luksoze, makina shumë të shtrenjta, nderohen nga autoritetet ligjzbatuese dhe, rrjedhimisht, iu falen disa gjëra të vogla si, për shembull, shpërdorimet e disa miliona euro nga buxheti i shtetit, ndërtimet pa cilësi dhe në kundërshtim me kontratat të rrugëve, urave apo objekteve të rëndësishme sociale e kulturore etj..
Duke pasur parasysh rëndësinë e VIP-ave, që matet me peshën e xhepave apo lartësinë e karriges së pushtetit, ne nuk e shohim asnjëherë të arësyeshme që ndjekja penale e tyre të bëhet në gjendje arresti në burg. Është e vërtetë që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, por nuk duhet të harrojmë që ligji nuk zbatohet vetvetiu.
Ligji i shkretë kalon në peshoren e arsyetimit dhe moralit tonë si prokurorë dhe gjyqtarë, përndryshe do të kishim një sistem drejtësie robotësh. Duke qenë shumë të ndjeshëm ndaj VIP-ave ne, në fund të fundit, si qënie njerëzore, bëjmë edhe ndonjë dallim të vogël, por gjithnjë pa qëllime të këqija.
Kur kapet ndonjë qytetar qyqar me drogë apo me një armë pa leje, ne nuk matemi dy herë për t’i caktuar arrest në burg dhe për të kërkuar dënimin më të rëndë që parashikon ligji. Por, nëse një gjë të tillë e bëjnë, qoftë edhe me përsëritje apo kapen me pesë armë pa leje, VIP-at, si njëfarë Stresi etj., atëherë ne mund ta vendosim në arrest shtëpie.
Po kështu, nëse ndonjë zyrtar i pushtetit lokal apo, larg qoftë, atij qendror bën ndonjë gabim të vogël, sepse njerëz jemi, dhe merr ryshfet, shkel pa dashje barazinë në tendera, falsifikon dokumente dhe firmos tjetërsimin e pronave shtetërore apo private, ne tregohemi të matur, domethënë të kujdesshëm dhe, në vend të qelisë, i zgjedhim shtëpinë si vend vuajtjeje për krimet e kryer, sidomos gjatë stinës së verës, sepse qelia ia zhbën personalitetin, ia dobëson pamjen dhe i cenon karrierën.
Shoqëria jonë demokratike nuk mund të zhvillohet pa kontributin e këtyre VIP-ave prandaj izolimi i tyre në shtëpi, me ajër të kondicionuar, TV e telefon në dispozicion dhe me disa policë që i ruajnë mbas dere, është veprim në shërbim të shoqërisë. Duke e detyruar shoqërinë shqiptare të shtojë numrin e policëve dhe fondet buxhetore për ruajtjen e VIP-ave të arrestuar në shtëpi ne ndihmojmë shoqërinë shqiptare në progresin e saj ekonomik dhe demokratik.
Nëse ndodh që vetë VIP-at apo fëmijët e tyre udhëtojnë me makina të shtrenjta e luksoze, shkelin gabimisht Kodin Rrugor dhe vrasin kalimtarët apo udhëtarët e makinave të tjera, ne duhet të gjykojmë me gjakftohtësi në caktimin e masave të sigurimit sepse VIP-at jetojnë gjithmonë të stresuar për shkak të veprimtarisë së tyre të dobishme publike. Nëse një djalosh që drejton makinë luksoze kapet në gjendje të dehur, me shpejtësi skëterrë apo iu këput këmbët qytetarëve që ecin në trotuar, duhen pasur parasysh rrethanat lehtësuese pasi qytetarët, kur shohin makinat e VIP-ave duhet t’i shtojnë masat e sigurisë për veten e tyre.
Pavarësisht si ecin me makinat e tyre dhe nëse i zbatojnë ose jo rregullat, ata, VIP-at pra, duhen respektuar nga policia, nuk duhen ndaluar, proceduar e arrestuar. Ata duhen përshëndetur nga larg ose, nëse gabimisht ndalohen në rrugë nga polici, atëherë ky duhet t’i afrohet me respekt dhe ta pyesë: Hë shefo, bos, robo, kokërr, flori…etj.! Ça ke bo? Si e kalo? Mirë? Bofsh qef!
Vip-ave iu lejohen makinat me xhama të errët që të mos njihen e bezdisen nga publiku që mund t’iu kërkojë autograf ngaqë i do fort dhe i nderon pa masë.
Duke i detyruar të qëndrojnë në arrest shtëpie, me gratë apo dashnoret e tyre, dhe të ruajtur me policë mbas dere ne iu mundësojmë VIP-ave një trajtim të barabartë me personalitetet shtetërore si Presidenti, Kryeministri etj. Arresti në shtëpi nuk ua lejon të dalin jashtë apo të takohen me njerëz të tjerë, por ata mund t’iu marrin leje policëve që rrinë mbas derës së tyre, të zbresin poshtë për një kafe, kur të kthehen t’i sjellin policit ndonjë kanaçe birrë apo byrek. Rrjedhimisht, polici mirënjohës iu jep mundësi këtyre të arrestuarve të presin në takime vartës apo bashkëpunëtorë të tyre në krim, të fshehin provat e veprimtarisë së tyre apo të gjejnë e shpikin prova dhe alibi që favorizojnë pretendimet për pafajësi të përjetëshme.
Edhe nëse gabimisht ne vendosim arrest me burg për cilindo që rezulton se ka xhepa të rëndë, ne i kemi të gjitha mundësitë ta zëvendësojmë qelinë e burgut me shtratin e dhomës së gjumit të shtëpisë, mjafton që ligjshkelësi të na provojë, me marifet, që zotëron pasuri të mëdha ose kur ai, hapur dhe me guxim ofron garanci pasurore që provojnë se nuk largohet.
Në fund të fundit, vetë ligjet demokratike shqiptare kanë parashikuar heqjen e arrestimit në burg kundrejt garancive pasurore apo këmbimin e disa dënimeve me pagesa financiare. Këtu kuptohet qartë se të gjithëve iu siguron ligji barazi dhe trajtim të njëjtë por, siç thoshte me të drejtë Oruelli, të pasurit rezultojnë të jenë edhe më të barabartë se të tjerët. Dhe, të jesh më i barabartë nuk do të thotë se je i pabarabartë. Ligji ka parashikuar gjithashtu që koha e vuajtjeve që përjetojnë ligjshkelësit e mbajtur në arrest shtëpie të llogaritet në dënimin përfundimtar.
Siç e dini, me ligj dhe në praktikën gjyqësore, ne i trajtojmë njësoj të gjithë ligjshkelësit. Masat e dënimeve që japim varen nga rrezikshmëria e tyre dhe e veprave të kryera. Kështu, sot gjenden në burgjet shqiptare qindra individë që kanë vjedhur apo dëmtuar pasurinë shtetërore apo private që vlerësohet në disa mijëra euro, por nuk ndodhet asnjë zyrtar apo biznesmen edhe pse çdo vit buxhetit të shtetit, nga mospagimi i taksave apo keqpërdorimi i financimeve shtetërore, i shkaktohen dhjetëra miliona euro dëme.
Ne vendosëm në arrest në burg dhe i dënuam deri në dhjetë vjet burg disa shtetas shqiptarë që kishin kryer krimin shumë të rëndë, duke dërguar ilegalisht dhjetëra qytetarë shqiptarë tek nëna Amerikë dhe gjyshja Angli. Zemërimi i nënës dhe gjyshes, që i kemi dashur gjithmonë, vetëm pse iu dërguan nja tridhjetë punëtorë të dëshpëruar, është shumë më i dëmshëm se zemërimi dhe shkelja e të drejtave të pronësisë që iu bëhet mijëra shtetasve shqiptarë, të cilëve zyrtarët vendorë, në bashkëpunim me “Mafjen e Pronave”, iu kanë hequr të drejtën e pronës prej tredhjetëvjeçarësh.
Duke pasur ligjvënës të edukuar demokratikisht ne nuk kemi parashikuar askund në legjislacion “përvetësimin e tokave”, megjithëse u ka sjellë qindra mijëra euro fitime autorëve dhe se vlera e pronave shkon në qindra milionë euro. Ne i kemi cilësuar ato si “tjetërsime” dhe autorët e tyre i akuzojmë vetëm për falsifikim dokumentesh apo shpërdorim detyre, megjithëse këto dy veprime kriminale kanë shërbyer thjesht si mjete dhe jo si qëllime të veprave të tyre penale.
Për këto lloj krimesh të lehta, me të cilët përvetësohen miliona euro dhe shkelet e drejta e pronësisë, ne japim dënime minimale ose me kusht dhe proceset penale kundër ligjshkelësve i zgjasim me dekada të tëra në mënyrë që të harrohen veprat penale dhe autorët e tyre dhe pronarët realë të largohen nga kjo botë.
Respekti që kemi ne për personat VIP, domethënë njerëz të parasë dhe të pushtetit, i ka dhënë frutet e veta. Maturia jonë në trajtimin e tyre është shembullore dhe e dobishme. Asnjë ministër, kryetar bashkije apo drejtor prokurimesh publike nuk kemi mbajtur në burg, edhe pse dihen aferat e Gërdecit, ajo e rrugës Tiranë-Elbasan etj.
Rasti më domethënës është ai i ish-ministrit të transportit në kohën kur ndërtohej Rruga Milot-Kukës (“Rruga e Kombit”). Duke vlerësuar tërësinë e rrethanave lehtësuese, faktin që dëmi financiar ishte mbi 200 milion euro, por edhe posti shtetëror që ai mbante ishte shumë i lartë, nuk e vendosëm në arrest dhe, madje, as e dënuam fare sepse përfunduan afatet ligjore të hetimit.
Dobia e gjykimit tonë duket edhe sot pasi ky VIP, jo vetëm nuk pati fatin e keq të bracarëve që vjedhin pak e dënohen shumë, por, për fatin tonë kombëtar, ai sot është vetëshpallur kandidat për Kryeministër dhe ka 7 a 8 vjet që lufton me mish e me shpirt korrupsionin qeveritar.
Nga ana tjetër duhet ditur se zbatimi i masave të arrestit në shtëpi, në vend të atij në burg, na ka dhënë neve si prokurorë dhe gjyqtarë mundësinë që pasuritë tona gjigante që nuk mund t’i justifikojmë përpara Organeve të Vetingut, t’i shpallim si dhurata nga gjyshja, motra, halla apo krushku pasi, siç dihet, këto tridhjetë vjet shqiptarët janë bërë shumë humanitarë dhe s’bëjnë gjë tjetër veçse dhurojnë.
Dhurojnë para, toka, respekt, drejtësi dhe humanizëm. Këto janë vitet kur fjala e urtë italiane, e cituar më sipër, ka gjetur zbatim të plotë, falë edhe aftësisë tonë për të kopjuar gjërat më të vlefshme të Perëndimit, për të dalluar qartë të mirën nga e keqja, të drejtën nga padrejtësia dhe shërbëtorët tanë të përvuajtur nga keqbërësit tanë dhe për “t’ia vënë festen secilit sipas kokës”.
* (it.) Kush vjedh pak, shkon në burg, por kush vjedh shumë bën karrierë.
DITA