JEMI SHUMË PAK PËR T’U NDARË VERI-JUG

18/12/2015 20:30

OPINION

 

JEMI SHUMË PAK PËR T’U NDARË VERI-JUG

Nga Gani ELEZI

 

 

Në një takim në Himarë, kryeministri Edi Rama paska folur për veriorët që kanë marrë toka në bregdet, apo për gjë tjetër. Sipas disa citimeve paska thënë “…kanë zbrit veriorët dhe me vendime gjyqësore kanë marrë prona në bregdet’’ apo “kanë tjetërsuar pronat e të tjerëve”. Kjo deklaratë ka hapur një debat të madh në lidhje me marrëdhëniet Veri-Jug, veriorë-jugorë, etj. Por duhet parë konteksti si e ka thënë, pse e ka thënë dhe ku synon të dalë. Në një takim në Shkodër, Rama e shpjegoi se “nuk ka folur keq për veriorët, por për ata që, me vendime të gjyqtarëve të korruptuar, deri tani kanë marrë jo pak, por 50000 ha tokë në bregdet.

Në se një deklaratë e tillë përdoret për të demaskuar dhe korrigjuar padrejtësitë që janë bërë në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, nuk ka asgjë të keqe. Madje është e arsyeshme që gjithë “vendimet’’ gjyqësore që kanë dhënë prona të tilla, pse jo edhe ligji 7501, nëse është e mundur ligjërisht, duhet të revokohen. Eshtë plotësisht tjetër gjë, është antikombëtare, nëse ne fjalet e kryeministrit ka insinuata kundër banorëve të veriut të vendit, gjë që nuk më duket kështu.

Nxjerrja e fjalëve nga konteksti dhe përdorimi i tyre për qëllime politike, elektorale dhe arsye të tjera është me pasoja shumë të rënda për unitetin e popullit tonë. T’u thuhet banorëve të rretheve të veriut se qeveria Rama është vetëm për jugorët, madje se punon kundër veriorëve, shkon me postulatin “përça e sundo”. Për të sunduar Shqipërinë, gjithë hapësirën shqiptare, gjithmonë është përdorur taktika “përça e sundo”. Të gjithë pushtuesit, perandori a mbreteri të kenë qenë, e kanë përdorur këtë taktikë, përçarjen e shqiptarëve për t’i sunduar ata më lehtë. Kanë përdorur për këtë qëllim fenë, kanë tentuar të kundërvënë familjet e mëdha shqiptare kundër njëra- tjetrës, kanë përdorur privilegjet, paratë dhe korruptimin e grupeve, individëve me ndikim në zona të ndryshme, deri edhe doket e zakonet e tyre.

Por gjithmonë politika e përçarjes ka dështuar përballë unitetit të kombit tonë, të shqiptarëve. Kjo është histori që cilido dëshiron ta njohë e ka shumë lehtë. Mjafton të shfletojë literaturë, informacione të shkruara nga shqiptarë dhe të huaj. Unë po flas për vite që janë në kujtesën e brezit tonë, që i dëgjon çdo ditë deklarata të tilla. Pas çlirimit të vendit, deri në fund të viteve 90-të të shekullit të kaluar, në vitet e socializmit, nuk ka patur as ndarje dhe as përpjekje për të vënë shqiptarët kundër njëri-tjetrit, sipas zonave, krahinave ku ata jetonin e punonin. Përkundrazi është ndjekur politika e forcimit të unitetit mbarë shqiptar. Ndarja Veri-Jug është përdorur më shumë si përcaktues gjeografik, si veriu apo jugu i Shqipërisë. Eshtë përdorur dhe për të karakterizuar gjendjen demografike të popullsisë, sipas disa tipareve përgjithësuese, gegët në Veri dhe toskët në Jug të vendit, megjithëse termi “gegë’’ dhe ‘’toskë’’ nuk është përdorur shumë në këto vite.

Ndarjet sipas pozitës gjeografike më shumë janë përdorur për të karakterizuar disa tipare të rretheve apo trevave  të veçanta etnografike, si shkodranët, kuksianët, dibranët, mirditorët, krutanët, tiranasit, durrsakët, kavajasit, elbasanllijtë, beratasit, skraparllinjtë, pogradecarët, korçarët, kolonjarët, përmetarët, gjirokastritët, gramshiotët, sarandiotët, vlonjatët, fierakët, lushnjarët, etj.Ka patur përcaktues edhe për disa zona karakteristike më të gjëra, si Malësia e Madhe, Martaneshi, Dumrea, Labëria, Myzeqeja, Lunxhëria, Dropulli, Mallakastra, etj. Gjithë këto ndarje gjeografike dhe etnokulturore asnjëherë nuk janë bërë shkak moskuptimi dhe ndarjeje mes shqiptarëve, përkundrazi e kanë forcuar me shumë unitetin e tyre.

Pas viteve 90-të, ndarja “veriorë’’, “jugorë’’ është përdorur shpesh si mjet i luftës politike, për arsye pushteti dhe përfitimesh të tjera. Në fillim të viteve 1990-të, ishte PD-ja, lideri i saj, Sali Berisha, që këtë ndarje e përdorën si një mjet të veçantë të luftës politike. Për të denoncuar PPSH-në, historinë dhe veprën e saj, për përfituar kapital politik në elektorat u përdor sllogani se jugorët kanë patur pushtetin dhe kanë “sunduar’’ Shqipërinë, kanë marrë të gjithë përfitimet materiale e sociale. Aq keq është përdorur kjo  e “vërtetë’’ sa një deputet i PD-së, ,një “verior’’, edhe pse kishte qenë shumë vite në përfaqësinë tonë në OKB, deklaronte se “qenia ime atje ka qenë një rastësi, një aksident për udhëheqjen jugore’’.

Në vitin 1997, për të mbajtur pushtetin e rrëzuar nga shembja e piramidave financiare, po kjo parti, po ky lider, Sali Berisha, deklaruan “rrezikun’’ e sulmit të jugorëve kundër Tiranës dhe veriorëve. Shqipëria, po të mos ishin lidhjet e thella shpirtërore mes shqiptarëve, do të kishte shkuar në një luftë civile, vëllavrasëse të paparë. Nuk do të kishim 3000 të vrarë, por me dhjetra mijë e më shumë të tillë. Edhe në shtator 1998, për të larguar nga zyra kryeministrin (Fatos Nano) që kishte “vrarë’’ Azem Hajdarin, u moblizuan shumë nga Veriu, mes tyre edhe kosovarë të Bujar Bukoshit. Përdoren një arsenal të tërë armësh, dogjën e shkatërruan shumë institucione të shtetit.

Edhe në këtë rast shpëtimtare qe ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, kryesisht e ambasadores amerikane, Mariza Lino, që situata nuk perceptoi në terror e vrasje mes shqiptarëve. Pati një periudhë që u “arkivua’’ koncepti i ndarjes dhe kundërvënies Veri-Jug. Por këto ditë po rigjallërohet përsëri ky skenar i kobshëm. Në kohën kur duhet të jemi shumë të bashkuar, të lidhur me njëri-tjetrin, situata në botë e rreth nesh është e mbarsur me rreziqe te mëdha, disa politikanë kërkojnë të na përçajnë në veriorë dhe jugorë. Nuk ka qëndrim më antishqiptar, më antikombëtar. Shpresojmë që kjo ndarje, kundërvenie mes shqiptarëve të mos jetë pjesë e skenarit të protestave të opozitës. Jemi pak dhe nuk kemi arsye për t’u ndarë. Nuk jemi as katalonasit në Spanjë, as kurdët në Lindjen e Mesme....Eshtë koha të jemi të bashkuar.

(Marrë nga Shekulli)

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode