JE SUIS PARIS?
16/11/2015 21:37
OPINION
JE SUIS PARIS?

Nga Ilir METAJ

E shoh të shkruajtur kudo e ngado dhe në këtë moment më jep vetëm trishtim.
Është ende e freskët ‘Je suis Charlie Hebdo’.
Tani kaluam në ‘Je suis Paris.’
Më vone çfarë? Do kalojmë në ‘Je suis France’ dhe pak më vonë në ‘Je suis Europe.’?
Ka shumë mundësi që të ndodhë kështu.
Europa është dhjamosur.
Europa është kthyer në një struc që fsheh kokën në rërë dhe nuk ka këllqe të shohë rrezikun në sy! Nuk ka zemrën të godasë të keqen në origjinë për ta zhdukur njëherë e mirë!
Lotët e fëmijëve sirianë, e preken aq sa i prishën paksa makiazhin e rënduar të zonjës që mundohet të fshehë rrudhat.
Europa nuk e kuptoi se lotët e fëmijëve sirianë nuk do vononin të rridhnin edhe nga sytë e fëmijëve europianë.
Europa po bëhet profesioniste në funerale. Si ata profesionistët e qarjes, që paguhen për të shkuar nga një funeral në tjetrin.
Çfarë m… po bëni kështu?!
Zgjohuni dhe goditeni bishën në zemër dreqi e mori!
Ose bëhuni gati për ‘Je suis France’…’Je suis Europe’…’Je suis Liberte’.
(Marrë nga DITA)