JAKUP KRASNIQI DHE MJERIMI I TIJ NJERËZOR, INTELEKTUAL E KOMBËTAR
15/05/2010 17:08
Debat
JAKUP KRASNIQI DHE MJERIMI I TIJ NJERËZOR, INTELEKTUAL E KOMBËTAR
Shkruan: Tafil DURAKU
Në një shkrim të z. Jakup Krasniqi, aktualisht kryekuvendar i “Republikës së Kosovës”, me titull “Kosova pas Luftës së Dytë Botërore”, publikuar në gazetën “Epoka e Re”, në dy vazhdime, më 5 dhe 6 maj 2010, fq. 12-13, ndër të tjera, pos deputetit Nait Hasani, për antishqiptarizëm akuzohen edhe analistë të tjerë shqiptarë për qëndrimin e tyre kombëtar pro deputetit të PDK-së, z. Nait Hasani.
Për ta “argumentuar” akuzën e tij publike, siç akuzonin dikur, jo fort moti e jo fort larg lëdëbëistët (ose luftdytëbotërorët) “shqiptaro”-titistë, ai, thotë, publikisht: “E kanë harruar historinë e Kosovës të pas Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht që nuk jam pajtuar me kualifikimin e deputetit Nait Hasani, por nuk pajtohem as me këndvështrimet e disave që e mbështesin një politikë, që në thelb është antishqiptare dhe antinjerëzore”… E, çka t’i thuhet këtij konstatimi bizar të kryekuvendarit të radhëve “kryepatriotike” të “Republikës së Kosovës”?... Sipas tij, u dashka të pyetën edhe saliprotopapët, sesi paskan kaluar në Shqipëri dhe UDB-asho – KOS-istët me këlyshët e tyre, që e paskan hequr të “zitë” e ullirit, në Jugosllavinë antishqiptare të Titos (Sic!)…
Na befasoi shumë për të keq jo vetëm konstatimi, por, edhe qëndrimi intrigues i z. Jakup Krasniqi. Mua, personalisht, jo, edhe aq. A e ka të qartë dhe a e di z. Jakup Krasniqi se kush bën dhe kush mbështet politikë antishqiptare dhe antinjerëzore, në Shqipërinë e copëtuar edhe më zi sesa në mesjetë?!... A e di z. Jakup Krasniqi, se, sa e di ai historinë e Luftës së Dytë Botërore dhe zhvillimet para e pas saj?!... Nëse nuk e di dhe nëse nuk e ka pasur të qartë deri më tash, ia themi publikisht: Politikë antishqiptare, antinjerëzore dhe antiShqipëri mbështesin vetëm pushtetarët shqiptarëhuaj, në pushtete të huaja, dhe, si vazhdimësi e tyre edhe “Kuvendi Kosovar”, me “shqiptaro”-titstët në të, të cilin e kryeson z. Jakup Krasniqi, i cili në saje të pozitës “kushtetuese”, i shfrytëzon mediat e afërta me të, për akuza moniste kundër mendimit ndryshe...
Epo, mirë, a e di z. Jakup Krasniqi, se, për lojërat e rrezikshme të partisë “patriotike” LKJ-isto – LDK-iste, ku ai me disa shokë të tij kanë nisur hapërimin e parë “patriotik” e “politik”, është shkruar shumë më herët, e, edhe para dhjetë vitesh, nga po ky autor. Në një analizë shkencore janë tërhequr paralele për Luftën e Dytë Botërore, për të ashtuquajturin Shtab Operativ për Kosovë e Metohi, të cilin e ka kryesuar Fadil Hoxha dhe Shtabi i Luftës së Drenicës, të cilin e kanë kryesuar tribunët e popullit shqiptar, Shaban Palluzha e Mehmet Gradica. Detyrat e të ashtuquajturit Shtabi Operativ për Kosovë e Metohi, kanë qenë shumë të qarta: Likuidimi fizik i krerëve të Luftës heroike të Drenicës, me qëllim që të shuhej rezistenca e armatosur shqiptare për bërien e vetvetes (Shqipërisë), e, që, fatkeqësisht, i njëjti skenar, me metoda shumë më të sofistikuara e më të kamufluara është luajtur edhe në luftën e UÇK-së.
Pasardhëse e ish-Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi ka qenë LDK-ja dhe Shtabi “patriotik” i saj, me në krye Dr. Ibrahim Rugovën, i cili është mbështetur e ndihmuar mjaftueshëm edhe nga disa të “burgosur politikë”. Qëllimi ka qenë i njëjtë sikurse ai i të ashtuquajturit Shtabi Operativ për Kosovë e Metohi, në Luftën e Dytë Botërore, sepse, siç e pati detyrë ai shtab likuidimin e krerëve të Luftës së Drenicës dhe shuarjen e rezistëncës shqiptare, e njëjtë qe edhe detyra e Shtabit të LDK-së, i cili Shtab ka menduar, se me vrasjen e Komandantit Adem Jashari, do shuhet edhe lufta e UÇK-së dhe betimi i saj për Bashkim Kombëtar… Këto janë paralele shkencore dhe janë sqaruar më gjerësisht në analizën me titull: Lojërat e rrezikshme të LDK-së, nga po ky autor. Atëherë, cila qenka loja antishqiptare, në krejt këtë mes dhe kush e luaka atë, me kaq pafytyrësi?!...
Absolutisht, nuk qëndron mendimi i z. Jakup Krasniqi, kur përpiqet ta arsyetojë qëndrimin antinait, duke thënë: “Nuk e kam mbështetur deputetin Hasani, sepse detyrë jona parësore është përfaqësimi i gjithë qytetarëve të Kosovës, na duhet vizioni për të ardhmen, na duhet vizioni për shtetin e pavarur e Sovran të Republikës së Kosovës, se mjaft në të kaluarën na kanë diferencuar të tjerët – vendit dhe popullit tonë i duhen pajtimi dhe zhvillimi.” E shihni, pra, a jeni në gjendje t’i shihni dhe t’i prekni këto broçkulla pushtetore të “patriotëve” tanë!?!...
Qesharake, ë! Tragjikomedi e shoqëruar me cinizëm të llojit të njohur “patriotik” e “demokratik”. Z. Nait Hasani, për aq sa kemi dëgjuar dhe kemi lexuar prej tij, nuk e ka kërkuar vrasjen dhe ekzekutimin e përfaqësuesve të krimit të organizuar shtetëror “shqiptaro”-titist e antishqiptar, por, deputeti i PDK-së, z. Nait Hasani, me plot të drejtë ka kërkuar dënimin e krimeve të komunizmit dhe pastrimin e institucioneve të “Republikës së Kosovës” nga ata kriminelë e pasardhës “demokratikë” të tyre. Duhet ta dini dhe ta keni shumë të qartë, z. Jakup Krasniqi, se, prej “politikave” tuaja “patriotike” e “kombëtare”, të rinjtë shqiptarë po e braktisin përditë Atdheun e tyre dhe Vendin, duke mos e pasur dhe duke mos e parë, në vazhdimësi, asnjë perspektivë të vetme për jetë të dinjitetshme, njerëzore e shqiptare. Çka ju kujton mbytja e qytetarëve shqiptarë jo motikohë, në Danub, z. Jakup Krasniqi?!... Kë doni ta mashtroni me ato broçkulla dhe kush qenka ai që notoka në ato ujëra të ndotura antishqiptare, nëpër ato ujëra aq “patriotike” e “kombëtare”, nëse jo “pushtetarët shqiptarë”, dje të Jugosllavisë së Titos, e, sot, të UNMIK-ut dhe të EULEX-it?... Atëherë, logjikshëm del pyetja, vetvetiu: Për të ardhmen e kujt ju duhet “vizioni”? Për t’i mbushur xhepat tuaj, për të ardhmen e pushtetarëve shqipfolës, shqiptarëshkie, e pasardhës të tyre, me gjuhë zyrtare, në Kuvend, edhe serbishten e urryer antishqiptare!?!...
Historinë e Kosovës së trepushtuar shqiptare, z. Jakup Krasniqi, mund ta ndashë e ta copëtosh edhe në katër milionë faza, sepse, çdo ditë dhe çdo situatë, prej viteve 1945/46 e deri te viti i hidhur 2010, përbën fazë më vete, por, një nuk duhet harruar kurrë, se, secila fazë “patriotike” e “pushtetore” po na del më e zezë se tjetra! (Bah!)… Më antishqiptare se tjetra! (Sic!)... Çka dhe çfarë arrihet me “politikat” ‘patriotike’ antishqiptare: Hedh gurin, e, fsheh dorën, ë?!...
Ajo që më bën të pajtohem me z. Jakup Krasniqi, në krejt tehun e tij “patriotik”, antinait dhe antipublicistik, është fakti se “drejtuesit serbë, ndonëse bëheshin se nuk ia vunë veshin këshillës së V. Çubrilloviqit, nuk harruan dhe në vazhdimësi janë udhëhequr nga mësimet e tij fashiste”, por, që, z. Jakup Krasniqi, nuk harron t’i mbulojë argatët shqiptarëshkie të Çubriloviçit e të Titos, krimet e të cilëve duhet të dënohen njësoj, ashtu siç kërkon me plot të drejtë deputeti i PDK-së, z. Nait Hasani: të zbatohet në jetë platforma kombëtare naithasaniane, në Kosovë dhe në trojet tjera të pushtuara shqiptare – dënimi i krimeve të komunizmit dhe bartësit “shqiptarë” të atyre krimeve monstruoze… A e di z. Jakup Krasniqi, cilët janë ata shqiptarëshkie që u kanë prirë ofensivave serboçetnike, në Drenicë, më 1945, e, më vonë, bile, edhe në luftën e UÇK-së?...
Në gjithë shkrimin e tij, me argumentat që sjellë, z. Jakup Krasniqi bjen në kundërthënie të rënda me vetveten. Në fillim, nuk pajtohet me kërkesën e drejtë të deputetit nga radhët e partisë së tij, z. Nait Hasani, dhe, në anën tjetër, e pranon publikisht se krimet janë kryer dhe kanë qenë të pranishme kudo, dhe, atë, vetëm kundër shqiptarëve, ku, thotë: “Me gjithë këto ndryshime (sipas Kushtetutës së vitit 1974, vër. imja, T. D.) diskriminimi i shqiptarëve ka vazhduar, veçse me forma dhe me metoda më të kamufluara”… Po, “shqiptaro”-titistët, nuk qenë zbatues të atyre formave dhe metodave diskriminuese, të kamufluara, të krimit të organizuar shtetëror, jugosllavo-kosovar, antishqiptar?!...
Apo, z. Jakup Krasniqi, e shfrytëzon kërkesën e drejtë të deputetit të partisë së tij, z. Nait Hasani, për t’i sulmuar dhe linçuar disa analistë “që e mbështesin një politikë, që në thelb është antishqiptare dhe antinjerëzore”, analistët pronait, kur të gjitha argumentat që zë në gojë z. Jakup Krasniqi, shkojnë në të mirë të kërkesës së drejtë dhe të shumarsyeshme të deputetit, z. Nait Hasani, për dënimin e krimeve të komunizmit në Kosovë dhe gjithandej trojeve të pushtuara shqiptare në ish-Jugosllavi. Po, pse na qenkan “fajtorë” analistët mbështetës të z. Nait Hasani, se, madje, pse na qenkan “mbështetës të politikave antishqiptare”?...
Për t’i parë dhe provuar “antishqiptarët”, “këndvështrimet e disave që e mbështesin një politikë, që në thelb është antishqiptare dhe antinjerëzore”, do ta pyesnim z. Jakup Krasniqi: A mund të na përgjigjet z. kryeparlamentar i “Republikës së Kosovës” ‘patriotike’, me ç‘”vota” arrijti të postohej në postin e zëdhënësit të UÇK-së, kur për atë post ishte i ftuar dikush tjetër, përkatësisht, autori i këtyre rreshtave?...
Burojë, më 9 maj 2010