IDEJA SERBE E NJË DEJTONI PËR KONFLIKTIN SERBI-KOSOVË

07/07/2023 07:02

KËNDI DIPLOMATIK SHQIPTAR

 

 

IDEJA SERBE E NJË DEJTONI PËR KONFLIKTIN SERBI-KOSOVË

Nga Shaban MURATI

 

Nuk dihet nëse nga profanizmi diplomatik apo nga tinzarllëku politik, këshilltarët neojugosllavë të kryeministrit të Shqipërisë i sugjerojnë atij herë pas here ide dhe teza serbe, të cilat ai i merr pa u menduar dy herë dhe i shpall autorësinë e vet.

I tillë është propozimi i kryeministrit Edi Rama, i paraqitur në 27 qershor në Bruksel presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, dhe përfaqësuesit të lartë të BE për politikën e jashtëme Borrell, për organizimin e një konference ndërkombëtare, ku udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë të detyrohen të futen në një dhomë dhe të mos lejohet të dalin, deri sa të bien dakord për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Kryeministri Rama u mburr në 29 qershor se presidenti i Këshillit Europian e kishte mbështetur propozimin e tij të një Dejtoni të ri, dhe deklaroi i vetëkënaqur:

“Një lajm i mirë progresi i idesë së konferencës së nivelit më të lartë, pa afat deri në arritjen e një marrëveshje të plotë për zbatimin e planit franko-gjerman prej Kosovës dhe Serbisë, çka sot e mbështeti vetë presidenti Charles Michel”.

Ekranet, portalet dhe gjithologët proqeveritarë me profanizmin e tyre shpërthyen në hosanara, duke spekulluar se propozimin e Ramës e kanë pranuar Këshilli Europian, e ka pranuar BE, etj., duke qenë të vetësigurtë se opinionit të thjeshtë publik mund t’i shesësh çdo lloj profke në çeshtjet e diplomacisë.

Mirpo memoria dhe arkiva diplomatike, të cilat nuk i njohin këshilltarët e qeverisë, tregojnë të vërtetën  lakuriqe që idea e kryeministrit të Shqipërisë për një konferencë ndërkombëtare të tipit Dejton 2 nuk është aspak, as origjinale dhe as e re. Ajo është një ide e vjetër e Serbisë, diplomacia e së cilës është paraqitur rregullisht në forumet dhe në korridoret e diplomacisë europiane me tezën dhe kërkesën e një konference ndërkombëtare si rruga e vetme e zgjidhjes së konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës.

Me dokumentat e arkivës diplomatike ndërkombëtare për këtë temë mund të bësh një libër, por unë po sjell për lexuesit vetëm disa. Që në 1 mars të vitit 2010 në vizitën e tij zyrtare në SHBA, ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ia paraqiti zyrtarëve amerikanë këtë propozim, madje siç shkruante gazeta serbe “Danas” u ofroi edhe “afatin e mundshëm kohor për një konferencë të Dejtonit për Kosovën”.

Në 21 nëntor të vitit 2012 kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se “një marrëveshje si e Dejtonit është e mundur për Kosovën”.

Në datën 3 shtator 2018 zëvëndëskryeministri dhe ministër i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi zyrtarisht: “Qëllimi ynë është një konferencë ndërkombëtare, dhe përveç BE, për secilin që të jetë garantues i asaj, që do të bihet dakord”. Përpara tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në 11 qershor 2018, u deklarua për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe tha se “nuk ka rëndësi se ku mund të mbahet një konferencë ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhje për Kosovën. Ata mund ta mbajnë një konferencë ku të duan, në Los Anxheles ose në Tokio”.

Serbia e ka të koordinuar me Rusinë tezën e konferencës ndërkombëtare, sepse Rusia ka qenë pjesëmarrëse e konfererencës së Dejtonit 1 dhe synon ta mbajë të pazgjidhur konfliktin në Ballkan. “Këshilli rus për çështjet ndërkombëtare”, një institucion i mendimit diplomatik, i themeluar nga MPJ e Rusisë, konkludonte në një dokument të tij në 17 janar 2019:

“Në përgjigje të përpjekjeve të SHBA për t’u angazhuar në procesin e bisedimeve të Kosovës, Moska mund të ofrojë shtrirjen e çështjes së Kosovës në një të ashtuquajtur paketë, format të modeluar të “Konferencës së Paqes”, me një numër lojtarësh të jashtëm, SHBA, Rusia, Kina, Turqia, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe”. (Për më shumë shih librin “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë, 2021, fq.43).

Duke qenë se kjo tezë është refuzuar në qendrat vendimmarrëse të diplomacisë europiane dhe perëndimore, Serbia ndoqi taktikën e saj të vjetër të injektimit të propozimit nëpërmjet kanaleve okulte te qeveria dhe diplomacia e Kosovës, të cilët ranë në kurthin serb dhe me ndërgjegje ose jo u bënë promotorët e parë shqiptarë të organizimit të një konference ndërkombëtare për konfliktin Serbi-Kosovë.

Në datën 28 janar 2019 kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, publikoi letrën që u ka dërguar pesë shteteve perëndimore, SHBA, Gjermani, Francë, Britania e Madhe dhe Itali, ku pika e parë është propozimi për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën. Ja propozimi: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), pas marrjes së hapave praktikë për inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve – konferenca duhet të fillojë sa më parë që është e mundur”.

Dy ditë më përpara kryeministri Haradinaj kishte deklaruar: “Kosova është e gatshme me mbërri një marrëveshje me Serbinë, sikurse ta zëmë të na ftojnë në një konferencë sikurse Rambuje. Pra një konferencë me u marrë vesh për një marrëveshje”.

Siç e shikoni, shumë vite para kryeministrit të sotëm të Shqipërisë e ka paraqitur zyrtarisht qeveria e Kosovës këtë ide serbe. Tani idea serbe çfaqet befas në Tiranë dhe paraqitet si nismë diplomatike e kryeministrit të Shqipërisë. Praktikisht Charles Michel po mbështet idenë serbe, sepse presidenti i Këshillit Europian Michel ende nuk e din se Shqipëria është shtet kandidat i BE, që ka hapur bisedimet e pranimit, dhe vjen në Tiranë dhe  i propozon Shqipërisë statusin e prapambetur të “shtetit të asociuar me BE”, status që e ka edhe Armenia, edhe Izraeli, të cilët s’kanë ndërmend kurrë të hyjnë në  BE.

Nëse kryeministri u mburr që Michel e mbështeti në 29 qershor propozimin e tij, në 29-30 qershor u zhvillua samiti i kryetarëve të shteteve të BE dhe askush nuk e përmendi propozimin e kryeministrit të Shqipërisë për konferencën e re të Dejtonit, dhe asnjë germë nuk ka për të në konkuzionet e samitit të BE të botuara në 30 qershor në faqen zyrtare të saj, ku flitet për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Madje edhe ambasadorin e SHBA në Kosovë, Jeffrey M.Hovenier, të cilin e pyetën konkretisht në 30 qershor për qendrimin e SHBA për propozimin e ri të Ramës, deklaroi se “Ne nuk do të shprehim opinion mbi hapat mbështetëse dhe mënyrën më të mirë për ta bërë, qoftë dhe duke mbyllur njerëzit në një dhomë derisa të arrijnë marrëveshje”.

Idea e organizimit të një konference ndërkombëtare të tipit Dejton 2 për të zgjidhur me detyrimin e mosdaljes nga dhoma apo nga baza ushtarake, siç u bë në Dejton në 1995 konferenca e paqtimit midis Serbisë, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, nuk është aspak e përshtatëshme tani me kohën, me rrethanat, me faktorët dhe aktorët, dhe me dinamikën e konfliktit të ngrirë mids Serbisë dhe Kosovës.

Diplomacia e SHBA dhe e BE, që organizuan Dejton 1, e dinë më mirë se sa diplomacia lilipute e Ballkanit dhe e Shqipërisë nëse duhet një Dejton i ri dhe nëse mund të arrhet gjë me përsëritjen e Dejtonit.

Ka një çeshtje kyçe, që e neglizhon duket jo pa qëllim kryeministri i Shqipërisë, i cili thotë që liderët e Kosovës dhe të Serbisë të mbyllen në një Dejton të ri deri sa të pranojnë zbatimin e planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënie midis dy shteteve. Çeshtja është se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar planin franko-gjerman edhe në samitin e 27 shkurtit në Bruksel, edhe në atë Ohrit në 18 mars dhe ka qenë gati ta nënshkruajë. I vetmi, që nuk e ka pranuar dhe ka refuzuar ta nënshkruajë planin franko-gjerman, është presidenti i Serbisë Vuçiç.

Logjika diplomatike thotë se nëse duhet mbyllur dikush në një dhomë derisa të pranojë planin franko-gjerman është presidenti i Serbisë. Është tjetër gjë nëse propozuesi niset nga synimi, që fajin e Vuçiçit ta ndajë midis Kosovës dhe Serbisë.

Dy shtetet e vetme, që prej vitesh këmbëngulin dhe e propozojnë pareshtur një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit, janë Serbia dhe Rusia. Hedhja në qarkullim diplomatik tani i këtij propozim të vjetër serb i sjell Serbisë përfitim të madh, sepse ajo me këtë propozim fiton kohë. Pas samiteve të organizuara nga diplomacia e BE dhe ajo amerikane në Bruksel dhe në Ohër për planin franko-gjerman, Beogradi ndodhet i zbuluar dhe para detyrimit për të zbatuar planin franko- gjerman.

Presidenti Vuçiç ka nevojë jetike ta shtyjë atë moment dhe të fitojë sa më shumë kohë për ta zvarritur pa fund zbatimin e planit franko-gjerman. Në funksion të kësaj strategjie Vuçiç rindezi tensionet e reja në Veriun e Kosovës dhe dislokoi ushtrinë serbe në kufirin me Kosovën, duke kërcënuar për luftë. Ai fitoi kohë, sepse diplomacia e BE e la mënjanë detyrën e ushtrimit të  presionit mbi Beogradin për zbatimin e planit të saj, dhe u angazhua disproporcionalisht  me tensionet e reja serbe në Veriun e Kosovës.

Tani Serbisë i duhet një mundësi e re për të ftuar kohë. Dhe Serbisë i vjen në ndihmë tani për këtë dalja në skenë e propozimit të vjetër për një konferencë ndërkombëtare për konfliktin Kosovë-Serbi, me qëllim që diplomacia e BE të futet në këtë labirint diplomatik dhe ta lerë mënjanë zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit nga Beogradi.

Ndaj ishte i drejtë qendrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që në 1 korrik nuk e pranoi propozimin e qeverisë së Tiranës për konferencën ndërkombëtare, duke argumentuar me bazë se “Në vend që të mbahet konferencë ndërkombëtare për Serbinë dhe Kosovën, duhet të zbatohet plotësisht nga Beogradi marrëveshja bazike e Brukselit në 27 shkurt dhe aneksi i zbatimit në Ohër në 18 mars”.

Propozimi, që tani del nga Tirana, ka ende shumë detaje të errta, të cilat e qartësojnë çdo njeri, që merr vesh sadopak nga diplomacia, se janë në interes të Serbisë. Propozimi flet për një konferencë ndërkombëtare, që sipas shpjegimit të Charles Michel në 29 qershor, “duhet të jetë me disa shtete të BE, që janë shumë aktive, për të mbështetur gjitha përpjekjet ndërmjetësuese në koordinim të ngushtë me SHBA”.

Së pari, çfarë nevoja kanë dy shtetet kryesore më të fuqishme të BE, hartuese të planit franko-gjerman, të thërrasin për ndihmë disa shtete të tjera anëtare të BE në një konferencë të BE për planin e  tyre.

Së dyti, propozimi i ri e përjashton SHBA si pjesëmarrëse të barabartë në konferencën ndërkombëtare dhe i jep vetëm rol koordinues. Pra përjashtohet nga pjesëmarrja dhe vendimmarrja SHBA, që ka qenë organizatorja kryesore të Dejtonit dhe ndërhyrja vendimtare e së cilës ndaloi në 1995 luftën kriminale të Serbisë kundër Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, dhe në 1999 luftën gjenocidiale të Serbisë kundër Kosovës.

E bukura është se parashikohet pjesëmarrja e disa shteteve “shumë aktive” sipas Michelit, dhe media serbe “serbia.postsen.com” zbulon  në 1 korrik se diplomacia serbe ka sugjeruar që në konferencë të ftohen edhe Greqia me Hungarinë, dy shtete nga të cilat e para nuk e njeh Kosovën, dhe e dyta ka përqafuar interesat e Serbisë, siç dëshmoi votimi i Budapestit kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës në prill të këtij viti.

Serbia në nivelet më të larta ka kërkuar që në një konferencë ndërkombëtare të thirren Rusia dhe Kina.

Çfarë do të zgjidhë i ashtuquajturi propozim i Tiranës për konferencë ndërkombëtare të tipit Dejton 2, kur kryeministri i Shqipërisë i vendos në një plan edhe Serbinë, që ka refuzuar planin franko-gjerman, dhe provokon tensione të reja në Kosovë dhe në Bosnje-Hercegovinë, edhe Kosovën, e cila i ka pranuar planin franko-gjerman dhe është gati ta nënshkruajë atë.

Propozimi i kryeministrit të Shqipërisë e shpall hapur, që ai nuk është as neutral, madje ka njësuar veten dhe ka marrë në mbrojtje Serbinë. Ai vetëm ka akuzuar pareshtur Kosovën dhe kryeministrin e saj, duke i paraqitur si të interesuar për luftë dhe që nuk duan paqe, dhe nuk e ka zënë kurrë në gojë emërin e mikut të tij të ngushtë Vuçiç për gjitha provokacionet luftënxitëse dhe bandat paramilitare serbe, që Beogradi i hedh në Veriun e Kosovës.

Në mënyrën më absurde kryeministri i Shqipërisë në 29 qershor shkoi aq larg në zellin anti Kosovë, sa që e akuzoi Prishtinën se po i shërben Rusisë dhe u kërkoi që “autoritetet e Kosovës duhet ta dëshmojnë sot me vepra dhe jo me fjalë se ky rajon nuk i përket ëndrrrave të Kremlinit”. Kaq mjafton për të krijuar bindjen se në favor të kujt shkon propozimi i ri i Tiranës për organizimin e një konference ndërkombëtare për konfliktin Serbi-Kosovë.

Kemi një situatë dramatike në shtetin dhe në diplomacinë e Shqipërisë, që janë bërë apologjetë dhe shpërndarës të ideve, teza dhe nismave, që origjinën e kanë në Beograd. Është tronditëse të shohësh në kronikën shtetërore dhe diplomatike shqiptare se teza serbe si ajo e “partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Serbisë”, teza e shkëmbimit të territoreve, projekti serb i “Ballkanit të hapur” e deri te konferenca ndërkombëtare, kryeministri Rama i ka përvetësuar dhe i ka shpërndare në arenën diplomatike ndërkombëtare me emblemën e Shqipërisë. Se si dhe në çfarë mënyrash dhe kanalesh okulte i ka injektuar në Tiranë Serbia idetë, tezat dhe interesat e veta, është një detyrë historike për ta zgjidhur sot ose në të ardhmen.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode