HUMOR I HUAZUAR
09/01/2012 20:12
Mahitet Arkadia
Darka e Lamës
Darka e lamës është kryefestë e të gjithë lëmenjve, që shenjon mbarimin e verës e fillimin e dimrit, kur mblidhen të lashtat, frutat e bereqeti. E ka kënduar edhe nusja në vek:
Ku m’i la gjashtë muj të verës
Ti shkrun dada në skej dyshemes.
Ne jemi populli më i pasur me lëmenj. Kemi lëmenj drithi, drush e leshi. Kemi lëmenj burrash, grash e dreqërish . Kemi lëmenj thish, kuajsh e gomarësh. Sidomos shkëlqejmë në lëmenj politikë, artistikë, kulturorë e shkencorë.
Lëmi i drithit ka një strumbullar mbi duaj të shtruar, ku kuajt lodrojnë në lëmë deri në hënë.
Kur shijmë mirë lëmin, shtrojmë Darkën e lamës.
Atë natë hapet qielli, hëna e yjzit zbresin në tryezën tonë. Vjen Mbreti dardan me buzëqeshjen hënore dhe shallin e kuq të verës. Këndon yshtjet magjike për Dhemetrën e bukur.
Atë natë hamë gjithçka: kallamoqa të zier, fasule me groshë, kërtolla me patate, tranguj me kastraveca, petulla në ujë, mazë të zier, mbrume e pogaçe, kollpite e pite me rrathë, flia e vakarrime, çervish e kunguj dervishë, pekmez me dardha turshi, hashure, bibanë, gica, keca,qengja të pjekur...
Pimë verë ilire me kunguj, pocerrka e vegsha, tambël zogjsh, tambëlborë, kos të kulluar, lëng rasoji...
Të gjitha këto janë specialitete dardane nga serrat tona të specave, lakrave patëllgjanave e kastravecave. Janë nga fermat tona të buallicave, berrave e derrave, demave, hamshorëve e pelave të azdisura, deshve e cjepve, që i ruan vetëm një qen i madh Sharri.
Populli kënaqet duke ngrënë e duke pirë në ekran.
Oh, oh sa lezet! Kënaqet edhe Lami im.
Pastaj hedhim valle, u biem gajdeve e kavalleve dhe luajmë kapuças.
Shënmitri i kërcen Dhemetrës.
Ne jemi aq të zotët, sa gjithherë shijmë lëmin!
Moti i Ri
Mot i Ri ’92 solli shumë risi. Mbi të gjitha vezulluan e rraplluan saçet e antenave satelitore. Paqësorët u lutën: të bashkohemi në qiell, në mos përtoke, si zogjtë në erë.
Tash shpallëm Pavarësinë e po presim Lirinë.
Jemi fis paqësor, hyjmë n’Evropë me kalem n’dorë!
Jemi ne demokratikë, gjithë botën e bamë mik!
Fort u gëzua edhe Nënë Hyria, bëri qullin e qiti flia.
Paqësorët humbën durimin vetëm në një pikë: dolën nga gjiri familjar për ta pritur Motin e Ri fatbardhë.
I ranë Rrugës Paqësore të kryeqytetit, lakuan Kurrizin dhe thyen Qafën në Dorë, duke e mbushur spic një natë, dy, tri …
Nuk i shihet fundi kësaj rruge. S’mund të presim më të ngujuar. Jetë është kjo. Na mbuluan thinjat, rrudhat ...!
Si e ka shkruar Zoti: i gjalli me të gjallët, i vdekuri me të vdekurit, i pasuri me të pasurit, i urituri me të uriturit, i burgosuri me të burgosurit, i mërguari me të mërguarit, i pushtuari me të pushtuarit…
Në Dorë u derdh vera e çeli lelevera, ra xhazi e pëlciti gazi.
Adelina këndoi hitin Moj e mira nëpër therra/ të prita, të prita sa ke vera…
Kështu dëshmojmë para botës se njëmend jemi popull i qytetëruar, që di ta mundë pushtimin në mënyrë të kulturuar.
Le ta dijë gjithë Evropa/ se na s’ bahmi mish për topa!
Rebelimi
Në valën e korrje-shirjeve të shekullit të kaluar kishte rënë një haber si breshër:
Partia Fshatare dha dorëheqje të parevokueshme nga skena plurale!
Fshatarët qenë hidhëruar keq dhe kishin ngritur krye:
Ku janë bereqeti, shteti e selameti?
U ngopëm me deklarata, urata e kungata!
Na ka ardhur shpirti në grykë!
Durim-durim!-pëlcet burri e guri në këtë vapë.
Kryeqyteti u shastis: mbeti gruri nëpër ara, do të mbesim pa bukë!
Fshatarët kishin zënë pisk në kurth kryetarin e tyre:
Kapërceve male e male deri te ne, moj dhia e Marecit! Kujtove të na mashtrosh me lulepaqe. E sheh si po ikin njerëzit me tesh e kotesh. Do bësh ti hulumtime demografike se deri ku shkelën shqiptarët gjeografinë e globit? E di ti se dhelpra bie vetëm një herë në kurth. Legjenda thotë se fshatarët e kishin zhdëpur me hunj gardhi dhe ai tri javë e tri ditë nuk ishte ngritur nga shtrati.
Kur një ditë ishte zgjuar nga gjumi, te Pallati i paqes e kishin pritur me përbuzje:
Hë, more Hivzi qyqari, nuk munde t’i lidhësh as fshatarët! Partia Fshatare na doli shterpë, kur simotrat e saj po bëjnë binjakë. Ç’marrin vesh fshatarët në politikë? Ata dinë si sillet rrota, e jo bota! Mund të na nxjerrin vetëm telashe, të na prishin paqen. Le të thyejnë qafën jashtë!
Kujtove ti se do të vdesim pa bukë. Kemi ne hambarë e grazhde të tjera.
Sa të ketë paqe, do të ketë edhe pogaçe. Rrofshin e qofshin degët e nëndegët tona nëpër botë!- kishin krisur në Pallatin e Paqes.
Bekimi i Zotit
Prejse na përgëzojnë festat presidentët e partitë politike me uratën Zoti i bekoftë shqiptarët, ka filluar të shtohet mbarësia e pjelloria.
Fushave ka mbirë bari e po rritet mullari.
Jemi bërë komb vërtet i bekuar. Na ka mbulur hirësia e urtësia, sa as zogjtë e malit nuk tremben më prej nesh.
Është shtuar dashuria dhe rrallë e përmall vritemi mes vete.
Jemi rrënjë e lashtë, prandaj nuk na ka humbur Zoti. Sot kemi më shumë parti se fiset ilire dikur. Kemi më shumë princër me shpura sesa kështjella.
Kemi tri fe, që i luten Zotit për ne.
Falna Zot mëkatet!
Kurrë nuk kemi qenë më unikë në Atdheun e ndarë në pesë shtete.
Për hir të paqes e stabilitetit, flijojmë edhe sovranitetin.
Duke ndërruar çatinë, shembim edhe shtëpinë.
Bubullimë te Shkambi i Kavajës...!
Jemi zogj të shqipes, që fluturojnë lart e larg.
Në stinën kur duhet të bëjmë diçka, thyejmë qafën tjetërkah.
Mora rrugën për Janinë...
Aq shumë e duam Atdheun, sa për të lëmë kokën në fund të botës.
Vetëm kur dalim jashtë, shkëlqejmë si yjet.
Atje këndojmë O e bukura More...!
Atje kërkojmë lirinë, vetëvendosjen e pavarësinë.
Zoti na shëlboftë!
Ata që na bëjnë bekimin, paçin edhe uratën tonë:
Zoti i i kungoftë!
Akademia e Titës
Kush po e nguc Akademinë tonë në këtë dimër?
Oh, ajo është maja e Ajsbergut në Detin e Ngrirë!
Ajo është Panteoni ynë kombëtar.
Ajo është Kulla e Ejfelit mbi Senë.
Ajo është Piramida e Keopsit në shkretëtirë.
Ajo është Truri ynë i madh.
Është akademia më fortë në botë, sepse në themel të saj qëndron strategu i madh jugosllav Josip Broz Tito.
Shqiptarët nuk janë bukëshkelës të mohojnë këtë dhuratë kaq të bukur.
Po të hiqej ai gur nga themeli, do të ndodhte apokalipsi ynë.
Aty është mbledhur gjithë yndyra jonë.
Mark Krasniqi me stazhin më të gjatë akademik: dhjetë vjet gjeograf i shqiptarëve në Akademinë Serbe të Shkencave.
Ekrem Murtezai, figura më rrezatuese e Akademisë. Tetë vjet ka kënduar për hoxhë, pastaj për mësues e filozof të kulluar në Beligrad. Ka doktoruar në shkencat politike të Universitetit të Kumrovcit. Ka shumë merita shkencore: këshilltar e shef kabinetesh në Byronë Ekzekutive të Komitetit Qendror të LKJ-së, ligjërues i marksizmit, drejtor i Qendrës Krahinore të Arsimit Marksist etj.
Esad Stavileci, doktorant i vetëqeverisjes socialiste jugosllave dhe mbi të gjitha poet, tregimtar e dramaturg i dalluar.
Ali Aliu, xhoker ballkanik i letrave.
Nexhat Daci, i vetmi trashëgimtar i dinamitit të Nobelit.
Isa Mustafa, reformator i trinisë së mërgatës sonë.
Hivzi Islami, demograf i fashatarëve nëpër botë.
Aty janë edhe zenitistët, linguistët, piktorët e dirigjentët e paqes jugosllave.
Akademia ka bërë vetëm një sakrilegj, ka leçitur nga vatha Sinan Hysenin e ndjerë, shkrimtarin e romanit të parë modern Rrushi ka nisë me u pjekë.
Zoti i kungoftë akademikët tanë! Edhe ndonjë ditë ata do të prehen në Shtëpinë e luleve të shokut Tito.
Marshall Tita n’kali t’bardhë
Ugurolla more shiptarë !
______________
Nga revista letrare Metafora, Prishtinë, janar 2012.