HUMANIZMI I BARBARËVE

15/06/2018 09:08

OPINION

 

 

HUMANIZMI I BARBARËVE

 

Viktor MALAJ

 

 

Tirana, kryeqyteti i barbarisë ndaj qenve. Lal Plehu ka vrarë mbi 10.000 qen dhe ka vjedhur fonde publike të destinuar për mbrojtjen e tyre“. /Sali Berisha

Jo rrallë kam dëgjuar apo lexuar të thonë se nuk duhet folur as shkruar më për Sali Berishën dhe se ai, meqë nuk ndodhet më në pushtet, nuk mund të fajësohet për asgjë. Pohime të tilla bëhen kryesisht nga ithtarët e tij, por edhe nga ata që kanë mbaruar universitete në Shqipëri apo Perëndim dhe kanë mësuar parime teorike e frazeologji joshëse, por që në ndërgjegjet e tyre iu kanë dhënë “strehim politik” mendimeve, koncepteve dhe moralit mesjetar të shqiptarëve.

Për aq kohë sa ne analizojmë, mallkojmë dhe interpretojmë sundimet dhe sjelljet e A. Zogut dhe E. Hoxhës të cilët kanë dekada që i kanë mbyllur hesapet me këtë botë, do të ishte antihistorike dhe shoqërisht e dëmshme të mos merremi me një individ politik si S. Berisha i cili, përveç se është ende gjallë dhe vepron çdo ditë për të helmuar jetën politike në tërësi dhe të dhjetëra njerëzve të veçantë, por ka nga mbrapa edhe një parti shumica e anëtarëve dhe figurave kryesore të së cilës mbartin të njëjtin moral, mentalitet dhe mënyrë sjelljeje si e tij. Ndërsa Saliu klloçit duke shpurdhur plehun tufa e larove i mblidhet rrotull për të treguar se janë bij të klloçkës.

Shqipëria njeh dhe do të njohë shumë figura politike të padenja apo të dëmshme por, vështirë të ndodh që në skenën politike shqiptare të shfaqet një figurë e tillë politike, niveli i paprecedent i hipokrizisë, pafytyrësisë dhe anakronizmit të të cilit të lë pa mend.

E keqja më e madhe nuk qëndron tek bartësi i këtyre cilësive negative, por tek fakti se sa i madh është numri i shqiptarëve që edhe sot, pas gati tri dekadash, vazhdojnë t’i miratojnë, duartrokasin, lavdërojnë dhe imitojnë sjelljet e tij.

Nëse Zogu dhe Hoxha, përgjithësisht, kanë qenë konsekuentë në sjelljet e tyre dhe, pak ose aspak, janë përpjekur të shfaqen çfarë nuk ishin, Sali Berisha është rasti shembullor i njeriut pa kurrfarë parimesh, skrupujsh dhe as idesh; është individi që bën çmos të shitet ai që s’është; të kalojë me lehtësinë më të madhe dhe pa brejtjen më të vogël të ndërgjegjes nga njëri ekstrem politik në tjetrin, të mohojë pa droje dhe kurrfarë turpi ato që ka thënë apo bërë, jo dy vjet më parë por edhe një ditë më parë; është individi politik i shekullit të 21-të që demonstron sjelljet dhe moralin mesjetar të mbuluar me vellon e frazeologjive moderne.

Shqipëria nuk njeh asnjë rast që një individ politik të manifestojë në një shkallë të tillë mungesën tërësore të përgjegjësisë morale për ato që thotë dhe të mos përgjigjet ligjërisht për ato që bën; të fyejë, shpifë, trillojë dhe nëpërkëmbë dinjitetin e anëtarëve të tjerë të shoqërisë shqiptare me lehtësinë më të madhe.

Përgjegjësia më e madhe morale, historike dhe politike e Sali Berishës nuk qëndron edhe aq në mosarritjen e atyre që iu pati premtuar dikur shqiptarëve, sesa qëndron në ushqyerjen dhe mbajtjen gjallë ndër shqiptarë të një klime të turpshme dhe të dëmshme morale me ndikim shoqëror që karakterizohet nga përçmimi, ndasitë, përdallimi (diferencimi), urrejtja, poshtërimi, mosrespekti për të vërtetën, për dinjitetin njerëzor dhe shkelmimi i çfarëdo vlere qytetëruese në marrëdhëniet midis individëve të shoqërisë, si dhe midis individit dhe shtetit.

Ai është mishërimi perfekt i njeriut arkaik të periferisë të cilit, pasi i jepet mundësia të shkollohet shumë mirë, i bije me shkelm mundësisë tjetër, asaj të ndriçimit (iluminizmit) dhe qytetërimit. Dijet e marra në shkollë dhe në jetë i vë në shërbim të dinakërisë dhe makinacioneve për të plotësuar epshet e veta politike karrieriste dhe sunduese.

Është e dhimbshme, e dëmshme por edhe domethënëse që nga një individ me karrierë gjysmëshekullore politike sot mund të kujtohen shumë çjerrje, ulërima, kërcënime, fyerje, mohime, mashtrime dhe maratona pa fund bredhjesh kryq e tërthor Shqipërisë për hir të pushtetit politik, por askush nuk mban mend prej tij ndonjë fjalë me mend, ndonjë këshillë të mençur, ndonjë ide të vlefshme për vendin, ndonjë rol paqësues a përbashkues në çështjen kombëtare, ndonjë mendim udhërrëfyes për të sotmen dhe të ardhmen. Jo! Në vend të këtyre në kujtesë të trokasin britmat dhe pamjet e një njeriu të egër që beson dhe tenton të mposhtë të tjerët jo me mendime, por me poshtërime, jo me ide, por me shpifje, jo me intelektin e epëm, por me turrin dhe egërsinë e instinktit, jo me fuqinë e pathyeshme të arsyes, por me dredhinë dhe pabesinë e të ligut.

Shikoni ku është katandisur njeriu që shqiptarët kanë pasur disa herë në drejtim, herë si kryetar shteti e herë të tjera si kryetar qeverie. Në vend që të largohej nga politika dhe të ishte në rolin e një “kryeplaku” të mençur të cilit t’i drejtoheshin shqiptarët për mend dhe t’i referoheshin për fisnikëri, ai, me shumë pasion dhe pa kurrfarë skrupulli, është shndërruar në një plak gërnjar, llafazan, i fëlligësht që nuk lë njeri pa marrë nëpër gojë, pa fyer e poshtëruar. Nuk i bëjnë fare përshtypje gafat, fajet dhe krimet që ka kryer tash 28 vjet dhe as që ndjen kurrfarë breje ndërgjegjeje për to. Po të kishte mundësi do t’i bënte edhe njëqind herë të tjera ato që ka bërë.

Ka rrahur, burgosur e plagosur gazetarë dhe, për këtë shkak është shpallur “armik i lirisë së shtypit” nga institucionet përkatëse ndërkombëtare dhe tani u bije borive të alarmit pse kryeministri i sotëm i quan një pjesë të medias “kazan”; ka burgosur, rrahur dhe vrarë kundërshtarë politikë dhe protestues paqësorë dhe sot del në mbrojtje të qenve endacakë të Tiranës; Ka vrarë 30 njerëz e plagosur qindra të tjerë në Gërdec, duke pranuar vetë se “ka qenë një krim shtetëror” dhe sot del e fajëson qeverinë edhe për një aksident automobilistik; ka nënshkruar Marrëveshjen e Detit me Greqinë e cila është hedhur poshtë unanimisht nga Gjykata Kushtetuese dhe sot flet për “tradhti kombëtare” të qeverisjes të sotme megjithëse nuk është bërë ende asnjë marrëveshje zyrtare me shtetin grek; ka dëmtuar e shpërdoruar qindra miliona euro vetëm në rrugën Milot-Kukës dhe sot shpall si “vjedhje qeveritare” çdo financim zyrtar projektesh të rrugëve, djegies së plehrave apo turizmit.

Megjithëse është shpallur fajtor dhe dënuar nga gjykata shqiptare për veprën më të lehtë dhe më të shpeshtë penale që ka kryer, atë të shpifjes, vetëm në citimin e mësipërm të tij kemi një fyerje, një shpifje dhe një hipokrizi ekstreme kur shfaqet si dalzotës i qenve. Ai beson se edhe me qentë e rrugës do të mund t’i shtojë vlera figurës së vet të diskredituar qytetare. Ndoshta në këtë pikë ka të drejtë. Është për t’u besuar se vlerat e qenve të rrugës ia rregullojnë disi pamjen dhe përmbajtjen.

Siç e pohova më sipër, e keqja më e madhe, qoftë në rastin e Berishës, ashtu edhe të figurave të tjera politike, nuk qëndron thjesht në ekzistencën e tyre por në gatishmërinë e jo pak shqiptarëve me mendje të lehtë dhe me ligësi në shpirt për të admiruar, ndjekur e përkrahur bartësit e veseve.

Partia Demokratike, në kundërshtim me pretendimet e saj politike dhe predikimet morale të fillimit është kompromentuar para historisë dhe përpara shumicës së shqiptarëve pasi, qysh në fillim është marrë peng nga morali berishist, i është përshtatur atij në shumicë dhe, edhe sot e kësaj dite, zhgërryhet në baltovinën morale dhe politike berishiste.

Pa folur për drejtuesin formal të partisë, i cili është vënë aty prej tij për të siguruar vazhdimësinë morale dhe sjelljen politike të mëparshme, si dhe për të shërbyer si truproje ndaj veprimit të ligjit, fatkeqësisht ende një numër fatalisht i madh figurash qendrore të kësaj partie janë shfaqur vazhdimisht si bartës dhe demonstrues të antivlerave politike berishiste.

Pavarësisht se shumica dërmuese e shqiptarëve e kanë parë me mosbesim qysh në fillim “kapërcimin e ylberit politik” nga Sali Berisha dhe, me kalimin e kohës, janë bindur në padobishmërinë dhe, madje, rrezikun e ndjekjes së një figure të tillë politike me mentalitet parak dhe sjellje antidemokratike, sot ende ka njerëz politikë apo mediatikë që kanë paturpësinë t’ua shesin shqiptarëve si “realisht… një burrë shteti që ka bërë histori në këtë vend” (N.Lesi); “Berisha zë një vend të nderuar ndër politikanët, është me plot cilësi dhe i rrallë” (M.Kryemadhi) etj. Dhe kapakun këtij kazani me çorbë të prishur, ia vënë marioneta politike pa dinjitet që deklarojnë se “Unë personalisht mbështes çdo qëndrim dhe veprim politik të Sali Berishës” (B. Nishani).

Kam mbetur pa gojë para disa vitesh kur një prefekt, i cili kishte qenë më parë edhe kryetar bashkie, më pohoi se “Sali Berisha më ka bërë njeri”. Unë e kisha të qartë se togfjalëshi “më ka bërë njeri” donte të thoshte më ka bërë të pasur, sigurisht në mënyrë të paligjshme. Këtu gjendet edhe shpjegimi për një kategori njerëzish. Jo vetëm ata që kanë përfituar pushtet politik dhe ekonomik prej tij, por edhe një tufë shqiptarësh anakronikë, të paditur dhe viktima të pasioneve dhe mentaliteteve fisnore, krahinore dhe patriarkale mbeten adhurues pa kushte të fjalorit banal dhe egërshan, mentalitetit regresiv dhe sjelljes barbare të Sali Berishës. Është ai “njeriu shqiptar” për të cilin më qortonte me të drejtë në shkrimin e mëparshëm një komentues me pseudonimin “Claus”.

Është individi shqiptar që nuk ka ndjenjën e përgjegjësisë qytetare e kombëtare por, pasi ka filluar të humbë edhe respektin dhe ndjenjën e fisit, është lëshuar tërësisht në prehërin e interesave vetjake të çastit dhe shfaqet i gatshëm të shkelë mbi këdo e gjithçka për të kënaqur këto interesa. Dhe pastaj, me paturpësi, shprehet: ” Ky vend nuk bëhet. Askush s’e ka seriozisht “. Në të gjithë botën ka individë dhe grupe shoqërore që iu shkojnë mbrapa politikanëve të padenjë, por vështirë se do të gjendej ndonjë vend tjetër evropian ku rreth një e treta e popullsisë vazhdon të ndjekë, mbrojë dhe glorifikojë një figurë politike kaq të paskrupullt moralisht dhe aq të vrazhdë qytetarisht e politikisht

Edhe të pretendosh se do Evropën moderne, por edhe të ndjekësh mbrapa politika dhe politikanë mesjetarë, kjo është diçka që duhet t’ia prishë qetësinë shoqërisë shqiptare. Prandaj, edhe pse na mungon zelli, nuk duhet të heshtim. Sali Berisha vazhdon të rrezikojë shoqërinë dhe ajo nuk duhet të presë që “natyra të bëj të vetën”, meqë qytetërimi dhe fëlligështija nuk mund të bashkëjetojnë gjatë.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode