HISTORIA SIPAS TELHAIT (DHE NE QË RRIMË PËR TELHA)
03/07/2016 15:06
OPINION
HISTORIA SIPAS TELHAIT (DHE NE QË RRIMË PËR TELHA)
Nga Alqi KOÇIKO
Ka bërë xhiron e rrjetit videoja e një historiani turk që flet mbarë e mbrapsht, në fakt vetëm mbrapsht, në varrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut në Lezhë. Nga veshja e bollshme e të pranishmëve, duket se videoja është bërë në mot të ftohtë. Vetë personazhi, Talha Uğurluel, që për kollajllëk (turqizmat i japin “lezet” shqipes) po e quajmë Telha, është filmuar pa dëshirën e tij, siç duket dhe nga videoja, por nuk ka ngurruar t’i japë njëfarë leksioni “filmonjësit”, duke mos ja bllokuar gjithsesi kamerën. Duket se është krenar për ato që thotë. Ne jemi të bindur se Telhai ka sharë dhe ofenduar heroin tonë kombëtar, dhe jo vetëm atë: Ka hedhur baltë (sado shabllon të ngjajë si shprehje) mbi luftën dhe qendresën e një populli të tërë.
Pas një kërkimi në rrjet del se Telhai vërtet mund të quhet historian; ka shkruar tekste e libra për momente të ndryshme të historisë osmane dhe asaj të fesë. Ai thotë mes të tjerash:“Skënderbeu nuk bëri luftë, por plaçkitje, terror mbi gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur. Ai ishte sikurse është sot PKK”,pra Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. Nuk munguan duartrokitjet e disa grave të mbuluara me shami. Telhai njoftoi krenarisht kameramanin e rastësishëm se grupi që ai shoqëronte kishin qenë dhe në Shkodër, dhe aty nderuan në kalanë e Rozafës, kujtimin e Hasan Rizait, gjeneralit turk që u vra (nga Esat Pasha) gjatë rrethimit të Shkodrës nga malazezët, më 1913. “Por për Skënderbeun nuk do falemi”, tha Telhai, “se ndryshe nga Hasan Rizai, besnik i osmanëve, ai ishte tradhtar i perandorisë”. Dhe Telhai me këtë rast dha edhe një ultimatum: Shqiptarët këtej e tutje duhet të zgjedhin sesi të jetojnë: si Mehmet Akif Ersoy shqiptar, por besnik i osmanëve apo si Skënderbeu tradhëtar.
Le t’i marrim gjërat me rradhë, dhe jo si Telhai. I vetmi dyshim që kam, është nëse gratë të cilave u drejtohen si biçim ciceroni i vetëzgjedhur, ishin turkesha apo shqiptare, po nejse. Siç e thamë, ashtu si me gjuhë të tjera, huazimet e huaja të një gjuhe, shpesh rezultojnë njëfarë kripe e piperi për gjuhën ku kanë bujtur. Në Shkodër, “kemi nejt për telha” do të thotë kemi ndenjur për qejf, shpengueshëm, apo “rehat” në daçi. Ja pra që emri i Telhait mund ta shpjegojë edhe mënyrën sesi e kupton ai historinë: Dmth, në stilin “ku rafsha mos u vrafsha”. Historiani Telha shkon e bën lëmsh Skënderbeun e shek.15 me Hasan Rizain e para një shekulli. Dhe për të shtuar oreksin, hedh edhe pak Mehmet Akif Ersoy si “besnik i osmanëve” duke entuziazmuar audiencën e vockël që kish me vete.
Mehmet Akif Ersoy (1873-1936), poet, akademik, deputet dhe patriot turk me origjinë shqiptare nga Peja, është realisht një pikë referimi krenarie për turqit e sotëm. Ai është, le të themi, Asdreni i turqve, krijues i vargjeve të himnit kombëtar të Turqisë. Por kujdes, të Turqisë moderne, jo të osmanëve?! Ai, ashtu si Ataturku, u ngrit për të bllokuar shkatërrimin e Turqisë nga politikat neokolonialiste dhe për të krijuar kombin e ri nga hiri i perandorisë së kalbur osmane. Kaq mjafton për të kuptuar folklorizmat qesharake të Telhait, që vetëm me shkencën e historisë nuk kanë të bëjnë. Për ta thjeshtuar edhe më, është njësoj sikur të ngremë pyetjen: Kush e donte më shumë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, mbreti Gent apo Ali pashë Tepelena?
Tani, përtej shpjegimit “shkencor” të Telhait, ajo për të cilën me të drejtë janë shqetësuar të gjithë ata që parë videon, është se si është e mundur që turli lloj tipash vijnë e fyejnë në oborrin e shtëpisë sonë. Aq më shumë, japin ultimatume. Ne duhet të zgjedhim, thotë Telhai, ose rrugën e Skënderbeut, pra mbrojtjen e atdheut-“vatanit” kur rrezikohet, ose rrugën e Mehmet Akifit, pra të thurrim vargjet e një himni të ri për Turqinë.
Kam përshtypjen se Telhai është pak me vonesë, pasi rruga është zgjedhur. Por të bën përshtypje sesi nuk flet (jo për këtë rast, se mbase dikush po përgatit ndonjë reagim) asnjë personazh publik e politik për provokime të tilla. Një këshilltar grek i thotë në fytyrë kryeministrit në Tiranë, se ka bashkëpunëtorë të nazistëve në qeverisje. Një makinë shqiptare në Mal të Zi e gjobisin kripur, se kishte vënë flamurin tonë teksa luheshin ndeshjen e Shqipërisë në Euro 2016. Edhe më zi, një vogëlush shqiptar shtypet me makinë në Kumanovë. Vendi fqinj dhe mik me të cilin na lidhin njëmijë e një fije, pra Greqia, nuk ngurron të shpallë non grata gazetarë shqiptarë që flasin për fshatrat e Çamërisë…
A nuk është e udhës që përtej reagimeve virtuale, të reagojmë edhe zyrtarisht për hynere të tilla? Për shembull, t’i themi Telhait që s’ka më punë këtej, e le të ftillohet ca kohë se çfarë do bënte ai sikur një fuqi e huaj të pushtonte Turqinë, fjala vjen Rusia. A do t’i shërbente me besnikëri Carit? Mesa duket po.
Shqipëria, (siç kish qejf të shprehej F.Nano), padyshim që do vazhdojë të “eksportojë siguri në rajon”. Por kjo nuk do të thotë të eksportojmë pafund mungesë dinjiteti dhe kthim të faqes tjetër sapo na japin shuplakën e parë. Nuk do të thotë të na shkelin me këmbë kujtesën historike dhe dinjitetin turli sojsëzësh nga çdo cep qofshin. Ose, në qoftë se e bëjnë dhe ne rrimë “për telha”, domethënë që nuk i meritojmë as njërën, as tjetrën.
DITA