HISTORIA E MOHUAR E NJË KOMANDANTI (2)
15/08/2018 18:30
HISTORI
HISTORIA E MOHUAR E NJË KOMANDANTI (2)

Kolonel Dilaver GOXHAJ

Ecuria ushtarake e Mehmet Shehut
- a) Mehmet Shehu në Spanjë
Luftën e popullit spanjoll kundër fashizmit nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Spanjolle Mehmeti e ndoqi me interesim; i mbushur plot urrejtje për fashizmin, ai vendosi të shkonte vullnetarisht për të luftuar përkrah revolucionarëve demokratë të Spanjës. Përmes rreziqesh të shumta, ai kaloi me këmbë kufirin franko-spanjoll, të cilin e përshkruan në poemën e tij “Adelante kamaradas”.Në Spanjë dallohet në luftë për trimëri dhe zgjuarsi, dhe për këtë meritë emërohet komandant i batalionit IV të kësaj Brigade, në moshën 23 vjeçar, si dhe pranohet anëtar i Partisë Komuniste Spanjolle në dhjetor 1937.
- b) Internimi
Gjatë gjithë luftës në Spanjë ai lufton me heroizëm dhe më në fund, kur u tërhoqën trupat republikane nga Spanja, në shkurtin e 1939, pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj, internohet në Francë, në kampe përqëndrimi nga qeveria e atëhershme raksionare e Francës. Aty përsëri vijon të punojë pa u lodhur kundër fashizmit dhe arrin të bëht antar i PK Italiane, si dhe anëtar komitetit të partisë komuniste të kampit.
- c) Kthimi në Shqipëri
Mbas 40 muajsh në kamp, duke kaluar nga burgu në burg, më 10 gusht 1942 kthehet në Shqipëri, pasi u pushtua Franca prej Gjermanisë, ku krijohet një komision italo-gjerman që merrej me riatdhesimin e vullnetarëve. Mbërrin në Shqipëri në gusht 1942, ku menjëherë e burgosin si komunist, por lirohet pas 20 ditësh, me ndihmën e miqve të babait të tij. Shumë më vonë, pas (vetë)vrasjes së tij, Enver Hoxha dhe PPSH e përdorën këtë fakt për propagandë, duke dashur ta fyejnë se gjoja Mehmet Shehu ishte agjent i Man Kukaleshit, (“Titistët”, f.576). Pasi kthehet në Çorrush qëndron në ilegalitet, derisa lidhet me Qarkorin e PKSH së Vlorës, ku zgjidhet sekretar organizativ i atij Qarkori.
Me t’u bashkuar me Qarkorin e PKSH së Vlorës, Mehmet Shehu shpejt e tregoi veten si një ushtar dhe lider i talentuar, duke u bërë figurë e shquar në udhëheqjen e luftës në këtë qark. Merr pjesë në të gjitha luftimet dhe i drejton këto, duke qenë komandant i Çetës Plakë të Mallakastrës.
Mehmeti dallohej për vullnetin e fortë. Vendimarrës i shpejtë dhe i vendosur. Demonstron vijimisht iniciativë dhe e zbaton atë me shkathtësi. I disiplinuar, duke dhënë shembullin personal. Kërkues dhe këmbëngulës në kërkesat e tij. Person i ashpër dhe mjaft simpatizues nga bashkëluftëtarët. Kokëfortë. Në aspektin profesional ushtarak i trajnuar shumë mirë. Përjetuar gjerësisht si një udhëheqës ushtarak. Për këto cilësi emërohet komandant i brigadës së parë partizane.
Mehmeti ishte ndër të parët që e kuptonte potencialin e sulmit të befasishëm të tipit gueril, por edhe atë frontal. Ai ishte një mbështetës i hershëm i krijimit të formacionve të mëdha partizane, i përkrahur jo vetëm nga Enver Hoxha, por nga e gjithë udheqja LANÇ-it, në teorinë e tij: “Shpirti sulmus, aktiviteti luftarak i pandërprerë, disiplina e fortë dhe e ndërgjegjshme, shkathtësia, shpjtësia dhe elasticiteti në veprime luftarake, janë faktorët krysorë për të fituar luftimin dhe luftën.”, duke u promovuar shumë shpejt në rangun e një stratgu ushtarak, prandaj dhe i besohet komandimi i Br1S, me Komisar Politik Tuk Jakovën, zgjidhje që më vonë do të rezultoi shpëtimtarja e Ushtrisë Partizane Shqiptare.
Disa nga luftimet kryesore të Brigadës së Parë gjatë LANÇ-it
Më 15 gusht 1943, në Vithkuq, brigadën e përshëndeti në emër të PKSH Enver Hoxha, i cili i vuri detyrë brigadës të behej shëmbull për të gjithë ushtrinë partizane dhe e mbaroi përshëndetjen me këto fjalë: “Bëhuni tmerr për armikun dhe shpresë për popullin”. Në emër të efektivit të partizanëve të brigadës, Komandanti Mehmet Shehu iu përgjigj: “Betohemi se do ta bëjmë Brigadën I tmerr për armikun dhe shpresë për popullin, do hidhemi nga aksioni në aksion dhe do të korrim fitore pas fitoreje, do t’u japim grusht pas grushti okupatorëve dhe tradhtarëve të popullit tonë.”( Historiku i BrIS, f. 19)
Në luftë të pandërprerë me armiqtë pushtues dhe vendës, Brigada e Parë e përmbushi me lavdi misionin e saj historik.
Ja disa nga betejat kryesore të kësaj Brigade:
Pa kaluar as 10 ditë prej formimit të saj, Brigadës iu desh të përballonte përpara Vithkuqit një ofensivë armike, nga e cila doli edhe më e fortë.
Inkursioni Br I S, shkurt-mars 1944. Ofensiva e parë gjermano-balliste në dimrin e vitit 1943-44 kishte krijuar kushte të vështira për forcat e Ushtrisë NÇl në gjithë vendin. Një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm me në krye E. Hoxhën kishte mbetur e bllokuar në zonën e Çermenikës. Për këtë qëllim SHP i jep urdhër Br1S që të kalonte në këtë zonë. Megjithse Br1S në këtë periudhë vepronte kundër gjermanëve e tradhtarëve në krahinën e Skraparit, menjëherë, në 21 shkurt, me një forcë prej 450 partizanësh, me në krye komandantin, Brigada fillon marshimin drejt Çermenikës. Më 27 shkurt rrethohen në Skroskë, afër Quksit, dhe pas 6 orë luftimesh në rrethim, e shpërthejnë atë. Brigadës i duhej të çante në dimrin e ashpër malet e larta plot borë që i kalonin 1000 metra lartësi dhe pas 24 orësh bien përsëri në rrethim në Qarishtë. Falë udhëheqjes prej M. Shehut e me shembullin e tij personal, eliminohet edhe ky rrethim, duke ndjekur itinerarin Qarishtë-Llëngë-Zabzun-Gollobordë-Okshtun-Kaptina e Martaneshit (1700m. lartësi)-Martansh. Këtu bien në rrethim në fshatin Peshk, ku pas 9 orë luftimesh mundën ta çajnë rrethimin dhe pasi arrijnë në Gurabardhë marrin drejtimin për në Shëngjergj, ku mësojnë se Shtabi i Përgjithshëm kishte kaluar në jug të vendit. Gjithçka u arrit falë moralit të lartë partizanëve dhe të vetë M. Shehut, i cili nuk u rrëmbye asnjëherë as nga paniku, as nga zemërimi i verbër, por plot vetëbesim, shpresë e guxim, falë dhe guximit e vetmohimit të partizanëve, të cilët e kishin të ngulitur në mendje se nuk i përkisnin vetes por Atdheut. Kush di të udhëheqë, gjen dhe ithtarë.
Si rrjedhojë Br1S ia arriti objektivit, e cila u kthye përsëri kompakte në Jug. Ai marshim, i udhëhequr personalisht nga M. Shehu, sikundër shprehen të gjithë oficerat ndërlidhës anglezë si dhe Komanda e forcave Gjermane në Shqipëri, e shpëtoi Ushtrinë N.Çl dhe dhe gjithë Luftën N.Çl. nga asgjësimi.
Për këtë heroizëm që tregoi Br1S gjatë atij marshimi 24 ditor në prapavija të armikut, pesë ditë më vonë, më 10 mars 1944, falënderohen nga Envr Hoxha në emër të SHP, i cili, midis të tjerave shkruante:”Shtabi i Përgjithshëm nënvizon kujdesin e veçantë të komandantit të asaj Brigade, shokut Mehmet Shehu, tok me batalionin e I-rë, II-të dhe III-të sulmues të Brigadës, që ka treguar dhe që, pa marrë parasysh as lodhjet as pengesat që mund të haste rrugës, por të bindur dhe të disiplinuar si u ka hije parrizanëve, të shtyrë nga dashuria e madhe ndaj Shtabit të Përgjithshëm, kanë vrapuar në ndihmë të një pjese të Komandës së Shtabit të Përgjithshëm që ndodhej në zonat e rrezikshme e të përshkuara nga gjermano-ballistët”. (Dok. të SHP, v.1, 1976, f.251)
Lufta në Dunicë. Në mars 1944, forcat e Br1S, duke kaluar vështirësitë e tokës dhe kohës së keqe mundën të mbyllnin rrethimin e armikut në befasinë më të madhe gjatë natës. Pas dy orë luftimesh armiku u shpartallua plotësisht, ku rreth 400 vetë u dorëzuan. Në duart e partizanëve ra një plaçkë e madhe lufte. Zona e Mokrës u çlirua dhe u bë një bazë e shëndetshme për manovrimin e forcave dhe për të goditur komunikacionet dhe qendrat armike gjatë rrugës Elbasan-Pogradec-Korçë.
Lufta për Pogradecin. Në natën e 16-17 prill 1944 Br1S merr urdhër nga SHP të sulmonte armikun në Pogradec. Mësymja u krye në befasi. Armiku rezistoi me këmbëngulje pasi ishte edhe i fortifikuar. Luftimet zgjatën 24 orë brenda në qytet. Armiku la rreth 40 të vrarë si dhe 240 robër, ndërsa nga radhët partizane ra një zv.komisar kompanie.
Lufta e Dibrës. Më 1 Gusht 1944 në befasinë më të madh Brigada I sulmoi Dibrën. Lufta brenda në qytet vazhdoi 36 orë pa rreshtur. Gjermanët u mbyllën në fortifikata prej betoni dhe shumë herë partizanët u përleshën trup me trup me armikun, derisa e çliruan qytetin. Në gusht Mehmet Shehu emërohet Komandant i Divzionit I. Më 30 gusht gjermanët u detyruan të tërhiqen nga qyteti. “Mehmet Shehu dhe Divizioni I ishin bërë një forcë e shkëlqyer dhe me shumë përvojë për vazhdimin e mëtejshëm të luftës në Shqipëri.”, shkruan Reginald Hibbert (“Fitorja e hidhur”, f.288).
Lufta për çlirimin e Tiranës. Ishte koha që Ushtria jonë N.Çl të hidhej në mësymje të përgjithshme dhe të fillonte nga çlirimi i qyteteve. Një ndërmarrje e madhe ishte lufta për çlirimin e Tiranës. Faza përgatitore 25 shtator-29 tetor 1944; faza e parë e sulmit: 29 tetor-11 nëntor 1944; faza e sulmit vendimtar 11-14 nëntor 1944; beteja e Mushqetasë 14-15 nëntor; faza përfundimtare 15-17 nëntor 1944. Për çlirimin e Tiranës u angazhuan Br 1, 4,8,10, 12, 17, 23, 24 S. Në 17 nëntor Tirana u çlirua. Emërtohet “Lufta për Çlirimin e Tiranës”, pasi përbëhet nga disa beteja: beteja për çlirimin e Krujës; beteja për çlirimin e Shijakut; beteja për asgjësimin e forcave reaksionare të Abas Ermenjit në rrethet e Ishmit; beteja e Mushqetasë dhe beteja për çlirimin përfundimtar të Tiranës. Lufta për çlirimin e Tiranës u kushtoi gjermanëve më tepër se 2000 të vrarë, 300 robër dhe një material shumë të madh luftarak. Nga forcat e U.N.Çl. ranë 127 partizanë dhe 290 të plagosur.
Kjo është historia e vërtetë, e jetuar, e shkruar dhe e treguar deri në vitin 1981. Pikërisht në këtë vit, fillon një kthesë e padëshirueshme për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të kthyer përmbys historinë.
Ja se si ka ndodhur:
Një muaj më herët se të vritej Kryeministri ish-Komandant i Brigadës së Parë, në emisionin e RTSH “Ngjarje dhe data”, kushtuar 17 Nëntorit, çlirimit të Tiranës, nga ai emision u hoqën pamje e pasazhe të tëra, teksti e figura me pamje nga M. Shehu, dhe gjithçka iu atribua Hysni Kapos, ku deri në atë kohë historia fliste se çlirimin e Tiranës e kishte udhëhqur Mehmeti. Gjë që do të thotë se gjithçka ishte programuar se si do të përfundonte Mehmet Shehu, e këtij personaliteti me autoritet absolut për disa dekada.
Dhe pas një viti, po në kuadër të 17 Nëntorit, për ta bërë edhe më bindëse akuzën se Mehmeti kishte qenë armik, në gazetën “Zëri i popullit” u shkrua me shkronja të mëdha, se Mehmet Shehu i lejoi vetë forcat gjermane të dilnin nga rrethimi natën duke gdhirë 17 Nëntori, përmes Tiranës së Re, edhe pse Mehmeti e shpjegon qartë në librin e tij.
Çuditërisht, të njëjtën akuzë i bënë injorantët edhe Kutuzovit pse nuk ua preu rrugën e tërheqjes nga Moska forcave franceze të Napoleonit, dhe ai, “me urtësinë e tij prej plaku, -shkruan Tolstoi, - u thosh atyre ato që mund të kuptonin, se një armiku që ikën, i duhet ndërtuar një urë e florinjtë.” Edhe nëse do të ishte e vërtetë kjo akuzë ndaj M. Shehut, atëherë duhet të pranojmë se, edhe pse 32 vjeçar, Mehmeti ishte strateg ushtarak i nivelit të Kutuzovit 72 vjeçar.
***

Por historia e Brigadës së Parë nuk mbaroi me çlirimin e vendit. Ajo vazhdoi me asgjësimin e mbeturinave të forcave reaksionare në Malësinë e Veriut, 30 nëntor 1944-19 shkurt 1945.
Lufta për asgjësimin e Br1S
Para se Brigada I Sulmuese të kryente Marshimin e saj Heroik në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm në Veri të Shqipërisë, ajo kishte kryer rreth 40 luftime sulmuese të fuqishme kundër forcave gjermano-balliste, brenda një periudhe 5(pesë) mujore. Kjo sasi luftimesh është lëvizshmëri e pashoqe, që do të thotë se në çdo 4-5 ditë një luftim sulmues; sot në një krahinë të Jugut e pas 2-3 ditësh në një tjetër, ku më kryesorët janë: prita e Barmashit, lufta e Vithkuqit, sulmi në Pogradec, prita e Xhyrës, prita në qafën e Krabës, sulmi në postbllokun e Elbasanit, prita te ura e Farkës, prita te ura e Erzenit, prita te ura e Bërzhitës, depërtimet brenda në Tiranë, fuqizimi i saj me një batalion ish-ushtarë italianë në tetor 1943, prita e Dervenit në Dumre, asgjësimi bandave balliste në afërsi të Lushnjës, hyrja në Berat, shpartallimi i bandave balliste në Mallakastër, luftimet në rajonin e Patosit, luftimi i batalionit “Antonio Gramshi” në Berat, asgjësimi kolonës gjermane në Povël-Kapaj-Symizë, shpartallimi bandave balliste te Ura e Dragotit Tepelenë, disfata e ballistëve në Qafën e Kiçokut, disa luftime kundër gjermanëve në krahinën e Mesapilkut dhe krijimi i kushteve për formimin e Br5S, luftimet sulmuese në Dëshnicë, lufta në Tendën e Qypit, luftimet në Pogon e Lunxhëri, luftimet në afërsi të Përmetit dhe krijimi i kushteve për formimin e Br6S, spastrimi i zonës së Skraparit, spastrimi i Nahijes së Beratit, spastrimi i Tomoricës. Këtë gjë e pohon edhe oficri angles, Reginald Hibbert, kur thotë: “Brigada I partizane nën Mehmet Shehun u shfaq me luftime në lokalitete të ndryshme. (“Fitorja e hidhur”, f. 183). Një shpeshtësi e tillë luftimesh, dhe kryesoria, të gjithë luftimet të përfunduar me fitoren e Brigadës I, rrallë mund të gjenden në historinë e gjithë luftrave partizane (guerile) çlirimtare. Janë këto luftime të suksesshme që e shndërruan atë Brigadë në Brigadë Legjendë, formacion luftarak i pashembullt në të gjithë historinë e luftrave të popullit tonë. Si rrjedhojë Br1S ishte shndërruar në tmerr për armikun dhe shpresë për popullin.
Krahas sulmeve të tjera të zhvilluara në të gjithë vendin nga çetat, batalionet dhe grupet, kjo veprimtari luftarake e Br1S në të gjithë Shqipërinë e Jugut, e detyroi pushtuesin gjerman të ndërmerrte Operacionin e Dimrit, me synim: asgjësimin me çdo kusht të Brigadës I, me shpresën se me asgjësimin e saj do të asgjësohej gjithë Lëvizja Nacionalçlirimtare. Këtë e vërteton gjithë korrespondenca gjermano-balliste e asaj periudhe. Dhe për këtë qëllim komanda gjermane i vlerësonte të pamjaftueshme forcat që kishte në Shqipëri, prandaj ajo zgjodhi dy rrugë: shtimin e forcave, duke rigrupuar repartet e Divizionit 181, 118 dhe të Divizionit I malor, duke arritur në 70 mijë veta, nga të cilat në mësymje u hodhën 40 mijë përveç 10 mijë forcave ballisto-zogiste. Forcat e tjera ruanin rrugët dhe qytetet. Raporti i forcave ishte 2,5 me 1 në favor të armikut, ndërsa në zona të veçanta ky raport rritej 5-10 herë.
Ndëshkimet
Mehmet Shehu, gjenerali ngadhnjimtar i LANÇ-it, pas fitoreve dhe sukseseve të njëpasnjëshme edhe ka gabuar dhe për këtë është kritikuar nga Shtabi i Përgjithshëm dhe nga vetë Enver Hoxha.
Në 5 nëntor 1943 i tërhiqet vërejtje nga Komanda Shtabit të Përgjithshëm, për vrasjen e dhjetra ballistëve në Lushnjë. M. Shehu e pranon fajin dhe bën autokritikë. Pra, u ndëshkua veprimi dhe jo Mehmeti. Kjo tregonte pjekurinë e lartë të Enver Hoxhës, prandaj dhe Mehmeti shkëlqeu edhe më shumë në të pastajmen gjatë gjithë luftës por edhe gjatë të qenit Kryeministër.
Në plenumin e K.Q. të vitit 1947, dhe mbas këtij plenumi, M. Shehu u godit rëndë nga Koçi Xoxe, Pandi Kristo etj., ngaqë mbronte me këmbëngulje Ushtrinë Kombëtare për mosnënshtrim të saj nga kolonizatorët jugosllavë. Por ai nuk u përkul, duke e përballuar me gjakftohtësi dhe guxim atë situatë të vështirë që u krijua rreth tij nga projugosllavët e atij Plenumi.
Pas rënies së Koçi Xoxes dhe klanit të tij, filloi ngjitja e Mehmetit…
(Vijon)

DITA