HIENAT
01/10/2015 06:50
Analizë&Opinion
HIENAT
Nga Adrian THANO
Kush mendon që trazira politike e ditëve të fundit është histori e re, ka memorie të dobët. Ose është gazetar dhe quhet Blendi.
Një kthim i shpejtë në kohë mjafton për të kuptuar se që prej ditës kur Rama bëri foton e parë me ministrat e tij në shkallët e Kryeministrisë, Shqipëria regjistron një kronikë të vijueshme tensioni politik të imponuar.
Nisi me tritolin që u duk dhe u zhduk si në një numër cirku dhe ka vijuar me furtuna gote të njëpasnjëshme që nisin e shkrepëtijnë të hënave në rrugë dhe shkarkohen të enjteve në Parlament.
Karakteristikë kryesore e këtij tensioni ka qenë deri më sot shfryrja në mënyrë të habitshme e ngjarjeve që nisin të egra e të ububushme, por shuhen papritur e me gjithçfarë. Për t’ia lënë vendin fillimit të një tjetre pak ditë më pas; edhe kjo tjetra përplot “me fakte rrënqethëse” siç parapëlqen të shprehet deputeti Doshi.
Dy episodet e fundit janë furtuna “Bami” me supozimin e një vrasjeje të porositur nga Meta, si dhe kjo që po ndodh këto ditë; afera e një prej 9 apo 10 borxhmbledhësve privatë të ish-kompanisë CEZ në qendër të të cilës është vënë edhe njëherë Meta.
Ajo që i dallon këto dy episode të fundit prej ngjarjeve të mëparshme të këtij tensioni të vijueshëm politik është jo ndryshimi i regjizurës, por i skenarit: U kalua nga goditja e “dyshes Rama-Meta” në goditjen vetëm të Metës.
Veçimi i Metës është lajmi i ri në këtë histori, jo vetë historia, e cila siç thamë më lart, ka 2 vjet e kusur që s’ndalet.
U kuptua me sa duket që goditja e dy liderëve të së majtës “në bllok” ishte kundërproduktive. Madje ajo po e forconte bindjen e përgjithshme dhe jo të gabuar që PS dhe LSI, nëse janë bashkë, mund të qëndrojnë në pushtet sa të duan vetë.
Duhet pranuar që veçimi i Metës ka dhënë “rezultate shumë më të mira” se të mëparshmet. Kjo shpjegon dhe entuziazmin e atyre që i kanë fërkuar jo pa sukses strallin dhe masatin mbi eshkën e ditëve të fundit.
Cilët janë ata? Një pjesë janë në sytë e publikut, të tjerët janë në prapaskenë, disa prej tyre shumë afër Ramës dhe Metës për fat të keq. Disa janë në kopertinën e sotme të DITA, por jo të gjithë.
E di që do më kërkojnë emra, por kjo është pjesa më e panevojshme e këtij shënimi.
Në krye janë heronjtë e krimit ish-qeveritar që sot aktrojnë të pandëshkuar në teatrin e bëmave të tyre.
Pas tyre janë kurtizanët e përhershëm të mediave që na riprovuan se disa lloj kurvash janë më të kushtueshme kur nuk i paguan, se kur i paguan.
Të tjerët janë disa biznesmenë që pak ose aspak u intereson tjetër veç hieroglifit të interesave meskine.
Arsyet e secilit prej tyre më vete dhe burimet e dyshimta të parave që janë paguar këto ditë, nuk i njohim ende të plota.
Por ajo që dimë me siguri është se kush përfiton nga një ndarje e re e së majtës.
Është ai për të cilin të gjitha mjetet dhe mënyrat janë të mira, mjaft që të rimarrë pushtetin vrasës.
Kjo rreth Ramës e Metës është qartazi nga ato aleanca që ky njeri nuk i le kurrë pa i zgjeruar dhe çimentuar sepse ashtu si djalli vetë, ka pasionin e rekrutimit.
A janë të mjaftueshme fjalët për të përshkruar zemërimin që të pushton kur e sheh këtë urdhërues vrasjesh e kapedan kusarësh të flasë sot për moral në qeverisje?
Do ishte katastrofë për vendin dhe e pafalshme për Ramën dhe Metën që ai të arrijë të finalizojë atë që ka nisur prej shtatorit 2013.
Kreu i LSI-së foli dje për një moçal.
I takon atij dhe Ramës të dalin mbi këtë moçal për të mos e kthyer Shqipërinë prapa.
Meta e ka dëshmuar edhe më parë që e ka aftësinë politike për t’u kthyer nga gjah në gjahtar.
Por ai dhe Rama kanë sot nevojë më shumë se kurrë për këshilla të urta, jo për shkumën që pluskon këto ditë në valimet e kazanit të Tiranës ku gjithçka është në fermentim.
Së shpejti do ketë një takim të gjatë mes tyre. Prej të cilit ata duhet të dalin të qartë mjaftueshëm për t’u dhënë fund të gjitha spekulimeve.
Dua të jem plotësisht i sinqertë me lexuesit.
Rama e Meta nuk janë ëngjëj.
Por atyre që më pyesin sot: Kjo është Shqipëria për të cilën luftove? u përgjigjem: Jo, por kjo është e vetmja që na ka mbetur.
Çdo kthim prapa është fatal.
(Marrë nga DITA)