"HEROI" I TË TREMBURVE!
08/06/2016 08:13
OPINION
"HEROI" I TË TREMBURVE!

Nga Mero BAZE
Partia Demokratike i dha fund zyrtarisht përpjekjeve për të arritur një konsesus për reformën në drejtësi, duke detyruar dy partitë e koalicionit qeveritar, ta çojnë projektin në Kuvend, me shpresë se do të formohet një shumicë prej dy të tretash, për të vazhduar përpara. Takimi mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, me praninë e LSI, nuk arriti të prodhojë dot një marrëveshje, për shkak të këmbënguljes së Partisë Demokratike, tek kushti i fundit që nxorri Berisha, mbi të ashtuquajturat “vende të rezervuara”.
Por, takimi duket se ka ekspozuar së paku dy objektiva politike të Bashës dhe PD.
E para, ka të bëjë me atë çfarë quan PD sukses nga këto negociata, pra faktin që të dështojë reformën, dhe e dyta, dëshirën për ta përdorur takimin Basha-Rama, si diversion ndaj LSI-së.
Dështimi i konsesusit u inkurajua politikisht nga Partia Demokratike dhe shtypi rrotull saj, duke u vlerësuar si sfidë ndaj Perëndmit dhe shenjë e një lidershipi të guximshëm për Lulzim Bashën. Mes miratimit të projektit perëndimor të reformës dhe refuzimit të saj, Basha u këshillua publikisht të refuzonte draftin, si shenjë force dhe sfide ndaj Perëndimit.
Përpara tij, Berisha kishte avancuar duke hedhur poshtë në mënyrë periodike, çdo propozim të projektit dhe duke shpikur në minutat e fundit të negociatave, dhe teorinë e “vendeve të rezervuara”, që praktikisht i jep garanci njerëzve të tij brenda sistemit, se do kenë mbështetjen e tij.
Pra, Berisha, shtypi i PD dhe vetë fryma e opozitës, ishin dakord me një kryetar që nuk do ta jepte votën pro konsesusit për këtë reformë. Profili i “kryetarit hero” të opozitës u vizatua si profili i njeriut që i thotë “Jo” SHBA-së , “Jo” Europës, dhe që ruan statukuonë në drejtësi.
Deri më sot, Lulzim Basha ka luajtur teatër, duke u thënë të huajve se është dakord dhe duke bërë me shenjë nga Berisha.
Sot pritet të shikohet nëse ai e ndjen veten hero që ka refuzuar këtë reformë, apo viktimë e pafuqisë së tij.
Nga ana tjetër, u pa qartë se Berisha dhe Basha ishin më shumë të interesuar të bënin diversion politik me reformën, se sa të bënin vetë reformën. Ashtu dhe siç pritej, Berisha nuk duroi dot të mbaronte takimi, por e hodhi poshtë atë, për shkak se në takim merrte pjesë dhe kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili. Shpresa e tij e vetme, me sa duket nga dërgimi i Bashës në takim, ka qenë të nxiste diversionin mes PS dhe LSI, siç ka tentuar qysh nga fillimi i këtj procesi.
Ajo që mbetet të shikohet si fuqi reale e Bashës dhe Berishës, është tani beteja për të mos lejuar asnjë deputet të opozitës të votojë reformën, ashtu siç la të nënkuptohet zëvëndëspresidentja e Bashkimit Europian, Frederica Mogherini, e cila i bëri thirrje secilit deputet të mbajë qëndrimin e tij ndaj reformës, duke kërkuar të arrihet një shumicë prej dy të tretash. Nuk besoj se këtë betejë e ka të vështirë, pasi deputetët nuk i zgjedh Mogherini, por Berisha e Basha, dhe për ta bërë më të qartë këtë gjë, sot shtypi i Berishës i numëronte dashnorët e shpikur, ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë.
Por, problemi i Bashës është se përse i vlen “fitorja e Pirros” për të rrëzuar reformën. Perëndimit nuk i vlen dhe do ta rëndojë marrëdhënien me të. Elektoratit demokrat nuk është se i intereson, pasi problemi i tij është ardhja në pushtet, dhe jo përdorimi i siglës së PD si studjo për garanci ligjore që do Berisha e Basha, mos të preken nga drejtësia.
Të vetmit që janë të kënaqur dhe që quajnë Bashën sot një “hero” të tyre, janë kryesisht prokurorë e gjykatës që duan të ruhet ky sistem, dhe natyrisht zyrtarë të pushtetit dhe ish- pushtetit, që e kanë seriozisht frikë reformën. Në një farë mënyre, Basha është sot heroi i atyre që nuk duan të ndëshkohen, kryesisht hajdutë, vrasës dhe spekulantë të veshur me pushtet. Ka mbaruar dhe Shkëlzeni fishekzjarret për të dashurën mbrëmë, se do ishte i pari që do festonte.
TEMA