GJYQI I MUSHKËS
23/03/2018 07:12
OPINION
GJYQI I MUSHKËS
Xhevdet SHEHU

Një ditë prej ditësh, mushka bëri një nga ato të zakonshmet e saj: qëlloi me shkelm. Mirë që qëlloi, por qëlloi atë që nuk duhet ta kishte qëlluar kurrsesi: një cjap me mjekrën dy pëllëmbë, përçorin historik të dhive me një zile të madhe në qafë.
Ngjarja bëri menjëherë bujë të madhe dhe për këtë u kërkua një mbledhje urgjente e Këshillit të Lartë të Kryepleqve të Gjyqësorit. Këshilli kërkoi një gjykim dhe ndëshkim shembullor për mushkën që kishte kryer një akt të përsëritur dhe të dënueshëm sipas Kodit Penal të Republikës së Kafshëve.
Në mbledhje u vendos dhe ngritja e trupës gjyqësore ku, sipas të gjitha rregullave demokratike, me short i ra që këtë trupë ta kryesonte Keci, njëri nga bijtë e cjapit, i cili u betua se nuk ka konflikt interesi me të pandehurën. (Jo shumë kohë më parë Cjapi kishte bërë divorc me Mamadhinë, të ëmën e Kecit, dhe Keci në gjyqin e zhvilluar për këtë çështje kishte mbajtur anën e së ëmës, Mamadhisë, e cila e kishte kapur të shoqin në flagrancë me një ftujë).
Në përbërje të trupës gjykuese u zgjodh Kërriçi dhe Dhelpra. (Sipas gjuhëtarit të shquar, Akademikut Karkalec Palla, disa vjet më parë ishte ndryshuar shqiptimi i fjalës nga Kërriç në Krriç, pasi mendohej se të birit të gomarit i ishte bërë një padrejtësi historike në Kongresin e Drejtshkrimit të kohës së Diktaturës, duke i shtuar padrejtësisht një ë të pamerituar, e cila vinte në pikëpyetje shumë çështje të gjuhës së njësuar, sidomos raportin me dialektet, gjë që shtronte nevojën urgjente të një kongresi të ri ku të rishikohej, në mos të përmbysej i gjithë kongresi i mëparshëm).
Nejse. Pa hyrë në të thella, Këshilli i Lartë i Kryepleqve të Gjyqësorit fiksoi ditën dhe orën e gjykimit të Mushkës.
Për çudinë e të gjithëve, mushka, si rrallëherë, u tregua korrekte dhe u paraqit në kohën e duhur, sapo anëtarët e trupit gjykues kishin zënë vendet e tyre. Madje dukej paksa tekanjoze, serbese dhe me një pamje pafajësie në fytyrën e saj, sikur të thoshte “Kot më kini munduar deri këtu…”
Turma e kafshëve të mbledhura përjashta Haurit të Gjykimeve thërriste, vërriste e pëlliste: “Drejtësi! Drejtësi!” Në këtë tubim të pa njoftuar dhe pa leje nga ruajtësit e rendit (të cilin disa media dhe portale e quajtën presion mbi drejtësinë e pavarur), ra në sy mungesa e gomarit, i cili thanë se ishte gdhirë pa qejf atë ditë…
Pa e zgjatur shumë, Keci, kryetari i trupit gjykues, hapi seancën.
– E pandehur, betohu se do të thuash të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, – i tha Keci, Mushkës.
– Po unë të vërtetën kam thënë gjithmonë, -tha me indiferentizëm Mushka.
– Mirë, zonja Mushkë, po sipas ligjit, duhet të betoheni…
– Betohem! – tha Mushka.
– Tani kalojmë tek gjeneralitetet, – vazhdoi Keci. Emri i nënës?
– Po atë e dinë të gjithë. Pela, – tha Mushka.
– Tani na trego emrin e babait? – tha Keci dhe ngriti veshët që të dëgjonte më mirë, ndërsa Kërriçi teshtiu padashje.
Mushka tundi bishtin, u përtyp pak me bezdi dhe pastaj tha me vendosmëri:
– Kam Dajo Kalin!
Trupi gjykues shtangu. Kërriçi në krahun e djathtë të Kecit ngriti veshët, ndërsa Keci i uli. Dhelpra u duk se abstenoi në vendimin që u mor aty për aty. Pasi u këshillua me anëtarët e tjerë të trupit gjykues, pra me Kërriçin dhe Dhelprën, Keci u ngrit dhe deklaroi:
– Argumenti i sjellë nga Zonja Mushkë është i mjaftueshëm për ta shpallur të pafajshme. Çështja mbyllet!
DITA