GAZ, ÇUDI DHE NEVERI! PËR POLITIKANIN “PERËNDIMOR” LULZIM BASHA, PAS DEKLARATËS PËR VETEN NË TV SE AI “NUK ËSHTË RRITUR DHE EDUKUAR NË KOMUNIZËM”

21/01/2021 05:53

OPINION

 

 

GAZ, ÇUDI DHE NEVERI! PËR POLITIKANIN “PERËNDIMOR” LULZIM BASHA, PAS DEKLARATËS PËR VETEN NË TV SE AI “NUK ËSHTË RRITUR DHE  EDUKUAR NË KOMUNIZËM”

 

Nga Viktor MALAJ

 

“Me mua… nuk do të keni vetëm kryeministrin e parë që nuk është rritur
dhe edukuar në komunizëm, por ka një botëkuptim perëndimor, por do të
keni edhe ekipin me më shumë integritet në këto tridhjetë vite” –
Lulzim Basha

 

Për të gjithë shqiptarët që, tridhjetë vitet e fundit jo vetëm i kanë jetuar fizikisht, por edhe i kanë përjetuar emocionalisht dhe analizuar (sadopak) ndërgjegjësisht, fjalët e sipërshënuara, të thëna nga L. Basha në TV Klan para disa ditësh, kanë shkaktuar një buzëqeshje që shpreh disa ndjenja njëherësh: gaz, çudi dhe neveri.

Gazin ta shkakton fakti që këto fjalë mashtruese dhe lajkatuese t’i thotë një njeri që ne e dimë se kush është dhe çfarë përfaqson; çudinë ta shkakton guximi me të cilin ky njeri kërkon të na shitet ndryshe nga ç’është, ndërsa neverinë na e prodhon vetëdija dhe arsyetimi ynë sa herë kërkojmë të jetojmë me dinjitet qytetar dhe këtë dinjitet përpiqen të na e nëpërkëmbin gjithfarë sharlatanësh dhe larvash politike.

Deri tani, kanë qenë disa politikanë pa dinjitet, që këta tridhjetë vjet i kanë shtyrë duke u kacavjerrë, rrëzuar dhe ringjitur në pemën e politikës shqiptare me synim vjeljen e frutave pa i bërë asnjë shërbim asaj. Këta gjunjëthyer nga rëniet e shpeshta na kanë thënë se “Basha përfaqson një politikan perëndimor…etj.”

Nuk ma merrte mendja që vetë Lulzim Basha do ta thoshte këtë për veten e tij. Duhet guxim prej të marri apo me zero skrupuj që të pohosh një gjë, për të cilën shumica e shqiptarëve e dinë se nuk është e vërtetë dhe të përpiqesh ta përdorësh si Atu* në lojën politike për pushtet. Një guxim i tillë i ka të gjitha gjasat të kthehet në bumerang dhe jo në sukses.

Duke pohuar publikisht se ai përfaqson (nëse dëshira e tij bëhet realitet) “kryeministrin e parë që nuk është rritur dhe edukuar në komunizëm”, Lulzim Basha rreket të na mashtrojë dhe, njëkohësisht, fyen shumicën e shqiptarëve që janë lindur e rritur përpara vitit 1990. Ai rreket të na mashtrojë sepse e vërteta e pakundërshtueshme është se ai, fëmijërinë dhe adoleshencën i ka kaluar në Tiranë përpara se të binte sistemi i ashtëquajtur komunist dhe sociologjia botërore ka një konsensus të përgjithshëm që pranon se tiparet kryesore të karakterit dhe personalitetit njerëzor formohen brenda kësaj moshe.

Duke pohuar se nuk është edukuar në komunizëm, ai fyen miliona shqiptarë të arsyeshëm, të lindur e rritur në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, të cilët as i kanë bërë keq ndokuj, as i kanë shpërdoruar apo vjedhur pasuritë financiare të buxhetit të shtetit, as kanë vrarë njeri në mes të bulevardit apo të pyllit, as kanë bërë lëshime apo marrëveshje me fqinjët e Shqipërisë për dhënie territoresh dhe as kanë marrë pjesë në falsifikime apo dhunime procesesh zgjedhore.

Kjo kategori njerëzish të ndershëm, punëtorë, të varfër me shtëpi modeste, pa vila e pallate në pronësi, por të panjollosur me asgjë të keqe, ndihen të fyer kur ndonjë horr i pas 1990 ua shet shkollimin e tij enigmatik jashtë shtetit si çertifikatë intelektualizmi apo pasurinë e tij të sotme marramendëse (pa bërë asnjë punë) si dëshmi të aftësive të tij prej kapitalisti dhe antikomunisti mbas pilafit.

Ky është karshillëku që gjithfarë birbosh dhe lapangjozësh të këtyre tridhjetë viteve iu bëjnë, të paktën, dy brezave të shqiptarëve që u lindën, edukuan dhe jetuan me ndjenjat e dashurisë për vendin, sakrificave vetjake e familjare për zhvillimin e tij, respektit për librat, dijen dhe besimit se mjete dinjitoze jetese janë vetëm dituria dhe puna vetjake.

Dhe, tani le të shohim pak “botëkuptimin perëndimor” të z. Lulzim Basha. Politika evropiane, e djeshme dhe e sotme, ka prodhuar me qindra politikanë, një pjesë e të cilëve kanë qenë njerëz dinjitozë, parimorë, të pakorruptuar dhe i kanë kontribuar zhvillimit të vendeve të tyre.

Por politika evropiane ka pasur, dhe ka ende, edhe shumë sharlatanë, horra, hajdutë, mashtrues dhe kriminelë që s’kanë lënë gjë pa bërë në vendet e tyre dhe ndaj vendeve të tjera. Në Evropën Perëndimore janë “edukuar” dhe kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre edhe Franko, Hitleri, Musolini, Berluskoni, Metaksai etj.etj.

Se çfarë formimi dhe botëkuptimi ka Lulzim Basha e provojnë mjaftueshëm sjelljet dhe veprimet e tij prej vitit 2005 kur e sollën me shkuesi në Shqipëri dhe e vunë të drejtonte tre dikasteret më të rëndësishme qëndrore të vendit në dy “qeveritë Berisha”. Përpara se të analizojmë këto, duhet të vëmë në dukje se politikani Basha ka bërë dy pohime krejtësisht të kundërta të cilat nuk mund të bashkëjetojnë dhe flasin shumë për personalitetin e tij të pavlerë.

Në vitin 2013 ai ka pohuar se “Ne i përkasim shkollës politike të Sali Berishës”, ndërsa tani na thotë se “ka një botëkuptim perëndimor”. Kjo do të thotë se “ndihem femër megjithëse kam organet gjenitale mashkullore”.
T’iu kërkosh shqiptarëve të të bëjnë kryeministër sepse “nuk je rritur dhe edukuar në komunizëm” dhe, nga ana tjetër, të pohosh me krenari se “i përket shkollës politike të Sali Berishës”, i lindur, rritur dhe edukuar në komunizëm, sekretar i partisë komuniste dhe militant i saj, kjo s’ka të ndenjura ku të rrijë.

Dhe jo vetëm kaq. Të pretendosh se ke “botëkuptim perëndimor ” dhe të betohesh se je vazhduesi i një politikani shqiptar të cilin bota perëndimore e ka cilësuar “Si kryetar i shtetit ai rezultoi një katastrofë, ndërsa si drejtues i opozitës një ordiner i rrezikshëm” dhe, madje, sundimin e tij të parë pesëvjeçar e patën cilësuar si “një regjim gangsterësh”, kjo dëshmon qartësisht se nuk ke respekt për shqiptarët dhe as dinjitet personal.

Nëse Basha kërkon të identifikohet me politikën dhe politikanët progresistë dhe dinjitozë evropianë (sa qesharake!) ai duhet t’iu përgjigjet shumë pyetjeve dhe të shpjegojë shumë sjellje dhe veprime të tij. Në botën perëndimore, tash tridhjetë vjet, kanë studiuar dhe janë diplomuar dhjetëra mijëra shqiptarë e shqiptare, madje në universitete shumë herë më prestigjozë se ai ku ka studiuar L. Basha.

Ky fakt nuk i bën asnjërin prej tyre vetvetiu të përshtatshëm për drejtimin e qeverive tona dhe, madje, as për drejtim dikasteresh shtetërore.
Nëse Basha kërkon ta besojmë se “ka botëkuptim perëndimor”, me çka ne duhet të nënkuptojmë se me të në drejtim do të bëhemi si Evropa Perëndimore (?!!!), duhet të shpjegojë përse pranoi në vitin 2005 t’i bashkohej një partie politike shqiptare që gjatë historisë së saj 15- vjeçare, në pushtet dhe opozitë, kishte manifestuar mendësi dhe sjellje krejtësisht antiperëndimore, duke manipuluar dhe dhunuar procese zgjedhore (çfarë nuk e kishin bërë as komunistët e mallkuar); kishte rrahur e burgosur kundërshtarë politikë; kishte rrahur e burgosur gazetarë dhe djegur redaksi gazetash; kishte çuar vendin në prag të greminës, kishte vendosur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ideuar e tentuar një ballafaqim të dhunshëm veri-jug midis popullsisë civile, forcave ushtarake dhe paramilitare; kishte ideuar përdorimin e aviacionit, artilerisë dhe Lëndëve Helmuese Luftarake kundër popullsisë civile etj. etj.

Ai duhet të na tregojë nëse përputhet “botëkuptimi perëndimor” me “shkollën politike berishiste” i cili ishte shpallur “armik i shtypit të lirë” nga organizatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit dhe kishte guxuar të rizgjidhet President i vendit në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, vetëm me votat e partisë së tij, vota të deklaruara antidemokratike edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Por, le ta zëmë për një çast se në vitin 2005 Basha nuk i dinte asnjërën prej këtyre sjelljeve e veprimeve politike me natyrë të qartë kriminale të qeverive të “Baba Sali Dovletit”. Tani, atij i mbetet barra të na shpjegojë sjelljet dhe veprimet e tij pas kthimit në atdhe dhe sa përputhen ato me parimet e përgjithshme demokratike dhe “botëkuptimin (e tij) perëndimor”.

A mundet një qytetar dhe politikan i civilizuar “perëndimor” të pajtohet me moshapjen e kutive të votimit kur këtë e kërkon opozita politike, menjëherë pas zgjedhjeve, siç ndodhi në vitin 2009, kur opozita u fut në grevë urie për këtë arsye, pra për transparencën, ndërsa qeveria ku ai ishte ministër i dogji kutitë dhe fletët e votimit? A mund të përgjigjet ai pse qeveria e tij veproi kështu dhe a ishte në një mendje ai me këtë akt?

A mundet një politikan me “botëkuptim perëndimor” ta konsiderojë ndërtimin e një rruge, si ajo që quhet e Kombit, si “kryevepra e jetës time” kur Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria e Shtetit të tij kanë vërtetuar shpërdorimin e 240 milion eurove në ndërtimin e saj? A paraqiten politikanët perëndimorë në hetuesi dhe gjyq për sqarimin e akuzave mbi shpërdorimet apo e mbyllin procesin e gjykimit “me procedura”, pa pasur një vendim gjykate për pafajsinë e të akuzuarit, siç ka bërë Lulzim Basha?

A mundet që një politikan modern perëndimor të pohojë se “kemi zbatuar ligjin” dhe “njerëzit janë vrarë brenda perimetrit të mbrojtjes së godinës” kur gjykatat e vendit të tij kanë gjykuar dhe vendosur se vrasjet e protestuesve paqësorë kanë qenë të paligjshme, dhe gjithë populli i vendit të tij e ka parë të filmuar vrasjen e protestuesve jashtë rrethimit të godinës, siç ka ndodhur në 21 janar 2011 në Tiranë?

A njeh ai ndonjë politikan modern perëndimor që, kur nuk e voton shumica e zgjedhësve të vendit të vet, braktis Parlamentin pa kthim, dorëzon mandatet e të gjithë deputetëve, sulmon ndërtesat qeveritare dhe parlamentare me molotov dhe mjete të tjera zjarrvënëse dhe urdhëron partinë e tij të braktisë plotësisht pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale?

Cilët politikanë perëndimorë, nga të cilët ai mund të frymëzohet dhe shembullin e të cilëve ndjek, humbin disa procese zgjedhore rresht dhe nuk e gjykojnë të arsyeshme të japin dorëheqjen? A njeh ai ndonjë rast në vendet perëndimore kur dikush humbet zgjedhjet për kryetar bashkie dhe, në vend që të përgëzojë fituesin, bëhet vetë fitues i rremë duke mbledhur fletëvotimi jashtë kutive përkatëse, siç ka bërë z. Basha në vitin 2011?!

Pyetjet janë të pafundme por, është e sigurt se përgjigjet e tyre nuk do të jepeshin kurrë. Në mënyrë që të heqim qafe sa më parë “të keqen”, pra qeverisjen Rama, dhe t’ia besojmë atë “shpëtimtarit” Basha, do të duhet që Lulzim Basha të na provojë dy gjëra themelore: Së pari, se shkolla e tij politike, e quajtur berishizëm, përputhet me botëkuptimin politik dhe demokratik perëndimor dhe, së dyti, se mendimet, sjelljet dhe qëndrimet e manifestuara prej tij në 15 vjet janë të ngjashme, në mos të njëjta, me ato të politikanëve dinjitozë perëndimorë.

Ne e dëshirojmë me bindje largimin e modelit qeverisës “Rama” dhe zëvendësimin e tij me një model qeverisjeje më efektiv dhe dinjitoz, por jo zëvendësimin e saj me berishizmin e kamufluar nën ambalazhe të zbukuruara, por që me tejdukshmërinë e tyre na lejojnë të shohim kalbëzimin.

Për aq kohë sa Lulzim Basha, me kokëfortësi, do të vazhdojë të betohet si sigurues i vazhdimësisë politike berishiste dhe nuk do të na “provojë” dy përputhjet e sipërshënuara, ne do të jemi të detyruar, fatkeqësisht, ta përbuzim “ofertën” e tij politike, të cilën znj. Topalli e emërton “oferta Bashalike”.

Sa i përket premtimit të Bashës se ne “do të kemi ekipin me më shumë integritet në këto tridhjetë vjet”, nuk ka nevojë për komente dhe as sqarime sepse çdo shqiptar vetëqartësohet kur shikon tufën e njerëzve që e rrethojnë sot atë. T’i krahasosh ata me shumë ish-ministra të PD-së ose PS-së në kabinetet e dikurshme qeveritare, dallimi është si nata me ditën dhe për të vënë lemerinë.

Prandaj, janë të gjitha gjasat që pretendimet dhe premtimet e Bashës për “botëkuptime perëndimore” dhe “qeveri që punon vetëm për popullin” të kthehen në bumerang dhe objekt talljeje nga shumica e shqiptarëve.

* Atu - Letër bixhozi që të siguron fitoren. (fig.) Mjet i volitshëm që përdoret për arritjen e një qëllimi.

DITA

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a website for freeWebnode