GABIMET E z. FATOS LUBONJA

08/05/2023 07:29

OPINION

 

 

GABIMET E z. FATOS LUBONJA

 

Nga Viktor MALAJ

 

 

“Arsyeja është viktima e parë e emocionit të fortë” – Frenk Herbert*

 

Në një shkrim të gjatë me titull “Pse nuk bashkohen shqiptarët”, botuar në gazetën “Panorama” para pak ditëve, publicisti i njohur Fatos Lubonja shprehte keqardhjen pse shqiptarët nuk bashkohen dhe bënte thirrje që kjo të ndodhte sa më shpejt. Nuk ka dyshim se z. Lubonja ka dhënë një kontribut të spikatur në publicistikën shqiptare pas vitit 1990, por, ndërsa zakonisht popullit i bëhet thirrje për t’u bashkuar rreth ndonjë ideali kombëtar, siç është mbrojtja e vendit nga pushtimet e huaja apo vendosja e paqes sociale pas lindjes së konflikteve të ashpër politike, etnike, krahinore etj., në shkrimin e tij thirrja ka tjetër synim.

Qysh në fillim ai pohon se “Sot duhet bashkimi në mbrojtje të demokracisë… Sikur ky bashkim të ndodh një ditë ashtu siç e mendoj, do të hidhnim një hap të madh përpara në historinë e Shqipërisë”. Motoja ngjan fisnike, por problemi qëndron në pyetjet që nuk i shmang dot, si: E kemi pasur ndonjëherë demokracinë që kërkojmë ta mbrojmë, kundër kujt do ta mbrojmë atë dhe kujt do ia besojmë drejtimin e betejës për mbrojtjen në fjalë?

Pa iu futur teorizimeve për atë që unë besoj se demokracia as ka ekzistuar ndonjëherë dhe zor se do të ekzistojë (thjesht dhe vetëm, mund të flasim për sisteme apo qeverisje më pak apo më shumë demokratike), le të shohim tani cilët janë, sipas Lubonjës, armiqtë e demokracisë shqiptare dhe cilët mund të bëhen mbrojtjes të saj. Duke u lëkundur midis arsyes dhe pasioneve të kohës, z. Lubonja pohon disa të vërteta, por edhe disa të pavërteta, ndaj duket se bie shpesh në kundërshtim me vetveten.

Deri diku me të drejtë, ai pohon se “Po të shohim historinë e Shqipërisë do të vërejmë se, sa herë ka ardhur puna që interesat e vendit kanë diverguar (shkuar në drejtime të ndryshme- V. M.) nga ato vetjake, udhëheqësit shqiptarë kanë zgjedhur këto të dytat, duke sakrifikuar vendin… Sikur komunistët t’i kishin qëndruar projektit të Frontit Demokratik… do të kishim pasur një Shqipëri tjetër, pa diktaturën, burgjet, izolimin nga bota dhe përçudnimin e njeriut shqiptar, që po e vuajmë aq shumë edhe sot”.

Është e vërtetë që s’do ta kishim pasur diktaturën dhe “izolimi” do të kishte qenë më i lehtë, por nuk besoj se nuk do të kishim pasur edhe të burgosur politikë (ndonëse më pak se gjatë diktaturës), sepse, siç e pohon më vonë Lubonja, burgosje, vrasje e internime kundërshtarësh politikë kemi pasur edhe gjatë monarkisë, por edhe gjatë periudhës së pushtimit nazifashist. Gjithashtu, të burgosur dhe të ekzekutuar politikë, ndonëse në minimum për shkak të rrethanave të brendshme e të jashtme, kemi pasur edhe pas 1990 kur u vendos “sistemi demokratik”. Ajo çështja e “përçudnimit të njeriut shqiptar” është një grackë ku nuk duhej të binin mendje të nivelit të z. Lubonja, por kjo, gjithsesi, përbën një temë tjetër. Fjala “përçudnim” në fjalorin e gjuhës shqipe ka kuptimin: Prishje e shëmtim shpirtërisht, humbje e virtyteve apo vetive të mira, zvetënim. Po të besonim z. Lubonja do të konkludonim që shqiptarët kanë qenë në masë të virtytshëm, fisnikë e të pastër shpirtërisht, por ja që erdhi sistemi 45 vjeçar dhe na i prishi. Besimi ynë do të ishte i rremë se do na e hidhte poshtë e shkuara e largët dhe e afërt, si dhe vlerësimet e mendjeve më të ndritura të kombit gjatë dy shekujve të fundit apo ato të studiuesve të huaj.

Konkluzionin e tij të mësipërm autori e përgënjeshtron më vonë kur pohon se edhe “Zogu, për hir të interesave të tij personale, bëri armiq gjysmën e shqiptarëve më me kulturë duke i dëbuar, vrarë, nënshtruar, korruptuar, injoruar… Të njëjtat paaftësi (në të vërtetë, nuk janë paaftësi, por mbrapshti- V.M.) kanë vazhduar ta lektisin Shqipërinë edhe pas rënies së komunizmit”. Autori e kundërshton veten e tij akoma më shumë kur vazhdon të pohojë, tani me të drejtë, se:

“Historia tregon se ky nuk është fenomen vetëm shqiptar, por ashpërsia dhe ekstremizmi me të cilin është shfaqur në historinë tonë, e bën një rast ulëritës ndër vendet e kontinentit ku jetojmë… Kjo sindromë nuk është çështje personash, por tipar karakteristik i shumicës së shqiptarëve, i ndërtuar nga shkaqe historike, kulturore… se gjatë mbi 100 viteve pavarësi nuk kemi nxjerrë dot një figurë udhëheqësi ndryshe”.

Më poshtë, z. Lubonja rreshton shkaqet, sipas tij, historike-kulturore duke përmendur: “Mbizotërimin e një shoqërie klanore; të qenit me katër fe, por pa qenë thellësisht besimtarë në asnjërën; të jetuarit një kohë relativisht të shkurtër së bashku; shkatërrimin që i bëri regjimi komunist, nëpërmjet kolektivizimit të dhunshëm, njeriut si qenie që ka nevojë të lidhet në komunitet me të tjerët; mbizotërimi në kohën e neoliberalizmit që jetojmë të individualizmit ekstrem, të kuptuar në Shqipëri, banalisht, vetëm si kamje materiale”.

Unë besoj se mosqenia thellësisht besimtarë në asnjërën prej dy feve të cilat janë të ndara në sekte (katolikë, ortodoksë, protestantë dhe sunitë e bektashinj), i ka ndihmuar shqiptarët për kohezion shoqëror dhe bashkëjetesën qytetare. Ndërsa, pretendimi i Lubonjës se “kolektivizimi i dhunshëm” gjatë regjimit komunist e shkatërroi njeriun si qenie bie në kundërshtim me pohimet e tij kur përmend si shkaqe edhe “të jetuarit një kohë relativisht të shkurtër së bashku”, “njeriu si qenie ka nevojë të lidhet në komunitet me të tjerët” apo “mbizotërimi në kohën e neoliberalizmit që jetojmë i individualizmit ekstrem”.

Tani, o njëra, o tjetra, domethënë “shkatërrimin e njeriut si qenie” ose e solli kolektivizimi i ndodhur gjatë regjimit komunist, ose individualizmi ekstrem i importuar pas rënies së atij regjimi, pra kapitalizmi. E vërteta është se kolektivizimi i ekonomisë ka pasur si pasojë më të rëndë frenimin e zhvillimit ekonomik, të rendimentit dhe, rrjedhimisht, të ngritjes së shpejtë të mirëqenies materiale dhe, nga ana tjetër, ka ndihmuar ndjeshëm që “njerëzit të jetojnë së bashku” dhe “të lidhen në komunitet me të tjerët”. Në botën perëndimore shumica e qytetarëve nuk zotërojnë asnjë pronë, me përjashtim të banesës (jo të gjithë), dhe ndjenja e “kamjes materiale” është ndjenja dominuese në shoqëri. Pra, kjo ndjenjë nuk është thjesht shqiptare dhe as e kuptuar banalisht prej tyre, por e përqafuar me zell dhe e pompuar me propagandë gjigante pikërisht prej atyre që flasin më shumë për demokraci, drejtësi, liri etj. Ndërsa “lidhja në komunitet me të tjerët “në Perëndim është gati në nivelin zero, ngaqë shumica e njerëzve nuk njohin as fqinjët dhe as komunikojnë fare me ta.

Njeriut kapitalist, produktit të dominimit të kapitalit “i mjafton” vetja dhe me bashkësinë e lidh, nganjëherë dhe pa dëshirën e tij, vetëm vendi i punës. Vetmia është bërë fenomen dhe plagë mjaft e rëndë e shoqërisë perëndimore.

Pas pohimit të mësipërm, z. Lubonja vajton faktin se prej dhjetë vitesh nuk ka rrotacion politik në Shqipëri dhe se: “Megjithëse në qeverisjet 1997-2017 ka sunduar sistemi oligarkik i korrupsionit, ky ka qenë pluralist dhe ka mundësuar rrotacionin, kurse pas vitit 2017 ka ndodhur një grusht shteti nga lart për vendosjen e një regjimi monopartiak… Prandaj, ndaj këtij rreziku lipset bashkëpunimi i sa më shumë aktorëve politikë”.

Po ta marrim për të vërtetë këtë vlerësim të z. Lubonja del se e keqja më e madhe për vendin e popullin nuk është ekzistenca e “sistemit oligarkik të korrupsionit”, por fakti se brenda përbrenda këtij sistemi nuk po ndryshohet pjesa politike e aleancës politikë-oligarki nëpërmjet rrotacionit.

Mendjeve të kultivuara si në rastin e z. Lubonja nuk iu lejohet të flasin për “grusht shteti nga lart” dhe “regjim monopartiak” në Shqipëri. Së pari, grushti i shtetit si nocion politik dhe juridik është diçka krejt tjetër dhe, së dyti, sistemi nuk quhet monopartiak pse në një vend një parti apo grupim politik qëndron në pushtet më shumë se dy mandate rresht.

Në Gjermani ka qëndruar në pushtet e njëjta parti, vetëm nën udhëheqjen e Kolit, gjashtëmbëdhjetë vjet, në Japoni ka qëndruar në pushtet e njëjta parti për rreth 50 vjet dhe po kështu në disa vende të tjera evropianoperëndimore dhe askush s’ka folur për “regjim monopartiak”. Thelbi i problemit qëndron në faktin nëse partia apo grupimi politik qëndron gjatë në pushtet sepse e votojnë apo sepse përdor mjete antidemokratike për zgjatjen e sundimit.

Po të pyesësh Lubonjën dhe ata që janë mërzitur nga moskthimi në pushtet prej një dekade, do të thonë se qeverisjen aktuale nuk e mban vullneti dhe vota e popullit por blerja e votave, kapja e drejtësisë dhe e medias etj… Megjithëse bashkohem me Lubonjën në mendimin se Shqipëria meriton një qeverisje shumë më të mirë dhe se z. Rama duhet zëvendësuar me dikë më të merituar, nuk besoj kurrsesi se janë marifetet antidemokratike që i mbajnë në pushtet dhe se shumica e atyre që vendosin të marrin pjesë në votime nuk votojnë për ata (opozitën e sotme) që i kanë provuar disa herë, sepse qenkan nën trysninë e pushtetit.

Ne, vërtetë jemi dëshmitarë të një dëshpërimi dhe pakënaqësie shoqërore të shumëpërhapur, por, po kaq, jemi dëshmitarë të faktit se midis dy të këqijave ekzistuese shqiptarët preferojnë këta që janë si e keqe më e vogël. Sondazhet e brendshme e të jashtme e kanë dëshmuar plotësisht këtë, takimet tona të përditshme me njerëzit na bindin edhe më shumë. Shqiptarët nuk ikin nga vendi i tyre vetëm nga pakënaqësia për gjendjen dhe nivelin e qeverisjes, por edhe nga mungesa e plotë e besimit se në horizontin politik ndodhet dikush që dëshiron dhe mund t’i drejtojë më mirë.

Po të ishte ndryshe, shqiptari ikanak do ta kishte më të lehtë të vërshonte me vota plebishitare në favor të “njerëzve të shpresës”, duke i hequr çdo mundësi pushtetit për t’ia bërë jetën të vështirë në atdhe.

Daljen nga situata z. Lubonja nuk e sheh tek ndërgjegjësimi i shoqërisë për të forcuar  bindjet demokratike dhe të shtetit ligjor tek individi shqiptar, por pohon se “E kam thënë se opozita nuk mund të shërbejë si fasadë e regjimit dhe se regjimi do të mund të rrëzohet… nëpërmjet bashkimit të shqiptarëve në protesta dhe mosbindje civile, deri në destabilitet- si për shembull me djegien e qendrave të votimit në zgjedhjet lokale të 2019”.

Shkurt dhe qartë, autori iu propozon shqiptarëve dhunën e kaosin, krimin dhe terrorin për të zëvendësuar votimin paqësor me mosvotimin, bindjen e njerëzve me imponimin me dhunë të pakicës kundrejt shumicës, për t’u shndërruar në shumicë nëpërmjet imponimit. Lubonja me këtë pohim tejkalon edhe znj. Jozefina Topalli, ushtare e bindur e Sali Berishës dhe një nga individët politikë më ekstremistë në Shqipëri, e cila e pati dënuar djegien e shkollës së mesme në Shkodër si mjet për pengimin e votimit, të organizuar nga kryetari aktual i asaj bashkie, z. Bardh Spahia, duke u shprehur: “Demokratët e vërtetë nuk iu vënë zjarrin shkollave”.

Pluralizmi politik, e drejta e zgjedhjes dhe zëvendësimit të qeverisësve nuk është qëllim në vetvete, as mjet luksi apo “normë zakonore”, por një e drejtë dhe mundësi që një qeverisje të zëvendësohet me një tjetër më të mirë, që ai që gabon të vetndreqet dhe ai që bën faje e krime të ndëshkohet. Nëse një këmishë e heqim dhe e hedhim si të bërë pis e të padobishme, kjo nuk do të thotë që sapo të bëhet pis edhe këmisha tjetër ta zëvendësojmë me të parën, pa e pastruar atë apo pa blerë një të re.

Nëse nuk kemi mundësi të blejmë të re (të votojmë për një forcë të re politike), atëherë duhet “larë” këmisha e flakur dikur në mënyrë që të rivishet. Kështu, rikthimi në pushtet i opozitës do të ishte i mirëpritur dhe i dobishëm nëse ajo do të ishte “larë” duke larguar drejtuesit dhe ideatorët e gjithë shkeljeve antidemokratike dhe krimeve të kryer, do të kishte pranuar gabimet e fajet e mëparshme dhe dënuar autorët e tyre.

Mirëpo, ka ndodhur e kundërta. Ata janë bërë “grusht” rreth Sali Berishës, i cili është shëmbëlltyra më banale, më e dhunshme dhe më e rreme e politikanit evropian të shekullit të 21-të, pasi, sipas tyre “vetëm me këtë kemi ca shanse për t’u rikthyer në pushtet”. Siç shihet, masa që e ndjek nuk udhëhiqet nga parime morale, nga norma apo ideale demokratike dhe as ide progresiste, por, thjesht dhe vetëm, nga etja për pushtet dhe privilegje që i kanë shijuar dikur.

Z. Lubonja iu bën thirrje shqiptarëve që “këmishën” e përdorur dhe me njolla korrupsioni të qeverisjes aktuale ta zëvendësojnë me këmishën e flakur tutje të opozitës e cila mban erën e djersë së padrejtësive, erë të rëndë korrupsioni, kapjeje të drejtësisë, falsifikimi e dhunimi procesesh zgjedhore, rrahje e burgosje opozitarësh, burgosje e rrahje gazetarësh dhe djegie redaksi gazetash, si dhe njolla gjaku opozitarësh të pafajshëm.

Rrotacioni politik i pabazuar në vlera, në vetëndryshim e përmirësim dhe, rrjedhimisht, i pamerituar, e zhvlerëson kuptimin dhe dobinë e pluralizmit politik. Ndërsa zëvendësimi i bindjes me dhunën dhe imponimin, siç predikon Lubonja, çon në mbretërinë e kaosit dhe diktaturën e pakicës mbi shumicën.

Z. Lubonja pohon se “Sot gjykoj se interesat vetjake (të Berishës e Metës) në rrëzimin e Ramës janë në një kahe me interesat e shumicës së shqiptarëve… Rasti McGonigal tregoi qartë se me shumë gjasa “non-grata” amerikane ishte vepër e ca amerikanëve të korruptuar e mashtruar nga Rama”. Pohime të tilla, të bëra nga njerëz si Lubonja, të lënë pa mend.

Se si mund të jenë në një kahe interesat e shumicës së një vendi me ato të një grushti politikanësh të korruptuar e të dhunshëm, të cilët shumica e popullit i ka larguar disa herë, me votë dhe me “dru” nga pushteti si të padenjë, këtë s’e kap dot arsyeja e shëndoshë. Gjithashtu, më duket guxim i tepruar të pohosh se Rama qëndron në pushtet sepse ka kapur median në një kohë kur për 24 orë rresht na shfaqen në çdo ekran “shpëtimtarët opozitarë” me akuza, shpifje e mashtrime të tipit “kanë ngrënë biftek 1000 euro” apo “kanë blerë vazo 4 milion euro për Kryeministrinë” etj.

Është e drejtë e Lubonjës të besojë gjepura të tilla se qeverisë amerikane i mjafton një lobim prej kujtdo që të shpallë non-grata cilindo në botë. Po kështu, është në vlerësimin e intelektit dhe të ndërgjegjes së tij të besojë se Sali Berishës i kanë rënë në qafë, se ai nuk është “minues i demokracisë” por kultivues i saj, megjithëse nuk ka lënë parim demokratik pa shkelur tash tridhjetë vjet, se nuk është përkrahës i korrupsionit gjigant, por luftëtar kundër tij, me gjithë rastet e panumërta të veprave korruptive gjatë kohës që qeveriste; të besojë se shkoi rastësisht në shtëpinë e zëvendësit të tij “për një gotë verë” dy ditë përpara se gjykata të jepte vendimin për përfshirje në korrupsion madhor, të parë me zë e figurë nga të gjithë shqiptarët.

Autori me këmbëngulje ripohon se “Bashkimi më i mirë do të ishte ai i një lëvizjeje për demokracinë që, mundësisht nëpërmjet protestash të fuqishme, nuk do t’i lejonte fare zgjedhjet në kushtet aktuale… deri sa të imponohej dorëheqja e qeverisë…

Pastaj, qeveria e dalë nga kjo lëvizje do të punonte për krijimin e zgjedhjeve të lira, depolitizimin e drejtësisë e policisë, do të çlironte mediat, hiqte monopolet në ekonomi dhe do të nxirrte krimin nga ekonomia dhe politika”.

Korrupsioni i një pale nuk luftohet duke bashkuar tri apo më shumë palë të korruptuara në një qeverisje të përbashkët. As normaliteti i zgjedhjeve politike nuk rivendoset duke e drejtuar procesin dy apo më shumë palë që kanë dëshmuar më se një herë se i manipulojnë, falsifikojnë apo dhunojnë proceset zgjedhore. Rrotacionet politike nuk marrin natyrë demokratike e paqësore nëse prish një qeveri që gëzon mbështetjen e shumicës (edhe nëse shumica gjykon gabimisht) dhe thërret në qeveri dikë që, sa herë s’ka mundur të bëhet shumicë nëpërmjet bindjes dhe shembullit pozitiv vetjak, ka tentuar të bojkotojë proceset zgjedhore ose ta marrë pushtetin me tanke e flakëhedhës.

Qeverinë e përbashkët, të krijuar me imponimin e Çadrës në 2017, ku opozita kishte ministritë kryesore, e provuam dhe ajo as e solli opozitën në pushtet, dhe as luftoi korrupsionin apo oligarkinë.

Lidhjet dhe bashkëpunimi i politikës me oligarkinë nuk ndërpriten duke i bashkuar palët politike me të cilat oligarkia e ka pasur mirë përherë, por duke promovuar politikanë, ide dhe politika (nëse është e mundur) që ndëshkojnë bashkëpunimin dhe nënshtrimin e politikës nga  oligarkët. Nëse kjo është e pamundur, atëherë na duhet të arrijmë në përfundimin se kapitalizmi nuk është demokraci por oligarki, ku populli thirret periodikisht në spektakle politike zgjedhore për të zgjedhur dashnorin e radhës të oligarkisë, ndërsa beson se po zgjedh shërbëtorin e vet më të mirë. Ka të ngjarë që të na tingëllojë aktuale thënia e manjatit Rothshild gati dy shekuj më parë se “Nuk dua t’ia di cila kukull vihet në fronin e Anglisë për të sunduar Perandorinë në të cilën dielli s’perëndon kurrë.

Njeriu që kontrollon paratë britanike kontrollon edhe Perandorinë Britanike, dhe këto para i kontrolloj unë”.

Nga fundi i shkrimit të vet duket se z. Lubonja ftillohet kur pohon se “Vetëm nëpërmjet (luftës për demokraci) mund të ndërtohet një ndërgjegje e re kolektive. Disa popuj e kanë ndërtuar këtë nëpërmjet prerjes së kokës së mbretërve dhe duke luftuar përditë që mbretër asisoj të mos rikthehen”. Ky konkluzion i tij bie ndesh me propozimet e mëparshme që ai ofron pasi “mbretit” tonë ai nuk rekomandon t’i “presim kokën”, por t’i ofrojmë sërish skeptrin e sundimtarit. Se kush është realisht “mbreti” ynë do të mjaftonte përpjekja për t’iu përgjigjur sinqerisht pyetjes: Si shpjegohet që Sali Berisha, të cilin viti 1990 e gjeti sekretar byroje të partisë sunduese dhe mjek të udhëheqjes së saj, është shfaqur për mbi tri dekada, më i egër, më nihilist, hakmarrës e i dhunshëm se qytetari Fatos Lubonja të cilin viti 1990 e gjeti në burgjet politike të regjimit?!

Prandaj, jo vetëm që s’iu duhet bërë thirrje shqiptarëve të bashkohen për të risjellë në pushtet keqbërësit e paskrupull të së kaluarës, por, përkundrazi, duhet konsideruar e vajtueshme që 25-30 për qind e popullsisë vazhdojnë t’i ndjekin e votojnë të papenduarit dhe të pandëshkuarit për zullumet e kryera për 30 vjet me radhë.

T’iu bësh thirrje sot shqiptarëve të bashkohen për të “shpëtuar demokracinë” nëpërmjet rikthimit në pushtet të atyre që dikur i ke shpallur armiq të demokracisë, autokratë dhe politikanë që meritojnë të largohen nga pushteti me çdo kusht, do të thotë mungesë konsekuence dhe parimësie në ato që propagandon.

Nga z. Lubonja e të tjerë si ai pritet të marrin përsipër ose mbështesin ndonjë lëvizje të re politike, dhe jo të bëjnë thirrje për riciklimin e “mbetjeve të turpshme të së kaluarës”. Në rastin e parë i ndihmojmë progresit, ndërsa në të dytin thjesht zbavitim pasionet tona emocionale.

 

*Frank Herbet është gazetar dhe shkrimtar amerikan i shekullit të 20-të.

DITA

 

Back

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode