FRYMË SKANDALOZE (!)
21/05/2020 22:44
OPINION
FRYMË SKANDALOZE (!)
Tafil DURAKU
Fryma skandaloze që e ka mbërthyer “Republikën e Kosovës” tash e dy dekada, pas luftës së lavdishme të UÇK-së, po vazhdon me egërsinë e saj “patriotike” e “kombëtare” të LDK-së&Co e saj “demokratike”, dhe, për fat të keq të popullit shqiptar, nuk po i shihet as dihet fundi askund.
Për gjithçka që ka ndodhur në “Republikën e Kosovës”, kemi reaguar me kohë, me opinionet tona të paanshme shqiptare, dhe kemi qenë mjaftueshëm kritikë, për ta parë veten e vetveten se kah dhe ç‘drejtim kanë marrë “qeveritë e ‘Republikës’” që, pos politikanëve dhe familjeve të tyre, nuk i duhet asnjë shqiptari dhe asnjë Shqipërie.
Prej rënies së “qeverisë në detyrë”, gjendja është egërsuar e rënduar edhe më shumë, sepse, duket se qeveria në ikje nuk do heq dorë nga pushteti që ia kanë dhënë të rinjtë e ngashnjyer e mashtruar, duke u premtuar pozita e privilegje të caktuara, njerëzve që nuk i njeh as mëhalla e vet!...
Ajo që do ta trajtojmë këtu, është skandaloziteti i debateve, që shihet në mediat tona pamore, sidomos, prej rënies së qeverisë që as çoi kandidat tjetër për ta formuar qeverinë, as po lejon që qeverinë ta formojë “i dyti”, ai që nuk do duhej të ishte kurrë, në asnjë qeveri, pas luftës së lavdishme të UÇK-së, LDK&Co.
Ajo që e kanë parë dhe po e shohin publikisht të gjithë shqiptarët e interesuar për fatin e tyre shqiptar, është fakti se prej disa ditësh në mediat tona (si tash e shkuar dy dekadash) po ftohen e riftohen në panele “analistë” të bajatshëm “shqiptarë” dhe po i fryejnë zjarrit antishqiptar dhe antiSHQIPËRI, duke e akuzuar edhe Tiranën zyrtare, po sipas direktivave të shqiptaro-titistëve, që kanë qenë dhe janë në skenën e gabuar “shqiptare”, në atë skenë ku kanë qenë gjithmonë…
Ajo që do e përimtojmë me këtë rast dhe këtu, është vetëm një pyetje publike e moderatorëve dhe panelistëve të tyre të ftuar, që u dëgjua aq shpesh në debate dhe vazhdimisht mbeti pa përgjigje, nga e vetmja parti në ikje, VV dhe përfaqësuesit e saj, që po e kërcënojnë edhe Gjykatën Kushtetuese dhe 75% të elektoratit të subjekteve të tjera politike e “patriotike”, “kosovare”!
Pyetja është shtruar në këtë formë: “A do ta njihni vendimin e Gjykatës Kushtetuese?” Kjo pyetje u është bërë të gjithë të pranishmëve të VV në debate, përfaqësuesve inatçorë e dëmtorë të subjekteve politike, si nga moderatorët e debateve, edhe nga të ftuarit e subjekteve të tjera politike, në ato panele.
Të gjitha subjektet politike “kosovare” (lexo: “shqiptare”) në “Republikën e Kosovës”, janë shprehur se, “Po, do ta njohim e respektojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese”(!), pos partisë së skandaleve recidiviste të Albin Kurtit, VV-së, dhe përfaqësuesve të tij, se “Ne e njohim vetëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese që është në anën tonë”(!)…
Pa dashur të zgjatemi në këtë analizë, do të gjykojmë se kjo përgjigje përbën shantazh, provokim dhe kërcënim të programuar antishqiptar, formësuar në Beograd e Moskë dhe në qendra të tjera antishqiptare, siç është Prishtina e shqiptaro-titistëve dhe Tirana që e kanë “shtënë në dorë” me mashtrime “patriotike” e “kombëtare”, po këta shqiptaro-titistë e neotitistë të pangopshëm me pushtetin antishqiptar që ua ka lënë trashëgim Titoja, Millosheviçi, I. Rugova… dhe tash po ua lë në dorë Vuçiçi a ndonjë tjetër që ende nuk ia kemi parë “fytyrën”…
Po, si mund të thotë Kryeministri a Presidenti i një vendi normal, që pretendon të jetë vend demokratik, ligjor, me qeveri e institucione demokratike, se “Vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese është vetëm ai që është në anën time”(?!!!) A e dinë këta zëdhënës të subjekteve të tyre “demokratike”, sidomos, ata që thërriten në drejtësi dhe kërkojnë drejtësi, se qytetarët e “Republikës së kosovës”, falë “ligjit” dhe “drejtësisë” së institucioneve të tyre, bredhin nëpër gjykata tash e gati dy dekada, siç është rasti i NB - Edicionit “Rilindja”…
Pa dashur të zgjatemi më shumë në këtë analizë, vlerësojeni deklaratën e Ministreshës së Drejtësisë në ikje, se, parafrazojmë “Nëse Gjykata Kushtetuese e mbështetë ankesën e VV, vetëm atëherë vendimi i saj është i drejtë!”(Sic!) Po, ku do shkojmë me ministri (ministra e ministresha) të tilla të “Drejtësisë”, kur drejtohen nga interesaxhinjë e pazarxhinjë të lojës me interesat e popullit dhe të shfrytëzimit të tij? Me shantazhimin dhe denigrimin e të drejtave të punonjësve shqiptarë (që nuk u takojnë partive të tyre!), të cilëve u shkelen të drejtat elementare më keq e më zi sesa në kohën e pushtuesve, siç është rasti i këtij autori dhe i punonjësve të tjerë të NB – Edicionit “Rilindja”, që është në proces e sipër, që nga viti 2006, i papërfunduar ende.
Kjo frymë skandaloze, “patriotike” e “kombëtare”, e nisur menjëherë pas luftës së lavdishme të UÇK-së, pakrahasimisht, po i kushton shumë shtrenjtë popullit dhe shtetit shqiptar, në dy (të gjitha) shtetet “shqiptare”, veçanërisht, në “Republikën e Kosovës”, e cila mëzi po ecën, me zorrë serbojugosllave, shqiptaro-titiste e neotitiste nëpër këmbë!...
Dhe, kjo është fryma e partive e parive politike, diplomatike…, “kosovare” e “kosovariste”, antishqiptare, që po na godet në vazhdimësinë e saj shqiptaro-titiste.
Burojë, 21 Maj 2020