FESTIVALI FOLKLORIK “I KËNDOJME LIRISË” - I ZYMTË SI KURRË MË PARË
15/06/2011 16:29
FESTIVALI FOLKLORIK “I KËNDOJME LIRISË” - I ZYMTË SI KURRË MË PARË
Shkruan: Tafil DURAKU
Festivali i 11-të folklorik “I këndojmë lirisë”, që mbahet i përvjetshëm në Klinë, më 6, 7 e 8 qershor, nën organizimin e Komunës së Klinës, sivjet, u mbajt për të njëmbëdhjetën herë me radhë. Ajo që u pa nga të gjithë vizitorët e shumtë dhe u kritikua ashpër nga të gjithë qe pikërisht organizimi i keq i tij. Më i keqi deri sivjet. Natën e parë u pa tmerri i krejt organizimit që mund të ndodhte më pas, që me të drejtë i iritoi të pranishmit.
Eskavatori që rrafshonte zhavorin në kohën kur duhej të fillonte Festivali
Në kohën e caktuar kur duhej të fillonte festivali, kur kishin zënë vend shikuesit dhe vizitorët e shumtë, u pa tek punonte një eskavator dhe të tmerronte me zhurmën e tij shurdhonjëse, një rrafshues i madh (makinë që shihet nga fotografia që ia bashkangjesim shkrimit tonë), i cili e rrafshonte zhavorin dhe ky ishte hapi i parë i mosorganizimit dhe i politizimit të tepruar që i bëhej Festivalit Folklorik “I këndojmë Lirisë”, i cili është shndërruar në festival të përvjetshëm kombëtar dhe mbahet për nder të Komandantit të UÇK-së Mujë Krasniqi – KAPUÇI.
A nuk patën kohë të mjaftueshme “udhëheqësit” e festivalit që t’i kyejnë punët dhe të kujdesen më mirë për fillimin dhe organizimin meritor të festivalit, që ta lënë pikërisht fillimin e festivalit për të rrafshuar zhavor me eskavator e makina shurdhonjëse?!... Thjesht, festivali “I këndojmë lirisë” është shndërruar në një festival ku nuk respektohen mysafirët dhe miqtë e vërtetë të Komandantit Mujë Krasniqi – KAPUÇI, sa që njëri prej tyre ishte detyruar ta marrë shkamin me vete, për t’u ulur kudo që të mund ta zinte një vend… Kjo është, vërtetë, ajo që i jep hije të zezë e shije të keqe Festivalit Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, plus, shto të gjithë kësaj qëllimkeqësie edhe rrahagjokësinë e vetëudhëheqësve të festivalit…(Sic!)
Po, vallë, a e meriton emri i Komandantit tonë të Madh atë organizim aq të dobët dhe të politizuar skajshmërisht, siç është politizuar gjithçka në këto dymbëdhjetë vjetë të pasluftës së lavdishme të UÇK-së? A e meriton emri dhe vepra shqiptare e Komandantit Mujë Krasniqi një sjellje të tillë të papërgjegjshme dhe kapricioze të udhëheqësve të festivalit?!... Vërejtjet janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme.
Tre net isha i pranishëm me të gjithë shokët e idealit shqiptar sepse, emri i Komandantit Mujë Krasniqi – KAPUÇI ishte ai që e meritonte nderimin tonë dhe na bashkon edhe sot e kësaj dite për ditë më të mira Shqipërie e etnie.
Se festivali ishte tepër i politizuar e qiten në shesh edhe broshurat dhe fletpalosjet e përgatitura enkas. Madje, u bë tepër monotone rrahagjokësia e kryetarit të komunës, sa që mund të themi se dominoi edhe mbi gjakun e Dëshmorëve të Kombit, siç është edhe Dëshmori i Kombit dhe Komandanti i UÇK-së, Muje Krasniqi – KAPUÇI. Dhe, e gjithë kjo i dha një hije të zezë Festivalit Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, sa që në një nga tavolinat e ndodhura në tarracën e Restorantit përballë Tribunës së Festivalit, nga një grup të rinjsh të UÇK-së u dëgjua edhe ironia kulmore: “E kanë nisur mirë sa s’ka ku shkon më mirë I KËNDOJMË LIRISË, e, tash, po shihet se po i kcejnë Lirisë qysh po u vjen ndoresh”(Sic!)...
Edhe çka tjetër të thuhet për këtë festival, që ishte më i zymtë se kurrë më parë?!...
Burojë, më 15 qershor 2011